Nga Basir Çollaku
Nëse nuk heton Ramën, Veliajn dhe inceneratorin e Tiranës, kjo dosje e 430 milionë eurove abuzime është një shaka dhe prokuroria e Posaçme është një fotokopje asaj që duhet të ishte. Gjithnjë nëse!!! Inceneratorët dhe Prokuroria e Posaçme duket se kanë nxjerrë jashtë vëmendje kryeqytetin, ose e kanë lënë për në fund, në vend të një mbylljeje më triumfuese rezultatesh dhe produkti. Ka diçka në pamundësi për ta fshehur, të cilën na e thotë më në fund hapur Prokuroria.
Ajo mes rreshtash dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë thekson se të tre inceneratorët janë histori penale dhe me dëm të theksuar në buxhetin e shtetit. Por nga viti 2020 dhe deri më sot, duke marrë dhe hetimet e bëra me herët në vitin 2017, asnjëra nga prorkuroritë e Elbasanit, Tiranës, e Posaçme, nuk ka hyrë dot në bashkinë e Tiranës, në inceneratorin e Tiranës, më të madhin e djegësave në hetim, ku edhe sot e kësaj dite, sipërmarrësit ndonëse në arrati e në kërkim marrin 80 mijë euro në ditë nga taksat tona.
Ish-zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj në strehën e paditur, ka sjellë më afër të dhëna të cilat kanë nisur të bëhen transparente, por njëherësh vënë në diejni dhe për gërçin hetimor për kryeqytetin. Në mungesë ai ka lajmëruar, se për Ramën dhe Veliajn do të ketë surpriza shkresore gjatë rrugës së këtij procesi. SPAK ka depozituar në Kuvend me 7 korrik 2023, kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës për deputetin ish- ministër dhe ish zëvendëskryeministër, Arben Ahmetaj.
Në këtë kërkesë në faqen nëntë të materialit ndër të tjera thuhet se “…Në konkluzion duke pasur parasysh se të tre këto procedura, Elbasan, Fier, Tiranë, kanë rezultuar me problematika të theksuara që kanë sjellë dëm në buxhetin e shtetit, ku tashmë për dy të parat Elbasanin dhe Fierin, kemi edhe vendimmarrje të gjykatave për dërgimin e çështjes për gjykim, qoftë në lidhje me shkeljet ligjore të ndodhura në procedurat e ndjekura ashtu edhe me punime të pakryera, me pagesa fiktive, konstatohet që në lindjen e këtyre procedurave, e deri në përfundim të tyre dhe porsa kohë që edhe janë kryer pagesa në kohën që shtetasi Arben Ahmetaj ka ushtruar detyrën e Ministrit të Financave tregojnë më së qarti, se roli i personit në hetim ka qenë i tillë që, nuk është pengues, ndaj ekziston dyshimi se është shpërblyer për çdo miratim të dhënë prej tij.. ”
Prokuroria paska të dhëna për të cilat na pohon dyshimet se ministri qenka shpërblyer për çdo miratim të dhënë prej tij, natyrisht këtu nuk mund të përjashtohet shpërblimi për Tiranën, ende nuk dimë emrin e shpërblyesit, ku kryeqyteti është pjesa dërrmuese e kësaj dosje, ende e pazbuluar, ndoshta dhe paketuar plotësisht.
Po përse qëndron larg Tiranës hetimit dhe Veliaj larg marrjes së pandehur?
Kush është brenda saj dhe sa janë mëkatet e njerëzve të pushtetit e biznesit, adminsitratës, në këtë histori të rëndë penale, e cila vështirë tashmë të mbyllet duke u arnuar me porosi nga lart anash apo jashtë vendit. Dokumenti jashtë fuqisë ligjore të bashkiaut të Tiranës, firmosur nga Erion Veliaj, që konfirmonte nisjen e procedurave në emër të Këshillit Bashkiak dhe atij të qarkut, janë mjaftueshëm dhe teprueshëm të dhëna për hetuesit, që të dërgojnë ftesë Veliaj firmëtarit dhe mësyjnë në zyrën e tij.
Madje në këtë miratim për Tiranën nga ana e të hetuarit Ahmetaj, prokuroria në bën të ditur se ai ka miratuar pa komente pas disa refuzimeve, por ka sugjeruar Bashkisë të bëjë kujdes për disa procedura financiare, si kostot buxhetore si pasojë e materializimit të risqeve, ndryshimit të kursit të këmbimit dhe inflacionit dhe probleme ligjore, të cilat mund të sjellin pasoja jo të pakta. Prokurorët kanë dhënë përgjigje të pakta e shkurtra, duke vënë si mburojë sekretin hetimor, kur janë pyetur nëse po kryehen veprime hetimi ndaj Edi Ramës, Erion Veliajt, Engjëll Agaçit, Damian Gjiknurit, Ermonela Felajt, emrat e të cilëve janë nëpër dosje, Njëherësh truku juridik i copëtimit të dosjes në një pafundësi pjesësh për akuza shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje pasurie, deklarim të rremë, lë shtigje favorizuese për mosbashkimin e dosjes dhe ngritjen e akuzës së vërtetë, Organizatë Kriminale. Akuzë të cilën, shihet hapur se SPAK nuk do e nuk mundet ta artikulojë.