Teksa sot Albana Vokshi thirri mbledhjen e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, maxhoranca ka paralajmëruar se do të bojkotojë mbledhjen.
Në qëndrimin e shumicës së anëtarëve, maxhoranca thekson se “siç rezulton nga shkresa juaj keni kërkuar për diskutim të njëjtën çështje për të cilën Komisioni ka marrë vendim.”, ndërsa sqarohet më tej se; “Komisioni nuk ka arsye të mblidhet apo të vijojë me shqyrtimin e pikave të tjera në rend dite.”.
Mësohet se mbledhja është parashikuar që të nisë në orën 13:30, ndërsa kujtojmë se edhe dy ditë më parë, anëtarët e Partisë Socialistët bojkotuan mbledhjen dhe nuk u paraqitën. Sakaq, dy mbledhjet e kaluara të këtij komisioni janë shoqëruar me debate të forta mes palëve.
– QENDRIMI I PS
Të nderuar kolegë, përfaqësues të 1/3 së anëtarëve të Komisionit Hetimor “Lidhur me Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Chek-up në Shëndetësi”, u njohëm me shkresën Tuaj të datës 03.04.2024.
1.Konstatojmë me keqardhje, se edhe nëpërmjet kësaj shkrese, ashtu si edhe ne seancat e mbledhjes së komisionit, po tentoni të injektoni frymën e imponimit, paragjykimit dhe nxitimit për të realizuar një proçes partiak politik e jo një “proces të rregullt ligjor”, bazuar mbi vlera e parime kushtetuese.
2.Nëpërmjet shkresës Tuaj kuptojmë, që nuk po ecni në shtratin ligjor të funksionimit të një organi kolegjial dhe posaçërisht Komisionit Hetimor i cili ka një rregullim të posaçëm.
3.Referuar nenit 13 të ligjit 8891, datë 02.05.2002 “Për Organizmin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” mbledhja e një komisioni hetimor që të konsiderohet e vlefshme kërkohet prezenca e 50+1 e anëtarëve të komisionit. Si rrjedhojë Kryetarja e komisionit, përpara se të thërras një mbledhje duhet të sigurohet për prezencën e kourumit të kërkuar, për vlefshmërinë e mbledhje. E për ta siguruar këtë kourum, duhet të komunikojë me “shumicën e komisionit” për të kordinuar datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes pasardhëse. Sigurisht që një gjë e tillë nuk realizohet me njoftime të njëanshme, që nuk kanë objektiv mirëfunksionimin dhe eficencën e punës së komisionit, por realizimin e shfaqjes mediatike të radhës, në funksion të agjendave partiake dhe jo atyre institucionale e kushtetuese.
4.Referuar shkresës Nr.1231 prot datë 03.04.2024 të nënshkruar nga 1/3 e anëtarëve të këtij Komisioni, pretendohet se anëtarët e maxhorancës kanë refuzuar të diskutonin pikën 4 të rendit të ditës që lidhej me “kërkesat për informacion”. Fakti që ngatërroni edhe pikat e rendit të ditës, është tregues tjetër i seriozitetit insitucional me të cilin trajtoni punën e komisionit. Pika 4 e rendit te ditës ishte “caktimi i mbledhjes pasardhëse”, që Kryetarja e komisionit refuzoi ta merrte në shqyrtim, për të dakortësuar me anëtarët prezent mbledhjen e ardhshme.
5.Pika 3 e rendit të ditës, nuk u miratua nga ana e komisionit, pasi neni 15 i ligjit Nr.8891 datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” përcakton qartazi procedurën që duhet ndjekur për zhvillimin e veprimtarisë normale të Komisioneve Hetimore parlamentare, nën frymën e Kushtetutës dhe ligjit të posaçëm. Komisioni mbledh të dhëna për çështjen nëpërmjet ekspertëve ligjorë të zgjedhur dhe vetëm ekspertët ligjorë kanë tagrin t’ia raportojnë gjetjet e tyre Komisionit si dhe propozojnë planin e hetimeve.
6.Ndërkohë që sic rezulton nga shkresa Juaj keni kërkuar për diskutim të njëjtën çështje për të cilën Komisioni ka marrë vendim.
7.Deri në hartimin e këtij plani hetimor, Komisioni nuk ka arsye të mbidhet apo të vijojë me shqyrtimin e pikave të tjera në rend dite.
8.Komisioni me vendim të ndërmjetëm miraton planin e hetimeve sipas propozimeve të ekspertëve deri në përfundimin e tyre. Plani i hetimeve përmban gjithë hapat proceduralë, veprimet hetimore që do të ndiqen nga komisioni për hetimin e çështjes, si dhe rrethin e personave që do të thirren. Pra vetëm pas miratimit të planit të hetimit të propozuar nga ekspertët, Komisioni deklaron fillimin e hetimeve dhe nuk mundet që kryetari i Komisionit Hetimor të paraqesë një plan të gatshëm hetimi pa u shprehur ekspertët, sipas procedurës që përcakton ligji specifik.
9.Në shkresën e sipërcituar, 1/3 e anëtarëve të Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-up në Shëndetësi, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme mbledhjen e radhës së komisionit për në datën 05.04.2024 si dhe rendin e ditës, bazuar në nenin 32.2 të Rregullores së Kuvendit, që referon tek mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare, jo tek komisionet hetimore parlamentare.
10.Bazuar në gjithë argumentimet e mësipërme, lind nevoja që jo vetëm datat e mbledhjeve të radhës, por edhe oraret e zhvillimit të tyre, vëndi i zhvillimit dhe rendi i ditës, të vendosen me mirëkuptim mes palëve , për të patur mbledhje të vlefshme të komisionit hetimor.
11.Njëkohësisht Ju bëjmë me dije, që ekspertët e propozuar nga ana jonë dhe të miratuar nga Komisioni, kanë filluar nga puna dhe po hartojnë një plan hetimi, që do i nënshtrohet më pas vendimarrjes në komision. Do ishtë në përputhje me frymën e ligjit që ekspertët e të dy palëve të kodinonin me njëri tjetrin për të realizuar një plan hetimi konsensual. Në momentin që ekspertët kanë realizuar planin e hetimit ne do kërkojmë mbledhjen e Komisionit për të miratuar këtë plan, si hapi procedurial i rradhës i parashikuar nga ligji 8891.
12.Duam t’Ju informojmë gjithashtu se nga ana e kryetares së Komisionit, në shkelje të plotë të detyrimeve të saj, nuk është depozituar në sekretarinë e komisionit, asnjë dokument i relatuar dhe diskutuar në mbledhjet e Komisionit, përfshirë këtu edhe deklaratat e konfliktit të interesit, që me aq pasion u valviten publikisht në mbledhjen e fundit. Dokumentacioni i cili relatohet dhe diskutohet në mbledhjet e komisionit, duhet depozituar në sekretarinë e tij, për tu njohur nga ana e ekspertëve tanë dhe konsideruar si i administruar zyrtarisht nga Komisioni, në të kundërt ai dokumentacion konsiderohet i pavlefshëm për efekt të punës së Komisionit.
13.Së fundi kërkojmë vëmendjen Tuaj në ndalimin e praktikës së përdorimit të logos dhe protokollit të Komisionit, sa kohë shkresa nuk është si pasojë e vendimarrjes së Tij. Vetëm shkresat e miratuara me vendim në mbledhje komisioni dalin me logon dhe protokollin e Komisionit. Komisioni Hetimor nuk është as 1/3, as 1/2 dhe as 2/3 e tij, por vendimarrja kolegjiale e vlefshme e tij.
Duke shpresuar mirëkuptimin Tuaj ligjor në mes kolegësh Ju përshëndesim!
Anëtarët përfaqësues të shumicës në komision!