Ka zgjatur vetëm 20 minuta seanca e sotme plenare, pasi zhvillimi i saj normal u pengua nga deputetët e opozitës.
Ishin deputetët e PD që uzurpuan foltoren dhe podiumin ku ulen ministrat, duke e cilësuar këtë veprim si një shenjë proteste për përjashtimin e kolegëve të tyre apo dhe mosngritjen e komisioneve hetimore. Sakaq, jashtë Kuvendit, pensionistë dhe minatorë protestojnë për pensione dhe miratimin e statutit të tyre.
Në pamundësi për të drejtuar nga vendi i saj, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj, ka drejtuar seancën nga karriget e deputetëve të maxhorancës, kjo për shkak të bllokimit nga deputetët opozitarë.
“Do merren masa për të gjithë ju! sjellje nuk ka ndodhur ndonjëherë”, tha zv.kryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj, e cila dha lajmërimin për mbylljen para kohe të seancës plenare.
- Berisha përplaset ashpër me Felajn: Ke pasur burrin peng nga bandat!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndërsa fliste për rrëzimin e kërkesave për komisione hetimore nga mazhoranca, i është drejtuar nënkryetares Ermonela Felajt, duke e cilësuar si “turp i Shqipërisë”.
Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj nënkryetares së Kuvendit të cilës i tha se ka “uzurpuar” Prokurorinë e Tiranës me familjarët e saj.
Gjatë fjalës në Kuvend, Berisha iu drejtua Felajt duke i thënë se ‘bashkëshori është peng i bandave se i kishte gjobitur kur ishte prokurore‘.
“Bërtisni sa të doni, por unë po komunikoj me qytetarët dhe me britmat tuaja nuk shuani dot kurrë zërin tonë. Nuk është parlamenti, Prokuroria e Tiranës, ti je turpi i Shqipërisë, ti je turpi i Ballkanit, je turp i Europës. Ti ke përdhosur institucionin duke futur pesë familjarë tu në prokurori. Ja, kjo që flet, kjo delinkuente që flet këtu, ka pasur burrin peng nga bandat se i kishte gjobitur kur ishte prokurore. Kjo delinkuente që flet këtu ka katër familjarë të saj në Prokurorinë e Tiranës, kjo bën ligjin. Shko në Prokurorinë e Tiranës e shih katër Felaj. Nuk ka turp më të madh. Ka gojë me folë ajo. Po flasim këtu. Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, komisioni tjetër parlamentar që nuk u lejua është komisioni për Butrintin, vjedhja më e madhe që mund t’i bëhet këtij kombi. Në Parkun Kombëtar, një mrekulli e vërtetë natyrore, arkitekturore, arkeologjike, vetëm e vetëm që Edi Rama me mafien dhe drogën e tij, ta mbulojë atë. Së treti, komisioni parlamentar për zbatimin e ligjit të konfliktit të interesit. I shihni ju këta zotërinj, nga Edi Rama e poshtë, të gjithë janë lukunia e tenderave, e prokurimeve, janë lukunia e pangopur e vjedhjes së taksave tuaja. Prandaj nuk e lejojnë komisionin, sepse i kanë familjarët të pasuruar palë-palë me mundin, djersën dhe paratë tuaja. Këta nuk lejojnë komisionin e hetimit të TIMS, operacionin më kriminal dixhital që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. I kryesuar nga Taulant Bego Yaris, që ka kryer vetë 54 udhëtime me Edmond Begon, me pasaportën diplomatike të parlamentit, për t’i fshehur atij ngarkesat e drogës në mbarë Europën. Komision tjetër parlamentar ishte komisioni i patronazhistëve. Qytetarët duhet ta dinë se sot nisim qëndresën tonë në këtë sallë, për t’u ndalur deri në triumfin e Kushtetutës, ligjit dhe votës së lirë të shqiptarëve”, tha Berisha.]
- Berisha “LIVE” në Facebook”. Përplaset me Çuçin: Ti pusho…
Kryedemorkati Sali Berisha ka zgjedhur që pas bllokimit të nisjes së seancës parlamentare në Kuvend nga deputetët e opozitës, të jetë pranë qytetarëve në një mënyrë tjetër.
Berisha ka zgjedhur të futet “LIVE” në Facebook.
“Do vazhdojmë, është fillimi i rezistencës. Fillimet e një rezistence që nuk do ndalet më, kaq është e gjitha”, u shpreh ai.
Berisha: Ky institucion drejtohet në mënyrë antiligjore. Ne deputetët që përfaqësojmë qytetarët që kanë votuar kundër kësaj qeverie, kemi depozituar 31 ligje dhe rezoluta të cilat Rama me Lindën e tij i mban në sirtar dhe nuk lejon që ato të vijnë e të shqyrtohen në Parlament. Deputetët e opozitës kërkojnë në komisione paraqitjen e ministrave dhe ata refuzojnë të paraqiten me urdhër të Edi Ramës.
Ndërhyn ministri Çuçi…
Berisha: Pushoni ju atje se do t’ju nxjerr jashtë fare. A merr vesh ti Çuçi? Pusho…
Berisha: Edi Rama është bashkëfajtor me McGonigal. Deputetët e opozitës kanë paraqitur me të gjitha firmat…bërtisni sa të doni, por unë po komunikoj me qytetarët dhe me britmat tuaja nuk i shuani dot zërat tanë…
- Minatorët dhe pensionistët protestë para Kuvendit, përplasen me policinë
Pensionistë dhe minatorë kanë dalë të protestojnë para Kuvendit vetëm pak minuta para nisjes së seancës plenare. Ata kërkojnë njëzëri rritje të pensioneve, por edhe miratimin e statusit të minatorit.
Protestuesit pasi i kërkuan policisë që të hapte rrugën, janë konfrontuar me këtë të fundit.
“Na hapni rrugën. Mos na prekni me dorë”, dëgjohet teksa thotë një nga protestuesit. Ndërkohë një tjetër iu drejtohet forcave të policisë: ‘Turp të keni!’.
Një prej tyre papritur është ndjerë keq dhe është shtrirë përtokë, ndërsa është shprehur se ka probleme me zemrën dhe diabetin.
Një tjetër prej tyre i është drejtuar Parlamentit me një megafon, por është ndaluar nga një efektiv i policisë, i cili e ka tërhequr pas.
- Kuvendi fik dritat, Berisha mban fjalim në errësirë të plotë: Kjo është dita e parë e betejës sonë
Pavarësisht se me urdhër të socialistëve Kuvendi fiku dritat, kjo nuk e ndali kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën të mbajë fjalën e tij në foltoren e parlamentit.
Berisha paralajmëroi socialistët se kjo është dita e parë e betejës për ta nxjerrë vendin nga kriza që e ka zhytur Edi Rama.
“Siç e shihni, si një grup gangsterësh dhe jo parlamentarësh, fikën dritat dhe u larguan. Por natyrisht me këtë akt dëshmuan edhe njëherë se çfarë përfaqësojnë. Në parlament ju garantoj se do të zhvillohet një nga betejat më të fuqishme në historinë e demokracisë shqiptare, e cila sot është një fiktivitet. Kurrë në 32 vite, nuk i është caktuar përfaqësuesi i opozitës në komisionin e reformës zgjedhore. Për herë të parë, Edi Rama, në traditën më të egër të etërve të tij xhelatë, mori përsipër duke gjetur një peng, të keqpërdorë atë në mënyrë ekstreme dhe ta paraqesë si përfaqësues të opozitës në reformën elektorale, në një kohë kur ai nuk përfaqëson gjë tjetër veçse interesat e tij më të ngushta, më të dyshimta dhe më kriminale.
Kjo është dita e parë e betejës sonë, në këtë betejë e kemi detyrim ndaj jush. Ju, me kurajën votuat kundër qeverisë. Kundër një qeverie e cila ka rekordet më të zeza në vjedhjen, varfërimin dhe mjerimin e shqiptarëve. Ka rekordet më të zeza në lidhje me krimin dhe drogën. Ka rekordet më të zeza në pasurimin e kryeministrit, ministrave dhe familjarëve të tyre me pasuritë publike dhe fondet e buxhetit të shtetit. Ka rekordet më të zeza me lidhjet me grupet e drogës nga Sinaloa e Meksikës që sot është kryekarteli i botës te grupet në Ekuador dhe në vende të tjera. ka rekordet më të zeza në liritë dhe të drejtat e qytetarëve, dhunimin masiv të votës”, tha Berisha.
- Salianji po fliste nga foltorja, Kuvendi e lë në errësirë
Opozita bllokoi nisjen e seancës së sotme plenare, teksa deputetët e Partisë Demokratike vijojnë të qëndrojnë në Kuvend.
Por, në momentin që po fliste deputeti Ervin Salianji për keq-qeverisjen dhe rrëzimin e kërksave për ngritjen e komisioneve hetimore nga mazhoranca, administrata e Kuvendit ka fikur dritat duke i lënë deputetët në errësirë.
Gjithsesi, pavarësisht ndërprerjes së energjisë elektrike, deputetë vijojnë të qëndrojnë në sallë. Seanca e sotme zgjati vetëm rreth 20 minuta, e cila u mbyll pa nisur mirë.