Detaje të reja kanë dalë në dritë nga skandali në Ministrinë e Shëndetësisë, ku janë arrestuar sekretarja e përgjithshme, Joana Duro dhe tre persona të tjerë.
Në përgjimet ku administratori i kompanisë “Dricons”, Vladimir Topi flet për paratë që do jepeshin sipas burimeve të Anila Hoxhës , tregohet skema se si u krye procedura dhe se si u krye pagesa.
Anila Hoxha tha se në një moment nëpunësja Laureta Sheti telefonon Vladimir Topin dhe e pyet “po mua do më jepni ndonjë gjë apo do bëj vetëm korrierin” . Ai i përgjigjet “ ja t’i nis direkt”. Nëpunësja Sheto refuzon duke insistuar “ tani t’i sjell Silvi” , i cili është i arrestuari i katërt me detyrë inxhinier pranë kompanisë.
Ky i fundit këmbëngul se nuk kishte dijeni që zarfi kishte para, ndërkohë që sekretarja e përgjithshme Joana Duro ka thënë se kishte kujtuar që zarfi kishte çokollatë meqenëse shoqja e saj i kishte thënë se kishte diçka të ëmbël.
- Gjykata sot caktoi ‘arrest shtëpie’ për biznesmenin, Vladimir Topi
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie për Vladimir Topin, administratorin e kompanisë “Dricons”, që i dha ryshfet Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro dhe specialistes Laura Shteto.
Sipas gjykatës, Vladimir Topi u la në arrest shtëpie pasi ligji nuk lejon masë më të rëndë sigurie për një 73-vjeçar.
Ndërsa për inxhinierin e kompanisë, Silvi Shehu, i cili mori shumën e parave për t’ia dhënë dy zyrtareve të Ministrisë së Shëndetësisë, u vendos “arrest në burg”.
Një ditë më parë, Joana Duro dhe Laura Shteto u lanë në arrest në burg nga GJKKO për korrupsion.
- Skandali në Shëndetësi
Joana Duro, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë akuzohet se mori rryshfet për të favorizuar një kompani në një prokurim publik.
Nga hetimet ka rezultuar se sekretarja ka përfituar një shumë prej 330 mijë lekëve për një procedurë tenderimi. Sipas SPAK, shuma prej 330 mijë Lekësh është dhënë si rryshfet nga Administratori Vladimir Topi, me qëllim për të përfituar na mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me objekt Loti i 1.
Joana Duro dhe Laura Sheto akuzohen nga SPAK për veprat penale “Korrupsioni aktiv dhe pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Tenderi
Tenderi në fjalë – me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës” dhe fond limit rreth 8 mln Lekë të vjetra (805,872.23 Lekë) është çelur më 10 Maj dhe fituesi është shpallur 12 ditë më pas.
Fituesi i tenderit u shpall kompania “DRICONS” sh.p.k. që parqiti ofertën 6.7 mln Lekë të vjetra (672,457.60 Lekë). Në total, në garë kanë qenë tetë kompani, tre prej të cilave kanë paraqitur ofertë më të ulët se fituesi.
Tre kompanitë që dhanë ofertat më ulëta, bashkë me tre të tjera, janë s’kualifikuar. Në këto kushte, fitues është shpallur si ofera më ekonomike “DRICONS”, që sipas sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton në pronësi të Vladimir Topit.
Hetimet
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën me dije se se mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar procedimin penal 10/1 të vitit 2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
“Nga ndjekja me metoda speciale të hetimit janë grumbulluar prova të cilat kanë evidentuar se, një operator ekonomik do të jepte një përfitim të parregullt (në formën e shumave monetare) me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në cilësinë e Autoritetit Kontraktor), Prokurimi në fjalë ishte me objekt ‘Lot 1 ‘Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës’”, njofton SPAK.
“Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se shtetësja Joana Duro, me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar një Operator Ekonomik. Këto vlera monetare u dhanë nga shtetësja Laura Sheto, me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara”, shtojnë të njëjtat burime.