Dy fëmijë të mitur, të moshës 16 dhe 17 vjeç, kanë mbetur të plagosur pak ditë më parë, ndërsa punonin në qendrën tregtare Megatek, me administrator Dionis Teqjan.
Ngjarja në fjalë u raportua një ditë më parë edhe nga policia, e cila nuk përmendte vendin ku kishte ndodhur ngjarja, pra qendrën tregtare në fjalë.
Nga raportimet mësohet se dy fëmijët e plagosur janë E. Alla 16 vjeç dhe K. Dusha 17 vjeç, të punësuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa ata janë aksidentuar në punë.
Fillimisht, sipas raportimeve, fëmijët u ransportuan në një spital privat në Tiranë, më konkretisht te Hygeia, ku kanë qëndruar dy ditë nën kujdesin e mjekëve, dhe më pas janë zhvendosur nga ky spital te ai i Traumës.
Nuk dihet nëse spitali privat ka sinjalizuar policinë se në ambientet e tij ndodheshin dy fëmijë të aksidentuar, por në njoftimin zyrtar thuhet “specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasin I. Gj., 45 vjeç, përgjegjës punimesh në një qendër tregtare, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi në objektin ku ky shtetas është përgjegjës, kanë rënë nga lartësia ku ishin duke punuar dhe si pasojë janë dëmtuar, dy shtetas të mitur 16 dhe 17 vjeç”.
Ndërkohë gazetari Elio Laze, në një postim në rrjetet sociale, shkruan:
“….në ambientet e brendshme të Megatek ndodhi një aksident. Dy të mitur që punonin pranë kësaj kompanie, konkretisht E. Alla 14 vjec dhe K. Dusha 16 vjec pësuan aksident duke u dëmtuar rëndë.
Të miturit janë transportuar në fillim në spitalin Hygeia e prej aty janë transportuar tek Spitali i Traumës ku ndodhen në reanimacion.
Kjo ngjarje tejet e rëndë, pervec kompanisë që përvecse punëson të mitur dhe nuk i siguron kushtet minimale të sigurisë, përfshin dhe insitucione të tjera që me patjeter duhet të mbajnë përgjegjësi.
1- Spitali Hygeia që mbajti të fshehtë ngjarjen.
2-Policia e Shtetit që nuk bëri asnjë rresht njoftim për mediat, qartazi në mbështetje të kompanisë.
3-Inspektoriati i Punës i cili ka për detyrë të kontrolloje A dhe ZH e ambienteve ku punohet, por cuditërisht nuk e di që kompani si Megatek jane skllavopronarët modernë.
4-Spitali i Traumes që njësoj si institucionet e mësiper përmendura, heshtin…“.
Dionis Teqja është një emër jo i panjohur për publikun. Në kohën kur Lulzim Basha mori mandatin e kryebashkiakut të Tiranës, Teqjas iu dha fusha e Sharrës, përpunimin e plehrave.
Mbetjet që do të diferencoheshin do të ricikloheshin nga kompania “Albanian Company of General Services” me pronar Dionis Teqjan. Në këtë kompani, Teqja kishte në këshillin mbikqyrës si anëtar kunatin e Bashës, Erjon Isufi.
Isufi ishte anëtar edhe tek Megatek, ku ishte punësuar edhe Oliver Shtylla.
Por, biznesin e plehrave më pas e mori një klan tjetër i ku janë përmendur Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, të cilët akuzohen se kanë mbështetjen e disa qeveritarëve.
Në vitin 2012 deputeti Erion Braçe denonconte skemën, ndërsa akuzonte Lulzim Bashën dhe kunatin e tij Erion Isufi.
“Media njoftoi se kompania Grin e vendosur në rrugën Lekë Zaharia në Sharrë- Matanë Kombinatit është ajo që po përpunon plehrat që grumbullohen në Tiranë. Zotëruesi i kompanisë është shtetasi Oliver Shtylla, ky i fundit është menaxher produkti i kompanisë Megatek”, shkruante Braçe në shtatorin e 2012-ës.