Spartak Braho me anë të një deklarate, shprehet se Rama lajthiti me sulmet ndaj SPAK-ut.
Braho deklaron ndër të tjera se dy ditë më parë, Kryeministri zgjodhi një aktivitet politik të Partisë Socialiste për të ndërmarrë dhe tjetër sulm të ripërsëritur që nga Kongresi kundër SPAK-ut, i cili na çuditi dhe diziluzionoi, aq sa mendova “është në vete ky njeri”.
Postimi i Spartak Brahos:
Dy ditë më parë, Kryeministri zgjodhi një aktivitet politik të Partisë Socialiste për të ndërmarrë dhe tjerr një sulm të ripërsëritur që nga Kongresi kundër SPAK-ut, i cili na çuditi dhe diziluzionojë aq sa mendova “është në vete ky njeri apo jo”.
Çështja është ç’punë ka Kryeministri që godet SPAK-un me egërsi e pa asnjë logjikë me deklaratën se “SPAK po dështon”, për më tepër se bazuar në ligj ai është një strukturë e re e shtetit, e pavarur dhe e sapo formuar si pjesë e Reformës në Drejtësi, e iniciuar dhe nisur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE.
Cilat janë synimet e këtij sulmi të Kryeministrit ndaj SPAK-ut dhe drejtuesve të tij, përse bëhen këto deklarata kundër SPAK në një fazë ku ai ka intensifikuar përpjekjet për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Përveç pasaktësive në këto deklarata lidhur me akuzën për z. Dvorani, ishte me vend dhe reagimi i drejtuesve të SPAK-ut, të cilët i cilësuan deklaratat e Ramës sulm dhe deklarata politike.
Nuk kam ndërmend të marr në mbrojtje SPAK-un, as punën e tij gjatë këtyre 2-3 viteve, por di që ky organ është tërësisht i pavarur dhe që punon në vështirësi të papara në një terren të kontaminuar dhe të ngarkuar me zhvillime të rënda të korrupsionit dhe kriminalitetit, në kushtet e një ofensive presioni kundërvënie e tërë të atyre segmenteve në pushtet ose jo ndaj veprimtarisë së tij.
Kryeministri duhet ta kuptojë e ta dijë mirë, sepse është e vërtetë që kjo maxhorancë u angazhua seriozisht për Reformën në Drejtësi dhe për ngritjen e kësaj strukture, është po kaq e vërtetë që kundër kësaj Reforme dhe kundër këtyre organeve u rreshtuan me egërsi Presidenti dhe Sali Berisha, ndërkohë që ende nuk është kuptuar thelbi i kësaj strukture që ligji dhe Kushtetuta e kanë përcaktuar atë si një pushtet tjetër të posaçëm.
Nuk është puna që nuk e dinë që SPAK-u është një organ i veçantë hetimi, që nuk varet as nga nëpunësi më i lartë i ekzekutivit, as nga çapaçulët e politikës që marrin përsipër të bëjnë “analiza, të bëjnë vërejtje e të japin orientime” për punën e tij.
Mos vallë mbi SPAK-un mendohet dhe kërkohet dominancë dhe autoritet mbi të si dikur?! Ky organ drejtohet me ligj të posaçëm dhe në punën e tij i jep llogari atje ku duhet, por kurrsesi tek ekzekutivi dhe politika e politikanët e ciflosur. Ndryshe, siç thotë populli, synohet të ngatërrohet si këmbët e dhisë e të pengohet ky organ.
Sulmet dhe deklaratat kundër SPAK-ut jo vetëm që i ndalon ligji, por të drejtuara në atë formë nga kreu i ekzekutivit, ato të kujtojnë jo vetëm Lugjin XIV, që thoshte “shteti jam unë”, regjimin e Enver Hoxhës, por edhe Sali Berishën e parë dhe të dytë. Do ta quaja tërbim e ëtje jashtëzakonisht të dëmshme deklaratën e mësipërme të Kryeministrit, madje mendja më shkon edhe tek një arsye tjetër.
Dihet që në Shqipëri mjaft drejtues politikë dhe persona të tjerë janë shpallur nga Departamenti Amerikan i Shtetit “non grata” dhe të përfshirë në veprimtari korrupsioni. Këtu përfshihen, jo vetëm Sali Berisha, Vangjush Dako etj., të cilët po hetohen nga SPAK-u, por po hetohen edhe grupime të rrezikshme kriminelësh dhe segmente të veçanta të krimit të organizuar, veçanërisht krimit për shkelje të rënda në sektorët e ndryshëm të veprimtarisë ekonomike ku përfshihen tenderët, inceneratorët dhe investimet e pajustifikuara të qeveritarëve tanë, të të gjitha kohërave. Në këtë përpjekje, SPAK-u, ndonëse në vështirësi, ka filluar të godasë, t’i dërgojë para drejtësisë, një pjesë i ka arrestuar dhe të tjerë do arrestojë.
Brenda kësaj logjike është dhe përfundimi se ky sulm ndaj SPAK-ut bëhet ta themi troç për të devijuar punën e tij, për të bërë presion edhe ndaj hetimeve kundër Sali Berishës, Ilir Metës e CO. Edhe po të jetë kështu, kjo është shumë e rëndë. SPAK nuk ndihmohet duke iu sulur me tërbim në mbledhje partie, por kujdesi që mund të bëhet për këtë organ, janë mbështetja ligjore dhe materiale, pasurimi i kuadrit ligjor nga Kuvendi i Shqipërisë, në funksion të punës së tij. SPAK-u ka nevojë për t’i krijuar kushte pune e qetësi profesionale trupës së tij.
Të sulmosh SPAK-un sot, tregon se nuk e njeh fare as praktikisht metodologjinë e investigimit dhe hetimit penal, se nuk respekton ligjshmërinë, procedurat e posaçme dhe synimet se çdo gjë e tij mbështetet dhe duhet të mbështetet në fakte, prova dhe element të veçantë dhe të domosdoshëm të fajësisë. SPAK-u nuk heton me opinione dhe nuk është shkop magjik me cilësi të veçanta hyjnore për të zbuluar e goditur fajtorët.
Hetuesit penalistë të SPAK, por edhe të tërë juristët me mend në kokë, udhëhiqen nga parime që janë aksioma të pandryshueshme të drejtësisë botërore, që siç thotë njëra prej tyre “më mirë një fajtor jashtë, sesa një i pafajshëm brenda”. Për këtë arsye, ata nuk udhëhiqen nga emocionet e ditës, aq më tepër kur ato janë shprehje e pasioneve politike.
Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar sot në Shqipëri është imediate. Për këtë luftë është e interesuar e tërë shoqëria, veçanërisht shoqëria civile, media e shëndoshë dhe investigative, gazetarët aktivë dhe të pa kompromentuar që i prijnë kësaj lufte, si Anila Hoxha, Artan Hoxha, Klodiana Lala etj., që janë kthyer në shembullin pozitiv dhe trendin e kohës me analizat, informacionet dhe investigimet e pavarura të tyre.
Ata nuk duhen sulmuar, por mbështetur kur denoncojnë inceneratorët, rastet e tenderave korruptive, falsifikimet në hipotekat dhe kadastrat shtetërore në Durrës dhe në të tërë vijën bregdetare, investime të dyshimta nga zyrtarë qendrore e lokal, që zhyten në llumin e përfitimeve korruptive, të padrejta, sepse realisht një duzinë ish-ministrash, drejtorë, kryetar bashkish, të majtë e të djathtë, janë sot në qelitë e sistemit penitenciar, si të akuzuar e dënuar për korrupsion me dhjetëra vite burg dhe kjo është rrjedhojë e punës së mirë të SPAK-ut.
Shfaqja e megalomanisë dhe e synimit për gjithëpushtetshmërinë “mbretërore” ndaj organeve të drejtësisë është tendencë e gabuar dhe futje e hundëve atje ku s’të takon, që nuk i justifikon as deklarimet sofiste “se ata që futen në rrugën e krimit, kanë vetëm përgjegjësi personale”.
Përgjegjësia personale penale është e kuptueshme për ata që shkelin ligjin, por përgjegjësia morale e politike e atyre që i promovojnë këto emërime, është më se evidente, aq më tepër kur direkt merren në mbrojtje, edhe pse të shpallur non grata, si rasti i ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, me mbështetjen dhe betimin kryeministror se “sado penalisht i ngarkuar të jetë ai, unë nuk e lëshoj se e kam shok”.
Këto deklarata të papërgjegjshme ndikojnë që SPAK-u të punojë me sforco, ndërkohë që ky organ punon me sakrifica, ndonëse dhe pse ndonjëherë edhe pa shpejtësinë e duhur, sepse lipsen hetime të thella e profesionalizëm që fajtorët mos dalin të pafajshëm në gjykata.
Këto përfundime pozitive të punës së këtij organi, kanë gjetur mbështetje edhe nga strukturat ndërkombëtare që i drejtojnë e i udhëheqin dhe që konsumojnë jo vetëm orientime profesionale, por dhe financiare për punën e tyre. Ndaj, sulmi ndaj funksionimit dhe organizmit të SPAK-ut është një devijim dhe fiasko e tërë.
Në përfundim të asaj që analizuam më sipër lidhur me deklaratat politike të Kryeministrit, do të thosha edhe një herë LARG DUART NGA SPAK-u! Sulmet kundër tij në formë edhe “sugjerimesh apo vije” nuk e ndihmojnë, prandaj sa më larg duart dhe mendjen apo synimet për ta komanduar këtë strukturë të rëndësishme të shtetit, i cili ka një mision: ta pastrojë dhe shpëtojë shtetin si një mënyrë nga më kryesoret për ta vënë atë në rrugën normale të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Ky është edhe një nga kushtet që kërkon Bashkimi Europian, kur do të analizojë dhe marrë përgjigje për pranimin e Shqipërisë në BE.