Redaksionale/ Klani i inceneratorëve Zoto-Mërtiri blejnë gjykatën, por jo të vërtetën

Prokurori Isa Jata (majtas), Mirel Mertiri (ne qender) dhe gjyqtari Besnik Hoxha (djathtas)

Nga Boldnews.al

Një gjyqtar në pritje të Vetingut, Besnik Hoxha dhe një prokuror që e kaloi Vetingun në mënyrë të dyshimtë, Isa Jata, ishin në unison që të shpallnin fajtor redaksinë e “Boldnews.al” për “shpifje” ndaj “njeriut incenerator”, Klodian (Mirel) Mërtiri, për shkak të disa publikimeve për një skandal financiar në Zimbabve, me burim median e vendin afrikan.

Për “personin hije” pas biznesit qindra milionë euro të landfilleve, i cili nuk e ka pasur aspak problem që të vendosë të gjithë qeverinë nën këmbët e tij, nuk ishte aspak e vështirë për të “blerë” një gjyqtar e prokuror, ndaj të cilëve ekzistojnë shumë akuza publike për përfshirje në korrupsion.

Megjithatë, sado të blihen disa zyrtarucë apo edhe disa të tjerë me peshë më të madhe, e vërteta është diçka që nuk ka çmim.

Dhe, në rastin e inceneratorëve, “Boldnews.al” ka thënë disa të vërteta, madje më tepër se shumë e shumë të tjerë, të cilët fërkojnë duart e barkun kur media gjendet nën presionin që u ngjan formave mafioze.

Shumë shkurt se përse Mirel Mërtiri ndihet i fyer nga “Boldnews.al”.

Në Qershor 2020, disa media kryesore në Zimbabve, me publikimet e tyre në gjuhën angleze, raportojnë për një skandal financiar me vlerë rreth 60 milionë euro, për blerjen e materialeve kundër Covid-19.

Në atë skandal, që dërgoi pas hekurave Ministrin e Shëndetësisë së atij vendi dhe disa persona të tjerë të botës së biznesit e sekserë, gjendej i përfshirë edhe shtetasi shqiptar “Ilir Dedja”, i prezantuar si pronar i kompanisë “Drax Consult”, me seli në Zvicër.

Mediat në Harare (kryeqytet i Zimbabves) publikuan edhe një foto, në të cilën gjendej Presidenti i atij vendi, ministri i shëndetësisë i arrestuar, sekseri financiar dhe shtetasi “Ilir Dedja”.

Në fakt, “Boldnews.al” e identifikoi se shtetasi “Ilir Dedja” në foto ishte Mirel Mërtiri dhe kjo ishte hera e parë që fytyra e tij shfaqej publikisht.

Në të gjithë artikujt e publikuar nga “Boldnews.al” cilësohet gjithmonë fakti që shtetasi Mirel Mërtiri është prezantuar si shtetasi Ilir Dedja në shtetin e Zimbabve pasi në artikujt e publikuara në mediat shumë prestigjoze të këtij vendi, këto të fundit i referoheshin Mirel Mërtirit si Ilir Dedja.

Pas këtyre publikimeve, Mirel Mërtiri ngre një padi penale për ‘Shpifje” ndaj redaksisë së ‘Boldnews.al”, duke pretenduar se ai nuk është i përfshirë në skandal financiar dhe se ai nuk është Ilir Dedja.

LEXO EDHE  Aksident në Lezhë, makina përplas një këmbësor

Në bazë të kësaj padie, prokurori Isa Jata, i cili në proceset me të dëmtuar akuzues ka një rol “shtojce” pa vlerë, kërkoi dënimin e redaksisë.

Gjyqtari Besnik Hoxha miratoi gjithçka dhe shpalli fajtor redaksinë, duke e vlerësuar fytyrën (në foto) të Mirel Mërtiri me 100 mijë lekë.

I gjithë procesi gjyqësor është një shëmti, tipike nga ato që ka prodhuar e ashtëquajtura Reformë në Drejtësi.

Gjyqtari dhe prokurori nuk u ngritën në nivelin e intelektit mesatar, për të ndërtuar disa pyetje të thjeshta, para se të merrnin vendimin e tyre.

– Gjyqtari dhe prokurori, në funksion të dhënies së drejtësisë, nuk patën asnjë interes se përse i ofenduari Mirel Mërtiri ishte në një takim në Zimbabven e largët, pikërisht me personat e arrestuar për “korrupsionin 60 milionë dollarë”;

– Gjyqtari dhe prokurori, në funksion të dhënies së drejtësisë, e anashkaluan tërësisht faktin që Mirel Mërtiri nuk dha asnjë shpjegim shterues se përse gjendej në atë foto dhe përse emri i tij ishte “ngatërruar” me atë të “Ilir Dedjas”.

– Gjyqtari dhe prokurori, në funksion të dhënies së drejtësisë, nuk e konsideruan aspak të arsyeshme që të saktësonin se përse fytyra e Mirel Mërtirit ishte vendosur “gabimisht” si “Ilir Dedja”, një emër saktësisht i ngjashëm me një tjetër personazh tërësisht anonim, i cili herë pas here shfaqet si “ortak”, “bashkëpunëtor” apo “administrator” në rrjetin e kompanive të landfilleve.

Gjyqtari dhe Prokurori, natyrisht, e kishin shumë të thjeshtë të vendosnin nën akuzë median.

Këtyre zyrtarucëve “të drejtësisë së re të tredhur”, në fakt, edhe nuk u vihet shumë faj që e vendosin veten si letër pastruese për fytyrën (në foto) të Mirel Mërtirit.

Ata e shohin se ky personazh detyron tre banka që të mos i përgjigjen Komisionit Hetimor Parlamentar që është ngritur pikërisht për hetimin e tij dhe të tjerëve në “aferën e inceneratorëve”.

Kur tre banka përkulen para këtij personi, çfarë mund të bëjnë më shumë gjyqtari Besnik e prokurori Isa.

Këta të dy duhen mishëruar, pasi, si edhe shumë të tjerë, marrin rrogën, por nuk japin drejtësi.

Edhe media nuk jep drejtësi, por thotë disa të vërteta.

Dhe, e vërteta për skandalin e inceneratorëve nuk mund të blihet, ashtu siç blihen Arbenët, Damianët, Alqit e politikës apo Besnikët e Isa-të e gjyqësorit.