Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë me gazetarët, pas një kohe në mungesë ku mediat pranë qeverisë aluduan dhe për një arratisje të tij. Ai zbuloi se nuk ka bërë dalje publike për tre javë për arsey shëndetësore.
“Unë për hir të së vërtetës gjatë këtyre 3 javëve për arsye personale të disa çështjeve të shëndetit, nuk kam qenë i angazhuar publikisht, aq sa edhe ju jeni shqetësuar”, tha Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë hodhi akuza ndaj SPAK në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës, ku sipas tij, drejtësia nuk vepron edhe pse vazhdojnë hidhen miliona në një gjë që nuk ekziston.
“Ministra dhe zyrtarë kanë vetëm një synim që të vjedhin. Inceneratori i Tiranës merr miliona euro nga Rama dhe Veliaj. Inceneratori që nuk ekziston edhe dje mori vetëm 800 mijë euro të tjera. Veliaj është i kallëzuar për rolin e tij korruptiv por drejtësia nuk vepron. Rama është arkitekt i vjedhjes shtetërore me 3 incenetarorë duke vendosur qeverinë dhe ministrat e tij në funksion të këtyre skemave zhvatëse që kanë treguar se sa thellë janë të gatshëm ata për ta future dorën pa mëshirë në xhepin e qytetarëve. Shqipëria për fat të keq, vazhdon rrëshqitjen e rrezikshme drejt kapjes së Shtetit.” – u shpreh kreu i Partisë së Lirisë.
Meta u ndal edhe në zhvillimet e fundit në Kuvend, ku u shpreh: “Parlamenti është kapur për fyti nga Rama dhe është kthyer në një zyrë të qeverisë. Bllokimi i të gjitha komisioneve hetimore është dëshmi e qëllimit të qeverisë për të mos dhënë llogari në Kuvend. Përjashtimi i deputetëve, është një mjet agresioni në mënyrë që të asgjësohet në funksionin e saj thelbësor dhe të vërtetat e mëdha të korrupsionit të qeverisë të mos zbulohen. Bllokimi i projektligjeve të opozitës është një mjet tjetër presioni. Jemi në kushtet e një konfrontimi të hapur mes qëndrimit demokratik dhe transparent dhe regjimit shtypës të Edi Ramës. Një shembull i kapjes monstruoze të shtetit është projektligji për prefektin. Është super centralizim i pushtetit në duart e kryeministrit që nuk e lë të ecë Shqipërinë përpara. Ndaj ne e kundërshtojmë fuqimisht”.
Kreu i Partisë së Lirisë ka mbajtur të njëjtin qëndrim si ish-kryeministri Sali Berisha në lidhje me hetimet e SPAK dhe masat e lëshuara për çështjen e ish-kompleksit Partizani. Meta ka akuzar kryeministrin Edi Rama se ka kapur drejtësinë, pasi sipas tij, këtë gjë e tregon fakti se emri i tij nuk është në dosje edhe pse ai ka patur rol kyç.
“Sa i takon qëndrimeve ndaj zotit Berisha nga ana e prokurorëve të SPAK apo të përfaqësuesve të gjykatave dua të shpreh keqardhjen për këtë shitje që nuk është e papritur të ashtuquajturës drejtëis të re, anashkalon parlamentin, mbi Kushtetutën dhe konventat europiane. Është aktakuzë që është bërë në kongresin e PS-së nga Edi Rama. Akt akuzë e diktuar prej tij. Për çështjen e ish klubit Partizani është personi kryesor që ka marrë përgjegjësinë për të bërë ndërrimin e destinacionit nga sportive në destinacion për ndërtim. Dhe po të shikoni emrin i tij nuk del. Përmes kapjes së sistemit të drejtësisë ka garantuar paprekshmërinë e tij dhe përpiqet të përdorë gjykatës dhe prokurorë të caktuar që të godasë opozitën e vërtetë dhe të shfokusojë opinionet publikë nga skandalet qindra miliona euro” – tha Meta.
Ai theksoi më tej se nuk ka asnjë shqetësim nga drejtësia dhe se do të shkojë në SPAK, kurdo që ta thërrasin.
“Janë lajme tërësisht banale, pa përmbajtje. Janë tema të lodhura dhe nuk përbën lajm se Ilir Meta të shkojë në SPAK. Ky është një dallim i fortë, i Ramës apo me këdo tjetër. Kam qenë në SPAK si kallëzues, disa prej çështjeve nuk janë hapur, Nuk jam thirrur si kallëzues. Do të shkoj kurdo që të më thërrasin, nuk kam asnjë shqetësim nga drejtësia. Nuk ka asnjë akt të nënshkruan nga Ilir Meta fët e fët. Çështja të tilla nuk ekzistojnë. Nuk i druhem askujt, as sot as në të ardhmen. Ju paraqita disa fakte. Sa i takon drejtësisë me regji po ashtu kam paraqitur fakte”, u shpreh ai.
I pyetur nga gazetarët nëse a po e sulmon SPAK, Meta tha se nuk dëshiron që të mbajë qëndrim në bllok, por ata prokurorë që shkelin Kushtetutën e kthehen në vartës të Ramës të mos presin duartrokitje.
“Duhet t’iu them me bindje se duhet të ruajmë kujtesën që të jemi koherent. Kujtesë është kjo që reforma u miratua me 140 vota, kam qenë kryetar i parlamentit. Reforma u shndërruar në Ramaformë, çdo gjë u bë më pas në kundërshti me Kushtetutën. Prokurori i Përgjithshëm u zëvendësua me 69 vota, në mënyrën më anti-kushtetuese. Kushtetuta e kishte të qartë që prokurori S’dua të mbaj një qëndrim në bllok ndaj SPAK, reforma u bë që ti jepte sa më shumë pavarësi prokurorëve në çështjet e tyre që të ndikoheshin sa më pak nga drejtuesit e këtij sistemi. Në këtë rast mendoj se çdo gjykim duhet bërë mbi çështje konkrete, raste konkrete dhe se si respektohet Kushtetua, ligji dhe se si ecet para në çështje të caktuara. Mbështetjen më të plotë për të gjithë ata që zbatojnë ligjit, i rezistojnë presioneve politike, apo të botës së krimit. Të gjithë ata që respektojnë Kushtetutën dhe ligjin. Për të gjithë ata që sillen si vartës të Ramës, apo Agaçit, si vartës të elementëve të tjerë të PS, të mos presin duartrokitje as kur shkelin kushtetutën, as kur përdoren jo për të ndëshkuar korrupsionin, por për të asgjësuar opozitarizmin, pluralizmin politik dhe për të garantuar pandëshkueshmërinë e Ramës dhe Veliaj”, tha Meta.
I pyetur nëse a e konsideron dhe ai SPAK-un “organizatë kriminale” njësoj si Berisha, Meta tha se nuk do munden ta përçajnë me liderin demokrat, dhe se çdokush ka stilin e tij si shprehet.
“Kot e keni që doni të më përçani me zotin Berisha. Ai ka stilin dhe natyrën e tij. Duhet parë dhe konteksti që e ka thënë. Nuk dua ta pranoj që të gjithë janë ushtarë të Engjëll Agaçit” tha Meta.
Meta la të hapur sërish mundësinë e bashkëpunimi me Sali Berishën në zgjedhjet parlamentare 2025. Ai tha se Partia e Lirisë do të jetë në aleancë me të gjithë ata faktorë opozitarë që janë kundër kapjes së shtetit.
“Kishim zgjedhjet e 14 majit u ndërtua koalicion, qëndruam dhe qëndrojmë siç është edhe çështja e referendumit. Jemi edhe për të ardhmen ne interesin më të mirë të demokracisë, për të fuqizuar mirëkuptimin me të gjithë faktorët opozitarë. Aleanca kundër kapjes së shtetit do të vazhdojë me të gjithë ata që janë në këtë linjë”, tha Meta.
Meta thotë se do të jenë në një linjë me opozitën për rikthimin e vendit në shinat Kushtetuese. Ai tha se opozita duhet të jetë faktor i madh për rikthimin e demokracisë në vend.
“Ne jemi në një linjë për rikthimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në parlament, që të ushtrojë funksionin kryesor si garant i republikës parlamentare që është asgjësuar në kolonat e saj. Ne jemi në një linjë me çdo faktor opozitar që është për rikthimin e vendit në shinat Kushtetuese, të vendit dhe të shtetit në parimet e kontrollit dhe balancës. Nuk mund të ndodhë pa rolin që mund të marrë opozita, që është dobësuar për shkak të agresionit të qeverisë, mobilizimit shtetëror për të asgjësuar opozitën”, tha Meta.
Ndërkohë, Meta u pyet edhe për deklaratën e Berishës, që nuk përjashtoi as grevën e urisë.
“Mendoj që ka qenë një grevë urie që i dha një goditje të fortë sistemit. Ne do të jemi në bashkëpunim, në koordinim me PD, dhe faktorët e tjerë që duan një opozitë të fortë, në kontribut të rivendosjes së llogaridhënies. Për këtë gjë do të bëjmë gjithçka që është e domosdoshme. Ju doni të më përçani me Berishën? Secili ka stilin e vetë. Nuk mbaj qëndrim në bllok. Nuk mund të them që të gjithë ata atje janë ushtarë të Engjëll Agaçit.”, pohoi ai.