Nga Julian Hoxhaj
Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, shkon përtej bashkisë. Është një korrupsion që prek zyrtarët e shtetit dhe rilindjen. Sot, ‘Plug’ do të sjellë fakte të reja, të cilat hedhin dritë mbi përfshirjen e shumë zyrtarëve deri në nivel ministrash në këtë aferë.
Në emisionin ‘Plug’ të datës 6 mars ne ekspozuam lidhjet familjare të drejtorëve të bashkisë me kompaninë ‘5 D Konstruksion’. Në program u zbardh skema e pronësisë së kësaj kompanie, të cilat po i rikthejmë dhe njëherë në vëmendjen e publikut.
Mariglen Qato, përdori shokun e tij Eduard Meta për të regjistruar kompaninë në 21 janar të vitit 2016.
Në vitin 2017, Eduard Meta i shiti 75% të aksioneve Muhamet Petritit, me profesion bukpjekës, i cili rezultoi të ishte vjehrri i vëllait të Mariglen Qatos, Alfred Qato.
Muhamet Petriti, pasi bleu të gjitha aksionet nga Eduard Meta në vitin 2018, emëroi administrator të kompanisë Nestor Muhametllarin, lidhje shoqërore e Redi Mollës.
Në vitin 2021, Muhamet Petriti, një biznesmen i suksesshem në shifra, pa asnjë logjikë prej afaristi, ia shet kompaninë vartësit të tij, Nestor Muhametllarit për një vlerë qesharake 1 mijë euro në një kohë që shoqëria ‘5 D Konstruksion’, ndërsa përfitoi menjëherë rreth 350 mijë euro.
Duke zbardhur aktivitetin ekonomik, Plug tregoi se shoqëria ‘5 D Konstruksion’ fitoi 45 tendera publikë nga viti 2016 e deri më sot, me vlerë rreth 30 milionë euro shumicën prej të cilëve ia dha bashkia e Tiranës, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, OSHE etj.
Edhe këto tendera po i risjellim dhe njëherë në vëmendjen e publikut.
Në datën 24 tetor 2016, ‘5 D Konstruksion’ Fiton tenderin me vlerë 47 mije euro, prokuruar nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, me objekt ndërtimin e një depo uji në Daias.
Në datën 3 mars 2017, ‘5 D Konstruksion’, fiton një tjetër tender nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, me objekt ndërtimi i ujësjellësit rruga ‘Sulejman Pasha’ dhe rruga ‘Ded Gjo Luli’. Vlera e këtij tenderi ishte 140 mije euro.
Në datën 23 shkurt 2017, ‘5 D Konstruksion’, fiton tenderin me UKT për ‘Rikonstruksionin e Kolektorit të ujërave të zeza në rrugën ‘Shyqyri Demneri’ dhe rikonstruksion i ujësjellësi. Vlera e këtij tenderi ishte rreth 100 mije euro.
Në datën 6 dhjetor 2018, ‘5 D Konstruksion’ fiton tenderin për Rikonstruksionin dhe rrethimin e stacioneve të pompimit dhe depove të ujit në ujësjellësit rajonal, faza II. Vlera e këtij tenderi ishte 330 mije euro kryer po nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë.
Në datën 17 tetor 2018, ‘5 D Konstruksion’, fiton një tjetër tender nga Ujësjellësi i Tiranës, me vlerë rreth 430 mije euro, me objekt ndërtimi i linjave të transmetimit Hec Lanabregas-Takimi i Tubit.
Në datën 21 maj 2020, ‘5 D Konstruksion’ së bashku me BE-IS, kompani e cila u përfshi në aferën e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe shoqërinë METEO, fituan tenderin me vlerë gati 1.1 milionë euro për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në rrugën e Durrësit. Edhe ky tender u prokurua nga Bashkia e Tiranës.
Në datën 11 tetor 2021, ujësjellës kanalizime Tiranë, i japin një tjetër tender me vlerë gati 30 milionë lekë shoqërisë ‘5 D Konstruksion’ me objekt ‘Ndërtim rrjet kanalizimi ne bllokun e kufizuar nga rrugët: ‘Adem Sina’, ‘Hiqmet Buzi’, Sauk’
Në vitin 2021, shoqëria ‘5 D Konstruksion’ fiton një nga tenderat e majmë nga ujësjellësi i Tiranës, me vlerë rreth 7.7 milionë euro me objekt ndërtim Tubacion Transmetimi Basen Presioni-Tunel-Partitar-Depo Daias’.
Këto janë vetëm disa nga tenderat, që ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve në Tiranë, i ka dhënë pikërisht shoqërisë ‘5 D Konstruksion’, pronar të së cilës sipas SPAK, janë pikërisht Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Nga Bashkia e Tiranës, kjo shoqëri ka marrë disa tendera që kapin vlera në disa miliona euro.
Më 15 nëntor 2021, ‘5 D Konstruksion’, fitoi tenderin për ndërtimin e pedonales dhe korsisë së biçikletave në liqenin e Thatë. Vlera e këtij tenderi ishte rreth 500 mije euro. Në vitin 2023, kandidati për kryetar bashkia i Tiranës, Belind Këlliçi denoncoi këtë projekt, pasi gjatë takimeve elektorale në atë periudhë, ai konstatoi se korsia e biçikletave ende nuk ishte përfunduar.
Në 5 maj 2021, bashkia e Tiranës, firmos një tjetër tender për shoqërinë ‘5 D Konstruksion’, me vlerë prej rreth 1.7 milionë euro, me objekt rindërtimi i dy objekteve arsimore në këtë bashki dhe ndërtimi i shkollës 9-vjeçare Dritas.
Më herët, në vitin 2019, ‘5 D Konstruksion’, kishte përfituar nga bashkia e Tiranës, një tender me vlerë rreth 1.5 milionë euro, për ndërtimin e segmentit rrugës rreth-rrotullimi Mullet deri te ura e fshatit Qeha.
Një tjetër tender, me vlerë të lartë është ai i dhënë po nga bashkia e Tiranës për shoqërinë ‘5 D Konstruksion’, me objekt ‘Rehabilitimi i qendrës Kinostudio’. Ky tender, i dhënë në 16 nëntor 2022, kap vlerën e 3.4 milionë euro pa TVSH.
Ndërtimi i shkollës ‘Hasan Vogli’ në Tiranë, ka kushtuar për këtë bashki rreth 235 milionë lekë pa TVSH. Edhe ky tender, i dhënë në 30 shtator 2020, u fitua në atë kohë nga shoqëria ‘5 D Konstruskion’.
Dy tendera, me vlerë totale rreth 700 mije euro, bashkia e Tiranës i besoi shoqërisë ‘5 D Konstruksion’ shembjen e 22 objekteve për shkak të programit të rindërtimit. Një ndër to, ishte dhe kompleksi i pallateve te ‘Myslym Keta’, proces i kryer vitin e kaluar gjatë zgjedhjeve lokale.
Veç tenderave, plug denoncoi edhe lejet e ndërtimit që përfitoi 5 D Konstruksion
Në datën 11 mars të vitit 2021, kompania ‘5 D Konstruksion’, fillon punimet bazuar në lejen e ndërtimit të dhënë nga Erion Veliaj. Bëhet fjalë për rrugën ‘Joklin Persi’, në Yzberisht, ku sipas të dhënave, ‘5 D Konstruksion’, ka ndërtuar një godinë banimi dhe shërbimi 8 dhe 9 kate, me dy kate parkim në tokë.
Në datën 14 prill 2022, kjo kompani përfiton një tjetër leje ndërtimi, këtë herë në rrugën ‘Kahreman Ylli’ në Kinostudio, për ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimi 7 dhe 8 kate me 2 kate parkim nëntokë.
Leja e tretë e ndërtimit për ‘5 D Konstruksion’, e mori vetëm pak javë pas zgjedhjeve lokale të 14 majit të vitit 2023. Në datën 14 qershor të vitit 2023, shoqëria ‘5 D Konstruksion’ sfillon punimet në rrugën ‘Zenel Bastari’, për projektin e ndërtimit të një godine banimi dhe shërbimi 4 dhe 9 kate me 2 kate të tjera banimi nën tokë.
SPAK, në datën 18 mars, i kërkoi Gjykatës së Posaçme dhënien e masave shtrenguese për titullarët e bashkisë. Këto masa u miratuan vetëm pas 10 ditësh nga gjyqtarja Etleva Palloj në datën 28 mars, ndërsa ekzekutimi i masave u bë një ditë më pas.
Në pranga u vunë:
REDI MOLLA-ish-Drejtor i Ujësjellësit të Tiranës, i akuzuar për disa vepra penale: 1- Korrupsion pasiv në 7 raste, nga këto 4 të kryera në bashkëpunim. 2- Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurisë, kryer në 5 raste.
MARIGLEN QATO-ish-Drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë, i akuzuar për veprat penale: 1- Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë fuksione publike, kryer në 4 raste dhe 2- Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurisë.
TAULANT TUSHA-ish-Drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, i akuzuar për veprat penale: 1- Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në Tendera, kryer dy herë.
PEZULLIM NGA DETYRA
Ndërkohë, SPAK Vendosi dhe 6 masa sigurie detyrim paraqitje pranë oficerit të policisë gjyqësore dhe pezullim nga ushtrimi i detyrës për:
EGLANTINA ZERE- ish-Drejtoreshë e ‘Tirana Parking’, e cla akuzohet për veprat penale Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’
DEBORAH KEÇI-ish-Drejtoreshë e ‘Klubit Sportiv Tirana’, e cila akuzohet për veprat penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’
ENTON PUNAVIJA-Ish-anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzuar për ‘shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’
ALBANO JANKU-Ish-anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzuar për ‘shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’
JULIAN ZANAJ-Ish-anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzuar për ‘shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’
Masa detyrim paraqitje u vendos dhe për Nestor Muhametllarin, pronarin fiktiv të kompanisë ‘5 D Konstruksion’.
Nga akt akuza kuptohet qartë se SPAK ka faktuar denoncimin e kryer nga Emisionin Plug në datën 6 mars.
DENONCIMI I PLUG PËR TENDERAT E UKT
Tenderi i Depos së ujit Daias me vlerë 47 mijë euro
Tenderi për kolektorin e Ujërave të Zeza në rrugën ‘Shyqyri Demneri’, me vlerë 100 mijë euro.
Tenderi për Ndërtim ujësjellësi rruga ‘Sulejman Pasha’ dhe rruga ‘Ded Gjo Luli’,me vlerë rreth 140 mijë euro.
Tenderi për rikosntruksionin e stacioneve të pompimit dhe depove të ujit, faza II. Vlera e tenderit ishte rreth 330 mijë euro.
Tender për ndërtimin e linjave të transmetimit ‘HEC Lanabregas-takimi i Tubit’. Vlera e këtij tenderi ishte rreth 430 mijë euro.
Tender për ndërtimin e kanalizimeve në rrugën e Durrësit, me vlerë 1.1 milionë euro.
Tender për ndërtimin e rrugës Rrethrrotullimi Mullet deri te ura në fshatin Qeha’. Vlera e tenderit 1.5 milionë euro
Tenderi për ndërtimin e pedonales me korsi Biçikletash, me vlerë rreth 500 mijë euro.
Tender për ‘Rehabilitimin i qendrës Kinostudio’ me vlerë 3.4 milion euro pa tvsh.
HETIMET E SPAK PER TENDERAT UKT
SPAK ka identifikuar se në tenderin për depon e ujit Daias ishin anëtar të komisionit të vlerësimit Mariglen Qato, Manjola Bunguri dhe Durim Mustafa. Sipas SPAK shoqëria ‘5 D konstruksion’ nuk përmbushte të gjitha kriteret e veçanta të kualifikimit.
SPAK ka identifikuar se në tenderin për kolektorin e ujërave të zeza në rrugën ‘Shyqyri Demneri’, me vlerë rreth 100 mijë euro, kanë qenë antërë të komisionit të vlerësimit të ofertave shtetasit Mariglen Qato, Manjola Bunguri dhe Durim Mustafa, të cilët shpallën fitues ‘5 D’, ndonëse nuk i plotësonte kriteret.
Në këtë tender, sipas SPAK kanë qenë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave dyshja e pandarë Mariglen Qato dhe Manjola Bunguri, si dhe shtetasi Ortjon Dhami. Këtë tender Mariglen Qato ia dha shoqërisë ‘5 D konstruksion’. Sipas SPAK edhe në këtë tender ‘5 D’ nuk plotësonte kriteret, por përsëri Mariglen Qato e shpalli fituese duke i dhënë 140 mijë euro.
Në këtë procedurë prokurimi, ishin anëtarë të KVO Mariglen Qato, Ledia Ramo dhe Ortjon Dhami. Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve ‘5 D Konstruksion’ me ‘Rruga Ura, Asfaltim Nr.2 Elbasan’ dhe ‘Delia shpk’. Sipas hetimeve të SPAK rezulton përsëri se shoqëria ‘5 D Konstruksion’ nuk kishte plotësuar të gjitha kriteretet e veçanta të kualifikimit.
Edhe në këtë tender Mariglen Qato ishte kreu i KVO, ndërsa anëtarë ishin Ledia Ramo dhe Ortjon Dhami. Sipas hetimeve të SPAK, për ndërtimin e linjës së Hec Lanabregas, ku fitues dolën përsëri bashkimi i ‘5 D konstruksion’ me shoqërinë tjetër ‘Kola Invest’, përsëri kompania ‘5 D’ nuk përmbushte të gjitha kriteret për t`u kualifikuar fituese.
Edhe në këtë prokurim, sipas hetimit të SPAK ndonëse nuk është gjetur shkelje në procedurë, kreu i UKT Tiranë Redi Molla ka shpallur fituese kompaninë e tij, ‘5 D Konstruksion’.
Nga hetimet e SPAK, tenderi i rrugës QEHA është dhënë nga autoriteti kontraktor bashkia Tiranë, ndërsa në komison kanë qenë anëtarët Taulant Tusha, Enton Punavija dhe Albano Janku. Edhe në këtë tender, kompania e shokëve të Taulant Tushës, Mariglen Qato dhe Redi Molla, nuk plotësonte kriteret, por ajo u zgjodh fituese.
Edhe në këtë tender, autoritet kontraktor ishte bashkia Tiranë me në krye ‘Lali Erin’, ndërsa anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave ishin Taulant Tusha, Enton Punavija dhe Julian Zanaj. Këtë tender e fitoi e vetme shoqëria ‘5 D Konstruksion’, e cila do të duhet të përfundonte punimet brenda gjashtë muajve, por punimet y shtynë tre herë. Gjithashtu SPAK thotë se edhe këtë tender ‘5 D Konstruksion’ e fitoi në shkelje të procedurave.
Madje skandali shkon më thellë, kur SPAK gjen nga hetimet se një nga operatorët ekonomik në garë ‘Albavia’, jo vetëm që plotësonte të gjitha procedurat dhe kriteret, por kishte edhe ofertën më të ulët ekonomike për kryerjen e punimeve, u skualifikua nga gara për arsyen brilante, se kishte shënuar gabim adresën e internetit të ‘E-Albania’.
Këtë tender, që ‘5 D Konstruskion’ e fitoi së bashku me BAMI shpk, sipas SPAK, të dyja kompanitë nuk i kanë fituar kriteret e veçanta të kualifikimit të ofertës, dhe siç thotë SPAK, këto kompani do duhet të ishin skualifikuar nga gara. Mirëpo kjo gjë nuk ndodhi, ndërsa autoriteti kontraktor bashkia Tiranë, me titullar Erion Veliajn, i dha 3.4 milionë euro kompanisë së Redi Mollës dhe Mariglen Qatos.
Këto janë vetëm disa nga tenderat që SPAK ka kaluar në lup, ku autoritet kontraktor ka qenë bashkia e Tiranës dhe Ujësjellësi. Një nga tenderat që Plug e denoncoi më datën 6 mars, ai me vlerën më të lartë prej 7.7 milionë eurosh me objekt ndërtimin e tubacionit Basen –Depo-Daias, nuk i është nënshtruar hetimit nga organi i akuzës.
Megjithatë në vijim të dosjes hetimore, SPAK është ndalur te një nga tenderat, që ka çuar në pezullim nga detyra Eglantina Zeren, e cila ka qenë drejtuese e ‘Tirana Parking’. Eglantina Zere është një personazh mjaft interseant, të paktën kjo përshtypje të krijohet nga bisedat që SPAK ka zbardhur nga sekuestrimi i telefonave.
Eglantina Zëre, një nga drejtoreshat e rëndësishme të Erion Veliajt ka rënë në rrjetën e SPAK për tenderin me vlerë 150 mijë euro me objekt rikonstruksionin e sheshit të parkimit te ‘Selman Stërmasi’.
Në këtë fashikull të hetimeve, zbërthimi i mesazheve telefonike mes drejtoreshës së ‘Tirana Parking’ dhe Nestor Muhametllarit’, shfaqin profilin e një drejtoreshe jo pak arrogante sa kërcënonte Nestorin me ‘dru’.
Eglantina Zere: Ç`bën mo… do e mbyllim apo doni dru’
Nestori: Ia kam dhënë Manjolës, deri nesër mbyllet!
Nestori: Të vazhdojë Kiço, të mbyll?
Eglantina: Ta kish mbyll që të premten kafsha, urgjent’
Eglantina nuk është gjithmonë kaq e egër, aspi tenderi sistemohet, ajo qetësohet, këtë e shfaq në bisedën e datës 4 tetor 2019.
Eglantina: Mjes lal
Nestori: Të gjitha faqet e ankesës mi dërgove? Ok se do e shofim sot?
Eglantina: Është hedhur njoftimi fituesit lal, besoj so e shpall app, e të ecim para!
Eglantina: Është publikuar njoftimi fituesit në sistem, ecim tani, ta gëzosh!
Nestori: Thank you, jeni të paparë!
Nderi kthehet me nder, thotë një fjalë e urtë popullore! Kështu është dhe në rastin e Eglantina Zere, e cila pasi u dha tendera me pak presion se do të hanin ‘dru’, u kërkon shokëve të saj Mariglen Qato dhe Redi Molla, që ti bëjnë një nder, jo dhe aq të vogël.
Në bisedat e zbardhura nga SPAK në dosjen e ‘5 D’, mes tyre është dhe një bisedë e Jona Bejkos, ish-punonjëse e kompanisë, e cila bisedon me një mikun e saj me emrin Arben.
Këtij të fundit, Jona Bejko i tregon një hall jo të vogël, kërkesën që i kishin bërë pronarët e saj drejtorë në bashki, për t`u angazhuar në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Laprakë. Jona Bejko zbulon se këtë kërkesë, Mariglen Qatos dhe Redi Mollës ia kishin bërë nga njësia e Laprakës.
Jona Bejko
‘Kanë marrë shefin tim nga njësia e Laprakës duke ditur që pronari është i shtetit dhe i kanë thënë thuaj Jonës të angazhohet me zgjedhjet…… Uaaa u habita…. Mtha shefi kshu mkan marr per ty… Ca veni imagjino…. Me u marr me ty edhe nëse punon privat……… Me bo i buze shtremet si puna ktij pronarit tim….Pfff…. Po drejtor pra… Tu mthen ky drejtori bashkise…. Ai eshte te njesia kshu…’.
Nga hulumtimet e ‘Plug’, rezulton se në vitin 2021, Eglantina Zere ka qenë pikërisht drejtuese fushate në Laprakë për Partinë Socialiste. Mjafton një kërkim në rrjetet sociale dhe të shfaqet Eglantina Zere duke pozuar në dhjetëra e dhjetëra foto me Erion Veliajn dhe plotë qytetarë të tjerë, që me siguri, janë edhe ata si rasti i Jonës, që i kërkuan shefat të dilte në fushatë me kërkesë nga shtabi…
Ky zell i Eglantina Zeres për t`i shërbyer partisë dhe lalit, është shpërblyer jo vetëm me postet drejtuese në bashkinë e Tiranës, por edhe me punësimin e familjarëve të saj. Një vit më parë, Silvi Bardhi nga Partia Demokratike, denoncoi listën me qindra emra të punësimeve nepotike në bashkinë e kryeqytetit. Egla Zere, rezulton se ka të punësuar edhe Motrën, Bashkëshortin dhe Kunatin të punësuar në institucionin e drejtuar nga Erion Veliaj.
Një tjetër rast interesant është tenderi i zhvilluar nga Klubit Sportiv Tirana, ku titullarja Deborah Keçi, tashmë e marrë nën hetim, shkoi deri aty sa i dha usernamet e anëtarëve të KVO-s Nestor Muhametllarit, që kompania ‘5 D Konstruksion’ të kryente vetë procedurën e tenderit.
BISEDAT PER BELIND KELLICIN
Bisedat dhe mesazhet që SPAK ka zbardhur nga telefonat e punonjësve të ‘5 D Konstruksion’, janë thesar për prokurorinë, por njëkohësisht edhe xhevahire për qytetarët, të cilët mund të kuptojnë se kush e drejton bashkinë e kryeqytetit…
Dhe në një nga këto biseda, zhvilluar mes Manjola Bungurit, juriste në kompaninë ‘5 D Konstruksion’, dhe Jonida Hoxhaj, ekonomiste e kompanisë, flitet me habi për dijenin që Belind Këlliçi kishte mbi pronarët e kompanisë ‘5 D Konstruksion’, në denoncimin që bëri më 26 prill të vitit 2023.
Manjola Bunguri, e cila për disa vite ishte vartëse e Redi Mollës në Ujësjellësin e Tiranës, ku firmoste tenderat për kompaninë ‘5 D Konstruksion’, më vonë kaloi si e punësuar e Redi Mollës në kompaninë që më herët i kishte dhënë tenderat.
Në mesazhet e shkëmbyera me Jonida Hoxhajn, Manjola shprehet e habitur që Belind Këlliçi deklaronte se ‘5 D’ kishte 5 drejtorë pronarë, dhe jo 3, sa dinte ajo vetë.
Sinkron
Jonida: ‘Manjola he mi. uaa ca d… ky’.
Manjola: ‘Une se dija qe ishin 5… E dija 3…. Po si i ka gjet te gjtha’.
Jonida: ‘ky eshte d……. . le tej gam gam kot’.
Manjola: ‘Te gjith te PD kot jan ca di ky i… ai sfiguron ne asnje vend’. Skan nje tamam… Po me beri shikim si i din’.
Jonida: ‘po
Nga ky fakt të lind natyrshëm pyetja, kur dinte Manjola se ‘5 D Konstruksion’ kishte pronarë drejtorët e bashkisë, si ka mundësi që nuk e dinte Erion Veliaj.
PERGJIMET PER VELIAJN
Në morinë e këtyre bisedave, nuk mund të mos përmendej shkujdesur edhe ‘Lali Eri’. Nga zbërthimi i telefonit të Jona Bejkos, është gjetur një mesazh, që ajo shkëmben me një të njohurin e saj, ku flitet për një hotel luksoz që po ndërtohej në Durrës, duke treguar se mes aksionerëve ishte dhe Erion Veliaj.
Jona Bejko
Këtë hotelin po e bëjmë ne. Është aksioner pronari jon…Lali ERi, e kta. Dhe unë marrë vetëm 600 mijë lekë të qelbta.
Indicie mjaftë interesante kjo, që në një realitet tjetër, do të duhet që prokuroria të hetonte fije e pe pronarët e vërtet të hotelit, për t`i dhënë përgjigje pyetjes nëse pronar është Erion Veliaj.
Por në rastin konkret, prokuroria është mjaftuar duke na treguar se mes pronarëve janë Redi Molla dhe Elvin Tivari, dy vartës të ‘lali erit’.
Siç treguam edhe në emisionin e datës 6 mars, ‘Croëne Plaza Durrës’ është një hotel i cili po ndërtohet nga shoqëria ‘Mediterrane Investment Group’. Kjo kompani u themelua në 4 shtator të vitit 2020, ndërsa pronare të saj janë pesë shoqëri aksionere::
‘LANDËAYS INTERNATIONAL’ (Ish ALBANIA EXPERIENCE, Ish LANDËAYS) – me 27% me pronar shtetasin Gazmend Haxhia.
‘ETITUR’ me 24 % aksione, shoqëri në pronësi të Elvin Tivarit, ish-vartës i Redi Mollës në Ujësjellësin e Tiranës, i cili e trashëgoi kompaninë pas vdekjes së të atit, Selim Molla.
‘DAKTUR’ me 24 % aksione, shoqëri në pronësi të Dritan dhe Arjan Kadiu, mik i ELVIN TIVARIT
‘RESTUR’ me 24 % aksione, shoqëri në pronësi të Redi Mollës
BLEDAR TIVARI me 1% aksione, vëllai i ELVIN TIVARIT.
Cilat janë këto kompani që po ndërtojnë hotelin me 5 yje në Durrës?
Landëays International, që zotëron 27% të aksioneve të shoqërisë ‘Mediterreane Investment Group’, ka pronar shtetasin Gazment Haxhia. Kjo shoqëri, që ka si objekt të saj shitjen e biletave të avionit, ka një kapital prej 1 milion lekësh ndërsa është themeluar në vitin 2005.
Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Gazmend Haxhia rezulton se është pronar dhe aksioner në 7 kompani të ndryshme:
NOSHI
ASG
LANDËAYS INTERNATIONAL
UNIVERSITETI POLIS
ACM-QENDRA SHQIP E SHERBIMEVE MENAXHERIALE
MOTOËN
GBI
Pas vitit 2013, kur në pushtet erdhën Socialistët, kompania Landëays International ka pasur çdo vit bilance financiare pozitive, duke shënuar qindra mijëra euro fitim çdo vit. Nga viti 2013 e deri më sot, vetëm nga buxheti i shtetit për llogari të kësaj shoqërie janë transferuar më shumë se 3 milionë euro kryesisht për bileta udhëtimi me avion jashtë vendit.
Vetëm me kompaninë Landëays International, Gazmend Haxhia rezulton klient i institucioneve si: Ministria e Turizmit dhe Kulturës, Komisioni i Prokuriit Publik, Ministria e Mbrojtjes, Gjykata Kushtetuese, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Agjencia Shtetërore e Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, Policia e Shtetit, Universiteti Politikenik etj etj.
Vetëm nga Ministria e Turizmit, drejtuar nga Mirela Kumbaro, kompania e Gazmend Haxhisë ka marrë mbi 600 mijë euro tendera, kryesisht për blerje biletash avioni.
Në vitin 2017, Ministria e Kulturës drejtuar në atë kohë po nga Mirela Kumbaro, u përfol në media se kishte favorizuar kompanitë e Gazmend Haxhisë, duke i dhënë dhjetëra projekte në vlera qindra mijëra euro.
Me këtë deklaratë të datës 6 tetor të vitit 2021, Mirela Kumbaro në cilësinë e Ministres së Turizmit, njoftoi se shoqërisë ‘Mediterrane Investment Group’ i ishte dhënë statusi ‘special’ i investitorit strategjik për ndërtimin e hotelit ‘Groëne Plaza Durrës’ me VENDIM Nr. 582, datë 6.10.2021.
Propozimi për këtë stuatus ishte bërë në qeveri nga Mirela Kumbaro, sipas kompetencës që i jepte ligji 27.07. 2015 për Turizmin. Ky ligj, përcakton se proozimi për dhënien e statusit ‘special’ bëhet nga ministri i Turizmit Mirela Kumbaro.
Siç theksuam më herët, kompania e Gazmend Gaxhisë, Landëays International është aksioneri kryesor i hotelit luksoz në Durrës.
Dhe një vit pasi i dha ‘statusin special’ për hotelin me pesë yje në Durrës, Mirela Kumbaro me një urdhër të datës 9 shkurt 2022 e emëron Gazmend Haxhinë anëtar të Komitetit Këshillimit të Sektorit Priva të Turizmit.
Gazmend Haxhia duket se ka depërtuar thellë në qeverinë e ‘Rilindjes’, pasi rezulton se është pjesë e dosjes hetimore të Ilir Beqajt, që po hetohet nga Altin Dumani, për abuzimi me fondet të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
I përfshirë në këtë aferë është restoranti ‘GZONA’, i themeluar nga bashkëshortja e Ilir Beqajt, ku pronar ‘de facto’ ishte Ermal Kurtulaj, vartës i Ilir Beqajt për menaxhimin e fondeve të programit EUSAIR.
EUSAIR, që ishte programi ku koordinator ishte Ermal Kurtulaj ka pranuar një faturë nga shoqëria tregtare ‘Landëays international’ për 149 800 euro. Administrator i kësaj kompanie rezulton Gazmend Haxhia.
Më tej, duke ndjekur transaksionet e kësaj kompanie, SPAK-ut i ka rezultuar se kjo kompani ka bërë pagesa ndaj restorantit G’Zona nëpërmjet katër faturave në vlerën e 44 mijë eurove. Kjo është cilësuar si skemë korrupsioni nga SPAK, pasi Gazmend Haxhia priste fatura për programin EUSAIR dhe më pas kryente pagesa fictive te restorant ‘Gzona’, duke pastruar paratë së bashku.
Për këtë dosje SPAK ka kryer bastisje shtëpish, zyrash e biznesesh, duke hedhur dritë mbi abuzimin e fondeve nga Ilir Beqaj, ku pjesë është dhe kompania e Gazmend Haxhisë.
Këto fakte që sapo bëmë publike dëshmojnë sesi ky subjekt që përfiton status special dhe lehtësira fiskale ka aksioner jo vetëm drejtorët e bashkisë Tiranë por hidhen dyshime të arsyeshme që pronarët janë anëtar të Këshillit të Ministrave nëpërmjet kësaj kompanie. i mbetet SPAK të faktojë nëse këto dyshime do të rezultojnë të sakta, siç rezultuan dyshimet tona për kompaninë 5 D.
Ky hoteli që shikoni në pamje nuk është në Tiranë, dhe nuk mban firmën e Erion Veliajt, por është në zonën më të lakmuar, në pedonalen e Dhërmiut.
Drejtorët e Erion Veliajt në bashkëpronësi me vëllain e kryetarit të bashkisë Mat, Agron Malaj, blen një godinë ekzistuese dhe më pas e kthyen në një hotel luksoz, i cili hapi dyert për turistët në korrik të vitit 2022.
Deri me sot SPAK nuk ka zbardhur asnjë te dhënë nëse ky hotel ka marre leje te re ndërtimi, leje për rikonstruksion nga Jorgo Goro apo është ndërtuar i gjithi nga fillimi pas asnjë leje.
Sipas te dhënave ne QKB ky investim është bere me kapital aksionar ku Fatos Malaj ka investuar 900.000 euro dhe Elvin Tivari vartësi i preferuar i Redi Mollës ka investuar 600.000 euro, para te cilat nuk u dihet burimi.
Në bilancet e deklaruar në qendrën kombëtare të biznesit, ndër të tjera, rezulton se shoqëria ‘La Brisa’ ka ende shumë borxhe të pashlyera për furnitorët e resortit në Dhërmi. Mes këtyre kompanive që ka borxhe është dhe një shoqëri, e quajtur ‘ABG NDËRTIM’.
Edhe në këtë rast ndodh një tjetër ‘mrekulli’, Durim Mustafa ky ish-vartës i Redi Mollës, papritur një ditë të bukur janari dhe vetëm pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021, bëhet pronar i një kompanie e cila deri në atë ishte me sttus të pezulluar.
Durim Mustafa bleu për të ringritur nga hiri i saj kompaninë gati të falimentuar ‘ABG NDËRTIM’, vetëm tre muaj pasi ish-shefi i tij në ujësjellësin e Tiranës, Redi Molla nëpërmjet babait të tij mori lejen e ndërtimit për hotelin luksoz në Durrës.
Durim Mustafa rezulton se është pjesë e dosjes hetimore të SPAK për kompaninë ‘5 D Konstruksion’. Ish-drejtori i ujësjellësit të Tiranës Redi Moll emëroi në të paktën tre raste Durim Mustafën si pjesë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave së bashku me Mariglen Qaton dhe Manjola Bngurin, për tre prokurime të zhvilluara nga ujësjellësi i Tiranës, tendera që më pas iu dhanë pikërisht kompanisë ‘5 D Konstruksion’, periudhë në të cilën gjithashtu Elvin Tivari ishte pikërisht drejtor i Prokurimeve në ukt.
Kjo njohje dhe marrëdhënie pune në institucionet e shtetit duket se u ka shërbyer Redi Mollës, Elvin Tivarit dhe Durim Mustafës që të shohin përtej zyrave publike, duke shprehur talentin edhe në biznes.
Talenti nuk ka qenë dhe aq i natyrshëm, pasi veç furnizimit të hotelit të Elvin Tivarit në Dhërmi, Durim Mustafa ngre nga hiri një kompani që ishte në agoni prej vitesh, duke përfituar dy tendera të majm, vlera e të cilëve shkon mbi 5 milion euro.
Një prej këtyre tenderave është ai i datës 6 nëntor 2023, me objekt ‘Rrjeti i kanalizimeve në zonat periferike të qytetit të Burrelit dhe largimi i ujërave të zeza në fshatin Muzhak.
Ky tender me vlerë 3.7 milionë euro është prokuruar nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër SH.A, aksioner i të cilës është bashkia Mat, e drejtuar nga Agron Malaj.
Muaji nëntor i vitit 2023 ka qenë i frytshëm për kompaninë ‘ABG Ndërtim’ të Durim Mustafës, ish-vartësit të Redi Mollës, pasi Drejtoria Rajonale e OST në Burrel, e shpall fitues të tenderit Rikonstruksion i rrjetit ‘TU’ 0.4Kv me kabëll ‘A.B.C’ në njësinë Peshkopi, Drejtoria Rajonale Burrel, ‘Zonat Guri i Kuq, Bellova, Pularia, ku vlera e prokurimit është 2 milionë euro.
Këta dy tender kompania ABG NDËRTIM e fitoi së bashku me shoqërin ‘Kupa shpk’, e cila çuditërisht është përdorur edhe nga ‘5 D konstruksion’ për të fituar disa tendera në bashkinë e Tiranës, të cilët kanë rezultuar se kanë qenë në shkelje të procedurave.
Ky duket një rast i rrallë, ku një kompani pa kurrëfarë experience, fiton brenda të njëjtit muaj dy tendera të majm me vlerë rreth 5.7 Milionë euro në Total, ku në njërin rast autoritet kontraktor është bashkia Mat me kryetar Agron Malajn.
Në rastin tjetër, autoriteti kontraktor është një institucion në dukje i pavarur, por që çuditërisht është po në territorin e kësaj bashkie, siç është rasti i OSSH në Burrel, ku drejton bashkinë pikërisht Agron Malaj.
Ky i fundit është pikërisht vëllai i Fatos Malajt, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë në biznes me shtetasin Elvin Tivaridhe Durim Mustafa, të cilët kanë qenë vartës dhe bashkëpunëtorë të Redi Mollës, në pozicionet që ai ka mbajtur në Bashkinë e Tiranës.
Duket se kaq nuk ka mjaftuar.
Pas dhjetëra tenderave dhe lejeve të ndërtimit, qeveria e drejtuar nga Edi Rama, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023, i gostiti këta dy individë me një leje te re ndërtimi për hotelin ‘La Brisa 2’.
Edhe pse Edi Rama duket se po kërkon që faji për korrupsioni të ngelet brenda mureve të bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj, nuk e ka dhe aq të lehtë, pasi ministrat rilindas që kanë firmosur për hotelet e 5 D nuk janë të paktë.
Edi Rama është ai qe ka miratuar lejet e ndërtimit për hotelet luksoze ne Tirane e Durrës për drejtoret e bashkise duke mos kursyer as statuset speciale për ta duke u dhënë lehtësira fiskale dhe duke investuar për infrastrukturat ndihmese për ta.
Një gjë është e sigurt drejtoret e bashkisë Tirane nuk janë vetëm, por bashke me zyrtare e rilindas te tjerë përtej bashkise tirane.
Sot folëm për lidhjet përtej bashkisë.
Në vijim do të flasim sesi drejtori i ujësjellësit Elvin Tivari përdor kunatin dhe kunatën në këto skema mafioze.