Tirana pritet të zhvillojë ndeshjen finale të Conferencë Ligë në 25 maj 2022.
Zv. kreu i policisë së shtetit, Arbert Dervishaj ka lajmëruar masat që do të ndërmerren në kuadër të këtij evenimenti.
Ai ka bërë me dije se si do të lëvizin tifozët e të dyja skuadrave edhe gjatë qëndrimit në fanzona drejt stadiumit.
Një pjesë e tifozëve kanë prenotuar hotele në Durrës dhe pritet që të zhvendosen nga ky qytet në Tiranë.
Tifozat do të kontrollohen imtësisht para futjes në stadium, si dhe do të ketë kujdes për sigurinë dhe rendin para dhe pas ndeshjes.
Po ashtu do të kufizohet qarkullimi i mjeteve në disa rrugë të Tiranës përreth zonës së stadiumit Air Albania.
Njoftimi i plotë:
Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë në përfundim të planifikimit të masave të sigurisë për zhvillimin e finales së UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës/Itali dhe Feyenoordit/Hollandë, e cila do të zhvillohet në Tiranë, në datën 25 maj 2022, në orën 21:00, në “Air Albania Stadium.”
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit është në fazën përfundimtare të planifikimit të masave për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje sportive ndërkombëtare si kompeticioni më i ri sportiv evropian për klube. Në vlerësim të detyrimeve ligjore që ajo ka, por edhe duke shfrytëzuar përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, mbështetur në legjislacionin tonë, si dhe në kushtet dhe infrastrukturën që ofron “Air Albania Stadium”, përsa i përket sigurisë, Policia ka marrë masat për këtë ndeshje, por edhe për të gjithë aktivitetet që do të zhvillohen në vendin tonë, duke filluar nga Pikat e Kalimit Kufitar, në rrugëkalimet e ekipeve, të sportdashësve të tyre apo edhe për garantimin e rendit publik për qytetarët e tjerë në Tiranë, të cilët nuk kanë lidhje me këtë aktivitet sportiv.
Paraprakisht, nga muaji shkurt janë zhvilluar disa trajnime të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me përfaqësues të UEFA-s, me Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministrinë e Brendshme dhe me aktorë të tjerë që kanë detyrime për të ofruar një qasje të integruar të sigurisë dhe të shërbimeve në ambientin sportiv ku do të zhvillohet kjo ndeshje futbolli, janë zhvilluar disa takime, është studiuar historiku i tifozërisë së dy skuadrave finaliste dhe është kërkuar rritja e nivelit profesional të drejtuesve të Policisë, për menaxhimin e shërbimeve, për strategjinë e taktikat e sjelljes ndaj tifozëve dhe mënyrën e ndërveprimit me ta.
Në vlerësim të masave të sigurisë për përgatitjen e kësaj finaleje, si dhe në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga direktivat e Këshillit të Evropës, për shkëmbimin e drejtpërdrejtë dhe të shpejtë të informacionit ndërmjet strukturave të Policisë me ato homologe të vendeve të tjera, me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në muajin prill 2022, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u ngrit pika kombëtare për shkëmbim informacioni për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit (NFIP), e cila nga dita e parë e krijimit të saj është në komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit me NFIP jo vetëm të Italisë dhe të Hollandës, por edhe të vendeve të tjera fqinje dhe ato evropiane, për të marrë modelet më të mira të praktikës së policimit të ndeshjeve të futbollit me një dimensioni ndërkombëtar.
Nga informacionet e deritanishme rezulton se do të ketë një pjesëmarrje të konsiderueshme sportdashësish që do të mbështetin skuadrat e tyre të futbollit për këtë finale, nga Italia dhe Hollanda, të cilët do të vizitojnë Tiranën apo edhe qytete të tjera të vendit tonë.
Këta sportdashës do të udhëtojnë drejt aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas, por edhe në aeroportet e Podgoricës dhe të Prishtinës, me avionë linjash të rregullta dhe me charter nga aeroportet nisëse, një pjesë do të udhëtojnë me traget nga Bari drejt portit të Durrësit dhe më tej udhëtimi i tyre do të bëhet me automjete transporti drejt Tiranës, në rrugë tokësore. Një pjesë e këtyre tifozëve kanë prenotuar hotele në Durrës dhe pritet të qëndrojnë atje nga data 24 deri në datën 25 maj 2022, për t’u zhvendosur me autobusa, nga Durrësi në Tiranë.
Masa të veçanta janë parashikuar nga Policia e Shtetit, për të qenë prezent për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillojë Bashkia e Tiranës, për pritjen e sportdashësve të dy ekipeve në dy “Fan Zonat”, tek shëtitorja “Murat Toptani”, për sportdashësit e ekipit të Feyenoord dhe në zonën e Amfiteatrit në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, për sportdashësit e ekipit të Romës, por edhe në aktivitetin festiv që do të organizohet në sheshin “Skënderbej”.
Lëvizja e sportdashëve të ekipit të futbollit të Feyenoord drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek pedonalja “Toptani”, përgjatë bulevardit “Deshmorët e Kombit”, në rrugën “Gjergj Filipi”, ndërsa ajo e sportdashësve të ekipit të futbollit të Romës drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek Amfiteatri në kodrat e Liqenit Artificial, sheshi “Chopin”, rruga “Lek Dukagjini”.
Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm, konsistojnë në disa plane, si në:
– Eskortimin e ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoord nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
– Eskortimi i Personaliteteve të Larta të UEFA dhe Personaliteteve të tjera Shtetërore nga aeroporti i Rinasit në hotel dhe në kthim për në Rinas;
– Eskortimi i automjeteve me sportdashës të të dy ekipeve të futbollit nga Rinasi dhe Durrësi në Tiranë dhe në kthim;
– Garantimin e rendit publik në dy “Fan Zonat” ku do të qëndrojnë një pjesë e mirë e sportdashësve të të dy ekipeve, gjatë lëvizjes së tyre nga “Fan Zona” në stadium dhe largimin në përfundim të ndeshjes;
– Organizimin e pikave të kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium, në rrugën “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe tek kolonat në sheshin “Italia”;
– Mbështetjen e stjuartëve gjatë kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium;
– Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
– Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
– Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit etj.
Me qëllim garantimin e një mjedisi sa më të sigurtë për sportdashësit e të dy ekipeve të futbollit, si dhe sigurimin e lëvizjes së tyre, Policia e Shtetit, në bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, do të marrë masa për kufizimin e lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore, duke filluar nga stadiumi deri në sheshin “Skënderbej”, në lindje deri në Rrugën e Elbasanit dhe në perëndim deri në rrugën “Sami Frashëri”.
Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve gjatë datave 24 dhe 25 maj 2022, në qytetin e Tiranës, Policia e Shtetit apelon dhe kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, me qëllim që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete gjatë këtyre dy ditëve.
Nisur nga fakti se sportdashësit e dy ekipeve, për të hyrë në stadium, do të ndjekin intenerarin e përcaktuar më sipër, me qëllim shmangien e konfuzionit në pikat e kontrollit të organizuar nga Policia e Shtetit, si dhe në hyrjet e stadiumit, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë që kanë një biletë për këtë ndeshje, të lëvizin në rrugën “Papa Gjon Pali II” dhe në rrugën “Dervish Hima”, për t’u drejtuar në stadium. Ndërsa qytetarët e tjerë që nuk kanë biletë për në stadium, të mos frekuentojnë këtë zonë.
Është rasti të kujtojmë qytetarët shqiptarë dhe të huaj se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si: hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar konsideron vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune të sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë apo nga drejtues ose anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Strukturat e Policisë së Shtetit janë duke vlerësuar dhe përpunuar informacionet më të fundit lidhur me këtë aktivitet të rëndësishëm sportiv dhe në ditët në vijim do të komunikojmë edhe detaje të tjera nga Plani i Masave, si për numrin e punonjësve të Policisë që do të aktivizohen, mënyrën e menaxhimit të tifozëve dhe të komunikimit me ta, si dhe çdo informacion tjetër që do të jetë i domosdoshëm për qytetarët e Tiranës dhe miqtë nga Holanda dhe Italia, të cilët vijnë për të mbështetur skuadrat e tyre.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e komunitetit të qytetit të Tiranës dhe të drejtuesve të automjeteve, që të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportive, duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë.
Në përfundim, falënderoj mediat për mbështetjen dhe siguroj qytetarët për gatishmërinë e plotë të strukturave të Policisë së Shtetit, për të zbatuar me përpikëri të gjitha masat e planifikuara, me qëllim sigurimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje, si dhe për një bashkëpunim efektiv me të gjithë aktorët e tjerë në ambientin sportiv ku do të zhvillohet kjo finale futbolli.