Nga Gjergji Koja
Më 9 shtator 2021, Lulzim Basha, me cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike, artikuloi vendimin për të përjashtuar ish-Kryeministrin Sali Berisha nga Grupi Parlamentar. Argumenti që u përdor pasditen e 9 shtatorit nga Basha, ishte ultimatumi amerikan, që nuk mund të negociohej.
Basha tha se vendimin e kishte marrë ai, pa u konsultuar me Grupin Parlamentar, Kryesinë apo Këshillin Kombëtar. Madje ai e argumentoi këtë me faktin se i kishte hequr një peshë Partisë Demokratike me vendimmarrjen personale.
Pavarësisht asaj që shkaktoi vendimi i Bashës mes demokratëve, për një moment mund të konsiderohet i drejtë, pasi një çështje sensitive sa ajo që kishte lidhje me liderin historik të PD-së, vërtet mund të krijonte një problematikë në raportet e kësaj partie me SHBA, sikundër u shpreh kreu demokrat.
Në kushte të tilla, Basha, ndoshta duhet përgëzuar që të gjithë atë barrën e madhe që mund ta mbanin anëtarët e Kryesisë, Grupit Parlamentar apo Këshillit Kombëtar, vendosi ta mbajë vetë mbi supe, duke u përballur me përgjegjësitë.
Me pak fjalë, Lulzim Basha më 9 shtator tregoi se ishte bërë një lider që merrte vendime, edhe pa u konsultuar, edhe pa pyetur forume, ndoshta nën presionin e partnerit strategjik, sikundër quajti ai SHBA, por që mbrojti partinë.
Pak javë nga ky vendim, që ndoshta mund ti kushtojë edhe karrierën politike në Partinë Demokratike, Lulzim Basha hodhi idenë e ndryshimeve Kushtetuese. Publikisht deklaroi 3 nisma, që me shpejtësi u çuan në Kuvend, një prej të cilave kishte të bënte me vettingun e politikanëve, tjetra me reformën territoriale dhe e 3-ta me zhbërjen e ndryshimeve Kushtetuese të miratuara më 30 korrik të 2020.
Paralelisht me nismat e propozuara nga Basha, në Kuvend çuan një nismë për ndryshimet Kushtetuese, edhe socialistët. Kjo e PS ka të bëjë me zgjatjen e afateve të organeve të vetting, më konkretisht KPK-së, mandati i të cilës përfundon në korrik 2022.
Pra zyrtarisht Kuvendit, nga pozita dhe opozita, i kërkohet të realizojë ndryshimet Kushtetuese për të paktën 4 çështje.
Përtej asaj që mund të bëjë Kuvendi, miratojë ose jo, ajo që bie në sy është fakti se Partia Demokratike nuk ka një vendim të Grupit Parlamentar lidhur me ndryshimet Kushtetuese të propozuara, qoftë nga PS qoftë nga Lulzim Basha, si Kryetar i PD-së.
Para se të zyrtarizonte depozitimin në Kuvend të kërkesës për ndryshimet Kushtetuese, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Bashës iu kërkua nga të paktën 3 deputetë, ti vihej në dispozicion drafti.
Pra, iu kërkua një dokument me pika të detajuara lidhur me atë që propozohej. Në fakt përgjigjen deputetët që kërkuan detajet e morën nga Gazment Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm, i cili tekstualisht u shpreh: “Grupi Parlamentar është një trupë politike që miraton në parim dhe nuk do të ulemi nen për nen të bëjmë draftin e të themi shtoje këtë e hiqe atë. Teknikalitetet i bëjnë ekspertët, ne biem dakord në parim”.
Kaq mjafton për të kuptuar se këto propozimet që PD i depozitoi në Kuvend nuk ishin diskutuar me Grupin Parlamentar, madje vetë deputetë të saj, kanë shprehur nota ironie pikërisht mbi propozimin që vettingun e politikanëve ta bëjë SPAK, në kushte kur ky institucion ende nuk ka vepruar ndaj denoncimeve që ka depozituar Partia Demokratike.
Kështu ka ndodhur edhe me nismën e propozuar nga PS për zgjatjen e afeteve të organeve të Vetting, ku nga deklarimet e vetë deputetëve, kupton se PD nuk ka një qëndrim të sajin: nëse mbështet ose jo zgjatjen e afateve.
Pra duket se gjithçka e ka lënë në varësi të kërkesës, presionit apo ultimatumit nga ambasadorët e akredituar në Tiranë.
Përshtypja e parë që u krijua kur dy partitë nxituan të paraqesin në Kuvend nismat për ndryshimet Kushtetuese ishte ajo e pazarit politik, ku demokratët do të votonin propozimin e PS, ndërsa kjo e fundit do të mbështeste propozimet e PD-së së Lulzim Bashës.
Kur Edi Rama deklaroi se nuk do të pranonte që në shkëmbim të votave të opozitës, ti jepte asaj si “koncension” votat e socialistëve për kërkesat e saj, doli në pah edhe më shumë fakti se sot Partia Demokratike nuk ka një qëndrim se ç´duhet bërë me organet e Vetting. Dhe çështja duket aq e mprehtë sa Basha duket se po vepron me të njëjtën metodë, duke e çuar atë në limitet kohore, dhe në fund duke udhëzuar Grupin Parlamentar, për të votuar në varësi të ultimatumit apo presionit.
Pra as më shumë e as më pak, duket se Lulzim Basha po instalon në PD metodën e faktit të kryer, duke anashkaluar deri në fund ato forume partie që ka ngritur vetë, qofshin Grupi Parlamentar për çështjet që kanë të bëjnë me Kuvendin, ashtu edhe Kryesinë apo Këshillin Kombëtar, për çështje që tejkalojnë kompetencat apo mandatin e një kryetari partie.
Për të dy rastet që kanë të bëjnë me vettingun, qoftë në drejtësi apo politikë, Basha nuk ka preferuar të marrë mendimet, opinionet apo qoftë edhe të realizojë një debat me Grupin Parlamentar. Në rastin e vettingut në politikë, ai i referohet një dakordësie të 3 viteve më parë, ndërkohë që ka pasur një tjetër trupë parlamentare, si dhe ka qenë një tjetër situatë.
Dhe me të njëjtën logjikë, për propozimin e PS-së mbi zgjatjen e afateve të Organeve të Vetting ndoshta mund ti referohet konsensusit me të cilin u miratua kjo reformë 5 vite më parë dhe të vijojë të japë votat pro, meqë atëherë votuan të gjithë në rrjesht.
Por pyetja që shtrohet është: kujt i duhet një Kryetar , kandidat për Kryeministër, që merr vendime nën presion apo bazuar në ultimatume qofshin amerikane apo europiane, duke shpërfilluar çdo forum të partisë, përfshi edhe trupën parlamentare?
Nëse mendon se mund të fitojë pikë politikisht duke ndjekur modelin e një lideri të përulur, të cilit mund ti buzëqeshë një ambasadore qoftë edhe amerikane, apo të ketë një telefonatë nga cilido zyrtar i DASH, këtë e ka betejë të humbur.
Edi Rama provoi në dy mandatet e para që është i përkëdheluri edhe kur çon në Shtëpinë e Bardhë një ministër të Brendshëm që më pas hetohet për drogën, edhe kur ndërhyn në zgjedhjet amerikane, duke sulmuar ashpër një prej kandidatëve për President, edhe kur zhbën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga amerikanët dhe e zëvendëson me një marrëveshje tjetër të dakordësuar me “opozitën” e emëruar, apo edhe kur emëron në pothuajse të gjitha shkallët e Vetting, KLP, KLGJ, Gjykatën e Lartë apo edhe atë Kushtetuese, emra të lidhur ngushtë me partinë që drejton.
Përballë modelit që po përpiqet të instalojë Lulzim Basha dhe atij të Edi Ramës, që i dha edhe mandatin e tretë, sërisht në zgjedhjet e ardhshme mund të mbetet favorit, Kryeministri. Në fund të fundit, ata që votojnë janë shqiptarët, nuk janë as ambasadorët, as shefat e tyre, qofshin në Uashington apo Bruksel.
E vetmja gjë që mund të fitohet në këtë rast është një buzëqeshje e zgjatur, një ftesë apo një vizitë e nivelit mesatar, dhe këto janë të pamjaftueshme për të lënë pas statusin e kandidatit për Kryeministër.