Skandali i inceneratorëve nuk përfshin vetëm ish-kryeministrin Arben Ahmetaj, por edhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, të cilët përmenden në dosjen e SPAK, dhe për këtë shkak, Partia Demokratike dhe ajo e vulës kishin kërkuar për në seancën plenare të të enjtes mocion me debat dhe interpelancë me kryeministrin Edi Rama.
Por, Konferenca e Kryetarëve e ka rrëzuar kërkesat e opozitët. kryeministri Edi rama nuk foli as të premten në Kuvend, kur u miratua heqja e imunitetit për Ahmetajn, por u mjaftua me një fjalim të gatshëm të lexuar në pronter dhe të publikuar në orët e pasdites në rrjetet sociale.
Në një prononcim për mediat, deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha se sipas Konferencës së Kryetarëve, nuk ka urgjencë për kërkesat e tyre. Ai shtoi më tej se tashmë parlamenti është shndërruar në ‘dyqan personal i Zotos dhe Mërtirit’ dhe se po financohet arratia e tyre dhe e Arben Ahmetajt.
“Konferenca e Kryetarëve vendosi sot rrëzimin e kërkesës për interpelancë dhe për mocion me debat duke shfaqur në këtë mënyrë vizionin për shndërrimin e Parlamentin në një dyqan personal të Zotos dhe Mërtirin. Për koleget e mazhorancës fakti që dy mafiozë në arrati, Klidan Zotoi dhe Mirel Mertiri marrin pagesa çdo ditë nuk është një çështje urgjente. Arben Ahmetaj mund të transferojë para nga Shqipëria në Zvicër pa asnjë problem. Nuk ka snjë urgjencë është një çështje që për mazhorancën konsiderohet e ezauruar. Kërkesa për interpelancë kërkonte këtë gjë. Rama duhet të jepte shpjegime se cfarë veprimesh kanë ndërmarrë institucionet shtetërore për të ndalur pagesat për dy personat në kërkim. Do zbatohet kushtetuta dhe rregullorja. Rrethi që kryetarja e Kuvendit e ka futur veprimtarinë parlamentare është një rreth i rrezikshëm. E përsëris shndërrimi i parlamentit nga parlament që mbron interesat e qytetarëve në dyqan që financon arratinë e Klodian Zotos dhe Klodian Mërtirit është e papranueshme.”, u shpreh Bardhi.
Për të justifikuar vendimin, zëvendës kryetari i grupit parlamentar në PS, Toni Gogu tha se kërkesat e opozitës për mocion me debat dhe interpelancë me kryeministrin Edi Rama, nuk kishin përmbajtje.
“I theksoj fjalët urgjente që i bashkonin pakicën e pakicës që kërkonin që ne të mblidheshim në seancën pasardhëse. Ne i dhamë pëlqimin kryetares. Çështjet që janë të ngjashme mund të bashkohen dhe të trajtohen bashkë. Nuk dhamë pëlqimin tonë që këto çështje duhet të hynin në seancën ardhshme. Do të vendosë Kuvendi të enjten nëse ato çështje do të përfshihen në rendin e ditës apo jo. Ne besojmë fort se aty nuk ka përmbajtje. Tani është momenti i drejtësisë për atë çështje, kur ne hapëm rrugën e komisionit hetimor, i cili sot është në duart të drejtësisë. Çdo veprim tjetër këto urgjencat janë ose brenda grupeve, por për Kuvendin e Shqipërisë mendoj se urgjenca janë pensionet, studentët, shërbimi mjekësor. Për këto arsye ne vendosëm që në seancën e ardhshme të caktohet. Nuk kemi asnjë lloj frike për të bërë debat. Besoj si parlamentar, janë çështje që po i heton drejtësia. Kuvendi e ushtroi veprimtarinë e vet me një komision gjerë e gjatë. Nuk mund të prisheshin rregullat që kemi kërkuar bashkë të krijohet një urgjencë që nuk ekziston. Përmbajtja që ajo kërkesë ka nuk ka brenda asnjë urgjencë.”– tha Gogu.
Kujtojmë se PD, ditën e premte i ka dërguar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla një kërkesë për mocion me “debat publik URGJENT” në Parlament në lidhje me aferën e inceneratorëve.
PD kërkoi futjen si çështje e parë në rendin e ditës në seancën plenare të datës 20 Korrik ,të mocionit me debat rreth skandalit të inceneratorëve ku nga informacionet e bëra publike, përveç ish zv. kryeministrit Ahmetaj janë të përfshirë edhe ministra të tjerë aktualë, ish-ministra, deputetë e funksionarë të tjerë të lartë. Sipas PD, çdo deputet duhet të ketë të drejtën e diskutimit 10 minuta dhe se lista e folësve për Mocionin me Debat të fillojë detyrimisht me deputetët iniciues të Mocionit me Debat dhe më pas mund të vijojnë folësit apo diskutantët e tjerë.
Të premten Kuvendi miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit të PS, Arben Ahmetaj. Por, ky i fundit ndodhet në arrati jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas avokatëve të Ahmetajt, ai ndodhet në Britani dhe do të kthet vetëm kujr të ketë fituar lirinë.