Çështja e azilkërkuesve shqiptarë në Britani, që zgjedhin rrugën e rrezikshme të kalimit nga Franca në ishull përmes kanalit të “La Manshit” ka ndezur tonet jo vetëm mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të kabinetit të Rishi Sunak, por edhe mes vetë klasës politike në vend.
Teksa kryeministri Edi Rama ia faturon fajin Britanisë që nuk ndalon dot valën e emigracionit dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për largimin e mijëra të rinjve shqiptarë duke e konsideruar trend emigrimin, opozita me dy liderët e saj Sali Berisha dhe Ilir Meta ka kërkuar t’i jepet zgjidhje problemit.
Debati në vend u ndez në fund të javës që lamë pas me Berishën dhe Metën që akuzuan qeverinë se me krizën ekonomike dhe mungesën e vendeve të punës po favorizojnë projektin që kanë për shpopullimin e vendit, ndërsa Rama i akuzoi se po nxisin demonizimin dhe baltën që nxin Shqipërinë në sytë e të huajve.
Përplasja në distancë për këtë temë sensitive ka vijuar edhe sot, teksa Meta në një konferencë për mediat deklaroi se shumë prej shqiptarëve largohen nga vendi pasi ndihen të persekutuar politikisht dhe se po përballen këtu me mungesën e shpresës prej keqqeverisjes.
Meta iu përgjigj edhe akuzave të drejtpërdrejta të Ramës, duke sqaruar se në intervistën e tij për radion britanike LBC nuk ka fyer atdheun, por ka kërkuar uljen e toneve dhe moderimin e gjuhës për të mos ngjallur provokime.
“Ju e keni të botuar intervistën time në radion britanike, atje nuk ka asnjë sharje dhe asnjë fyerje për atdheun. Aty vetëm ka një ftesë për Edi Ramën, që t’i largohet toneve provokuese, pasi asnjë vendi tjetër nuk i ikin njerëzit sa çfarë ikin këtu. Nëqoftëse ikën një person nga Maqedonia ikin 12 persona nga Shqipëria. Ky është raporti. Njerëzit ikin për shkak të mungesës së shpresës dhe ky u thotë hajdeni dhe investojini lekët në bujtina. Ata këto lekë që ikin në Britani nuk i kanë por i marrin borxh familjarët e tyre”, u shpreh Meta.
Sipas kreut të PL, ai i ka komunikuar autoriteteve britanike se një bandë prej 10 mijë patronazhistësh vendos gjoba e heq njerëz nga puna për arsye politike, ndaj kjo motivon edhe më tepër emigrimin masiv.
“Shumë prej tyre ikin se ndihen të persekutuar politikisht, këtu ekziston një bandë prej 10 mijë patronazhistësh që survenjojnë se çfarë mendimesh kanë njerëzit, si ti heqin nga puna për arsye politike, si t’i vendosin gjoba për arsye politike, e shumë të tjera. Shumë prej tyre ikin se ndihen të përjashtuar nga sistemi ynë politik që tek prekja e votës, sistemi ekonomik, goditen padrejtësisht, një pakicë mbështetet e favorizohet në kurriz të tyre. Duhet marrë në konsideratë që të trajtohen pa diskriminim nga autoritetet britanike. Faktet janë të rënda, vetëm këtij i ikin kaq shumë qytetarë nga vendi i tij”, nënvizoi kreu i PL.
Ndërkohë, Rama nga Kamza është përpjekur ta justifikojë valën masive të azilkërkuesve, duke normalizuar emigrimin si trend.
“Po ju them që është e thjeshtë, por edhe njëkohësisht sipërfaqësore që të thuash largimet e këtyre 30 vjetëve vijnë si rezultat i politikës së degjeneruar. Asnjë politikë dhe asnjë skuadër politike, ju e dini që unë nuk kam respekt për ata që ishin para nesh, nuk është për tu justifikuar, por asnjë skuadër politike e ardhur edhe nga hëna nuk do kishte mbyllur derën dhe shqiptarët i mbante këtu. Kjo nuk bën sens. Dhje kjo do të thotë që këtu në një periudhë kohe të shkurtër të bëhej njësoj si Gjermania, Franca apo Britania. Kjo nuk është e mundur”, deklaroi shefi i qeverisë.
Sipas tij largimi nga fshati ka ndodhur edhe në komunizëm, por sot prek edhe çdo vend të botës jo vetëm Shqipërinë.
“Më tregoni një vend sot, jo nga këta që janë në nivelin tonë, por në Evropën e bashkuar, më tregoni një vend që të rinjtë nuk ikën nga fshati. Diku më shumë e diku më pak. Mos harrojmë që vendet e tjera nuk dolën nga izolimi total si ne, se vërtet bendet ish komuniste nuk e kishin të hapur për të shkuar lirisht në perëndim, por kishin liri mes veti. Largimet i kanë bërë më kohë dhe me vakt dhe hap pas hapi. Ne u mbyllën 50 vjet brenda, na u hodh çelësi në det dhe pasi kishim qenë më parë një popull goxha i dhënë pas migrimit. Shqiptarët kanë migruar gjithmonë. Shqiptarëve ju ndërpre migrimi nga komunizmi. Sigurisht që kur vendi është në këtë trend, ndodh një pjesë e humbjeve të burimeve cilësore njerëzore, por kjo ka edhe anën e mirë, nëse nuk do ishin njerëzit që kanë emigruar Shqipëria nuk do ishte gjallë”, u shpreh Rama.
Sakaq, kur u ndal te “lufta” me opozitën për këtë çështje Rama e lëshoi gojën sërish duke tentuar ti sfumojë akuzat e bëra ndaj qeverisë, teksa tha se “ne jemi unikalë”, ndërsa politikanët që shajnë vendin në gjuhë të huaj janë llum”.
“Sa i përket asaj tjetrës unë jam i njëjti, problemi ynë është që ne jemi unikal në një fatkeqësi e një ligësi që është e tmerrshme, që për të nxjerrë kunjat e brendshme e bëjmë copa Shqipërinë në gjuhë të huaj. Politikanët që nuk e bëjnë krenar vendin kur rrinë me të huajt, që i tremben të vërtetave të kombit të tyre, janë llum, llum në kuptimin më të plotë të fjalës. Nuk i duhen jo vendit por as dreqit. E ti pranosh apo dhe më shumë se kaq, tju besoj është njësoj si ti hedhësh sytë e ti mbash sytë para një mocali që vjen erë të keq”, deklaroi ai.