Afera e inceneratorëve, Tabaku: Nga Mërtiri te Rama, ja kush janë ujqërit që duhet të hetojë SPAK

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, i bëri thirrje sot SPAK-ut nga Kuvendi që të veprojë pa vonesë lidhur me çështjen e inceneratorëve.

“Është e qartë që përtej korrupsionit kriminal në këtë kontratë ka diçka tjetër që nuk shkon. Janë krijuar mbi 40 kompani të tjera nga Klodian Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja me personazhe të ndryshëm që operojnë me kontrata fiktive si e si për të qarkulluar para të dyshimta dhe për të pastruar para.

Këto kompani dhe udhëtime me ministra edhe zv.kryeministra në prani të së cilëve janë eksponentë të dyshimtë të transaksioneve monetare janë në fakt rruga që ndjek paraja. Prandaj mos kërkoni gjurmët, kur ujqërit janë në qeveri”, u shpreh Tabaku.

Ajo tha se i madh dhe i vogël e ka të qartë që në aferën e 3 inceneratorëve që janë dhënë me koncesion gjatë dy mandateve të qeverisë Rama, emri i Lefter Kokës është i fundit në listë.

“Kjo aferë kriminale është ideuar dhe zbatuar nga një Grup i Strukturuar Kriminal me seli në zyrat e qeverisë shqiptare.

Me të drejtë, ndonjë shqiptar mund të pyesë se përse unë e konsideroj këtë grup personash një Grup i Strukturuar Kriminal?!

Në Kodin Penal të RSH nenin 28 pika 4 përcaktohet qartësisht se një grup i strukturuar kriminal “në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale”.

Përballë nesh kemi minimalisht 3 vepra penale që janë ato të dhënies praktikisht pa garë apo me garë fiktive të 3 inceneratorëve.

Inceneratori i Elbasanit iu dha pa garë Stela Gugalljas pa garë dhe me një kompani të krijuar as katër muaj nga gjoja gara që sot është në kërkim dhe që është bashkëshortja e Klodian Mërtirit.

Për zonjën Gugallja u shkel çdo procedurë ligjore dhe u shpikën 17 të tilla në shpejtësi absolute
Inceneratori i Fierit iu dha Klodian Zotos dhe kompanisë së tij që ka për adresë të njëjtën adresë si kompania e Stela Gugalljas.

Inceneratori i Tiranës iu dha një kompanie offshore në Holandë pas së cilës kuptohet fshihet Klodian Mërtiri siç edhe investigimet e medias kanë raportuar.

Përpos kësaj, inceneratori i Fierit ndonëse ka marrë gjithë fondet e buxhetit të shtetit sot e kësaj dite është jo funksional. Pra pasi ka marrë mbi 22 mln euro nga taksat e shqiptarëve ai është jo funksional dhe mbetet i tillë ndonëse vetëm pak ditë më parë ka përfituar rreth 500 mijë euro transfertë nga buxheti i shtetit.

LEXO EDHE  Takimi i Bashës, si po tentohet të mbushet salla e Teatrit Bylis nga Subashi e Bufi

Ndërsa inceneratori i Tiranës, është në fakt ajka e abuzimit me ligjin, korrupsionit dhe padyshim pastrimit të parave.

Ky incenerator na u shit fillimisht si me kosto rreth 132 mln euro ndërkohë që e vërteta e shifrave dhe kontratës ishte se vlera reale e koncesionit ishte 430 mln euro.

Kryebetonieri i Tiranës, Erion Veliaj, ndryshe nga sa kërkon ligji nuk e dërgoi këtë kontratë në Këshillin Bashkiak por vendosi me kokën e tij pranimin e kësaj kontrate duke i taksuar dy herë qytetarët e Tiranës.

Akoma më tej, inceneratori i Tiranës sot e kësaj dite sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka të investuar 31% të vlerës së programuar ndonëse ka marrë 99% të vlerës së projektuar nga buxheti”, tha Tabaku.

Ajo shtoi se janë krijuar mbi 40 kompani të tjera nga Klodian Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja me personazhe të ndryshëm që operojnë me kontrata fiktive si e si për të qarkulluar para të dyshimta dhe për të pastruar para.

“Këto kompani dhe udhëtime me ministra edhe zv kryeministra në prani të së cilëve janë eksponentë të dyshimtë të transaksioneve monetare janë në fakt rruga që ndjek paraja.

Nuk është rastësi që Arben Ahmetaj, që sa herë është pyetur për inceneratorët këto kohë ka kërcyer nga sikleti, të ketë udhëtuar me Mirel Mërtirin.

Nuk është po aq rastësi që dikur i njëjti Arben pretendonte se nuk e njihte dhe nuk e njeh Klodian Zoton dhe Klodian Mërtirin.

Sikundër nuk është rastësi që edhe zoti Gjiknuri i kapur tanimë edhe në foto me Klodian Mërtirin të mohojë ndonjë njohje me to.

Madje çudi nuk përbën as fakti që sot Edi Rama bën të paditurin dhe injorantin në lidhje me këtë çështje.

Çudi sot e kësaj dite mbetet se si Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ka sjellë ende një shkresë për t’iu hequr mandatin Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurit, Alqi Bllakos dhe padyshim Edi Ramës.

Çudi sot e kësaj dite është se si SPAK nuk ka thërritur ende në hetuesi apo të marrë masë sigurimi për Qazim Sejdinin, për Armando Subashin dhe padyshim për Erion Veliaj”, tha ajo.