Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha ka thërritur qytetarët në një protestë ditën e hënë, më 18 Dhjetor. Tubimi do të mbahet para Kryesisë së Kuvendit, ku pritet të nisë në orën 11:30.
Protesta përkon me të njëjtën ditë kur do të mbahet dhe mbledhja e Këshillit të Mandateve që do të vendosë mbi fatin e Sali Berishës, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit që i hap rrugë vendosjes së masësd së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Mbështetësit e Sali Berishës janë ftuar për të protestuar jashtë ndërtesës së Kryesisë gjatë raportimit të ish-kryeministrit përballë deputetëve socialistë. “Opozita e të drejtave të mohuara në aksion” – është slogani i zgjedhur për këtë protestë.
Referuar burimeve, mediat raportojnë se kjo protestë e thirrur para Kryesisë së Kuvendit nuk do të ketë mbështetjen e grupit të kreut parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Gjatë konferencës, Sali Berisha mohoi që kjo protestë ka të bëjë me “hallin e tij personal”, por sipas tij, është vetëm për Shqipërinë.
“Absolutisht kjo është një protestë vetëm për Shqipërinë. Kemi një dallim shumë të madh me disa arsyetime të sotme. Për ata të cilët njohin totalitarizmin dhe diktaturat, kjo qëndodh në Shqipëri është në mënyrë absolute vendosje e diktaturës mobokraci, diktaturës së bandave. Por ka të tjerë, të cilët nuk mendojnë kështu sepse shohin që parlamenti ka disa forca politike. Shohin që mediat po kontrollohen, po ka edhe ndonjë zë të lirë. Shohin që njerëzit lëvizin lirshëm, shkojnë e vijnë. Por mobokracia, diktatura e bandave nuk është kurrë një diktaturë me burgje dhe kampe përqendrimi. Diktatura e bandave nuk është kurrë me izolim. Diktatura e bandave është diktaturë sepse njëlloj si në diktaturë ideologjike, të gjitha pushtet përqendrohen në dorën e padrinos, në dorën e një njeriu. Diktatura e bandave vërtet ka zgjedhje periodike, por bandat përcaktojnë rezultatin. Dhe padrinoja vendos një kuadër të të tërë joligjor për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve. Dhe këto janë realitet, nuk janë shpikje tona. Dhe dramatike është se njerëzit besojnë se këtu u zhvilluan zgjedhje dhe ky i mori. Jo mo nuk i mori. Se nëse i heq këtij në zgjedhjet e fundit 583 mijë zarfa, nëse i heq këtij dhjetëra mijëra patronazhistë që qëndronin si polici politike ndaj votuesve, nëse i heq këtij largimin nga qendrat e votimit të 1.3 milionë zgjedhësve, nëse i heq këtij paratë nën dorë të pafundme, shpërndarjen e mbi 500 milionë euro investime, tërmetet, etj, ky mor zotëri të garantoj se kurrë nuk merr më shumë se votat e atyre që vjedhin me të. Mirëpo ne prapë jemi në kushte se diktatura e bandave është njëlloj i ri diktature. Ku ti je në parlament, po ai t’i mohon të gjitha të drejtat dhe të bën të paqenë. Ku BE prodhon një dokument që vë kusht të parë pikërisht këtë të parlamentit, dialogun dhe ky bën të kundërtën, sjell po atë ditë ligjin që përjashton nga 10 në 2 muaj deputetin dhe i heq mandatin përkohësisht. Diktatura e bandave bën që kundërshtari politik, në kundërshtim me çdo ligj dhe precedentin 32-vjeçar, të sanksionohet nga gjykata për të mos dalë jashtë vendit, pa marrë miratimin e parlamentit. Në një kohë kur çdo deputeti, për të cilin gjykata ka kërkuar bllokimin e pasaportës, organet pa përjashtim, edhe vetë SKAP-i, kur kanë qenë socialistë, kanë kërkuar miratimin e parlamentit. Pra, jemi në kushtet kur narkodiktatori don të marrë nëpërmjet mënyrëve më aligjore edhe pushtetet që nuk i kontrollon akoma. Kështu që protestat kanë qenë program i padiskutueshëm. Ju e lexuat rezolutën ose ndoshta dëgjuat fjalën time, alfa dhe omega e fjalës sime dhe rezolutës janë mosbindja civile dhe protestat.” – u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se kjo nuk do të jetë një protestë e vetme, por do të nisin një zinxhir protestash.
“Do të ketë një zinxhir protestash. Tani ne fillojmë stinën e protestave. Pa diskutim që një projekt ka ekzistuar se asgjë nuk bëhet pa projekt. Po projekti modifikohet dhe fillohet me protesta madje edhe sporadike ku të lindin, me qëllimin më madhor që të shkohet drejt organizimeve më të fuqishme në vazhdim. Unë besoj se çdo njeri që kundërshton Edi Ramën është me këto protesta.” – u shpreh lideri demokrat.
Kujtojmë se Këshilli i Mandateve do të mblidhet ditën e hënë në orën 12:00 në Kryesinë e Kuvendit ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së Sali Berishës.
Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit ku i ka kërkuar autorizim për vendosjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” në lidhje me dosjen e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”.
SPAK-u i ka caktuar liderit demokrat masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Megjithatë Sali Berisha ka refuzuar që të parqaqitet në Gjykatë, për këtë shkak SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpi”. Sali Berisha nuk është paraqitur në SPAK në tri datat e caktuara; 6 nëntor, 20 nëntor dhe 4 dhjetor.
Berisha ka deklaruar se nuk do refuzonte kurrë të shkonte në Gjykatë, por jo në rastet kur shkelet Kushtetuta. Sipas Berishës, GJKKO ka shkelur Kushtetun, duke qenë se nuk kërkoi autorizimin nga Kuvendi për vendosjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” duke i bllokuar pasaportën.
Në lidhje me shtrëngimin e masës së sigurisë, Berisha është shprehur se do të respektojë çdo vendim të SPAK pas heqjes së imunitetit nga Kuvendi.
Berisha akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të larte shteterore ose te zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25i Kodit Penal.
Ish-kryeministri i ka konsideruar akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, si sulm politik, pasi sipas tij, nuk ka asnjë fakt dhe dokument që të ngrihen dyshimet mbi akuzat.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”. Ndërsa, për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, SPAK-u deklaron se ata kanë përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta.