“Drejtësi” me litar, pse duhet të rikthehemi në Fier pas 30 vitesh?

Nga BoldNews.al

Familjarët e Mateos, me shpirtin e këputur nga dhimbja nuk do të turreshin sot dhunshëm në dyert e Gjykatës së Fierit, nëse për komshiun e tyre që iu bëri gjëmën, shteti do të kishte bërë thjesht punën e tij në kohën e duhur. Andaj revolta e tyre sot për hakmarrje dhe drejtësi duhet kuptuar, i dhanë bukë dhe ai u vrau në mënyrë makabre të voglin në oborrin e shtëpisë.

Cila drejtësi do bëj sot drejtësi për një person me precedent penal dhe për çfarë nevojitet sot dënimi qoftë dhe i përjetshëm, kur një fëmije 8 vjeç iu këput jeta si një lule e sapoçelur pranvere, për faj të kujt? Familja Vasiu kërkon varje me litar për vrasësin e djalit, kërkon të marr hak për të birin. Bashkë me familjen Vasiu janë bërë edhe qytetarë në Fier dhe kudo, kërkojnë thjesht siguri për jetën, një e drejtë themelore dhe elementare në një shtet normal. Sot në Fier po protestohet për Mateon. Në marshimin e familjes Vasiu për drejtësi me “litar” janë bashkuar edhe dhjetëra fëmijë të tjerë të shkollave të qytetit, që 8-vjeçari e donte aq shumë dhe mezi priste tezen nga Italia që të dilte xhiro.

Dënimi i fundit më vdekje, me varje me litar në mes të qytetit në Shqipëri është aplikuar në vitin 1992, po në qytetin e Fierit. Dy vëllezërit, Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit, që u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”  u dënuan me vdekje: ekzekutim me varje në mes të qytetit. Vetëm pak ditë pas vrasjes së tyre 5-fishtë, më  25 qershor të vitit 1992, ata u varën me litar në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë aty deri ditën tjetër, për t’u parë nga qindra qytetarë. Ngjarja e “masakrës së Libofshës” ndodhi më 29 maj të vitit 1992, dy vëllezërit Cuko hynë në mesnatë në banesën e familjes Puto për grabitje. Ata vranë djalin e vogël të shtëpisë së bashku me nusen e tij, babanë dhe nënën, dhe në fund edhe vajzën 8-muajshe të familjes. Një ngjarje, shokuese për mbarë qytetin dhe vendin. Varja e dy vëllezërve, një akt ekstrem dënimi, i mirëpritur nga qytetarët. Kishin frikë se një ngjarje e tillë përsëritej në shtëpitë e tyre dhe pa dyshim “varja” ishte kërcënimi më i mirë për t’u mbrojtur nga të “këqijtë” në një vend ku sapo kishte nisur funksionimi i shtetit demokratik.

LEXO EDHE  Shkencëtarja kryesore e OBSH’së bën thirrje të mos bëhet panik për Omicron

Sot ne nuk duhet të numërojmë masakrat e të “çmendurve” me ose pa kartelë mjekësore dhe as të presim se zgjidhja dhe mbrojtja do të na vijë nga shteti. Gati 30 vite pas varjes me litar në Fier, ne s’kemi parë dot as DREJTËSI dhe as SHTET. Ndoshta tani është sërish koha që ne të kthehemi 30 vite pas dhe po në Fier, për të treguar ndëshkim të fortë për krimin e rëndë, për t’u dhënë prindërve të Mateos pak forcë që t’u lehtësohet sadopak dhimbja nga gropa e madhe që Calamani u hapi në zemër. Ata duan të shkulin gozhdën që kanë në zemër për djalin se plagën e kanë të pashërueshme.

Calamani nuk është i vetmi personazh problematik për komunitetin në këtë vendin tonë, ku, kur shteti duket jashtë shinave të kontrollit për të ofruar siguri, çfarë mund të bëj më pas vetë shoqëria. Të alkoolizuar, të droguar, të papunë të rrezikshëm, ndesh në çdo lagje tonën, që ne i falim në “gabime” të vogla, nuk denoncojmë, nuk ngremë zërin dhe vjen një ditë kur ata, në Fier, në Selenicë, në Tiranë, nga veriu në jug, kudo, ta sjellin të keqen te pragu i derës. Indiferenca jonë si shoqëri për të mosreaguar është e frikshme, njësoj e frikshme sa një krim që shpesh është një kronikë e një ngjarje të paralajmëruar. Sot, ne nuk duhet të heshtim! Shteti s’kemi, por zë duhet të kemi për jetën tonë, për fëmijët tanë! Prandaj, bashkë me Calamanin le ta varim edhe DREJTËSINË në mes të qytetit!