Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të rënda ndaj televizionit italian “Rai 3” pasi emisioni “Report” ka publikuar dy ditë më parë një dokumentar i cili nxirrte “lakuriq” propagandën e kryeministrit shqiptar për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe sa i përket reformës në drejtësi.
Rama e konsideroi Engjëll Agaçi një viktimë të asaj që ai e quajti “një agresion i pashembullt i televizionit italian”, ku dëshmonte lidhjet e qeverisë dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave me krimin.
Në intervistën për Top Channel, Rama vijoi sulmet skandaloze ndaj emisionit italian “Report”, ndërsa i del në krah bashkëpunëtorëve të tij që i nxorën “bojën” edhe në arenën ndërkombëtare.
Por gjatë intervistës, Edi Rama harron dhe “kyç gojën” për akuzat e emisionit italian ndaj Olsi Ramës që e lidhin vëllain e kryeministrit me laboratorin e drogës në “Xibrakë” dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar.
- Intervista e Ramës:
Pyetje: Kryeministër cili ishte impresioni juaj i parë për dokumentarin e Rai3?
Edi Rama: Nuk kam parë dokumentarin, por kam marrë një përmbledhje të shkruar dhe jetojmë fatkeqësisht në një kohë dhe një botë ku ajo shprehja e urtë e popullit që kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat’, sot është në një proporcion krejt tjetër, sepse kur e vërteta vesh pantallonat janë 7 gënjeshtra të tjera që bëjnë xhiron e botës, pra ka humbur dhe tretet çdo ditë ekuilibri midis gënjeshtrës dhe të vërtetës në mungesë të një fuqie që ka kapacitetin të përmbajë gjithë këtë lukuni gënjeshtrash që shpërndahen me një shpejtësi marramendëse në një pasqyrë të informimit të publikut përmes shumë burimesh, miliona dhe miliarda burimesh, të cilat nuk ka asnjë mundësi që të mendohet se mund ta filtrojnë informacionin, se mund t’i japim publikut në fund atë çka është e vërteta ose normalisht SPAK-u qëndrime mes atij që gënjen dhe atij që thotë të vërtetat dhe pastaj publiku të gjykojë.
Pyetje: Sipas jush cilat janë të pavërtetat në këtë dokumentar zoti kryeministër?
Edi Rama: Nuk e kam ndjekur të gjithë dokumentarin, por më mjafton një fakt shumë i thjeshtë që aty është trumbetuar që sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë që është një figurë institucionale dhe i cili ishte viktima e atij agresioni të pashembullt refuzuar të përgjigjet, ndërkohë sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë i cili ka refuzuar të përgjigjet ka lajmëruar edhe padinë penale në gjykatën italiane, sepse Italia ka një legjislacion shumë të ashpër për shpifjen edhe e ka ende në kodin e vet penal, ka kthyer përgjigje3t pikë për pikë, pyetje për pyetje, në të njëjtën adresë nga ato pyetje i kanë ardhur dhe në afatin e kërkuar nga dërguesi në mënyrën më të paimagjinueshme pasi flet në atë emision skandaloz, del edhe në kanalet e ujërave të zeza këtu në Shqipëri dhe vazhdon të thotë që askush nga viktimat e tij nuk i ka dhënë asnjë prononcim.
Pyetje: A ka pasur një përpjekje nga ana juaj për t’i telefonuar drejtorit të RAI 3 dhe për t’i shprehur shqetësimet tuaja për këtë dokumentar?
Edi Rama: E para ka pasur një tjetër gënjeshtër që ka marrë dhenë me shpejtësi të madhe sipas së cilës unë e kam telefonuar dhe i kam shfryrë tërbimin. Ndërkohë që unë nuk kam pasur telefonatë me të, në rastin konkret kur doli kjo gënjeshtër e radhës, por i kam dërguar një mesazh shumë normal për të pasur një komunikim, ai më ka kthyer një mesazh që do të të marr mbrapsht dhe telefonata ka ndodhur pak orë më parë, pa asnjë lloj shqetësimi tjetër, përveç faktit që kemi të bëjmë me një situatë anormale ku viktima e një sulmi skandaloz jo vetëm është denigruar me shumë të pavërteta, por edhe paraqitur para publikut si një person që ka refuzuar të përgjigjet ndërkohë që ai është përgjigjur një për një dhe kaq.
Pyetje: Sipas jush cili ishte qëllimi final i prodhimit dhe transmetimit të këtij dokumentari?
Edi Rama: Në mënyrë të përsëritur po e quan dokumentar, kjo terminologji fyen të gjithë dokumentaristët e vërtetë dhe të gjithë zhanrin e dokumentarit, ai është një emision që të kujton kronika dhe emisione që bëheshin në kohën kur shqiptarët sa herë shfaqeshin në mediat italiane ishin ose kriminelë, ose trafikantë, ose prostituta dhe Shqipëria ishte vendi i vrasësve dhe të gjithë të këqijave të kësaj bote, prej kohësh nuk ishin përballur me këtë anë të errët të historisë së informacionit lidhur me shqiptarët dhe mesa unë pashë falë shqiptarëve këtu në Tiranë që kishin përgatitur të gjithë brumin e këtij emisioni kjo ndodhi përsëri. Më shumë se sa gazetari italian që ka thyer në mënyrë flagrante kodin etik të gazetarit dhe që do të përballet në Itali me procesin gjyqësor e kam me shqiptarët këtu, shqiptarët e njohur e ujërave të zeza, politikës dhe kanaleve të infektuara të informacionit,. Nuk lë rast, nuk lë mundësi pa i nxjerrë këto ujëra të zeza të vetvetes kudo ku i jepet një hapësirë edhe mediat ndërkombëtare, kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë, ky është një mallkim që Shqipërinë e ka ndjekur qysh prej vitit 1912. E njëjta kategori ka bërë të njëjtën gjë në mënyrë të përsëritur duke mos pasur ç’ti bëjë gomarit, i ra samarit, ndërkohë që Shqipëria është atdheu ynë që një qeveri e radhës, një kryeministër i radhës bën diferencën ta mbajë në kurriz për aq sa i takon.
Pyetje: Në dijeninë time përpara nënshkrimit të marrëveshjes me homologen tuaj Meloni, ka qenë i ngritur një grup pune në Shqipëri me disa zyrtarë të qeverisë suaj, por përse RAI 3 atakon kaq dhunshëm një prej njerëzve tuaj më të rëndësishëm siç është Engjëll Agaçi?
Edi Rama: Duhet të shtoj dhe diçka se është e rëndësishme, gazeta “La Repubblica”, e cila dy herë u bë përçuese në fillim i gënjeshtrës së parë pastaj gënjeshtrës së dytë në të dyja herët pasi u kontaktua nga zyra jonë menjëherë reagoi dhe i rektifikoi të dyja lajmet, të dyja herët se është e rëndësishme të thuhet edhe kjo. Nuk është gjithçka dhe çdo gjë kështu, Ndërsa për sa i përket arsyeve për të bërë këtë skifo duhet të pyesni ata që e kanë bërë dhe jo mua. Unë di të them që e gjitha është një çmenduri e vërtetë që nuk ka lidhje fare as me arritjen e fakteve, as me respektin në gazetari, për lirinë e informacionit për të drejtën e gjithkujt kur merret nëpër gojë, t’i jepet mundësia edhe atij të japë fjalën e vet, është një skifo.
Pyetje: Kur pritet të mbërrijnë emigrantët e parë dhe kështu të marrë rrugë zbatimi i marrëveshjes me homologen Meloni?
Edi Rama: Ky është një proces që është i gjithi në dorën e palës italiane me të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë e veta, Shqipëria ka ofruar disponibilitetin e një hapësire ku pala italiane e ka bërë të gjithën atë që i takon lidhur me të gjithë procesin që lidhen me këta njerëz që nuk e kapërcejnë detin nga dëshira, por nga halli dhe që meritojnë të mikpriten dhe trajtohen dhe të marrin drejtimin e duhur sipas ligjeve në fuqi të shtetit italian.
- “RAI 3” nxjerr zbuluar lidhjet e qeverisë Rama me krimin dhe trafikantët e drogës
Në emisionin investigativ “Report” të RAI 3 u trajtua mbrëmjen e kaluar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për çështjen e emigrantëve. Por gazetari Giorgio Mottola ka shkuar edhe më tej duke u ndalur në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai është ndalur edhe tek akuzat që i janë bërë Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.
“Disa hije arrijnë deri tek vëllai i kryeministrit Edi Rama. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë në 2016-ën që emisioni “Report” i publikon ekskluzivisht më poshtë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë tashmë gjykuar dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë.
Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësore” – thuhet në emisionin “Report” të RAI 3 që ka publikuar edhe faksimilie të lëvizjeve të Olsi Ramës dhe anëtarëve të bandës së Xibrakës.