Nëntë kulla të reja i shtohen Tiranës së fundmi. Qeveria shqiptare përmes Këshillit Kombëtar të Territorit ka miratuar përgjatë vitit 2023, nëntë vendime që i hapin rrugën ndërtimeve të reja, me lartësi nga 12 deri në 58 kate.
“Lana Riverside Residences” është kulla më e re që do i shtohet kryeqytetit.
E pozicionuar në Bulevardin Gjergj Fishta, te ish-Universiteti i Tiranës, kjo ndërtesë do të jetë 56 kate mbi tokë dhe 6 kate nën tokë, me një lartësi prej 204.5 metra, në formën e cilindrit. Kulla, pjesë e një kompleksi me godina 1,2,3,5,8 kate do të ndërtohet nga “Forever Construcion”, në pronësi të Lefter Sota, i angazhuar në fushën e tregtimit të hekurit.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/41.png)
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/42.png)
Pas “Lana Riverse Residences”, për nga lartësia renditet kulla e emëruar “Barcelona Tower”, e cila do te jetë 192.8 metër e lartë, duke numëruar 50 kate mbi tokë dhe 6 të tjera nën tokë. Kjo ndërtesë do të zërë vendin e Bankës Kombëtare Tregtare, ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/barcelo.png)
Ndërtuesi i kësaj kulle është kompania “Bami Holding” e biznesmenit Besnik Bami.
“Tirana, një shesh ndërtimi pa kriter”
Këto nuk janë kullat e vetme që po ndërtohen në Tiranë. Për vitin 2023, me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) janë miratuar lejet për nëntë ndërtime nga 12 deri në 58 kate. Shumica e këtyre lejeve janë afër qendrës së qytetit, një zonë tanimë e mbi ndërtuar.
Përpos “Lana Riverside Residences” dhe “Barcelona Tower” që janë më të lartat ndërtesa mes 9 lejeve të dhëna për 2023, renditen edhe 7 të tjera, me tipologji të ndryshme.
Në rrugën “Liman Kaba”, afër Komunës së Parisit do të ndërtohet një godinë 25 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë, me funksione shërbimi, hotelerie dhe rezidenciale. Zhvilluar nga Unico Construction Sh.P.K.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/unico.png)
![Godina "Unico"](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/unic.png)
“Tirana New Boulevard”, një kompleks rezidencial dhe shërbimesh me 41 dhe 44 kate mbi tokë dhe gjashtë kate nëntokë do të ndërtohet te Bulevardi i Ri nga “Smart Construction Invest” SH.P.K. “Progeen” Sh.P.K.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/Tirana-New-Boulevard.png)
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/Tirana-New-Boulevard-1.png)
“Green Tower”, një ndërtesë deri në 18 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë, do të marrë formë në Bulevardin “Gjergj Fishta”.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/Green-Tower-1.png)
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/Green-Tower.png)
“Bazaar Gate“, një kullë 27 katëshe mbi tokë dhe 4 nëntokë do të zërë vend në rrugën “Luigj Gurakuqi”, zhvilluar nga shoqëria “Bregu” Sh.A.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/Bazaar-Gate-1.png)
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/Bazaar-Gate-2.png)
Në rrugën e barrikadave, një kullë 58 kate mbi tokë dhe 7 nën tokë me qëllim multifunksional do të zhvillohet nga “Nova Construction-2012” Sh.P.K. Ende nuk është bërë publik projekti dhe dizajni i ndërtesës.
![](https://citizens-channel.com/wp-content/uploads/2023/12/barrikadat.png)
Po ashtu, një ndërtesë nëntë katëshe do të ndërtohen pranë stadiumit Dinamo.
Kjo godinë nëntë katëshe mbi tokë dhe tre kate parkim nën tokë do të zhvillohet nga “Comfort Development” Sh.P.K.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/fgf.png)
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2023/12/Comfort.png)
Ndërsa në zonën e ish-Bllokut, shembja e dy godinave një katëshe do ti lërë vendin një ndërtese 12 kate mbi tokë dhe 6 nën tokë. Godina do të zhvillohet nga “Forever Construction” Sh.P.K, në rrugën “Brigada e VIII”.
“Kulla me para borxh”
Projektet e reja qiellgërvishtëse në kryeqytet shihen me shqetësim nga grupet e aktivistëve politikë.
Lëvizja Bashkë, e cila ka ndjekur së fundmi situatën e ndërtimeve në qendër të Tiranës, shprehet se këto projekte si “logjikë e fitimit në kurriz të jetës së banorëve të Tiranës dhe hapësirës publike ka shpërfilluar nevojat dhe të drejtat e komunitetit në emër të interesave financiare të një grupi të vogël”.
Sipas Lëvizjes Bashkë, ndërtuesit e kullës në Bulevardin Gjergj Fishta, rezultojnë me bilanc negativ në QKB, duke e parë me shqetësim kësisoj procesi ne lejeve dhe vlerësimin e subjekteve që merren me ndërtim në Tiranë.
“Pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit është një problem serioz që ka ndikim të thellë në ekonominë dhe integritetin e një vendi. Ndërsa sektori i ndërtimit rritet, ka tendencë që tërheq vëmendjen e aktiviteteve të paligjshme financiare dhe pastrimit të parave. Kompanitë e ndërtimit, në disa raste, mund të përdorin ndërtime të mëdha si një mjet për të futur paratë e fituara nga aktivitete të tjera ilegale apo për të legalizuar fitimet e marra nëpërmjet veprimeve të dyshimta. Kjo mund të përfshijë shpërdorime të lejeve ndërtimore, fatura të rreme dhe transaksione të dyshimta financiare që mund të maskohen pas komplekseve të ndërtimeve”,-thuhet në reagimin e Lëvizjes Bashkë.
Projektet që po betonizojnë qendrën historike të Tiranës
Në qendër të Tiranës po ndërtohen gjashtë kulla shumë katëshe, brenda territorit që dikur ishte zonë e mbrojtur historike. Vendimi Nr.582 i Këshillit të Ministrave (me kërkesë të Bashkisë Tiranë), i hapi rrugë tkurrjes së qendrës historike të qytetit.
Kjo ndërhyrje u kritikua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si e pabazuar në asnjë studim të mirëfilltë, veç interesave të biznesit të ndërtimit.
Kullat që po ndërtohen në qendër të qytetit janë:
- Tirana’s rock – një kullë prej 24 katesh në formën e bustit të heroit kombëtar Skënderbeu, po ngrihet mbi rrënojat e vilave 100-vjeçare të rrugës “Broduej”.
- “New Hotel Tirana International” – Njëkullë 33 katëshe që do të jetë vazhdimi i hotelit “Tirana Internacional”, i njohur si 15-katëshi i Tiranës..
- Book Building – Është një kompleks godinash 4,5,11 dhe 21 katëshe që po ngrihet vetëm 8 metra larg Sahatit të Tiranës, ndërtesës simbol të kryeqytetit.
- “Eyes of Tirana” – Kulla 24 katëshe e ngritur në lulishten krah Bankës së Shqipërisë mori “bekimin” e KKT në vitin 2017.
- “Forever Green” – Kulla nisi punimet në shkurt të vitit 2011. Për ta përfunduar projektin e kullës 25 katëshe u deshën 13 vite pas falimentimit të kompanisë që nisi punimet, ajo u përfundua nga kompania “AlbStar”.
- “Tirana Mount” – Një kullë prej 185 metrash do të ngrihet në një hapësirë të gjelbër pas Operas.
/Citizens Channel