Sali Berisha doli sërish në një deklaratë për mediat këtë të enjte, duke hedhur poshtë akuzat e prokurores së SPAK Enkelejda Minollai ndaj tij në çështjen për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Kreu i PD komentoi zhvillimet e fundit në gjyqin ndaj tij si caktimi i avokatëve kryesisht si dhe zbuloi detaje nga vijimi i aksionit opozitar.
Berisha: Irena Gjoka komunikon me Edi Ramën
Të Mërkurën, pati tensione në seancën për masën e sigurisë ndaj Berishës. Avokatët e kreut të PD braktisën sallën pas disa orë seance, në shenjë proteste për rrëzimin e kërkesës së tyre nga gjyqtarja Irena Gjoka. Ata kërkuan interpretimin e masës së Berishës nga Gjykata Kushtetuese, kërkesë e cila u rrëzua. Gjykata e Posaçme njoftoi se kishte zgjedhur avokatin Artan Simoni si mbrojtës kryesisht në mënyrë që të vijonte seanca. Pas rreth 1 orë seancë, togat e zeza me kërkesë të Prokurorisë vendosën të shtyjnë për sot seancën me të tjerë avokatë mbrojtës, nga lista e avokatëve kryesisht – Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia.
Në konferencën për mediat këtë të enjte, Berisha tha se Simoni u caktua me urdhër të Ramës nga gjyqtarja Irena Gjoka.
“A e patë kë zgjodhi ajo? Po ajo ishte fenomenale? Sikur ta porosisja unë. Atë Kmerin e Kuq. Ajo ishte gjëja më e bukur. Ajo e përzgjodhi. Edi Rama ia çoi. Edi Rama ia nisi, do u them edhe personin që ua nisi. Edi Rama ia çoi, ku e njihte ajo… Ajo çdo gjë e komunikon me Ramën, me Encrochat apo me çfarë mjeti, nuk mund të them tani, por ajo komunikon me Ramën”, tha Berisha.
Ai përsëriti qëndrimin se masa e sigurisë ndaj tij duhet të kalonte nga parlamenti dhe për këtë arsye tha se nuk paraqitet në Gjykatë.
“Gjykatësja me urdhër të Edi Ramës po kërkon të krijojë një precedent të tmerrshëm që nuk ka ndodhur kurrë. Të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj. Ky është mercenarizëm ekstrem. Nuk shkruhet Kushtetuta. Kushtetuta zbatohet. Asnjë ligj, asnjë person, asgjë nuk mund të dalë mbi Kushtetutën. Ja çfarë thotë neni 73, pika 2: Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës pa autorizimin e Kuvendit”, u shpreh.
Për Irena Gjokën, avokatët e zgjedhur nga Berisha për ta përfaqësuar në gjykatë kanë depozituar një kërkesë në GJJKO për përjashtimin e saj nga çështja ndaj ish-kryeministrit.
Lidhur me avokatët e rinj të zgjedhur kryesisht nga gjykata, Berisha tha se nuk është njoftuar dhe nuk preferojë ti komentojë pasi nuk i njeh.
Berisha: Asnjë provë ndaj meje dhe Malltezit
Berisha përsëriti qëndrimin se në dosjen e SPAK nuk ka asnjë provë që e inkriminon atë apo dhënfrin Jamarbër Malltezi, i arrestuar disa ditë më parë.
“Pasi kërkuan 3 vjet me lupë, nuk gjetën asnjë provë. Sepse një provë të vetme të qëndrueshme, i lejonte ata të formulonin aktakuzë penale. Në asnjë rresht, në asnjë rast ata nuk konfirmojnë një provë të vetme, sepse nuk ekzistojnë”, u shpreh.
“Sigurisht ata kanë thënë se Jamarbër Malltezi, përfundoi nga 113 metra tokë, si investitor, përfundoi me 5.4 milionë euro. Mirëpo, ata nuk thonë, ndonëse e pohojnë se duhet të jem i saktë, pohojnë se ndërtuesi Fatmir Bekteshi që ishte aksioner me 40 përqind të kompanisë Homeplan, deklaroi se ne që në fillim të tre vendosëm të shesim në gropë, në themel. E thotë ai. Po ata, për të mos falsifikuar dhe mashtruar qytetarët me 5.4 milionë euro, duhet të analizonin të gjithë faturat e shitjes dhe blerjes së pallateve në gropë. Ato janë me qindra e qindra. Ajo kompani ka një bilanc. Dhe ata duhet t’u thonin qytetarëve se pas bilanceve, ky person nuk ka 5.4 milionë euro. Por nuk e bëjnë këtë se e dinë se ky person, qindarkë për qindarkë, i ka të vetat”, shtoi.
“Por ata janë përpjekur të krijojnë ushqim për horat, për manipulatorët, për të keqshfrytëzuarit. Mund të thonin se është futur jo me 113, por me 1250 metër katror, se ka blerë te kushërinjtë. Kështu që asgjë nuk qëndron aty. Prandaj, edhe pyetja që bën, nuk qëndron se unë kam folur për prova dhe fakte, por jo për trillime dhe manipulime. Për mashtrime. Besoj se jam i qartë”, shtoi më tej kryedemokrati.
Aksioni opozitar
Berisha paralajmëroi protesta të fuqishme.
I pyetur nga gazetarët për datën e nisjes së tyre ai tha: “Do konsultohemi me Këshillin Kombëtar, por zakonisht ky është atribut i kryesisë së partisë. Protesta ka filluar. Protesta ka filluar në parlament dhe të jeni të bindur se do jetë shumë serioze. Javë pas jave”.
Ai theksoi se protesta në parlament do shoqërohet nga “një mbështetje e fuqishme popullore”. “Por një gjë do jetë, këto protesta nuk do ndalen më nga asnjë masë që mund të marrë Edi Rama. Të bëjë çfarë të dojë, ne e morëm këtë vendim, pasi ai dëshmoi se kundër demokracisë, është i aftë të bëjë gjithçka”, tha Berisha.
Akuzat ndaj Ramës
Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza dhe ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se po përjeton krizën më të thellë të keqqeverisjes së tij.
“I ngërthyer nga seriali i veprave penale të kryera në drejtimin e organizatës kriminale që ka ndërtuar, i ngërthyer nga zbulimet të telefonave të kriptuar që ka përdorur, që ka menduar se çdo bisedë e tij është e sigurt. Vetëm bisedat me McGonigalin janë tërkuzë saqë kalojnë nga njëra anë në anën tjetër të Atlantikut. Por nuk janë vetëm këto biseda, janë bisedat me eksponentët më të rrezikshëm të krimit dhe bosët e trafiqeve. Nga 8 mijë SKY EÇ, Encrochat dhe nja dy-tre të tjerë, telefona të kriptuar në Shqipëri, përqendrimi më i lartë ka qenë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave”, tha Berisha.
“Edi Rama, i damkosur në mënyrë përfundimtare si hajduti më i madh i pasurive publike në historinë e këtij vendi, si njeriu që ndërtoi sarajet e tij duke pasur të deklaruara gjithsej 400 mijë lekë dhe 38 mijë euro. Që deklaron se bleu truallin me 2 dollarë, që thotë se e ndërtoi me paratë e emigracionit, pa pasur një qindarkë të deklaruar gjëkundi. Një nga ndërtimet më të kushtueshme, me një oborr, me një park 5 mijë metrash, një njeri që ka firmosur në çdo fazë procesin e vjedhjes më të madhe të shekullit. Një njeri që kur filloi karrierën si kryeministër, u akuzua në raportin e OSBE se kishte të fshehura në offshore 200 milionë euro dhe nuk e çeli gojën dot të përgënjeshtronte apo të hidhte në gjyq. Edi Rama përjeton fundin e tij të pashmangshëm. Pas rrënimit përfundimtar të votës, atë e pret përgjigjja e merituar e 600 mijë votuesve idealistë, që besojnë të vota dhe vlerat e demokracisë. Në këtë kontekst, e damkosi në mënyrë përfundimtare edhe raporti i fundit i ODIHR-it”, shtoi.
Sipas tij, Edi Rama ka krijuar për familjarët e vet, pasuri të paligjshme përrallore.
“Olsi i tij, ortak i Amant Josifit, i cili u ka vjedhur në bashkëpunim, qytetarëve europianë nga 1 miliard gjer në 2.8 miliardë euro. I vëllai i tij u shndërrua në përfaqësuesin kryesor të Shqipërisë në raport me biznesin kinez. I vëllai i tij është de facto njeriu numër një i uzinës së drogës në Xibrakë. Edi Rama, në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, anëtarit të familjes së ngushtë, i ka hapur mundësitë për të përdorur pushtetin e tij dhe për të përfituar dhjetëra tendera direkt ose si nënkontraktore. Disa burime më thonë, prej 7 vitesh, në kundërshtim flagrant me çdo ligj, zonjusha nuk ka deklaruar asnjëherë në ILDKP pasurinë. Edi Rama, i mirënjohur tashmë si Pashiqi shqiptar, është shndërruar në figurën më të urryer pas Enver Hoxhës në histori për çdo patriot shqiptar”, deklaroi.