Për 20 vite me radhë emri i tij ka qenë i lidhur pazgjishmërisht me krimin, Policinë dhe drejtësinë.
Ndaj tij janë ngritur akuza nga më të rëndat.
Në skedën e tij kriminale ka pothuajse gjithçka. Përballjen e parë me drejtësinë e ka nisur me akuzën e plagosjes, me tej me falsifikim dokumentesh dhe shpërndarje droge.
Gjithçka kulmoi në vitin 2004 kur u akuzua për pengmarrje dhe vitet e fundit akuzat u bënë edhe më të rënda ndaj tij. U dyshua edhe për vrasje.
Ky është Gjergj Cukali, i cili mbetet padyshim personi që nuk u largohet lehtë problemeve me drejtësinë. Vitet e fundit ai është shoqëruar, proceduar dhe arrestuar disa herë nga Policia e Tiranës, madje edhe atëherë kur kishte dalë me leje nga burgu, ku vuante një dënim për pengmarrje.
I konsideruar, ndoshta jo rastësisht si “i forti” i “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali, sot 44 vjeç, ndodhet në qeli, në pritje të një vendimi të Gjykatës së Posaçme. SPAK ka kërkuar që ai të dënohet me 25 vjet burg, për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe grup kriminal.
Deri më sot, ai kishte arritur të “zbuste” edhe drejtësinë. Por kësaj here, duket se as problemi i tij shëndetësore, astma bronkiale, që i dha lirinë nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, nuk do ta shpëtojë dot nga qelia.
Përballjet e Gjergj Cukalit me forcat e rendit datojnë hershëm, madje edhe atëherë kur ai supozohej të ishte në burg. Si një ish-i dënuar me 7 vite burg për plagosje dhe dy vepra të tjera penale, në vitin 2004 ai nisi një kalvar ballafaqimesh me togat e zeza, ndonëse rëndësia e krimeve që ai akuzohej në fillim, gjatë seancave gjyqësore sfumohej vazhdimisht.
Këtë herë Prokuroria e Posaçme duket se e ka seriozisht. Ai ndodhet në paraburgim prej 3 vitesh dhe mekanizmat ligjor e shendetësor që kishte përdorur më parë, nuk i kanë pirë ujë.
Por cila është historia kriminale e “të fortit” të “Myslym Shyrit” dhe si i ka shpëtuar deri më sot përballjeve me drejtësinë.
22 Korrik 2004
Gjergj Cukali arrestohet për pengmarrje
Në orën 2 pas mesnate, të datës 18 korrik 2004, një qytetar ka bërë kallëzim në Policinë e Tiranës se është telefonuar nga një person i paidentifikuar, i cili ka deklaruar se i biri, Fatjon Demirlika, është marrë peng në rrugën “Myslym Shyri”. Denoncuesi, shpjegonte në Polici se autorët i kërkonin 100 mijë euro në këmbim të lirisë së djalit të tij.
Ngjarja kishte ndodhur 300 metër larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pak pas mesnate. I dëmtuari, 23-vjeçari Demirlika, ka qenë duke lëvizur në afërsi të një karburanti, kur një makinë ka ndaluar para këmbëve të tij dhe tre persona e kanë marrë me forcë duke e futur ne mjet e janë larguar. E gjithë skena është parë nga punëtori i turnit të natës në karburant dhe nga një punonjës i Shërbimit Informativ. Fatjon Demirlilka sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe do të qëndronte në Tiranë vetëm për dy javë. Policia tha në atë kohë se pengmarrësit dhe i dëmtuari kanë pasur miqësi me njëri-tjetrin.
Madje Prokuroria për Krimet e Rënda, që mori në dorë hetimin e ngjarjes në atë kohë, kishte dyshime për aktivitetin e pengut dhe njohjes së tij me tre pengmarrësit. Madje flitej edhe për një borxh të pakthyer që ishte marrë në Frankfurt të Gjermanisë, ku kishin qëndruar edhe autorët e ngjarjes.
Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi: “Ka pasur lidhje shoqërore midis pengmarrësve dhe pengut Demirlika. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia gjyqësore po hetojnë pista të tjera për të cilat sërish do të bëhen publik në kohën e duhur”.
Gjatë fazës së parë të hetimeve që u kryen në atë kohë, pati dyshime edhe për vetë të dëmtuarin, i cili u shoqërua për 48 orë në Komisariatin nr.3, por më pas u la i lirë.
Historia e pengmarrjes u mbyll brenda 24 orëve. Policia e Tiranës dhe forcat speciale RENEA arritën të lirojnë pengun dhe të arrestojnë njërin nga autorët e dyshuar, Ilir Kodumin e të identifikojnë të tjerët. I arrestuari u fut në kurth nga Policia, duke u arrestuar në momentin që do të merrte paratë. Një person i kontrolluar tërësish nga policia është nisur për të dorëzuar sasinë e parave të kërkuara nga pengmarrësit, shumën prej 100 mijë eurosh, të cilët nëpërmjet telefonatave udhëzonin lëvizjen e tij. Pengmarrësit kanë kërkuar që dorëzimi i parave të bëhej pranë varrezave të Tufinës. Menjëherë, sapo njëri prej tyre, konkretisht Ilir Kodumi i është afruar vendit ku ishin vendosur paratë, pranë një pllake varri, forcat e policisë e kanë rrethuar duke e vënë në pranga. Në momentin e arrestimit 21-vjeçari Ilir Kodumi mbante me vete një pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim Policisë.
Ndërkohë, më 22 korrik 2004, u arrit të arrestoheshin edhe dy autorët e tjerë të pengmarrjes. Gjergji Cukali dhe Ledio Lito, u ndaluan teksa fshiheshin në një banesë në fshatin Grabian fshat të Lushnjës.
Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi: “Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në bazë të një plani operacional të hartuar me shumë kujdes, duke pasur parasysh dhe rrezikshmërinë që paraqisnin personat e lartpërmendur, forcat e komisariatit të policisë nr.3 të Tiranës dhe forcat e komisariatit të policisë së Lushnjës, kanë kryer operacionin në fshatin Grabian dhe rreth orë 06:00, u bë e mundur t’i vejë në pranga personat e mësipërm të kërkuar”.
Në momentin e arrestimit janë gjetur dhe armët, me të cilën është realizuar pengmarrja, dy pistoleta dhe një automatik, si dhe automjeti “BMW”, që kishte shërbyer për të marre me forcë 23-vjeçarin në rrugën “Myslym Shyri” e për ta transportuar në periferi të Tiranës ku është mbajtur peng për 24 orë. Përveç 3 autorëve që u dyshuan si organizatorët kryesorë të ngjarjes, në atë kohë u ndaluan edhe 3 persona të tjerë, që kishin dhënë ndihmë e kishin strehuar të dyshuarit.
Gjatë hetimeve ngjarja u lidh edhe me një plagosje të ndodhur një vit para pengmarrjes, ku ishte plagosur një nga autorët, konkretisht Ilir Kodumi. Ai ishte qëlluar me pistoletë nga dy vëllezërit Erjon dhe Armando Kapollari, të cilët kanë qenë shokë të tij dhe të pengut. Pas arrestimit, Kodumi ka bërë një denoncim në Polici, duke pretenduar se Fatjon Demirlika ka dashur vrasjen e tij. Sipas denoncimit, ai kishte paguar dy vëllezërit Erjon dhe Armando Kapollari që ta vrisnin në mënyrë që të mos paguante borxhin që i kishte. Në Prokurori Kodumi e ka argumentuar marrjen peng të Demirlikës si të vetmen mundësi që familja e tij të kthente borxhin që ai u kishte.
Pas një procesi që zgjati më shumë e dy vite, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli vendimin, duke dënuar me 86 vite burg në total, 6 të pandehurit e pengmarrjes. Gjergj Cukali dhe Ledio Lito u dënuan me nga 14 vjet burg, Eduard Skuka dhe Florian Metalla me nga 13 vjet, Ilir Kodumin me 15 vjet dhe Durim Gurzi me 16 vjet e 18 muaj heqje lirie.
19 Qershor 2008
Merr leje nga burgu, Cukali kapet me makinë të trafikuar
Më 19 qershor të vitit 2008, kur Gjergj Cukali kishte marrë leje nga burgu, pasi vuante dënimin për pengmarrjen e vitit 2004 të Fatjon Demirlikës, u kap duke lëvizur me një mjet luksoz, që rezultonte i trafikuar. Policia e Tiranës tha në atë kohë se oficerët e Antitrafiqeve sekuestruan automjetin “Porsche Cayenne”, me targa të Kosovë. Ky automjeti u bllokua në rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë sepse rezultonte i vjedhur jashtë Shqipërisë. Në momentin e bllokimit mjeti drejtohej nga shtetasi Gjergj Cukali. Ky incident i parapriu edhe disa ngjarjeve të tjera, për të cilat Cukali u bë protagonist pas përfundimit të dënimit. Në vitin 2011 u ndalua për një tentativë vrasje, por u la i lirë pasi ngjarjen e mori përsipër shoku i tij. Policia tha se ishte tentuar të vritej me armë zjarri shtetasi Gerhard Takaj dhe për këtë ngjarje akuzohej Cukali, i cili edhe u shoqërua dhe u mbajt disa orë në Komisariatin nr.2. Por më vonë dikush tjetër mori për sipër autorësinë e ngjarjes, duke përjashtuar implikimin e Cukalit, i cili u la i lirë. Policia tha se për këtë ngjarje u arrestua miku i tij, Mateo Deliu, 23 vjeç.
Në vitin 2015 ai u shoqërua sërish, por kësaj herë vetëm për disa orë. Të paktën në këtë përfundim arriti Policia e Tiranës, kur vendosi ta lirojë 8 orë pas shoqërimit, edhe pse poshtë sediljes ku ai ishte ulur si pasagjer në një automjet tip “Porche”, u gjet një armë gjahu “Shotgun”. Makina luksoze drejtohej nga një 45-vjeçar, të cilit njësia “Shqiponja” i ishte vënë pas për ta arrestuar, pasi ishte person në kërkim nga sektori i Antitrafiqeve për çështje droge. Në rrugën “Myslym Shyri”, ku Cukali është ndaluar disa herë, Policia i vuri prangat, edhe pse këtë radhë i mbajti vetëm për pak, pasi u la i lirë. Gjergj Cukali u mbajt i shoqëruar për verifikim, pasi arma e gjetur në makinë, përveçse nuk ishte e tij, ishte edhe me leje.
19 Gusht 2012
Cukali kapet me pistoletë, kërkohej për kanosje
Gjergj Cukali, i rikthyer në vëmendjen e Policisë së Tiranës në maj të vitit 2012, si autor i kanosjes dhe plagosjes së një polici privat, u prangos më 19 gusht 2012 nga shërbimet e Komisariatit nr.2. Ai u arrestua teksa lëvizte në këmbë pranë lulishtes “1 Maji”, përballë ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, në kryeqytet. Cukali nuk ka arritur t’i bëjë rezistencë forcave të Policisë, edhe pse në brez mbante një pistoletë “Glock”, me 17 fishekë që i është sekuestruar në momentin e arrestimit. Gjergj Cukali, në atë kohë u arrestua si person në kërkim nga Policia e Tiranës për një ngjarje të ndodhur më 5 maj të atij viti, në zonën e njohur si Tregu Elektrik. Shpend Kadiu, punonjës sigurie, në një kompani të ruajtjes dhe sigurisë fizike, pati bërë kallëzim se në rrugën “Mihal Grameno”, pranë Shkollës së Baletit, është dhunuar fizikisht dhe është kërcënuar me armë për jetën nga dy persona të panjohur. Ai pati treguar për oficerët e Policisë së Komisariatit nr.1 se kërcënimi dhe dhunimi ndaj tij ka ardhur si pasojë e një debati për një vend parkimi të parapaguar. Teksa bënte roje, tek polici privat ka ardhur një makinë luksoze, duke parkuar pa të drejtë, kështu që ai u ka kërkuar të largohen. Dy personat që ndodheshin në makinë kanë debatuar me të dhe më pas e kanë rrahur me grushte dhe shqelma, duke e kërcënuar me pistoletë. Menjëherë pas ngjarjes, burime nga Policia thanë se, nga puna e bërë dhe deklarimet e marra është arritur të bëhet identifikimi i autorëve të ngjarjes, të cilët janë Gjergji Cukali, dhe Kataldo Lezhja.
12 Korrik 2016
Cukali kapet si drejtues i një rrjeti kokaine në Tiranë
Rreth orës 16 e 30, të datës 11 korrik 2016, Gjergj Cukali u ndalua sërish në një lokal në zonën e “Ali Demit”. Ai ishte në shoqërinë e dy miqve të tij, të cilët gjithashtu u shoqëruan për verifikime në Policinë e Tiranës. Shoqërimi i Cukalit dhe dy miqve të tij u krye nga njësia “Shqiponjat”, për llogari të Antidrogës. Deri në orët e para të mëngjesit të datës 12 korrik, ende nuk kishte dalë një urdhër arresti ndaj Cukalit, pasi pritej dokumentimi i veprimtarisë së tij me prova materiale, edhe pse ai po mbahej nën vëzhgim prej disa muajsh. Gjatë orëve që Gjergj Cukali mbahej i shoqëruar në Polici, në terren vijonte operacioni, që arrestoi edhe 6 persona të tjerë që bashkëpunonim me të. Ndërsa kur u vendos arrestimi për Cukalin, dy miqtë që po pinin kafe me të në momentin e shoqërimit, u lanë të lirë, pasi nuk u gjetën prova që t’i implikonin në veprimtarinë e jashtëligjshme.
Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së Tiranës në atë kohë, Ervin Hodaj, foli për detajet e operacionit që u kodua “Tangent”, duke deklaruar se, përmes veprimeve proceduariale, duke përdorur edhe medota speciale, ishte dokumentuar aktiviteti kriminal i shpërndarjes së lëndëve narkotike për këtë grup të përbërë nga 16 persona. Bëhej fjalë për persona në Shqipëri e Kosovë që merreshin me shpërndarje të kokainës.
Çdo gram kokainë që shitej për llogari të grupit që drejtohej nga Gjergj Cukali, mbahej shënim për të dokumentuar sasinë e shitur në çdo muaj. “Bilancin” e shitjes së drogës e mbante pjesëtarja e vetme femër e grupit, Vjollca Gjoka, e cila po ashtu u arrestua gjatë operacionit të koduar “Tangent”. Gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e saj, Policia gjeti edhe një fletore ku ajo shënonte çdo ditë dozat e kokainës që shiteshin, të cilat i mblidhte në fund të çdo muaji për t’ia dorëzuar Cukalit. Rezultoi që Gjoka ishte bashkëpunëtorja më e afërt e Cukalit dhe njeriu që ai i besonte fitimet e këtij aktiviteti kriminal. Vetëm nga këqyrja e fletores me shënime, konstatohej se fitimi nga shitja e kokainës kapte vlerën e 50 mijë eurove në muaj. Grupi kishte krijuar edhe “klientë” të rregullt, të cilët mund të merrnin sasi të ndryshme kokainë edhe pa para. Por në rast se shlyerja e parave nuk kryhej brenda muajit, ata duhej të linin një garanci tek Cukali, derisa të bënin pagesën. Kryesisht si garanci dorëzonin çelësat e makinave. Gjatë operacionit Policia gjeti edher 15 çelësa makinash, që ishin lënë peng për paratë e drogës. Ndërsa një sasi prej rreth 300 gram kokaine, u gjet e fshehur në disa lodra pelushi.
24 Maj 2017
Gjykata e Lartë liron Gjergj Cukalin, e le në arrest shtëpie
Kur u arrestua si drejtues i një grupi që shpërndante kokainë në Tiranë, askush nuk e mendonte se Gjergj Cukali mund ta fitonte lirinë për një kohë aq të shkurtër, siç kishte ndodhur në rastet e mëparshme. Pasi provoi dy shkallët e gjyqësorit, duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, me pretendimin se ishte shumë sëmurë, kërkesa iu pranua vetëm nga Gjykata e Lartë. Më 24 maj të vitit 2017, pa u mbushur ende një vit nga arrestimi, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi zëvendësimin e masës “arrest me burg” dhënë nga Shkalla e Parë dhe Apeli, duke e çuar në “arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike. Gjykata e Lartë argumentonte se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Sipas vendimit, “i forti” i “Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta. Për këtë arsye, sipas Gjykatës, Cukali nuk mund të mjekohej në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë. “Qëndrimi në burg i vë jetën në rrezik”, argumentonte Gjykata. Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie”, si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit. Përveç të gjitha akuzave të mëparshme, ai u dyshua edhe për falsifikim. Për 12 vjet ai kishte mbajtur identitetin e rremë, Ergi Hoxha, madje ishte i pajisur me kartë identiteti e patentë me këtë emër. E sërish, pa u bërë një vit nga koha kur la qelinë, më 12 prill 2018 Cukali ra në pranga. Këtë herë, forcat Operacionale të Policisë së Tiranës e gjetën atë në një lokal pranë ish-Ekspozitës, në një kohë kur duhej të qëndronte në shtëpi. Një muaj pas arrestimit, Gjykata e dënoi me 3 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar i shkoi në 2 muaj e në përfundim Gjykata urdhëroi lirimin, pasi masa e dënimit ishte ezauruar me kohën e paraburgimit. Ndërsa në dhjetor të vitit 2018 Gjykata e Apelit vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e tij në liri me kusht për 24 muaj. Gjykata e Apelit arsyetonte se izolimi i të pandehurit nga shoqëria do të sillte një dëm shumë të madh në jetën e tij dhe të familjes së tij, dhe nuk do të ndihmonte aspak në arritjen e qëllimit të dënimit, edukimin dhe rehabilitimin e tij.
31 Maj 2019
Gjergj Cukali arrestohet për vrasjen e ish-policit në Tiranë
Më 31 maj të vitit 2019, Gjergj Cukali u arrestua me bujë nga Policia e Tiranës, si i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, ngjarje e ndodhur mesditën e 30 janarit të vitit 2019 pranë shtëpisë së tij, në Selitë të Tiranës. Cukali u arrestua nga një grup i Operacioneve Speciale po e mbante në vëzhgim prej disa ditësh, derisa ranë në gjurmët e tij, teksa po lëvizte në këmbë në rrugicat e zonës, ku edhe u prangos. Burime nga Policia thanë në atë kohë se kishin siguruar prova shkencore, që e implikonin Cukalin në vrasjen e ish-policit Bilali. Bëhej fjalë për ADN-në që u zbulua nga disa mbetje biologjike në makinën e sekuestruar ditën kur ndodhi vrasja e 50-vjeçarit Bilali. Pas ekzaminimeve ka rezultuar se bëhej fjalë për profilin gjenetik të Cukalit. Megjithatë, burimet thanë në atë kohë se, ndonëse ishte provuar se Cukali dyshohet si ekzekutor i Arben Bilalit, po punohej për identifikimin e porositësve të krimit. Kjo, pasi kishte të dhëna se ai mund të ishte paguar për eliminimin e 50-vjeçarit, duke qenë se nuk është gjetur asnjë motiv tjetër që mund ta çonte atë drejt vrasjes.
Deklarata e Policisë:
Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i ngjarjes. Në pranga 40-vjeçari i dënuar më parë për disa vepra penale. Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 30.01.2019, ku në rrugën “Isuf Banka” në Tiranë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Bilali, pas një pune të mirëorganizuar është arritur të bëhet zbulimi dhe dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje, ku është bërë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar. I arrestuari është Gjergj Cukali, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Armëmbajtja pa leje’ dhe ‘Rrëmbim personi’.
Para se të mbetej i vrarë në atentat, mesditën e datës 30 janar 2019, Arben Bilali kishte qenë në shoqërinë e mikut të tij. Ai ka deklaruar se bashkë me Bilalin, ka shkuar për të dërguar makinën në servis, pasi kishte një defekt dhe në momentin që janë kthyer ka ndodhur sulmi i menjëhershëm me armë. Në pamjet e fokusuara nga një kamera sigurie në vendin e ngjarjes, pas automjetit tip “Golf 4”, ku 50-vjeçari ishte si pasagjer, është një makinë tjetër tip “Mercedes Benz”. Në një moment, shoku i Bilalit ka ndaluar makinën vetëm për pak sekonda. Në këtë kohë Arben Bilali ka zbritur dhe shfaqet duke kaluar mes dy makinave. Sipas pamjeve, viktima duket kur kalon para mjetit të atentatorëve, madje edhe shikon drejt tyre. Por sapo kalon rrugën dhe i afrohet trotuarit, makina e shokut të tij vijon rrugën drejt, ndërsa atentatorët i afrohen Bilalit dhe hapin zjarr drejt tij. Nga pamjet nuk duken autorët, madje as arma e krimit, pasi ata janë kujdesur që të mos ndalojnë dhe as të mos nxjerrin kokën jashtë. Mësohet se në drejtim të 50-vjeçarit ka qëlluar njëri nga autorët, i cili nuk ka zbritur nga makina. Ai ka qenë i ulur në sediljen e pasme pas shoferit dhe pa nxjerrë kokën në dritare, ka ulur xhamin duke qëlluar.
4 Shtator 2019
Gjykata liron me procedurë Gjergj Cukalin
Prova e vetme që mbante Gjergj Cukalin në burg për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, është rrëzuar nga Gjykata e Apelit Tiranë 3 muaj pasi ishte arrestuar. Ndërkohë, më 4 shtator të vitit 2019, po kjo gjykatë vendosi të lehtësojë pozitat e Cukalit, duke e lënë atë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Në vendimin e gjykatës argumentohet se materiali biologjik, pështymë, marrë në vitin 2018 nga Oficerët e Policisë gjyqësore është marrë në kundërshtim me rregullat procedurale, duke e bërë të papërdorshme. Rrjedhimisht, thuhet në vendim, edhe krahasimi i bërë këtij materiali me atë të gjetur në një shishe plastike në makinën që kanë përdorur vrasësit e Bilalit, nuk mund të përdoret si provë. Ky vendim duket se ka qenë një mbrojtje e mirë për Gjergj Cukalin, i cili në kërkesën për ndryshimin e “Arrestit në burg”, ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës detyrim për t’u paraqitur, ose atë të garancisë pasurore.
Treshja gjykuese e Gjykatës së Apelit Tiranë, vendosi të pranojë kërkesën e Gjergj Cukalit për t’u hetuar në gjendje të lirë. Mungesa e provave të tjera përveç asaj të ADN-së, ka bërë që Gjykata të pranojë kërkesën e tij për shkak se provat janë të pamjaftueshme. Lirimi nga qelia i Cukalit, ka qenë fitorja e tij e dytë me drejtësinë. Gjatë hetimeve për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, në makinën e përdorur nga autorët u gjet një shishe ujë, nga e cila është përfituar një material biologjik, i cili me krahasimin e bërë me atë të Gjergj Cukalit, ka dalë i përputhshëm. Por pavarësisht kësaj, shkelja e procedurës gjatë marrjes së materialit biologjik Cukalit, e bënë të papërdorshme këtë provë.
Gjykata e Apelit
Gjykata e Apelit Tiranë vlerëson se rezultati i marrjes së kampionit biologjik të pështymës të personit nën hetim Gjergj Cukali, në datën 12.04.2018, është i papërdorshëm ne kuptim te paragrafit 14 te nenit 201/a të Kodit Procedurës Penale dhe për rrjedhojë për të njëjtin shkak ligjor, është i papërdorshëm edhe akti i ekspertimit krahasues të ADN-së nr.5539, dt.30.05.2019 të Institutit të Policisë Shkencore.
Në lidhje me kërkesën e mbrojtjes për papërdorshmëri të kësaj prove, ka qenë edhe prokuroria e Apelit. Sipas Gjykatës, marrja e materialit biologjik mund të bëhet në çdo kohë dhe Prokuroria do të duhet ta bëjë sërish në respektim të ligjit.
Gjykata e Apelit
Gjykata e Apelit Tiranë çmon se akti objekt kërkimi është një veprim procedural që mund të kryhet në çdo kohë dhe organi i procedimit penal duhet të marrë, në respektim të plotë të procedurës së parashikuar në nenin 201/a të Kodit të Procedurës Penale, kampionin e pështymës së personit në hetim Gjergj Cukali me qëllim të përcaktimit të profilit të ADN-së. Pas këtij veprimi hetimor, rezultati i përfituar duhet t’i nënshtrohet një ekspertimi të ri për ta krahasuar me profilin gjenetik të përfituar nga shishja, marrë gjatë këqyrjes se mjetit me targe AA757RU.
24 Shkurt 2021
Gjergj Cukali arrestohet për porositjen e një vrasje
Dy javë pas shpërthimit me eksploziv që gjymtoi një 35-vjeçar në Kamzë, më 24 shkurt të vitit 2021 Policia e Tiranës ka mundur të zbardhë ngjarjen dhe të arrestojë 3 të dyshuarit si autorë, porositësin dhe dy personat që vendosën lëndën plasëse në makinë. Sipas Policisë, bëhej fjalë për një atentat të mirëfilltë me tritol, që kishte si qëllim ekzekutimin e Altin Xhuxhës, i njohur së fundmi me emrin e ndryshuar Gjon Mena. Zbardhja e kësaj ngjarje nxori sërish në skenë Gjergj Cukalin, i cili përfundoi në pranga si porositës i kësaj ngjarje. Ai kishte “punësuar”, dy kushërinj nga Zall-Bastari, Enver dhe Ermond Jamaku, për të montuar minën në makinën e objektivit të tij. Konkretisht më 9 shkurt 2021, në rrugën “Silvio Berluskoni”, në Kamzë, ndodhi shpërthimi në makinë, në momentin që Xhuxha shtypi çelësin për ta hapur automjetit. Duke qenë se ishte afër makinës në momentin e aktivizimit të bombës, ai mbeti i plagosur në të dy këmbët.
Deklarata e Policisë
Zbardhet ngjarja e ndodhur në Kamzë me eksploziv ku për pasojë mbeti i gjymtuar një shtetas. Finalizohet me sukses operacioni ‘Sateliti’ nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kapen dhe vihen në pranga tre shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes.
1 Prill 2021
I arrestuari kthehet në të penduar, “fundos” Gjergj Cukalin
Fati i atij që i kishte shpëtuar dhjetëra akuzave, madje edhe asaj të vrasjes, u vulos nga dëshmia e njërit prej personave që kishte porositur për të kryer vrasje. Ky person u kthye në të penduar, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe përveçse “fundosi” Gjergj Cukalin, zbuloi edhe shumë ngjarje të tjera. Madje nxori në skenë edhe 18 baza armatimi që përdoreshin nga grupet kriminale. Më 1 prill të vitit 2021, drejtori i Policisë së Tiranës në atë kohë, Rebani Jaupi, prezantoi rezultatet e operacionit të koduar “Kompleks”. Me zbulimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, Policia tha se kishte arritur të zbardhte tri ngjarje kriminale me armë e eksploziv të ndodhura gjatë viteve të fundit në Tiranë
Të arrestuarit e këtij operacioni, së bashku me Ermond dhe Enver Jamakun, dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 18 tetor 2019, në Tiranë, ku në një atentat me eksploziv që synonte eliminimin e Domart Konjarit, mbeti i plagosur kunati i tij.
Domart Konjari është një ndër personat më të kërkuar nga Policia që prej vitit 2016 dhe deri më sot nuk kemi dëgjuar për ndonjë operacion policor që ka si qëllim arrestimin e tij. Megjithatë, gjatë këtyre 9 viteve që ai është në kërkim, emri i tij ka dalë dy herë në skenë. Një herë si i dyshuar për një atentat e një herë tjetër si objektiv i një atentati me eksploziv. Ndonëse Policia nuk e di se ku ndodhet, të paktën nisur nga fakti që nuk e arreston, atentatorët dinë çdo gjë rreth tij. Dinë vendet që ai frekuenton, makinat me të cilat lëviz, ku e pi kafen dhe çdo gjë tjetër. Të paktën kështu rezulton nga dëshmia e të penduarit Enver Jamaku, i cili me rrëfimin e tij çoi në pranga disa persona. Jamaku tregoi se si i ishin premtuar shuma të konsiderueshme parash në rast se do te ekzekutonte Domart Konjarin. Në tetor të vitit 2019, gjithçka ishte organizuar deri në perfeksion, duke u vendosur dy mina me telekomandë në makinë, por pati një ngatërresë. Në makinën e blinduar që shpërtheu, nuk ndodhej Konjari, por burri i motrës së tij, Artion Bylyku, i cili fatmirësisht i shpëtoi atentatit.
Enver Jamaku, si person që ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë ka hedhur dritë mbi atentatin me eksploziv ndaj Gjon Menës, më 9 shkurt të vitit 2021. Në lidhje me këtë ngjarje ndodhen në paraburgim Enver Jamaku, me statusin e të penduarit, kushëriri i tij Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukali, që dyshohet të ketë porositur atentatim. Nga të dhënat hetimore ka rezultuar se mina nuk është vendosur poshtë automjetit por në një kuti plastike pranë gomës së parë nga ana e shoferit dhe kjo ka qenë arsyeja që Gjon Mena i ka shpëtuar vdekjes. Në dëshminë e tij, Enver Jamaku pretendon që në dhjetor të vitit 2020, Gjergj Cukali i ka kërkuar dhe e ka porositur që për një shumë 30 mijë euro ai duhet të vinte në automjetin e Gjon Menës minën me telekomandë. Ai ka pranuar dhe ka kërkuar ndihmën e kushëririt të tij Ermondit. Në momentin që ka ndodhur shpërthimi, Jamaku thotë se Cukali e ka kërcënuar se nuk e ka çuar deri në fund punën dhe nuk i ka dhënë 30 mijë euro po 3 mijë. Enver Jamaku ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë emrin e porositësit. Cukali nuk konsiderohet si personi që ka interes të drejtpërdrejt për vrasjen e Gjon Menës sepse nuk rezulton të ketë njohje të mëparshme apo shkak që ta vriste. Por prokuroria dhe policia ka dyshime se Cukali është paguar persona të tjerë për të eliminuar Gjon Menën dhe më pas ka kontaktuar kushërinjtë Jamaku për të realizuar atentatin që dështoi.
Në dëshminë e tij, Enver Jamaku ka treguar se rrethanat e njohjes me Gjergj Cukalin, kanë qenë krejt rastësore, kur ai ka blerë një makinë të markës “Audi A3”, ngjyrë të bardhë. Kontaktin e ka krijuar nëpërmjet numrit të telefonit që kishte lënë tek makina, tek “Medreseja”.
Enver Jamaku
Kam komunikuar me këtë numër telefoni dhe personi më është prezantuar si shtetasi Gjergj Cukali, të cilin e kam njohur nga lajmet e ndryshme në televizor. Kam bërë pazar dhe ka blerë makinën me çmimin 2800 euro, për të cilën kam bërë një kontratë noteriale. Makinën më pas e kam regjistruar në emrin tim, të cilën pas rreth 5 muajsh e kam shitur përsëri. Pas kësaj njohje nuk kam kontaktuar prej shumë kohësh me Gjergj Cukali.
Jamaku ka shpjeguar se në rrugën “Hoxha Tahsin”, ku ka qenë duke ecur në këmbë, Gjergj Cukali e ka përshëndetur nga një makinë “Mercedez”, duke e thirrur në emrin “Velo”. Rreth një javë nga ky moment, dikush i ka shkruar në “Whatsapp”, duke e pyetur se ku ndodhej. Ky person ishte Gjergj Cukali dhe i ka thënë se dontë ta takonte. Sipas tij kjo ka ndodhur para fundit të muajit Dhjetor të vitit 2020.
Enver Jamaku
Me Gjergjin jam takuar në rrugë, përpara xhamisë “Xhura”, rreth orës 18:00-19:00, në trotuar. Gjergji erdhi me një automjet fuoristradë “Range Rover”, ngjyrë të bardhë dhe ishte me një person tjetër në makinë, në vendin e parë. Vetë zbriti nga vendi i shoferit. Më pyeti nëse kishte nevoje për punë, ndërsa unë i thashë se nuk doja të ngatërrohesha me punët e tij, duke pasur parasysh se e kisha parë në televizor Gjergj Cukalin, që kishte probleme me drejtësinë. Ai më garantoi se nuk do të kisha asnjë problem, vetëm sa duhej të vendosja një minë poshtë makinës së një personi në Kamzë, ku nuk kishte kamera sigurie. Gjergji më tha se po ta bëja këtë punë do më jepte 30 mijë euro. Duke qenë se isha i papunë dhe në shtëpi me qira, kam pranuar.
12 Prill 2024
SPAK kërkon 25 vite burgim për Gjergj Cukalin
Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 25 vite burg për Gjergj Cukalin, të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë dhe grup kriminal. Për Enver dhe Ermond Jamakun, që bashkëpunuan me drejtësinë për zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale, u kërkua dënimi me 8 vite burg. Ndërsa për Blendi Dedën dhe Flor Abazin, 22 vite heqje lire dhe për Paris Prengën, 21 vite burg. Këta persona akuzohen për një sërë veprash penale nga grup kriminal, vrasje mbetur në tentativë, shkatërrim prone me eksploziv dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me dy episode. Vendosjen e tritolit në automjetin e shtetasit Gjon Mena dhe vendosjen e tritolit ne automjetin e kunatit të Domart Konjarit, shtetasit Artion Bylyku.
E duket se ky mund të jetë edhe fundi i “të fortit” të “Myslym Shyrit”. Fund që erdhi nga një i penduar, që mesa duket Gjergj Cukali nuk e kishte llogaritur. Pasi ka djegur të gjitha kartat e tij, si atë shëndetësore, si atë procedurale, apo edhe atë të afateve, mbase ai tashmë po mendon për ndonjë kartë të fundit. Por me qëndrimin e tij në qeli për 3 vjet, ra poshtë teoria e Gjykatës së Lartë që e nxori nga qelia në vitin 2017, me pretendimin se “Qëndrimi në burg i vë jetën në rrezik”.
Ndërsa Gjykata e Apelit, në vitin 2018, kur e liroi me kusht, arsyetonte se izolimi i Gjergj Cukalit nga shoqëria do të sillte një dëm shumë të madh në jetën e tij dhe të familjes së tij. Madje nuk do të ndihmonte aspak në arritjen e qëllimit të dënimit, edukimin dhe rehabilitimin e tij.
Nëse është arritur qëllimi i edukimit dhe i rehabilitimin këtë herë, askush nuk e thotë dot me siguri. Por për Prokurorinë e Posaçme, do të duhen 25 vjet burg, për të kompensuar në një farë mënyrë dëmin që Gjegj Cukali u ka shkaktuar personave të tjerë.
“I forti” i “Myslym Shyrit”, arriti të “zbusë” drejtësinë në dy raste, duke triumfuar.
Por betejën e tretë tashmë e ka me Gjykatën e Posaçme.
SPAK ka folur. Tani radhën e ka Gjykata.
/Emisioni Gjërat Tona