“Bëmat” e gjyqtarit Besnik Hoxha; 5 vjet burg për 6 gr hashash, gjobë për mashtrim 600 mijë Euro

Nga BoldNews.al

Në një kohë që opinioni publik është i përqëndruar tek goditjet zhurmuese, por jo edhe aq rezultative të strukturave Speciale të Drejtësisë, në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm shënohen shpesh raste absurde.

Në Gjykatën e Tiranës, gjyqtari Besnik Hoxha ka vendosur një standart rreptësie për të rinjtë që arrestohen nga policia për disa gram hashash. Por, i njëjti gjyqtar është tejet tolerant për raste më të rënda, përfshirë edhe ato në të cilat shqyrtohen mashtrime në vlerë disa qindra milionë euro.

“Boldnews.al” ka konsultuar disa vendime të dhënë nga gjyqtari Besnik Hoxha, në të cilat dallohet lehtësisht se ai është shumë i butë, kur përballë tij mbërrijnë për shqyrtim çështje që tringëllijnë nga qindra mijëra euro.

5 vjet për 6 gram hashash

Në 18 Tetor të këtij viti, gjyqtari Besnik Hoxha vendosi dënimin e 19-vjeçarit M.I., me 5 vite burgim, për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

I pandehuri u arrestua nga policia në Laprakë të Tiranës në 1 Qershor 2021, pasi gjatë një kontrollit të repartit “Shqiponja”, në xhepat e tij u gjetën 6 gram lëndë narkotike kanabis sattiva.

I riu M.I. deklaroi para gjykatës se ai është përdorues i lëndëve narkotike dhe hashashi që iu gjet në trup ishte për përdorim vetjak.

Në foto: Vendimi i gjyqtarit Besnik Hoxha për 6 gram hashash

Pavarësisht këtyre pretendimeve, gjyqtari Besnik Hoxha u tregua shumë i rreptë, duke e dënuar me 5 vjet burgim djaloshin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, adoleshenti u dënua përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj.

Gjobë për mashtrim 600 mijë euro

Vendimet e gjyqtarit Besnik Hoxha për mbajtësit e disa gramëve hashash krijojnë përshtypjen se ai është i rreptë me shkelësit e ligjit dhe nuk toleron as për rastet më të vogla.

Por, në fakt, nuk duket se është aspak kështu. Më poshtë po Ju sjellim një rast tjetër, një mashtrim me vlerë 600 mijë euro, për të cilin gjyqtari Hoxha ka vendosur se dënimi duhet të jetë vetëm me gjobë.

LEXO EDHE  Vrasja e 23-vjeçarit/ Ekstradohet në Britani i riu shqiptar (Emri-Foto)

Në 12 Prill të vitit 2021, Besnik Hoxha vendosi të gjobisë subjektin tregtar “S…” shpk, për veprën penale “Mashtrimi”, pavarësisht se kjo vepër penale ishte krijuar nga pronari i saj dhe jo nga subjekti tregtar.

Historia e këtij rasti ka nisur në vitin 2016, kur biznesmeni A.D., në kushtet e mirëbesimit dhe pas ndërhyrjes së punonjëseve të një banke të nivelit të dytë, i dha shtetasit P.S, pronar të subjektit tregtar “S….” shpk një hua në vlerë rreth 1 milion euro, nga të cilat një pjesë ishin në monedhë shqiptare dhe pjesa tjetër në monedhën europiane.

Sipas marrëveshjes ndërmjet dy biznesmenëve, huaja duhej të kthehej brenda dy ditëve.

Por, që prej asaj kohe, biznesmeni A.D. ka marrë vetëm një pjesë të parave, ndërkohë që nuk i është kthyer ende një shumë në vlerë rreth 600 mijë euro.

Pasi ka dështuar që të komunikojë me huamarrësin biznesmeni A.D, kallëzoi penalisht shtetasin P.S., si edhe tre punonjëset e bankës së nivelit të dytë, të cilat kishin dalë garant për kthimin e plotë të shumës.

Rasti u paraqit për shqyrtim para gjyqtarit Besnik Hoxha. Në përfundim të gjykimit, gjyqtari vendosi të shfajësojë punonjëset e bankës dhe vetë bankën.

Në foto: Vendimi i gjyqtarit Besnik Hoxha për mashtrimin 600 mijë euro

Ai vendosi të dënonte për “Mashtrim” vetëm subjektin juridik “S….” shpk, duke e anashkaluar tërësisht pronarin e saj, personin që kishte marrë paratë.

Natyrisht, subjekti tregtar nuk mund të arrestohet, por vetëm të gjobitet. Këtë bëri gjyqtari Besnik Hoxha, ndërkohë që kallëzuesi vijon t’i mungojnë 600 mijë euro në llogarinë e tij.