Nga Boldnews
Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur administratorin e kompanisë “Salillari”, Lulzim Salillarin, si edhe vetë personin juridik, pra shoqërinë private, nën akuzën e “ndërtimit të paligjshëm”.
Vendimi është marrë së fundmi nga prokurori i çështjes, Arenc Çela, i cili mban njëkohësisht edhe pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës.
Salillari akuzohet se ka ndërtuar dy kate shtesë në një godinë në zonën e preferuar të Liqenit të Thatë në Tiranë.
Të dhënat hetimore, të siguruara nga “Boldnews.al” dëshmojnë se institucionet që kontrollojnë paligjshmërinë në terren, përfshirë Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, deri në Korrik 2022 nuk kishin konstatuar se kompania “Salillari” kishte ndërtuar dy kate tërësisht pa leje.
Një grup banorësh të zonës, me denoncimet e tyre të herë pas hershme në “Komisariatin Dixhital” detyruan institucionet që të kryenin në inspektim rutinë në godinën që po lartësohej nga kompania e Pëllumb Salillarit, një prej biznesmenëve shumë pranë kryeministrit Edi Rama.
Kontrolli, fillimisht ai policor dhe më tej i Inspektorati Ndërtimor të Erion Veliajt, konfirmuan pretendimet e banorëve të zonës, të cilëve po u merrej fryma nga katet shtesë të Salillarit.
U konstatua se “Salillari” shpk kishte shtuar dy kate në një godinë, për të cilën ishte pajisur me leje ndërtimi nga Veliaj vetëm për 6 kate.
Gjithashtu, u zbulua se kompania e ndërtimit kishte shtuar në mënyrë të paligjshme edhe sipërfaqe ndërtimore në katet më të ulta të godinës.
Në total u zbuluan plot 2444 metra katrorë pa leje. Referuar çmimeve të shitjes në atë zonë, të cilat variojnë nga 1300-1700 euro për metër katrorë banesë, kjo sipërfaqe pa leje përllogaritet nga 3.17 milionë euro deri në 4.15 milionë euro. Mesatarisht, vlera e saj përllogaritet në 3.5 milionë euro, në çmim shitjeje.
Pas konstatimit të kateve pa leje, Inspektorati Ndërtimor i Tiranës nxori tre konstatim shkeljeje, soqëruar me tre urdhëra gjobe, si edhe një vendim prishjeje, të gjitha të miratuara në gusht 2022.
Në vijim, u referua në Prokurorinë e Tiranës materialet për nisjen e hetimit për “Ndërtim të paligjshëm”.
Ndërkohë, që Prokuroria regjistroi procedimin penale, nisi të zbatohej një lloj “skenari”, nga ata që lëvizin larg syve të publikut dhe që, rëndom, shkon në favor të “oligarkëve të ndërtimit”.
Nën justifikimin e mungesës së mjeteve për prishjen e kateve shtesë, vendimi i kryeinspektorit ndërtimor të kohës, Mariglen Qato për prishjen e kateve shtesë, u vonua.
Kjo vonesë u pasua nga një vendim gjyqësor për pezullim prishjeje dhe, akoma më tej, ndërhyri me një lloj urgjence Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), i cili, bazuar në një Vendim të kontestuar të Këshillit të Ministrave, vendosi konfiskimin e kateve pa leje.
Megjithatë, fakti i kateve pa leje mbetet dhe është i pakundërshtueshëm.
Denoncimi i banorëve
Paraditen e 6 Korrikut 2022, Posta e Policisë Farkë pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, është njoftuar nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Tiranës se në “Komisariati Dixhital” ka disa njoftime nga banorë të zonës së Kopshtit Botanik, Njësia administrative Nr.13 Tiranë, ku thuhej së subjekti “Salillari” shpk po ndërton pallate pa leje.
Policia, e cila deri në atë kohë nuk kishte realizuar asnjë kontroll mbi këtë ndërtim, u detyrua të paraqitej në vendngjarjen e denoncuar nga banorët.
Aty gjendej një kompleks pallatesh në ndërtim. Në pjesën e përparme të pallatit gjendej e afishuar leja e ndërtimit nr.prot X-13444/6 datë 27.11.2020, lëshuar nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Në tabelë thuhej se punimet kryhen nga shoqeria “Salillari” shpk, do të ndërtohet një godinë banimi dhe shërbimi 1,4 dhe 7 kate me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë me afat kryerjen e punimeve 60 muaj.
Justifikimi: Nuk ka mjete për ta prishur
Denoncimi i banorëve të zonës në Policinë e kryeqytetit ka vënë në lëvizje edhe strukturën përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të lejeve të ndërtimit, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së kryeqytetit.
Të dhënat e siguruara gjatë hetimit penal të Prokurorisë së Tiranës tregojnë se strukturat bashkiake, më së paku kanë qenë pasive.
Në informacionin dorëzuar Prokurorisë, Drejtoria e Monitorimit të Lejeve të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranë shprehet se për pallatin e Salillarit në zonën e Liqenit të Thatë, janë marrë disa masa administrative.
“Janë miratuar proçesverbal datë 15.07.2021 ‘Për konstatimin e kundravajtjes’, Vendim nr.3786 datë 23.07.2021 ‘Për dënim me gjobë’, Proçesverbal Nr.4662 datë 17.08.2022 ‘Për konstatimin e kundravajtjes’, Vendim nr.4396 datë 25.08.2022 për dënim me gjobë, Procesverbal nr.5286 datë 22.08.2022 për konstatimin e kundravajtjes, Vendim nr.4399 datë 02.09.2022 për dënim me gjobë dhe Vendim nr.2058 datë 02.09.2022 për prishjen e objektit të kundraligjshëm”, thuhet në materialin e vartësve të Veliajt.
Siç konstatohet nga datat e proces-verbaleve dhe dënimeve me gjobë, të gjitha i përkasin periudhës pasi banorët e zonës vunë në lëvizje institucionet shtetërore me denoncimet e tyre.
Gjithësesi, vendimi për prishjen e kateve pa leje nuk u zbatua asnjëherë. Justifikimi i strukturave bashkiake, të drejtuara nga kryeinspektori ndërtimor, Mariglen Qato, ishte fakti që nuk posedonin mjete për prishjen e sipërfaqes pa leje.
Pak javë pas konstatimit të kateve pa leje, në “fushë” hyn edhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i cili kryen një kontroll mbi sipërfaqen pa leje të ndërtuar nga Salillari.
Ky kontroll ishte në funksion të vendimmarrjes së pritshme të Këshillit të Rregullimit të Territorit për konfiskimin e kateve pa leje.
Në përfundim të këtij kontrolli, IKMT konstatoi se gjatë kontrollit të ushtruar në objektin me leje ndërtimi nr.X-13444/6 datë 27.11.2020 të objektit “Godinë banimi dhe shërbime1,4 dhe 6 kat me 1-5 kat parkim dhe shërbime nëntokë” u konstatua ndryshim nga projekti i miratuar duke realizuar sipërfaqe shtesë në shkelje të kushteve të lejës së ndertimit ku sipas lejes totale sipërfaqe ndërtimore mbi tokë është 10516.29m2 dhe gjëndje faktike 12960.41m2, pra shtesë ndërtimi 2444.12 metra katrorë.
Një ekspertizë e kërkuar nga Prokuroria e Tiranës, në funksion të hetimit penal, “…nisur nga përcaktimet në planvendosje dhe projektin e miratuar është përcaktuar nr.maksimal i kateve i cili është 6(gjashtë). Referuar konstatimit në objekt nga ana e tij rezulton se ky objekt është i realizuar me numër maksimal të kateve në 8 (tetë)”.
Lulzim Salillari: Nuk di gjë si u shtuan katet
Gjatë hetimit, është marrë në pyetje Lulzim Salillari, i cili ka qenë administrator i kompanisë ‘Salillari” gjatë kohës së ndërtimit të godinës në Liqenin e Thatë. Ai deklaron se nuk e di se si janë ndërtuar katet pa leje.
Në dijeninë e tij gjatë kohës që është punuar në pallat, nuk ka ardhur njeri për kontroll, por sqaron se ai nuk rri në objekt dhe nuk i drejton punimet personalisht në asnjë kantier të shoqërisë “Salillari” shpk dhe punët i drejton nëpërmjet personelit inxhinjero teknik që i emëron në përputhje me ligjin dhe ata janë përgjegjës për zbatimin e punimeve sipas projektit dhe kushteve teknike të zbatimit.
Lulzim Salillari ka sqaruar se drejtimi teknik i punimeve në objekt eshte ndjekur nga një ekip i emëruar i shoqerisë së tyre.
Mbikqyrësi i punimeve është shtetasi Skënder Çota i cili ka kryer mbikqyrjen e punimeve sipas kontratës dhe ligjit të mbikqyrjeve të punimeve.
Objekti është në fazë karabinaje ku janë ngritur strukturat e betonit dhe punimet janë të pezulluara momentalisht.
Administratori Salillari ka deklaruar se momentalisht ndërtimi është 7 kate dhe leja e ndërtimit është shkelur me një kat me shumë nga leja e ndërtimit.
Ai ka sqaruar se nuk ka qënë në dijeni të këtij fakti dhe ka ardhur në dijeni kur në objekt ka shkuar Ministri i Brendshëm dhe e ka bërë publike. Ai ka sqaruar se nuk ka nxjerrë asnjë urdhër me shkrim apo me gojë për të tejkaluar lejen e ndërtimit.
Prokuroria e Tiranës po vijon ndërkohë hetime për zinxhirin inxhinjerik që ka pasur detyrë ndërtimin dhe mbikqyrjen e godinës me dy kate pa leje, si edhe zyrtarët publikë që, me pasivitetin e tyre, kanë lejuar paligjshmërinë.