Kontratat PPP me probleme, po bëhen pagesa me dy standarde ndaj të njëjtit operator në dëm të buxhetit

Të hartuara me mungesë transparence, pa studime të mirëfillta kontratat kocensionare me Partneritet Publik-Privat (PPP) në proces zbatimi po shfaqin defekte që në këndvështrimin e zbatimit të ligjit përbëjnë shkelje të rënda në dëm të fondeve publike.

Rasti me tipik janë kontratat në sektorin e shëndetësisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke inspektuar përdorimin e fondeve publike në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, gjeti se  gjatë vitit 2020 ishin kryer pagesa për koncesionin e Dializës dhe atë të Check-up në bazë të parashikimit dhe jo të faktit, por ndërkohë u vërejt se ishin bërë pagesa edhe për rastet kur operatorët kishin ofruar shërbim më shumë se projeksioni në kontratë.

Për shembull, koncesionari i dializës ka zhvilluar në Shkodër gjatë vitit të kaluar 10,777 seanca dialize, por ndërkohë është paguar për 12,636 seanca sipas projeksionit në kontratë për shërbimin në këtë bashki.  Por ndërkohë vërehet se koncensionari i  ka përfituar pagesat edhe kur ka ofruar më shumë seanca se projeksioni. Psh gjatë vitit të kaluar në Elbasan sipas parashikimit duhet të zhvilloheshin 16536 seanca dialize, por në fakt janë realizuar 19,931 të tilla. Në këtë rast koncesionari ka marrë pagesa për rreth 3395 seanca që ka bërë me tepër, sipas KLSH.

Në Qendrat e Dializës Shkodër dhe Vlorë, nuk është arritur numri i seancave të dializës sipas planifikimit mujor të projeksionit në periudhën Janar – Dhjetor 2020, përkatësisht qendra Shkodër 1859 seanca dialize më pak dhe qendra Vlorë 1452 seanca dialize më pak.

Në qendrën e dializës në Lezhë rezultojnë 60 seanca dialize të parealizuara, ndërsa për qendrën në Korçë 283 seanca të parealizuara. Totali i seancave të dializës për vitin 2020 të parealizuar sipas projeksionit mujor për 5 qendrat e dializës është 3654 seanca me një efekt financiar për diferencat e parealizuara sipas projeksionit mujor nga kontrata e financimit në shumën 40,935 mijë lekë.

LEXO EDHE  Dyshohet se vranë taksistin, vëllezërit Shera përfundojnë në gjyq

Në qendrën e dializës në Elbasan, Lezhë për disa muaj dhe Korçë për disa muaj, është tejkaluar numri i seancave të dializës me 4,209 në total krahasuar me numrin e planifikuar mujor të seancave. Efekti financiar i tejkalimit mbi numrin mujor të projeksionit sipas kontratës së financimit për periudhën Janar- Dhjetor është 47,153 mijë lekë.

Nga auditimi konstatohet se nga FSDKSH paguhen edhe seancat mbi vlerën e projektuar të aneksit të kontratës, edhe seancat e parealizuara sipas projeksioneve për rajonet përkatëse, duke paguar kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe për shërbime të pa ofruara, theksoi Kontrolli i Lartë i Shtetit. Këto pagesa realizohen në bazë të pikës 5.3, 5.4 dhe 5.5 të kontratës së financimit të lidhur ndërmjet palëve. Ndërkohë në pikën 10.1 të kontratës së financimit është cituar që “Përbëjnë dëm ekonomik për Fondin rastet kur pasi është bërë pagesa ndaj koncesionarit vërtetohet se shërbimet e pretenduara nuk janë kryer. Në këto raste koncesionari do të paguajë vlerën e plotë të dëmit të konstatuar.

Kthimi i vlerës së dëmit bëhet në mënyrë të menjëhershme nga vetë koncesionari ose i zbritet nga pagesat pasardhëse deri në plotësimin e shumës.” Në këtë mënyrë konstatohen përcaktime konfliktuale në kontratën e financimit përsa i përket pagesës për rastet e shërbimeve të pakryera, të përkufizuara si rastet nën projeksion.

Nga njëra anë përcaktohet që paguhen sipas projeksionit dhe nga ana tjetër përcaktohet që rastet e paguara, të cilat nuk janë kryer, përbëjnë dëm ekonomik. Në të njëjtën kontratë financimi parashikohet edhe pagesa për rastet e pakryera edhe konsiderimi si dëm ekonomik i pagesës së rasteve kur vërtetohet se shërbimet e pretenduara nuk janë kryer, thekson KLSH.

/Monitor.al/