Brenda 4 mureve të një shtëpie mund të ndodhë gjithçka.
Mund të ndodhë dhunë fizike e psikologjike. Mund të ketë fyerje, kërcënime, shantazh, e madje mund të ndodhin edhe vrasje.
Përveç atyre që jetojnë në atë shtëpi, askush tjetër, qoftë edhe njeriu më i afërt i asaj familje, nuk mund ta dijë kurrë të vërtetën e ngjarjeve brenda saj.
Të vërtetën e dinë vetëm ata, prindërit dhe fëmijët. Kushdo tjetër që mundohet të dëshmojë, apo të pretendojë se di diçka, në fakt nuk di asgjë. Për aq kohë sa vetë anëtarët e familjes zgjedhin të heshtin me të tjerët dhe problemet t’i diskutojnë vetëm me njëri-tjetrin.
Por duket se edhe vetë kjo zgjedhje e tyre për të mos folur, për të mos kërkuar ndihmë, çon në dhunë edhe më të ashpër, në kërcënime e madje edhe deri në vrasje.
A mund të vritet babai?
Kjo është një pyetje që pas ngjarjes së rëndë e të pazakontë që ndodhi në Shënavlash të Durrësit, të gjithë ia kanë drejtuar njëri-tjetrit.
Në kategorinë e vrasjeve, ajo që ndodhi më 10 shkurt në Durrës, por që u zbulua dy javë më vonë, quhet Paricid.
Paricidi është vrasja e babait, nënës ose të afërmve të drejtpërdrejtë të gjakut. Historikisht, arsyet më të shpeshta të këtij krimi, kanë qenë dëshira për të trashëguar apo për të marrë pushtetin, abuzimi seksual i pësuar gjatë fëmijërisë apo mbrojtja e nënës, në rastet kur i vrari është babai, i cili e keqtrajton apo e braktis gruan.
Krime të tilla kanë ndodhur edhe më herët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë. Fëmijët kanë vrarë edhe më parë prindërit. Ka ndodhur që ta kenë vrarë në gjaknxehtësi e sipër, pas një debati, apo edhe pas një inati të akumuluar. Më pas janë penduar e janë dorëzuar, apo edhe janë larguar në panik e sipër dhe në fund janë arrestuar.
Por ngjarja e Durrësit shkon përtej kësaj. Fëmijët u bënë bashkë kundër babait. E vranë, e groposën, bashkë me nënën pastruan skenën e krimit, fshehën provat dhe vazhduan jetën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Ishin të gjithë kundër një. Me babanë e vdekur, të varrosur në kasollen krah shtëpisë, në të njëjtin oborr, ata nuk treguan asgjë për tri ditë. Dhe mesa duket do vazhdonin të njëjtën rutinë në rast se fqinjët e të afërmit nuk do interesoheshin për Pëllumb Metën. Vetëm atëherë vendosën t’i drejtohej Policisë së Durrësit dhe ta denonconin babanë si të larguar nga banesa. Ndonëse gjatë kësaj kohe kishin ngritur alibinë, kishin rënë dakord me njëri-tjetrin se çfarë do të dëshmonin kur të pyeteshin, kishin larguar nga shtëpia makinën e tij, kishin fshehur armën dhe gjithçka tjetër.
Por kishin harruar diçka shumë të rëndësishme. Motivin. Sigurisht ata e kishin menduar një të tillë për Policinë që procedurialisht e ka të zbardhur këtë ngjarje. Por duket se ky motiv nuk është edhe aq bindës për shoqërinë. A thua se po të ishte më bindës do të justifikonte krimin.
Pa diskutim që jo. Krimin nuk e justifikon asnjë rrethanë e asnjë motiv. E aq më pak qetësinë e ftohtësinë pas kryerjes e tentativës për ta fshehur.
Megjithatë ditë pas ditë dalin në sipërfaqe detaje e fakte, që aq sa hedhin dritë, aq edhe e komplikojnë ngjarjen.
DENONCIMI PËR ZHDUKJEN
Humbja e kontakteve me Pëllumb Metën u denoncua në Polici nga djali i tij i madh, Hysen Meta, më 13 shkurt, edhe pse kishte 3 ditë që nuk shihej nga askush. Madje duket se i biri është shtyrë për të bërë denoncimin pasi është pyetur nga kushëriri i të atit, i cili është shprehur i shqetësuar sepse nuk e kishte parë Pëllumbin. Për këtë arsye ai e ka pyetur nëse kishin shkuar në Polici dhe nëse nuk do shkonin ata, atëherë do të shkonte vetë.
Pasi fëmijët kanë bërë kallëzimin e parë që babai ka humbur, kanë dhënë deklarim në Polici se nuk ishte hera e parë që ai largohej nga banesa. Ishte larguar nga 5 deri ne 10 ditë nga shtëpia. Fëmijët pretendonin se kishte probleme të shëndetit mendor dhe herë pas here konsumonte edhe alkool.
Për ta bërë më të besueshëm skenarin e ndërtuar me të motrën, por edhe vëllain e nënën, Hysen Meta, paraqitet sërish vetë në Policinë e Durrësit, më 17 shkurt dhe thotë se kishte gjetur makinën e të atit, në aksin Shënavlash- “Sektor Rinia”.
Deklaroi se për vendndodhjen e mjetit “Citroen”, që ishte i parkuar në një zonë të pyllëzuar, i kishin treguar shokët e tij. Në momentin që u dhanë këto shpjegime Policia e Durrësit më 17 shkurt gjen makinën “Citroen” të Pëllumb Metës në zonën e njohur si “Sektor Rinia”.
Pasi është gjetur automjeti, është kontrolluar zona nga toka dhe nga ajri me dron, me dyshimet se aty rrotull mund të gjendej edhe vetë i humburi.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë në rrugë, zbulohet se makina “Citroen” ka lëvizur drejt zonës ku u gjet e parkuar mbrëmjen e datës 11 shkurt dhe nuk shihet më në asnjë moment të kthehet prej asaj date. Ndërsa po atë mbrëmje, një tjetër makinë “Audi” është fiksuar nga kamerat që përshkon të njëjtën rrugë.
Makinën e të atit e ka dërguar atje djali i vogël, Amarildo, pasi është kthyer nga puna. Ndërsa me mjetin “Audi A8” ka shkuar pas tij i vëllai, Hyseni. Këtë makinë ai ia kishte marrë një shoku, duke i thënë se i duhej për punë personale. Policia kreu të gjitha verifikimet e nevojshme, por rezultoi se pronari i mjetit “Audi”, nuk kishte dijeni rreth krimit. Pasi është lënë e parkuar makina e Pëllumb Metës, të dy vëllezërit janë kthyer më pas me makinën “Audi”. Ata nuk janë kthyer nga e njëjta rrugë që kishin shkuar, por në drejtim të “Eko – parkut”. Në pamjet e kamerave të sigurisë, makinat lëvizin në 4 minuta pas njëra tjetrës. Makina “Citroen”, shfaqet në orë 5 e 16 minuta të mëngjesit të datës 11 shkurt dhe në orën 5 e 20 shfaqet “Audi”. Ndërsa vrasja e Pëllumb Metës, sipas mjekëve ligjor kishte ndodhur mes orës 13:30 – 14:00, të së shtunës, datë 10 shkurt.
Elton Shahini, shef i Sektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Durrësit, shpjegon se si u zbulua krimi i rëndë dhe si nisën dyshimet për familjarët.
Elton Shahini
Fillimisht fëmijët erdhën dhe bënë denoncim në Komisariatin e Policisë së Durrësit për humbjen e babait të tyre, Pëllumbit. Më datë 17 shkurt, nga ana jonë, në fshatin Rinia, është gjetur automjeti i Pëllumb Metës, i cili ndodhej i parkuar në një zonë të pyllëzuar. Nga ana jonë u bë këqyrja e mjetit, ku u konstatua se nuk kishte shenja dhune ose thyerje. Duke qenë përpara këtij fakti, kemi ecur më tej me disa veprime, si kontrolli i zonës, si dhe është kërkuar me dron dhe fizikisht nga ana jonë. Pasi nuk gjetëm gjurmë të Pëllumbit, kemi filluar të studiojmë personalitetin e tij, ku nga studimi i tij nuk na rezultoi se ishte person me probleme të ndryshme, me hasmëri apo me borxhe nëpër persona të tretë. Këtu na lindën dyshimet e para për familjarët e tij për humbjen dhe thëniet e tyre të para.
Policia kryen të gjitha verifikimet në lidhje me problemet e mundshme që mund të kishte pasur Pëllumb Meta me persona të tretë, ndonjë konflikt, borxh të pakthyer, apo çështje të tjera dhe pasi nuk rezulton asnjë nga këto, vëmendja kthehet tek familja.
Më 22 shkurt thirren për të dhënë deklarime 3 fëmijët e Pëllumb Metës, Hyseni, Hygerta dhe Amarildo.
Policia i ka pyetur disa herë familjarët e viktimës, madje duke i vënë edhe përpara faktit që ata ishin të dyshuar për ngjarjen. Gjatë pyetjes dhe ripyetjes, djali, Hysen Meta, filloi të gabonte.
Më pas ai nisi të rrëfehej, duke thënë se autore e ngjarjes ishte motra e tij, Hygerta Meta. Në këto rrethana Policia kthehet të ripyesë Hygertën dhe bashkë me të shkojnë në vendin e ngjarjes. Ajo i dërgoi tek vendi i krimit, më pas tek kasollja ku kishin varrosur babanë, duke marrë përsipër gjithçka vetë, që nga kryerja e vrasjes, hapja e gropës, mbështjellja e trupit të viktimës dhe më pas futjen në gropën që kishte hapur.
Këto veprime që ajo mori përsipër, bënë që grupi hetimor të kishte dyshime, pasi duken të pamundura që të kryhen nga një vajzë. Vajza në një moshë të re dhe viktima që kishte një peshë të caktuar, për Policinë ishte e pamundur.
Anëtarët e familjes kishin ndarë me njëri-tjetrin rolet në këtë histori. Nga ana tjetër, Policia bëri këqyrjen e banesës dhe në divanin që ndodhej në një nga dhomat u gjet një predhë arme zjarri. Në këtë moment ra poshtë e gjithë historia e rrëfyer nga vajza e viktimës.
Elton Shahini
Kemi pyetur dhe ripyetur disa herë fëmijët dhe bashkëshorten e Pëllumbit. Janë marrë në intervista të ndarë veç e veç. Në fillim ishin në një zë, më pas filluan të kishin kontradikta në thëniet midis tyre. Iu bë me dije dhe u vunë përpara faktit, sepse ne dyshonim që kjo ishte diçka e brendshme. Menduam që mund të ishte një krim i brendshëm. Pas këmbënguljes tonë, Hyseni, djali i madh, filloi të çedonte. U pyet disa herë dhe na u shpreh se autori është brenda familjes dhe është motra e tij, Hygerta.
Pasi Hyseni deklaroi se autore e ngjarjes ishte motra e tij, Hygerta, shkuam në banesë dhe morëm kontakt me vajzën, e cila e pranoi që kishte ndodhur një krim brenda familjes dhe se ishte ajo autorja. Fillimisht nuk i morëm për bazë thëniet e saj dhe filluam ta intervistonim në mënyrë të detajuar. Ajo tregonte një fabul, të cilën e kishte mësuar si përmendësh dhe tregonte me detaje që nga orari që kishte ndodhur, veprimet e tjera që kishte bërë e të tjera me radhë. Aty e ndalonim për ta hutuar dhe ajo vazhdonte po te e njëjta pikë që e kishte lënë bisedën. Pra ishte e “stërvitur” me fabulën që do të tregonte.
VRASJA DHE TENTATIVA PËR TË FSHEHUR KRIMIN
Ndonëse krimi fillimisht u mor përsipër nga vajza e viktimës, Hygerta Meta, Policia gjatë gjithë natës nga momenti i konstatimit të vrasjes e deri në orët e para të mëngjesit, analizoi provat dhe dëshmitë.
Elton Shahini
Pasi zbardhi dita ne shkuam të bëjmë një këqyrje të banesës. Gjatë këqyrjes, në pjesën e sipërme, në katin e dytë, në një divan, u gjet një predhë arme zjarri, model 54, pistolete “TT”, e cila na ndryshoi të gjitha thëniet e vajzës, sepse ajo deklaronte që vrasjen e kishte kryer në kasollen e lopëve. Aty kishte ndodhur vrasja, aty kishte ndodhur edhe mbështjellja e trupit të babait me qese e po aty kishte hapur gropën dhe groposur.
Hygerta Meta tregonte edhe arsyet që e shtynë të kryente krimin, duke filluar që nga dhuna psikologjike e më pas kërkesa e të atit për ta fejuar jashtë dëshirës së saj.
Hygerta Meta
Kishim pothuajse çdo ditë konflikte dhe përplasje. Më tha që kjo punë është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë. Unë po mendoja se si mund të shpëtoja nga kjo fejesë. E vetmja mënyrë ishte ose të arratisesha nga shtëpia, ose të vrisja babanë. Një ditë nisëm të debatonin prapë kur ishim në shtëpi. Nëna ishte në arë. Mora pistoletën dhe e qëllova. Më pas kisha frikë mos më fusnin në burg dhe mendova të fshihja trupin e babait.
Vajza ka dëshmuar se krimin e ka kryer e vetme, duke e qëlluar babanë me 4 plumba, me pistoletën që ai mbante në shtëpi. Madje edhe të gjitha veprimet e tjera i ka kryer po vetë, pa ndihmën e pjesëtarëve të tjerë të familjes. Megjithatë kjo duket e pamundur në të gjitha rrethanat. Nga deklarimet duket se një vrasje e paramenduar dhe jo e ndodhur gjatë një sherri të momentit.
Elton Shahini
Ajo nuk fliste për një ngjarje të ndodhur në moment, por e kishte paramenduar këtë ngjarje. Pretendonte se me babanë nuk kishte pasur marrëdhënie të mira. Ajo shprehej se kanë qenë gjithmonë të dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht. Ndërsa kohët e fundit i ati kishte shfaqur mendimin që ta fejonte Hygertën me shkuesi, me një fjalë që banon aty në fshat por që është emigrant në Itali. Ajo pretendonte se nuk donte të fejohej, sepse edhe motra e saj ishte fejuar në të njëjtën mënyrë para 2-3 vitesh. Siç na bëri me dije Hygerta, ajo nuk pranonte sepse donte të vazhdonte shkollën dhe nuk e kishte në interesat e saj një fejesë të afërt. Lidhur me këtë fakt, familjarët deklarojnë se më datë 1 mars, Pëllumbi kishte lënë një lloj ultimatumi, që fejesa do të bëhej patjetër sepse vinte djali nga Italia. Në të kundërt u kishte thënë se do t’i përzinte nga shtëpia, vajzën, vëllezërit e saj dhe nënën. Gjithmonë sipas deklarimeve të tyre, duke u thënë se: “Është shtëpia ime, janë sarajet e mia, nuk keni punë ju këtu”, e të tjera me radhë. Duke qenë para këtij fakti, Hygerta deklaroi se: “Nuk e mbaja dot më dhe bëra krimin”.
Me të gjitha provat e fiksuara, dëshmitë dhe dyshimet e arsyeshme të krijuara rreth vrasjes së Pëllumb Metës, Policia dhe Prokuroria kanë krijuar bindjen se personi që ka qëlluar babanë është Hysen Meta. Pavarësisht ndryshimit të deklarimeve, herë duke i hedhur fajin të motrës, më pas duke e marrë vetë dhe në fund duke u kthyer prapë te e motra.
Nisur nga deklarimet e dy fëmijëve, Hysen dhe Hygerta Meta, që grupi hetimor i cilëson bashkëpunëtorë në krim, është rindërtuar skena e krimit.
Në momentin që ka ndodhur ngjarja, në shtëpi kanë qenë vetëm këta të dy dhe babai i tyre, që ka qenë i shtrirë në divan, duke pushuar. Nëna e tyre, Blerina ndodhej jashtë, duke punuar tokën para shtëpisë, ndërsa vëllai tjetër, Amarildo ka qenë në punë.
Vrasja ka ndodhur në një dhomë në katin e parë të shtëpisë. Aty është gjetur një vrimë në mur, që është shkaktuar nga plumbi. Ndërsa në divan është gjetur predha. Pas krimit, duke pastruar vendin e ngjarjes, ata kanë zhvendosur mobiljet, duke dërguar divanin në katin e dytë.
Policia thotë se për kryerjen e vrasjes kanë bashkëpunuar Hyseni dhe Hygerta, ndërsa për fshehjen e kufomës kanë marrë pjesë të katërt, edhe vëllai tjetër Amarildo dhe nëna e tyre, Blerina.
Hysen Meta
Babanë e kam qëlluar unë. Kishim debatuar. Nuk ishte hera e parë që ziheshim, por atë ditë u mbush kupa. Mora pistoletën dhe e qëllova. Nuk e kujtoj dot se sa herë. Kur ikte ai në punë, ne në familje bisedonim me njëri-tjetrin, duke thënë se na e nxiu jetën dhe nuk jetohet më me të. Pasi e qëllova për vdekje, dhoma u mbulua me gjak. Bashkë me vëllain dhe motrën e mbështollëm trupin me qese që të mos rridhte më gjak. Më pas hapëm një gropë brenda në kasolle që të mos na shikonin dhe gjatë natës e futëm trupin në gropë. E morëm makinën dy ditë më pas dhe e çuam tek sektori Rinia. Pastaj shkuam në Polici dhe thamë se është zhdukur babai. Donte ta merrte përsipër motra këtë krim, se në një farë mënyrë sherri nisi për të. Unë nuk jam penduar dhe e marr përsipër autorësinë e krimit. Më vjen keq vetëm për motrën dhe vëllain se ata nuk kanë asnjë faj.
Hysen Meta ka treguar edhe se si kanë rënë dakord për deklarimet që do të jepnin në Polici. Ndërsa shpjegon se shkak i konfliktit ka qenë fejesa e të motrës. Por duket se kjo pistë nuk qëndron dhe nuk është edhe aq bindëse për grupin hetimor. Ata kanë marrë në pyetje anëtarët e familjes së djalit, më të cilin pretendohet se Pëllumb Meta do ta fejonte vajzën dhe ata kanë hedhur poshtë versionin e ngritur nga Hysen e Hygerta Meta. Sipas tyre, ata kanë shkuar për të kërkuar dorën e vajzës, por atë natë nuk kanë marrë një përgjigje. Më pas ka qenë vetë Pëllumb Meta që u ka thënë se fejesa nuk do të bëhej, pasi vajza do të përfundonte fillimisht studimet që kishte nisur tek Gjuhët e Huaja në Tiranë.
Nga ana tjetër, gjatë hetimeve, në skenë ka dalë edhe një tjetër pistë. Ajo e pronësisë. Deklarimet që kanë dhënë vëllai dhe motra e Pëllumb Metës, hedhin dritë mbi pronat e viktimës, që kishin një vlerë të konsiderueshme. Prona që nxjerrin në skenë edhe natyrën materiale të krimit.
Pëllumb Meta kishte dy toka në pronësi të tij. Një parcelë para shtëpisë dhe tjetrën në një zonë industriale rreth dy kilometra më larg. Toka në zonën industriale ishte nxjerrë në shitje nga Meta dhe sipas banorëve të zonës kishte një vlerë të konsiderueshme, 50 euro metri katror. Aq sa e gjithë sipërfaqja që ai kishte nxjerrë në shitje, shkonte në 500 mijë euro. Për truallin ai dispononte edhe dokumentet e pronësisë, që gjatë kontrollit të banesës nuk janë gjetur nga ana e grupit hetimor. Djali i madh, Hysen Meta, i mbante vazhdimisht me vete këto dokumente, por ditën që është arrestuar nuk i ka pasur. Ndarja e pasurisë shihet si një motiv i fortë nga ana e Policisë, nisur edhe nga vetë deklarimet e të dyshuarve. Megjithatë, nuk përjashtohen as pista të tjera.
Elton Shahini
Pistat e kësaj ngjarjeje janë të hapura pasi ngjarja është në hetim nga ana jonë, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Durrësit dhe me prokuroren e çështjes, zonjën Beluli, që gjej rastin ta falënderoj për suportin dhe anën procedurale. Si pistë kryesore janë konfliktet e ndodhura në vazhdimësi në familje. Ato që deklarojnë fëmijët, pra që ka pasur dhunë të vazhdueshme psikologjike e fizike ndaj nënës së tyre. Tjetër pistë është edhe fejesa me shkuesi, të cilën vajza nuk e pranonte. Gjatë deklarimeve që japin ata, japin edhe pistën që sipas tyre babai do i përzinte nga shtëpia dhe do i përjashtonte nga pronësia, sepse Pëllumbi kishte disa toka, në një zonë që njihet si zonë industriale, pranë banesës. Dhe herë pas here, gjithmonë sipas deklarimeve të fëmijëve, i kërcënonte se do i përzinte dhe nuk do u jepte paratë, pasi paratë ishin të tijat, e të tjera si këto. Ka pasur dyshime, sepse edhe fëmijët deklaronin që babai ka qenë pak i hedhur, por ne nuk kemi dokumentuar që ai të ketë pasur lidhje jashtëmartesore.
Nëna e fëmijëve, Blerina Meta, është proceduar në gjendje të lirë. Ajo është pjesë e dosjes hetimore dhe po verifikohet çdo thënie e saj me prova që do të dalin gjatë fazës së hetimit. Në deklarimet që ka dhënë në Polici ajo pretendon se është dhunuar vazhdimisht nga i shoqi, sa herë që gjendej vetëm në banesë me të. Nga kontrolli fizik për shenja dhune, është konstatuar vetëm një shenjë e vjetër në kokë, por nuk përcaktohet koha apo mënyra se si është shkaktuar ajo shenjë. Ajo pretendon se ka pasur frikë ta denoncojë dhunën në Polici. Ndërsa kur është pyetur për rrethanat e vrasjes së bashkëshortit, ajo është përgjigjur shkurt: Unë nuk di asgjë…. E kanë bërë fëmijët…
Elton Shahini
Deri në këto momente që flasim, nga hetimet që kemi kryer deri tani, kemi arritur në konkluzionin se nëna e fëmijëve, bashkëshortja e Pëllumbit, nuk ka qenë prezentë në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Mendojmë dhe vazhdojmë hetimet siç e thashë, se ajo ka zhvilluar veprime që e pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Mund të ketë pastruar vendin e ngjarjes, mund të ketë larë rrobat e viktimës. Por siç e thashë hetimet vazhdojnë.
FAMILJA E KRIMIT
Familja Meta me origjinë nga fshati Shëmri i Krujës, ishte vendosur në zonën e Shënavlashit në Durrës, prej 51 vitesh. Në atë kohë Pëllumb Meta nuk kishte lindur ende. Por aty ndërtoi shtëpinë babai i tij, Hamid Meta, i cili tashmë nuk jeton më. Madje babai Pëllumbit ka ndërtuar edhe shtëpinë ku ai u vra dhe ku jetonte me familjen e tij. Kur është ndërtuar kjo shtëpi, Pëllumb Meta ishte emigrant në Itali. Pak metra më larg, jeton Ramazan Meta, vëllai i Pëllumbit, bashkë me familjen.
Megjithëse ishin pothuajse në një oborr, dy familjet pothuajse nuk kishin komunikim me njëra-tjetrën. Arsyet, askush nuk i thotë dot me siguri. Fëmijët e dy vëllezërve, edhe pse ishin pothuajse moshatar, nuk kalonin kohë bashkë e në ndonjë rast vetëm sa përshëndeteshin.
Pëllumb Meta, kryente dy punë për të mbajtur familjen. Përveç tij, së fundmi kishte filluar të punonte edhe djali i vogël, Amarildo. Ndërsa djali i madh, Hyseni, kishte provuar disa herë emigracionin, sa në Angli, sa në Itali, por nuk i kishte ecur. Ai ishte kthyer nga Italia vetëm pak ditë para ngjarjes. Madje Policia, edhe kthimin e tij në Shqipëri, nuk e përjashton nga plani për vrasjen e babait.
Vajza e vogël, Hygerta, vazhdonte studimet për Gjuhë të Huaja në Tiranë, ndërsa e madhja, Bedra, bashkëjetonte me të fejuarin që jetonte aty në fshat, me të cilin tashmë është ndarë dhe ka shkuar të jetojë tek gjyshërit, në Gjorm të Kurbinit, aty ku ka shkuar pas ngjarjes edhe nëna e saj Blerina.
Familja e ish-të fejuarit të saj, ka pasur marrëdhënie shumë të mira me Pëllumb Metën, madje vjehrri, ishte një nga ana njerëz që kërkoi zbardhjen e ngjarjes.
Por duket se edhe kjo krushqi u prish, pas vendimit të vajzës për të shkuar tek e ëma. Për më tepër në familjen e saj, për të cilën ata kishin pasur pakënaqësi, nisur nga një e shkuar kriminale, që sot komentohet edhe si një faktor gjenetik, që mund të ketë ndikuar në vrasjen e kryer nga fëmijët.
Nëna e Blerina Metës, pra gjyshja e fëmijëve të arrestuar tashmë, në vitin 2010 ka vrarë vjehrrën dhe plagosur bashkëshortin.
Konkretisht, më 25 maj të atij viti, Sanije Tuga, nëna e Blerinës, në atë kohë 47 vjeç, pas një grindje në familje, ka qëlluar me armë gjahu vjehrrën e saj 80-vjeçare, Behare Tuga. Ndërsa ka plagosur edhe bashkëshortin e saj, Baftjar Tuga., 52 vjeç. Ngjarja ndodhi në oborrin e familjes Tuga, që jeton në fshatin Gjorm të Kurbinit. Sanije Tuga u arrestua për vrasje me dashje, por gjatë gjykimit, u bë rikualifikimi i veprës penale, nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, duke u dënuar përfundimisht me 7 vite burg. Tashmë ajo është e lire dhe jeton aty ku ndodhi ky krim.
Ekspertë kriminalistë por edhe psikologë e lidhin edhe faktorin gjenetik me krimet në familje. Por përveç rastit të një krimi të ndodhur në familjen e nënës së Hysenit, Hygertës dhe Amarildos, po verifikohet edhe e shkuara kriminale e familjes së babait. Në këtë rast e familjes së viktimës, Pëllumb Metës.
Të vetmit banorë të kësaj shtëpie, që për shumë vite kishte 6 anëtarë, sot janë vetëm tre qentë.
Të lidhur në oborrin e godinës dykatëshe, tashmë bosh, ata duket se ruajnë muret e saj. Aty ku nuk ka mbetur më askush. Dera është mbyllur për t’u hapur kush e di se kur.
Kryefamiljari, Pëllumb Meta, nuk jeton më. Tre fëmijët, dy djemtë dhe vajza e vogël, janë të arrestuar si autorë të dyshuar për vrasjen e tij. E shoqja, Blerina, ka shkuar të jetojë tek prindërit e saj, në Gjorm të Kurbinit. E menjëherë pas saj, atje ka shkuar edhe vajza e madhe, e cila u nda nga i fejuari, vetëm pak ditë pas ngjarjes.
Tashmë ky është një fakt. Gjithçka tjetër mbetet mister, ashtu sikurse edhe motivi i krimit.
Të gjithë e pranojnë, që nga policët, prokurorët por kryesisht psikologët, që kur ndodh një krim në familje, është e vështirë dhe ndoshta e pamundur që të mësohet motivi real i ngjarjes.
Mes dilemave për një krim me prapavijë emocionale dhe një krimi me natyrë materiale, Policia dhe Prokuroria e konsiderojnë tashmë këtë ngjarje të zbardhur. Por të afërmit e Pëllumb Metës, apo edhe shoqëria që kërkojnë patjetër të dinë motivin, duket se nuk do kenë zgjidhje tjetër përveçse të aludojnë. Mund të jetë dhuna e vazhdueshme fizike e psikologjikë, apo edhe ndarja e pasurisë. Mund të jenë edhe të dyja bashkë.
Por ajo që e bën ngjarjen e Shënavlashit të pazakontë dhe shumë të rëndë, nuk është motivi, por është vetë krimi që ndodhi.
Fakti që fëmijët u bënë bashkë në fillim për të vrarë e më pas për të groposur babanë.
/Emisioni Gjërat Tona/