Tenderi i ri 10 mld lekë për terminalin verior, si po i “gropos” fondet Bashkia e Lali Erit

Nga Boldnews.al

Transporti urban dhe interurban është në kaos. Stacione që ndryshojnë brenda ditës, terminale që ndryshojnë çdo muaj. Banorët e Tiranës prej vitesh janë të çoroditur, kjo për faktin se për të shkuar nga një destinacion në tjetrin, brenda qytetit, i duhet të ndryshojnë disa linja urbane.

Situata është kthyer në një lëmsh, ndoshta edhe për faktin se në kryeqytetin shqiptar nuk ka një studim të mirëfilltë në caktimin e stacioneve të autobusëve apo terminaleve. Mos u habisni, një ditë mund të zgjoheni në mëngjes dhe të mos e gjeni stacionin atje ku një ditë më parë ishte, në fund të fundit jetojmë në Tiranë.

Pse ndodh kjo?

Sepse njëherë investohet te Pallati i Sportit, njëherë në Laprakë, pastaj te ish-Parku i Autobuzëve dhe pastaj hidhet ideja për të investuar te ish-stacioni i trenit.

Investimet janë vetëm disa mujore dhe duket se është forma e gjetur për të groposur ca para në grupe interesi, apo për të vijuar me propagandën se Tirana është kantier i madh ndërtimi. Paçka se s´ka rregulla, paçka se investimi nuk i reziston kohës.

LEXO EDHE  Vrasje, grabitje dhe atentate, njihuni me “Mafian e Katërt” që nuk njeh ligj në itali

Vitin e kaluar, u ndërtua Terminali i Autobuzëve në Kthesën e Kamzës. U vendos trau dhe disa kioska, ndërkohë, po hidhen të tjëra para për një tjetër terminal dhe shuma është e konsiderueshme.

Faksimile: Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për Terminalin e ri të Autobuzëve

Sipas dokumenteve që disponon Boldnews.al, Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin me objekt “ndërtimi i Terminalit Verior të Transportit Publik, Tiranë”.

Fondi limit i këtij tenderi është plot 817.551.064 lekë pa TVSH, ose me TVSH shuma shkon në plot 10 miliardë lekë të vjetra. Një shumë e konsiderueshme, duke parë gjithë këtë kaos me stacionet qytetas dhe ndërqytetas.

Madje, edhe stacioni i Trenit po largohet gjithnjë nga qendra, duke e bërë më pak efikas. Në dokumente thuhet se tenderi do të zhvillohet në muajin dhjetor.

Duket se ai që konsiderohet si muaj festash apo bilancesh, pasi shënon mbylljen e vitit kalendarik, për Lali Erin është një kohë e përshtatshme për të bërë një tjetër procedurë të dyshimtë.