Debatet me dyer të mbyllura në Kryesinë e PD/ “Ti të vjedh Facebook, jo më firmat…”

Gazeta Panorama ka zbardhur debatet me dyer të mbyllura në Kryesinë e Partisë Demokratike, ku kreu i PD-së, Lulzim Basha njoftoi deputetët se ka vendosur të mbledh Kuvendin Kombëtar të demokratëve më datë 18 dhjetor.

Basha ka parashtruar vendimin se në 11 dhjetor mund të ketë tubim dhe jo Kuvend të demokratëve, i njoftuar ky nga Sali Berisha dhe përkrahësit e Foltores.

Ervin Salianji: Unë mendoj që një parti politike, qoftë kjo edhe Sali Berisha, pa mbështetjen e SHBA-së, mundësitë që kjo parti të vijë në pushtet, mundësitë janë zero. Nëse nuk nisemi nga kjo kornizë bazë, ne do të gënjejmë demokratët. Pa diskutim që do të ketë emocione, sepse është një njeri që ka 30 vite në parti dhe ka të mirat dhe të këqijat e veta. Të thuash se pse mblidhen njerëz nëpër salla, kam mbështetje më shumë. Secili prej nesh mund të mbledhë njerëz. Po hajde të bëjmë garë se kush mbledh më shumë. Të gjithë mund t’i mbledhim. Por puna nuk është të bëjmë këtë garë.

Albana Vokshi: Shpresoja sot të merrnit tjetër vendim, t’u bashkoheshit 4200 firmëtarëve në datë 11 dhjetor. Vendimi juaj është akt përçarës, jo demokratik autoritarist. Neni 46 thotë se kryetari përfaqëson forumet dhe vendimmarrjen e anëtarësisë. Ju sot nuk po përfaqësoni e po fyeni 4200 anëtarë të kuvendit kur përmendni Tomën, Aqifin, Suelërat e Rrahja. Neni 43 përcakton se 1/4 e firmëtarëve, janë mbledhur shumë më shumë. Sfidoj znj. Duma dhe znj. Pampuri të vijnë e së bashku të certifikojmë firmat e degëve në Njësinë numër 9 dhe 11, se i njohin. Janë mbi 75% e firmave të delegatëve. Ftoj të gjitha zonjat e grupit të punës që keni ngritur ju, të certifikojnë firmat e LDGSH-së se kanë qenë pjesë e procesit zgjedhor të deritanishëm të LDGSH-së.

Janë më shumë se 75% e delegatëve që kanë firmosur. Thoni pse i fusni në kasafortë: po nëse ju vidhni “Facebook”-un dhe simbolet e LDGSH-së, si mund t’ju besojmë firmat. Flisni për struktura paralele, por ju keni krijuar struktura jashtë partisë, grup që linçojnë këdo që mendon ndryshe nga ju e është kritik juaji. Struktura paralele po krijoni ju: keni ngritur një grup për LDGSH-në ndërkohë që po fyeni mundin e 10 mijë grave që kanë marrë pjesë në procesin e vitit që shkoi. Ju po krijoni struktura paralele me vendime antistatuore, antidemokratike. Ju ka rënë popullariteti. Përballuni me Berishën në Kuvend e nëse fitoni, ju na keni pas. Demokracia është votë. E nuk është uzurpim i hapësirave që nuk ju takojnë. Vendimet në 11 dhjetor i merr anëtarësia, jo ju.

Aldo Bumçi: E gjithë kjo filloi sepse ne humbëm, sepse po të mos kishim humbur, nuk do të ishte ky debat. Jeni fajtorë për humbjen që i la demokratët në opozitë. Amerikanët edhe kur të takojnë e të mirëpresin nuk të thonë se e ke të fituar. Kriza të zgjidhet duke dëgjuar delegatët.

Fitim Zekthi: Foltorja është lëvizje acide, populiste e nxitur vetëm nga vendimi i qeverise amerikane për të shpallur “non grata” Berishën. Po të ishte e ndershme dhe refleksion mbi gjendjen e PD-së, do të isha në foltore. Foltorja si lëvizje është shumë acidike, sepse përdor gjuhë asgjësuese, linçon, shan, etiketon, sulmon. Gjuha e saj është gati bolshevike. E dyta, foltorja ka narrativë konspiracioniste. Përpiqet të konstruktojë një armik të madh që bëri komplot. Ky armik është “mafia më e rrezikshme ndërkombëtare sorosiane”. E vërteta është se vendimi është i Sekretarit të Shtetit dhe asnjë figurë e rëndësishme republikane, asnjë drejtues republikan në kongres apo senat, asnjë kryetar komisioni, asnjë guvernator nuk ka folur kundër “non grata”-s, përkundrazi, të gjithë janë në anën e qeverisë amerikane.

Thirrja e kongresit me 4200 firma që nuk dihet në ç’zyra, në ç’kafe dhe nga cilët njerëz u mblodhën, që kërkojnë të verifikohen nga vetë ata që i mblodhën, një kongres i shpallur pa një grup apo komision nismëtar është në fakt thjesht një puç i institucional ose grusht shteti. Kjo gjë është rrugë logjike e lëvizjeve populiste, emocionale, e politikës së zemërimit. Lëvizje të tilla nuk pranojnë rregulla, nuk pranojnë të vihen në diskutim. Ato bëjnë ose revolucion, ose grusht shteti. Foltorja nuk ka të ardhme, nuk duhet të ketë të ardhme, sepse nuk mund të ketë të ardhme paligjshmëria, linçimi, revolucioni.

Tomor Alizoti: Ka ndodhur një çarje e madhe. Ç’është kjo: bëjmë dy kuvende? Nuk e shikoj si zgjidhjen e duhur. Duhet të bëhemi bashkë për një kuvend. Nuk duhet të bëjmë disa kuvende për të treguar se kush ka më shumë forcë. Ju të dy e doni partinë për pushtet individual. Për karrierën tuaj. Ju duhet të uleni. Unë e di që ti nuk do të ulesh. Por unë nuk do të jem as me njërin, as me tjetrin. Luftërat botërore janë zgjidhur në tavolinë. Ky nuk është problemi i PD-së, por problemi juaj. Ju do të gjykoheni të gjithë nesër që ndikuat në këtë përçarje. Kërkoj t’i jepni zgjidhje kësaj situate.

LEXO EDHE  Mjekët në Kosovë, vaksinimi i fëmijëve mbi 5 vjeç kundër Covid-19, i domosdoshëm

Lulzim Basha: Ke qenë ti që ke thënë se PD-në s’mund ta kthejmë në fondacion të Sali Berishës ose organizatë joqeveritare të Berishës.

Flamur Noka: Kuvendi që thërrisni ju është ilegjitim. Kryesia është ilegjitime. Ju keni fyer demokratët. Nuk i kemi bërë presion njeriu. Jeni ju që e krijuat problemin, se po të mos përjashtoje ti Berishën, nuk do të kishte ndodhur gjë. Ti bëre goditje. Ne vetëm t’u kundërpërgjigjëm.

Lulzim Basha: PD nuk vepron me “nëse”, janë firmat apo nuk janë firmat. PD ka rregulla dhe statut te qarte. Momenti i verifikimit të firmave ka qenë çdo dite para 11 nëntorit. Siç u be e qarte nga disa nismëtare, shkelja është bëre në mënyre të qëllimshme për mungese besimi tek organet legjitime te PD. Ndërkohë që jemi këtu, nismëtari ka deklaruar, pa asnjë tagër statutor, se Kuvendi do te jetë në 11. Dhjetor. Dua t’ju zhvesh nga çdo iluzion. Nuk ka 2 PD, ka vetëm 1 PD dhe nuk ka për te patur institucione paralele. Ne 11 dhjetor ka tubim, por jo Kuvend.

Nuk jam unë as pengesa, as halli, as problemi i Sali Berishës. Por unë dhe ju jemi përgjegjës që demokratet te mos përdoren mish për top për interesat e Sali Berishës apo dikujt tjetër. Largimi i këtij regjimi pa mbështetjen e aleatit strategjik, është i paimagjinueshëm. Pavarësisht dëshirës, për fat te keq, na është bërë e pamundur nga mënyra anti-statutore, përveç shinave te legjitimitetit qe burojnë nga përgjegjësitë e kësaj Kryesie dhe qe ia kam parashtruar për miratim Kryesisë.

Agron Gjekmarkaj: Sonte është një natë reflektimesh! Mbajta shënime kur folën kolegët! U tha këtu që kriza filloi se humbëm zgjedhjet. Nuk është kështu. Ne patëm një kongres në korrik, që për mua mbetet një kujtim i shëmtuar. Duke filluar nga fjalimi i zotit Basha dhe i të gjithë juve me radhë! Fjalime propagande, të gjithë ju u ikët problemeve që trashëgonim, që e gjitha një fasadë hipokrizie! A e dini pse? Sepse ju mendonit qe Basha dhe Berisha janë bashkë gjithmonë dhe patë interesat tuaja! Jua thashë disa miqve si folët kësisoj? Qeshnin! Ia thashë Flamurit para RTSH-së “e shkatërrove armikun me atë fjalim”! Qeshëm të dy. Foli vetëm Mark Marku, ju tha të vërteta të rënda.

Heshtët. E mbështeta vetëm unë me shkrime. Pas datës 9 shtator ndryshoi gjithçka. Filluan problemet e Statutit, filloi kriza. E nisi Sali Berisha për arsye personale. Mua nuk do të më dëgjoni kurrë duke sharë Sali Berishën. E konsideroj personalitet politik me shqisa unike, por gjykim kam. Ai e di që nuk e fiton betejën me SHBA-në dhe ka filluar betejën me Lulzim Bashën. Ndaj, duke parë këtë kontekst moral, vendosa të marr anë dhe të mbështes zgjedhjen e Bashës. Dëgjova zonjën Vokshi të flasë për dhunë psikologjike ndaj drejtueseve lokalë të Lidhjes së Gruas! Nëse kjo ndodh, është turp, shumë turp! Por le ta themi një gjë. Dajaku ka qenë instrument komunikimi i kësaj partie! Kjo parti ka rrahur themeluesit e vet, Neritan Cekën, Preç Zogajn, Arben Imamin, ka rrahur opozitën dhe ka manipuluar zgjedhjet, ka rrahur të persekutuari, ndaj duhet të ndahemi nga çdo formë dhune.

Lulzim Basha nëse është burrë, të kërkojë falje edhe për këto. U fol për emërimet e kryesisë. Për mua kjo është një turp. Për çdo gjë duhet garë, për të gjithë, kuptimi është një gjë e shpifur. Tani të flasim për kongresin. Po ky Kuvend është një legjitimim i foltores. Jam i sigurt që nuk do behet kurrë nëse nuk do ishte ky presion dhe kjo krizë. Ky kongres është legalizim i krizës dhe dëshirës suaj. Berisha e vendosi vetë datën 11, nuk pyeti asnjeri. PD mund të ketë organe të këqija, kryetar me probleme, kryesi të paaftë, por ama këto kemi dhe këto po e legalizojnë kongresin. Hajdeni të mblidhemi të gjithë! Ta bëjmë atë të vërtetë! Ta rindërtojmë PD-në. Mos të jetë me një parti e lidershipit, por e të gjithë anëtarëve, të jenë aksionarë në të. Kjo parti t’u kërkojë falje intelektualëve që i zboi vit pas viti. Kjo parti ta përbuzë më në fund banalitetin dhe statusin e idiotit kaq prodhimtar në PD. Duhet një kongres i vërtetë ku të gjithë asetet e saj të jenë aty.

Albana, mikja ime, thotë “uaaa Basha fyeu doktorin”. Po s’e dëgjon doktorin se çfarë thotë për Bashën dhe të tjerët! Sado që e çmojmë Sali Berishën, njeri si ne është edhe ai, njerëz me gjak jemi edhe ne! Po miq jemi në krizë të rëndë madje. Kongresi i datës 18 është mundësia që të mundim përçarjen dhe t’i japim një shans bashkimit. Në rastin më të mirë, konflikti me SHBA-në është folklor; në rastin më të keq, e dini vetë.