Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, u shpreh se publikimet e “Albanian Files” kanë konfirmuar akuzat e ngritura prej vitesh nga opozita se një pjesë e konsiderueshme e investimeve në sektorin e ndërtimit financohen nga para me origjinë kriminale.
I ftuar në emisionin “Syri Digjital”, në Syri TV, Teliti u shpreh se, qeveria e kryeministrit Edi Rama jo vetëm që ka dështuar të frenojë këtë fenomen, por përmes zbatimit selektiv të ligjit dhe mungesës së kontrollit ka krijuar një terren ku, sipas tij, favorizohen oligarkët dhe kapitalet e dyshimta, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me ndëshkime edhe për shkeljet më të vogla.
Ai deklaroi se ligji nuk funksionon njësoj për të gjithë, duke pretenduar se fermerët dhe bizneset e vogla penalizohen menjëherë nga institucionet shtetërore, ndërsa ndërtimet shumëkatëshe pa leje, shkeljet në zona të mbrojtura dhe investimet me burime të paqarta financimi kalojnë pa u prekur.
Sipas tij, pasojat e kësaj situate janë bërë të dukshme në ekonominë shqiptare, ku rënia e euros, rritja e pakontrolluar e çmimeve të apartamenteve dhe deformimi i konkurrencës në treg janë tregues të qartë të hyrjes së parave të pista në sektorin e ndërtimit, një fenomen për të cilin ai akuzoi qeverinë se jo vetëm nuk ka vepruar, por e ka lejuar të thellohet.
Teliti: Për të mbështetur zhvillimet dhe projektet, janë bazike dy elemente. Së pari, financimet duhet të vijnë nga burime të pastra, të jenë para të ndershme, jo para të pista, para krimi apo para droge. Së dyti, ligjet e shtetit duhet të respektohen njëlloj për të gjithë.
Por, a ka rregulla ky vend? Pse ligjet funksionojnë vetëm për qytetarin e thjeshtë, i cili, në momentin që del nga dera e shtëpisë dhe bën qoftë edhe një shkelje, ndëshkohet menjëherë nga strukturat e shtetit? Pse ligjet janë vetëm për atë fshatarin e thjeshtë, i cili merr ato dy arka me domate, speca e kastravecë, prodhime të baçes së tij, dhe i shet aty, ndërsa i shkojnë 50 veta nga policia bashkiake për t’ia sekuestruar mallin dhe për ta larguar? Ndërkohë ndërtohen 5, 6 apo 7 kate pa leje. Ndërkohë merren zonat e mbrojtura dhe bëhen shkelje. Mjafton të shohësh ato pikat blu, për të cilat foli edhe ministrja e Arsimit, se kemi edhe ministre Arsimi sot, e cila është përgjegjëse për arsimimin e brezave të ardhshëm, por edhe të brezave aktualë. Ajo flet për pikat blu dhe për mënyrën se si janë bërë te Gjiri i Manastirit në Sarandë e kështu me radhë. Pra, kemi një shkelje të hapur të ligjit.
Këto janë të papranueshme. Ne duam që çdo gjë të jetë konform rregullave, konform ligjeve, duke konsultuar publikun, duke konsultuar grupet e interesit, duke respektuar të drejtën e pronës, por, mbi të gjitha, me financime të pastra, jo financime të fshehta apo financime nga paratë kriminale. Nuk ka asnjë vend në botë që është zhvilluar duke u financuar nga para kriminale.














