Çdo qeverie i duhet të përballet me të njëjtat çështje si paraardhësi i tyre. Por, kur paraardhësi është vetvetja atëherë vjen një ditë që do ti duhet të përsëritë premtimet për disa fusha ku mendohet se do të ketë realizim të tyre (infrastruktura) dhe lënien në harresë të disa premtimeve të hershme (300 mijë vende të reja pune) që edhe sot pas 10 vitesh nëse i verifikojmë dukshëm rezultojnë të papërmbushura.
Në gjithë rrugëtimin 10 vjeçar të qeverive Rama 1, Rama 2 dhe Rama 3 ne vërejtëm se për sektorin e infrastrukturës, për sektorin e bujqësisë, politikat e shëndetësisë, politikat e mbrotjes sociale, si dhe politikat e çështjes së pronësisë, të integrimit dhe antikorrupsionit janë politika që edhe pse vijojnë si stafetë duket se janë larg asaj që u shpresua nga publiku pas premtimeve në vitin 2013.
Këtë muaj bëhen plot 10 vite që socialistët festojnë jubileun e pushtetit të tyre. Në tërësinë e përmbushjes së programeve qeverisëse nga matjet e kryera lidhur me përfshirjen e premtimeve në programe dhe më tej nivelin e përmbushjes së këtyre programeve ka një situatë që në rastin më të mirë nuk kalon më shumë se 52% të programit në qeverinë “Rama 2” dhe nivelin më të ulët të përmbushjes deri në 20% të programit e shikojmë nga monitorimi i performancës për 2 vitet e para të qeverisë “Rama 3”.
Ndërkohë niveli i përmbushjes nga qeveria “Rama 1” të premtimeve të dhëna në fushatë zgjedhore rezulton jo më shumë se 36 përqind me një rritje të nivelit krahasuar me qeverisjen paraardhëse me 16 përqind. Niveli i premtimeve të papërmbushura është i lartë me 27 përqind të peshës nga gjithë premtimet e manifestit politik, por edhe ky nivel është dukshëm më ulët se qeveria e mëparshme me 14 përqind ulje të nivelit të tij.
Në analizën e performancës së programeve të qeverive socialiste në 10 vitet e fundit sektorët që kanë përmbushje më të madhe të premtimeve zgjedhore, të përfshira në programe qeverisëse janë shëndetësia, infrastruktura dhe energjia.
Mospërmbushjen më të madhe e gjejmë në sektorët e bujqësisë, pasurive nëntokësore, si dhe politikave fiskale dhe premtimet për alokime buxhetore shtesë për politikat e mbrotjes dhe mbështetjes sociale.
Në një depërtim në premtimet zgjedhore të vitit 2013, të cilat përbënë edhe programin qeverisës të koalicionit PS dhe LSI shikohet se premtimet e fushatës zgjedhore 2013 janë bërë për një gamë të gjerë sektorësh, që mbulojnë tema me rëndësi për votuesit, të tilla si: bujqësia, energjia, kujdesi shëndetësor, përfitimet sociale, infrastruktura, arsimi, si dhe politikat tatimore dhe premtimet e fondeve buxhetore. Premtimet për sektorë të tillë, si: turizmi dhe mjedisi, strehimi social, dhe premtimet e tjera që janë bërë në interes më të përgjithshëm paraqiten më të tërhequra në qeverisjen Rama 1 (2013-2017). Nga totali i premtimeve (199 premtime) të bëra gjatë vitit 2013 nga të dyja partitë e koalicionit qeverisës nuk përfshihen në programin qeverisës 37 përqind e tyre. Nga analizimi i programit qeverisës dhe krahasimi i programit me premtimet, vërehet se programi i qeverisë përfshin 86 përqind të premtimeve të bëra nga PS dhe 33 përqind të premtimeve të bëra nga LSI. Ndër premtimet e papërfshira të PS janë premtimet sociale, për energjinë dhe ato për arsimin. Ndërsa, nga premtimet e papërfshira të LSI janë në masë të madhe ato fiskale, si dhe ato për mbrojtjen sociale, bujqësinë dhe energjinë.
Programi qeverisës “Rama 1” dhe niveli i realizimit të premtimeve, 2013 – 2017
Nga analiza jonë bazuar mbi studime të thelluara nga burime të ndryshme, të referuara në premtimet analitike, shihet se përmbushja e premtimit për punësimin arritën të përmbushen deri në nivelin e 66% të premtimit të PS apo sa 88 përqind të premtimit të LSI (PS premtoi 300 mijë vende pune, ndërsa LSI 175 mijë vende pune dhe në fakt u arritën 198 mijë vende pune shtesë).
Premtimet për mbrojtjen dhe përkujdesjen sociale kanë zënë vend të madh në programet e qeverisë dhe janë ndër premtimet që i kanë marrë fonde shtesë prej buxhetit 4 vjeçar sa 51% përqind të kostos së premtuar.
Premtimet për bujqësinë, si një sektor që mori shumë vëmendje në fushatën zgjedhore edhe pse u premtua të shpenzohen më shumë se 34 miliardë lekë shtesë përfitoi sa 25% e shumës së premtuar.
Mospërmbushje nga buxheti pati edhe premtimi për rritjen e pensionit në përgjithësi. Ndërsa sipas premtimit llogaritjet tregojnë se buxheti duhej të shtohej në funksion të rritjes deri në nivelin e 13.5 miliard lekëve, në fakt buxheti për 4 vite nuk alokoi dot më shumë se 70 përqind të tyre si fonde shtesë.
Premtimet për arsimin renditen ndër sektorët që kanë një vend mjaft të madh në premtimet e partive të majta. Në fakt, kur krahasojmë vlerën e premtuar të buxhetit të llogaritur në 14.5 miliard lekë, rezulton se alokimet shtesë buxhetore, që janë bërë në 4 vite mbulojnë vetëm 11 përqind të kostos së premtimeve.
Premtimet për infrastrukturën rrugore të llogaritura për një vlerë prej 75 miliard lekë, por shumica e kësaj vlere kaloi për mbulimin e kostove të prapambetura të qeverisë së mëparshme edhe pse vlera e saktë e borxheve nga koalicioni partive të majta nuk është publikuar asnjëherë i plotë. Vendin kryesor në gjithë këtë vlerë të premtuar e mbajnë shpenzimet për të përfunduar investimet e filluara nga qeverisja e mëparshme. Nëse shikojmë nivelin faktik të fondeve shtesë të alokuara, shikohet se përmbushja me fonde për premtimet e koalicionit të majtë është jo më shumë se 39% e vlerës së premtuar për tu shpenzuar për infrastrukturën rrugore.
Kur analizojmë premtimet për ujësjellësa dhe rrjetin e kanalizimeve llogaritjet zënë një vlerë jo të vogël në premtimet zgjedhore të partive të koalicionit majtë (15 miliard lekë). Nga krahasimi me fondet e alokimeve të buxhetit për këtë sektor shikohet se është përmbushur dhe tejkaluar vlera e premtuar me mbi 15 përqind. Në aspektin e optimizimit të ekonomisë, premtimi me peshë për rritjen e investimeve të huaja në ekonominë e vendit duket se nuk arritën të jenë më shumë se 3.6 miliard Euro në 4 vitet e qeverisjes se PS dhe LSI.
Por, disa investime janë firmosur në fund të mandatit të qeverisjes së kaluar, të tilla si: HEC e Devoll dhe projekti TAP dhe vijuan zbatimin në qeverisjen e koalicionit të majtë. Llogaritjet tona tregojnë se ato patën një ndikim në të ardhurat e buxhetit deri në 7.5 miliard lekë nëpërmjet arkëtimeve të taksave të konsumit nga efekti zinxhir i qarkullimit, si dhe tatimit mbi të ardhurat, përfshirë edhe taksat kombëtare dhe ato vendore.
Politika fiskale e premtuar ka dhënë një efekt shtesë në të ardhurat e buxhetit me 63 miliard lekë. Ky kontribut, dukshëm më i madh gati 2.5 herë se qeverisja e kaluar erdhi më së shumti nga efektet e taksave të konsumit, ku TVSH kontribuoi me 15.8 miliard lekë në fund mandati dhe akciza kontribuoi me 4.3 miliard lekë. Ndikim në këtë rritje të të ardhurave fiskale patën edhe tatimet mbi të ardhurat, ku tatimi mbi fitimin me një hyrje shtesë me 10.1 miliard lekë dhe tatimi mbi të ardhurat me një hyrje shtesë me 3.3 miliard lekë.
Nëse analizojmë tatimin mbi të ardhurat në këndvështrimin e efekteve nga aplikimi i taksës progresive, shihet se shtesën buxhetore më të madhe e ka dhënë rritja e normës së tatimit të fitimit (nga 10% u rrit në 15%). Tatimi progresiv, i cili u zbatua mbi pagat e sektorit privat dhe publik dha një shtesë në të hyrat buxhetore me vetëm 14 përqind më shumë se i njëjti tatim mbi pagat në qeverinë e kaluar. Nisur nga fakti që tatimet mbi konsumin kanë një rritje të dukshme më të mirë se në qeverisjen e kaluar (+13.9 miliard lekë) edhe pse janë bërë përjashtime për TVSH dhe një ritëm rimbursimesh më i lartë, kjo tregon për një rritje të konsumit për arsye të investimeve më të mëdha, por edhe nga formalizimi i punonjësve informalë, të cilët tashmë legalizuan konsumin e tyre në ekonominë formale. Edhe për këtë qeverisje lufta ndaj informalitetit mbeti sfidë që nuk u adresua dot sipas premtimeve të dhëna bashkë me antikorrupsionin, i cili ka shënuar rritje më të madhe se në qeverinë paraardhëse.
Programi qeverisës “Rama 1” dhe niveli i realizimit të premtimeve, 2017-2021
Votuesit i pranuan premtimet e partive politike në zgjedhjet e 2017 bazuar mbi një kuptim të gjerë dhe amorf të tyre dhe pa u ndalur pikërisht në mungesën e llogaridhënies dhe mospërmbushjen e premtimeve të tilla, si: premtimet për “Shëndetësinë falas në shtëpi për të moshuarit mbi 75 vjeç”, “Garantimin e raportit paga-pensione duke synuar koeficient zevendesimi 56-60%”, “Burim financimi jo më pak se 5% të PBB për arsimin”, “Dyfishimin e shkollave të arsimit profesional”, “Pesëfishimin e financimit publik për mbështetjen e bujqësisë”, “Përfundimi i reformës së tokës sipas ligjit 7501 brenda 2 viteve të para të qeverisjes”, “Regjistrimi i pronësisë dhe pajisje me certifikim e pronës brenda 2 viteve të para”, “Rishikim i koncesnsioneve korruptive”, “Ndalimi i shfrytëzimit të lumenjve dhe derdhjes së ujrave të zeza në dete” etj..
Në qeverisjen 2017-2021, për herë të parë pas dekadash histori politike, pas përmbysjes së rendit politik të kaluar formohet një qeveri e përbërë me anëtarë vetëm nga PS. Nga monitorimi i performancës së qeverisjes, vërehet se niveli i përmbushjes nga qeveria “Rama 2” i premtimeve të dhëna në fushatë zgjedhore rezulton i realizuar me 52 përqind me një rritje të nivelit krahasuar me qeverisjen paraardhëse me 16 përqind më shumë. Niveli i premtimeve të papërmbushura është i lartë krahasuar me qeverisjen e kaluar me 14 përqind të peshës që mbajnë nga gjithë premtimet e manifestit politik.
Sektorët dhe premtimet që kanë një përmbushje më të madhe janë arsimi, bujqësia, politikat sociale dhe politikat fiskale.
Mospërmbushjen më të madhe e gjejmë në sektorët e premtimeve për rritje shpenzimesh buxhetore për politikat sociale, kryesisht në politikat e rinisë, politikat e rritjes së pensioneve. Premtimet e fushatës zgjedhore 2017 këtë herë nuk përfshijnë një numër të gjerë sektorësh, si dhe vlen të përmendim se nuk përmenden fare problemet e sigurisë dhe rendit publik, ndryshe nga premtimet në vitin 2013. Sektorët që janë mbuluar me premtime janë tema me rëndësi për votuesit dhe në përqasje me ideologjinë e majtë, të tilla si: bujqësia, energjia, kujdesi shëndetësor, përfitimet sociale, arsimi, si dhe politikat e lehtësive tatimore dhe alokimet e fondeve buxhetore. Premtimet për sektorë të tillë si turizmi dhe mjedisi, strehimi social, infrastruktura janë të munguara dhe ka një tërheqje në qeverisnë “Rama 2” (2017-2021). Nga totali i premtimeve (59 premtime) të bëra gjatë vitit 2017 nga partia socialiste nuk përfshihen në programin qeverisës vetëm 4 premtime.
Reformat kryesore te shpallura si 6 boshtet kryesore të programit të qeverisjes[1], të tilla si: Reforma e ujit, Reforma e tokës, Reforma e drejtësisë, Reforma e energjisë, Reforma e pensioneve etj. duket se kanë probleme me ecurinë e tyre. Në rastin më të mirë ato kanë stopuar dhe nuk po ecin sipas planifikimit (reforma e energjisë, reforma e tokës, reforma e pensioneve). Në rastin më të keq ato ende nuk kanë filluar apo janë në stade përgatitore (reforma e ujit).
Në analizën bazuar te krahasimi i kostove të premtimeve me faktin e alokimeve dhe përfitimeve shtesë nga efekti i premtimeve, shihet se përrmbushja e premtimit për punësimin nuk ka arritur të kalojë nivelin e 40% të premtimit të PS me një rënie të mbajtjes së premtimit në krahasim me qeverisjen e kaluar me 26 përqind. Kështu, në fushatën zgjedhore u premtua për rritje të vendeve të reja të punës me 220 mijë punësime më shumë. Në realitetin e 4 viteve, punësimet e reja janë rritur me vetëm 89 mijë punonjës.
Një ndikim të fortë në këto të dhëna vjen nga efekti i pandemisë Covid-19, e cila për vitin 2020 ka stopuar punësimet sipas ritmeve të parashikuara. Por, edhe sikur të marrim në analizë vetëm dy vitet normale të qeverisjes “Rama2”, vërehet se ritmi i rritjes së punësimeve nuk mund të kalojë më shumë se niveli i përmbushjes së premtimit te 100 mijë punonjës në 4 vite.
Kjo llogaritje vjen si verifikim i treguesit të zhvillimit ekonomik, i cili nuk u rrit sipas premtimeve të dhëna, por edhe te niveli i njëjtë i investimeve të huaja nëse krahasohen me qeverisjen e kaluar. Nga referencat e cituara në tabelat analitike të kësaj analize, rezulton se investimet e huaja për 4 vitet e qeverisjes nuk mundet të kalojnë përtej 3.9 miliard Euro. Këto investime llogaritet të kenë dhënë një efekt pozitiv në buxhet me të paktën 7.5 miliard lekë, duke patur parasysh sektorët ku është investuar dhe efektin zinxhir në të ardhurat tatimore.
Premtimet për mbrojtjen dhe përkujdesjen sociale nuk kanë zënë vend më të madh se në qeverinë e kaluar në programet e qeverisë, ku premtimet llogariten se duhet të alokohen 8 miliard lekë fonde shtesë. Në fakt nga matja e alokimeve shtesë të realizuara ato i kanë kushtuar buxhetit 4 vjeçar vetëm 29% përqind të kostos buxhetore së premtuar.
Në këtë kategori premtimesh përfshihen edhe premtimet për pensionet, të cilat nuk arritën të përmbusheshin edhe pse ky premtim nuk është përmbushur asnjëherë nga asnjë qeveri që ne kemi analizuar për përmbushjen e premtimeve të pensioneve. Në një krahasim të dy premtimeve të vitit 2017 për pensionet: (a) Paketa e solidaritetit për pensionistët 24 miliard lekë dhe (b) Rritje vjetore pensionesh dhe shpërblim fundviti nga 7-10 mijë lek, nga verifikimi i të dhënave të buxheteve 2017-2021 (ky i fundit është në zbatim) nuk rezulton përmbushja në nivelet e premtuara.
Premtimet për bujqësinë, si një sektor që vijon ti adresohen shumë premtime dhe në fushatën zgjedhore, vërehet se edhe pse është premtuar të shpenzohen më shumë se 35 miliardë lekë shtesë, fakti i burimeve shtesë nga buxheti arrin deri në 19% të shumës së premtuar.
Premtimet për arsimin zënë një vend nga më kryesorët në premtimet e përfshira në programin qeverisës dhe vijon si pjesë e konsistencës së premtimeve të vitit 2013. Kur krahasojmë vlerën e premtuar të buxhetit të llogaritur në 18.5 miliard lekë, me alokimet shtesë faktike që janë bërë në 4 vite, rezulton se shtesat buxhetore e tejkalojnë këtë kosto të vlerës së premtimeve me 32 përqind. Alokimet shtesë kanë kaluar në pjesë të madhe për rritjen e numrit të shkollave të arsimit parauniversitar duke qenë një sektor, ku premtimet janë përmbushur në masë më të madhe se sektorët e tjerë.
Për infrastrukturën rrugore, për mjedisin, urbanizimin dhe turizmin nuk ka premtime të reja duke qenë se pas fushatës së vitit 2017 qeveria “Rama 2” shpalli paketën “1 miliard”. Ndërkohë, programi qeverisës vijon të mbulojë pjesën e shpenzimeve që janë paguar nga buxheti në vite rutinorë duke e kaluar pjesëm më të madhe të kostos së infrastrukturës rrugore te sektori privat që ka nënshkruar marrëveshje partnershipi me qeverinë. Natyrisht, që kjo kosto do të mbulojë hapësira fiskale në 10-15 vitet në vijim duke mos lënë shumë për të planifikuar nga qeverisjet që do të vijnë. Megjithatë edhe pse nuk ka premtime me emërtime, vlera e premtimeve të përgjithshme, sipas analizës që ne i bëmë rezulton në 65 miliard lekë.
Në fakt, aktualisht buxheti ka alokuar burime shtesë në vlerën 78 miliard lekë, por këtu përfshihen edhe kostot e inceneratorëve dhe planeve urbane e telekomunikacionit. Nisur nga paqartësitë dhe të dhënat jo të plota, ne nuk mundemi të bëjmë dot një krahasim të detajuar për nënkomponentët që përbëjnë infrastrukturën, por shprehemi edhe pse me rezerva, se vlerat e premtuara janë përmbushur pjesërisht me alokimet shtesë buxhetore.
Kur analizojmë premtimet për ujësjellësa dhe rrjetin e kanalizimeve llogaritjet zënë një vlerë jo të vogël në premtimet zgjedhore të partive të koalicionit (15 miliard lekë). Në fakt, nga krahasimi me fondet e alokimeve të buxhetit për këtë sektor shikohet se është përmbushur vlera e premtuar në nivelin e 80 përqind.
Politika fiskale e premtuar në analizën që ne bëmë është kufizuar në të paktën dy vite fiskalë, 2018 dhe 2019 duke marrë në konsideratë situatën e jashtëzakonshme të ndikuar prej bllokimit të ekoonmisë nga pandemia. Për periudhën e analizuar rezulton se politikat e zbatuara sipas premtimeve të vitit 2017 kanë dhënë një efekt shtesë në të ardhurat e buxhetit me 6.9 miliard lekë. Ky kontribut, është ndikuar nga rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale me 9.6 miliard lekë.
Në këtë rritje të lartë ka ndikuar efekti i uljes së tatimit mbi dividentin, i cili ka favorizuar pagesat nga kompanitë e mëdha që janë rezidente në Shqipëri në kontribut vjetor prej 7.8 miliard lekë[2]. Kjo rritje e të hyrave nga ky tatim ka mbuluar deficitet edhe për TVSH dhe tatim fitimin. Gjithashtu edhe sigurimet shoqëerore dhe shëndetësore kanë dhënë një vlerë të shtuar në buxhet me 5.3 miliard lekë.
Nëse analizojmë tatimin mbi të ardhurat personale pas më shumë se 6 vitesh nga fillimi i zbatimit të mekanizmit fiskal të taksimit progresiv shikojmë se efekti në buxhet është 16.5 miliard lekë, ku 8 miliard lekë është kontributi vetëm nga tatimi mbi pagat. Nisur nga ky fakt buxhetor, progresiviteti është bazuar dhe rënduar mbi pagat e punonjësve, ku më i rënduari është pjesa e pagave të larta nga sektori privat. Natyrshëm, që ky efekt është i rëndësishëm për të hyrat e buxhetit, por momenti që një taksë rëndon mbi një kategori apo segment taksapaguesish dhe nuk takson gjithë kategoritë e tjera nevojitet të rishikohet për një shpërndarje të re dhe të drejtë të barrës fiskale[3].
Programi qeverisës dhe niveli i realizimit të premtimeve, 2021 – 2023 (700 ditë)
Strategjia elektorale që ka përdorur me sukses Partia socialiste edhe në fushatën zgjedhore të vitit 2021 ka funksionuar si një largpamësi për të kënaqur pritshmëritë e votuesve për të ardhmen duke përdorur performancën e kaluar të qeverive të mëparshme si një bazë krahasimi në rastin më të mirë, por edhe si një justifikim për mosrealizimet në rastin më të keq. Edhe pse shikohet se ka referim të Programit qeverisës te Strategjitë sektoriale dhe ndërsektoriale (mbi 15 dokumente strategjike), te Programet Kombëtare, te Programet Buxhetore Afatmesme, te Kuadri Makroekonomik Fiskale, si dhe te dokumente kombëtare, që kanë afat veprimi përtej mandatit të një qeverisje, gjithsesi konstatohet se ato gjejnë një nivel realizimi të vogël krahasuar me faktet e qeverisjes, që përkon me nivelin e realizimit të programeve dhe poshtë këtij niveli për strategji të caktuara (p.sh. Strategjia Kombëtar e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve, 2020-2030).
Mungesa e koherencës në këto dokumente vizionare për qeverisje, ka diktuar qasje të reja më të vështira, pasi shikojmë që qeverisja pothuajse nis politika mjaft optimiste pa u thelluar te realiteti faktik i performancës së menaxhimit të sektorit. Për strategjitë më të rëndësishme të vendit nuk mund të ketë njëanshmëri dhe ekskluzivitet vetëm qeveria që i miraton ato, por nevojitet një qasje që mundet të bashkojë politikën e polarizuar te dokumentet strategjike, veçanërisht për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe rëndësinë e tyre.
Në analizën e sektorëve më të rëndësishëm dhe që përfshijnë një pjesë të madhe të ekonomisë dhe punonjësve, përfshirë financat publike shikohet se realizmi nuk është arritur. Përtej qasjeve optimiste dhe që nuk reflektojnë realitetin e stadit të zhvillimit të vendit në secilin sektor duhet që të analizohet në vijimësi pengesat, mungesat dhe nevojat për të qenë në kohezion me programin e ri 2030[4].
Në 700 ditë monitorim të performancës së qeverisë “Rama 3” rezulton se:
20% e programit konsiderohet i përmbushur.
62% e programit është në progres përmbushje deri në vitin 2025.
18% e programit rezulton të mos jetë përmbushur, pasi kanë kaluar afatet e programuara, apo ende nuk ka asnjë informacion mbi zhvillimin e programit.
Në analizën e detajuar të përmbushjes së programit të qeverisë “Rama 3” dhe krahasuar me studimin e dy viteve qeverisje, ekspertët e POLIFAKT vërejnë se situata e performancës së programit sipas ministrive është si vijon:
– Për Ekonominë janë përmbushur pjesërisht duke qenë drejt progresit të përmbushjes 4 pika të programit (57% e programit ekonomik). Ndërkohë nuk janë përmbushur 2 pika programore (29% e programit ekonomik). Nëse shikojmë mbartjen e programit ekonomik të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se 4 pikat e papërmbushura të këtij programi ekonomik është mbartur vetëm një pikë dhe 3 pikat e tjera nuk janë mbartur në programin e qeverisë “Rama 3”. Një pikë që ende nuk duket se do përmbushet është rritja e të ardhurave të disponueshme për shqiptarët me 20% në 4 vite.
– Për Politikat Fiskale janë përmbushur pjesërisht 5 pika programi qeverisës (71% e programit fiskal). Nuk është përmbushur apo nuk ka asnjë shenjë të provuar realizimi 1 pikë e programit (15% e programit fiskal). Nëse shikojmë mbartjen e programit fiskal të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga 5 pikat e pa përmbushura të këtij programi fiskal nuk është mbartur në programin e qeverisë “Rama 3” asnjë pikë. Vlen të përmendim mospërmbushjen e programit për fillimin e rimbursimit automatik të TVSH nga 1 Janari 2023.
– Për Bujqësinë janë përmbushur 5 pika programore (63% e programit për bujqësinë). Ndërkohë nuk janë përmbushur 3 pika programore (37% e programit ekonomik). Nëse shikojmë mbartjen e programit ekonomik të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga 3 pikat e papërmbushura të këtij programi nuk është mbartur asnjë prej tyre në programin e qeverisë “Rama 3”. Një pikë ende e papërmbushur është dhënia e grantit prej 5000 Euro për emigrantët që investojnë në agroturizëm.
– Për Mjedisin dhe Turizmin janë përmbushur pjesërisht 4 pika programi qeverisës (66% e programit fiskal). Nuk është përmbushur apo nuk ka asnjë shenjë të provuar realizimi 1 pikë e programit (17% e programit fiskal). Nëse shikojmë mbartjen e programit fiskal të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se 1 pikë e papërmbushur e këtij programi nuk është mbartur në programin e qeverisë “Rama 3”. Pika problematike dhe e papërmbushur ende është menaxhimi i integruar i mbetjeve në tërësinë e territorit sipas Masterplanit.
– Për Arsimin, Gruan, Rininë janë përmbushur 3 pika programore (38% e programit për arsimin). Ndërkohë janë në progres përmbushje 5 pika programore (62% e programit).Nëse shikojmë mbartjen e programit ekonomik të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga 8 pikat e papërmbushura të këtij programi nuk është mbartur asnjë prej tyre në programin e qeverisë “Rama 3”. Pikë që ende nuk ka finalizim të prekshëm është njehsimi i universiteteve shqiptare me ato europiane apo të vendeve të tjera mike.
– Për Politikat Sociale janë në progres përmbushje apo priten të përmbushen deri në 8 pika programi (73% e programit social). Nuk janë përmbushur 2 pika programore (18% të programit social).Nëse shikojmë mbartjen e programit ekonomik të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga 3 pikat e papërmbushura të këtij programi nuk është mbartur asnjë prej tyre në programin e qeverisë “Rama 3”. Pikë me peshë në lidhje me ndikimin në largimin e të rinjve është ende përmbushja shumë e ulët e programit për ofrimin e 1 milion lekëve për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesave për blerjen e shtëpisë nga familjet e reja
– Për Shëndetësinë janë në progres përmbushje apo priten të përmbushen deri në 7 pika programi (78% e programit). Nuk është përmbushur ende 1 pikë programore (11% të programit).Nëse shikojmë mbartjen e programit ekonomik të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga 1 pikë e papërmbushur e këtij programi nuk është mbartur asnjë prej tyre në programin e qeverisë “Rama 3”. Pikë me rëndësi por ende larg përmbushjes është vendosja në punë e 10 qendrave model të mjekësisë familjare.
– Për Energjinë janë në progres përmbushje 4 pika programore (80% e programit) dhe nuk është përmbushur ende 1 pikë programore (20% të programit). Nëse shikojmë mbartjen e programit ekonomik të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga 4 pikat e papërmbushura të këtij programi nuk është mbartur vetëm një prej tyre në programin e qeverisë “Rama 3”. Pikë që u përshi në programin qeverisës, dhe mbetet një premtim madhor është kthimi i Shqipërisë në vend eksportues neto të energjisë, i cili deri tani duket ende larg përmbushjes.
– Për Infrastrukturën janë në progres përmbushje apo priten të përmbushen deri në 3 pika programi (37% e programit social). Nuk janë përmbushur 3 pika programore (38% të programit). Nëse shikojmë mbartjen e programit ekonomik të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga 7 pikat e papërmbushura të këtij programi nuk është mbartur asnjë prej tyre në programin e qeverisë “Rama 3”. Pikë e papërmbushur dhe që tregon efektivitetin e dobët të kontratave PPP në infrastrukturë është programi për mbylljen e rrugës së Arbrit që në nëntor 2021 dhe ende i papërmbushur. Investime të tjera të programuara dhe te vonuara kanë ndikime të njëjta si fitimet e munguara për biznesit dhe një kosto e shtuar për buxhetin.
– Për Kulturën, Digjitalizimin dhe Politikat janë përmbushur 2 pikë programore (20% e programit). Janë përmbushur pjesërisht 6 pika programi qeverisës (60% e programit fiskal). Nuk ka pika të papërmbushura.
Nga programi për politikat në drejtësi dhe pronë është në progres për tu përmbushur 1 pikë programore (10% e programit). Nuk është përmbushur apo nuk ka asnjë shenjë të provuar realizimi për 1 pikë e programit (10% e programit). Nëse shikojmë mbartjen e programit fiskal të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga 2 pika te papërmbushura te këtyre programeve nuk është mbartur në programin e qeverisë “Rama 3”.
– Për Politikën e Jashtme janë në progres përmbushje apo priten të përmbushen deri në 3 pika programi (100% e programit). Nëse shikojmë mbartjen e programit ekonomik të qeverisë “Rama 2”, vërejmë se nga nuk ka patur asnjë pikë të papërmbushur te këtij programi për tu mbartur në programin e qeverisë “Rama 3”.[5]
Edhe pse programi qeverisës është përpjekur të adresojë në programin qeverisës 2021 -2025 një pjesë të mirë të raporteve të Këshillit të Europës, FMN-së, Bankës Botërore, aleatëve dhe partnerëve strategjikë, si dhe aktorëve të ndryshëm brenda vendit, konstatimi jonë na përball me faktin se përfshirja e tyre nuk adreson zgjidhje shteruese.
Kjo qasje tregon, për një program shumë të kontrolluar në raport me produktin, për të lënë hapësirë për një llogaridhënie të moderuar me votuesit, si dhe për të shfrytëzuar boshllëqet e frontit opozitar dhe mungesës së organizimit të shoqërisë civile.
Megjithatë, nisur nga analiza dhe përballja me një sasi të konsiderueshme të strategjive, dokumenteve politike, legjislacioni, raportesh nga të huaj dhe vendas, statistika të ndryshme dhe të shumta, komente dhe reagime në rrjetet sociale etj. Ne po përmendim më poshtë disa konstatime të rezultuara nga partnerë dhe monitoruesë seriozë.
Sistemi ligjor, rregullator dhe fiskal të Shqipërisë janë përmirësuar vitet e fundit, por ka ende shumë sfida serioze në zbatimin e tyre. Korrupsioni sistemik, zbatimi i pabarabartë i legjislacionit, burokracia e rënduar, shtrembërimi i konkurrencës dhe mungesa e transparencës janë adresimet që ka nevojë të zgjidhen në kuadër të programit qeverisës dhe mbajtjes së premtimeve specifike për zgjidhjen e tyre.
Pavarësisht një kuadri të shëndoshë ligjor dhe përparimit në reformën digjitale, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor (por në rritje vit pas viti edhe në administratë), mungesën e transparencës në prokurimet publike, konkurrencën e padrejtë, ekonominë joformale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.
Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme.
Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka zvogëluar mundësitë për konkurrencë, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë, përfshirë investitorët e huaj. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe ekspertizë jo cilësore teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme dhe me pak ndryshim vit pas viti. Investitorët janë sfiduar nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave joformale të biznesit
Qeveria nën qasjen drejt vizionit të integrimit në BE ka një ecuri ende në procese të pafinalizuara sipas premtimeve të dhëna në reformën e administratës së saj publike. Përpjekjet nuk kanë dhënë produktin e premtuar me gjithë rritjen e numrit të shërbimeve elektronike dhe përmirësimin e transparencës në mbledhjen e të dhënave dhe menaxhimin e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve në dispozicion midis nivelit qendror dhe atij lokal[6].
Është e qartë se shumica e qytetarëve e sheh mosmbajtjen e premtimeve, veçanërisht ato të dhëna gjatë zgjedhjeve, si dhe realizimin e programeve qeverisëse si një realitet të pamundur. Mund të thuhet se nëse premtimet elektorale/ programet qeverisëse të politikanëve do të ishin me pasoja ligjore, politikanët do të detyroheshin të flisnin të vërtetën dhe tu përmbaheshin atyre nga frika e penalizimit të ligjit. Por, momenti i krijimit të qeverisë dhe ndarja e detyrave në Kabinetin qeverisës është edhe një ndarje përgjegjësish që shtrihet edhe mbi ministrat. Megjithatë, përgjegjësia për përfshirjen e premtimeve në detyrat e ministrive dhe kërkesa e llogarisë për realizimin e tyre ka qenë dhe vijon të jetë një përgjegjësi e shpërndarë në aspektin politik, moral dhe pak ose aspak ligjor./ Eduard Gjokutaj / Faktoje.al