Champions League/ 11 skuadra të kualifikuara, këto janë klubet që luftojnë për 5 biletat e fundit

Foto: DW.com

Mbrëmjen e djeshme u luajtën ndeshjet e fundit të raundit të pestë të fazës së grupeve në Champions League. Deri më tani janë 11 skuadra të kualifikuara për në fazën me eliminim direkt mes tyre pretendentë si Bayern Munchen, Manchester City, Liverpool, Chelsea, Real Madrid, apo Paris Saint Germain dhe Manchester United.

Aventurën e vazhduan edhe dy italianet Juventus e Inter, teksa ecuri surprizuese regjistruan padyshim Ajax dhe Sporting Lisbon.

Tashmë mbeten vetëm 90 minuta nga mbyllja e fazës së grupeve, të cilat do të jenë vendimtare për të përcaktuar edhe 5 skuadrat e fundit që do të plotësojnë numrin e skuadrave në fazën e 1/16-ve.

Atalanta ka në dorë fatin e saj, në sfidën direkte me Villarreal. Skuadrës nga Bergamo i nevojitet vetëm fitorja, ndërsa spanjollëve do t’u mjaftonte edhe një pikë për t’u kualifikuar.

Situatë më pak e favorshme për Milanin, që duhet të fitojë me Liverpool dhe do të mbajë një sy nga ndeshja Porto-Atletico Madrid, duke shpresuar që portugezët nuk do të fitojnë.

LEXO EDHE  'Urime për Topin e Artë’, Messi merr mesazhin surprizë

Pas Borussia Dortmund, edhe Barcelona është një tjetër emër i madh që rrezikon të eliminohet. Katalanasit duhet të fitojnë në ndeshjen e fundit me Bayern sepse Benfica luan me Dinamo Kiev, që është e eliminuar dhe nuk ka më asnjë objektiv.

Gjithçka është e hapur në Grupin G, ku Lille kryesuese me 8 pikë kualifikohet në rast fitoreje ose barazimi në fushën e Wolfsburg të vendit të fundit, që ka 5 pikë, apo edhe thjesht me humbjen apo barazimin e Salzburg ndaj Sevilla.

Nëse Salzburg mposhtet dhe Wolfsbug fiton, gjermanët festojnë pasi janë të avantazhuar nga duelet direkte, ku kanë fituar 3-1 dhe kanë humbur 2-1.