Rindërtimi, KLSH 16 rekomandime për Ahmetajn: Fondet të miratohen vetëm për projekte që lidhen me tërmetin

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin lidhur me auditimin në procesin e Rindërtimit, ndërsa i ka lënë 16 rekomandime Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, një pjesë e të cilave duhet të përmbushen brenda vitit 2021. Referuar raportit, por edhe rekomandimeve që KLSH i ka lënë Ministrisë së Rindërtimit, rezulton se i gjithë procesi ka vijuar pa u dokumentuar, pa ndjekur zbatimin e përgjegjësive dhe detyrave, përfshi këtu edhe trajtimin e familjeve që humbën të afërmit apo pjesëtarë të tyre nga tërmeti i 26 nëntorit.

Referuar raportit KLSH kërkon nga KSHR të shqyrtojë, të analizojë dhe të marrë vendime në lidhje me miratimin e fondeve vetëm për projekte që janë pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, me qëllim sigurimin e rimëkëmbjes ekonomike sa më të shpejtë dhe efektive, në respektim dhe të kritereve ligjore, nënligjore dhe rregullative përkatëse.

Duket se nga ky rekomandim, evidentohet fakti se nga KSHR mund të jenë miratuar fonde pa pasur projekte apo për ndërtesa që mund të mos jenë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

KLSH në raportin e tij auditues evidenton se janë shfaqur mangësi në dokumentimin e veprimtarisë së MSHR-së në drejtim të: ndjekjes dhe bashkërendimit të punës për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit; ndjekjes së zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave (të ngarkuara për njësitë e vetëqeverisjes vendore), për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose kanë mbetur të pastrehë; ushtrimit të kompetencave në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; bashkërendimit të punës me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit.

Në lidhje me ndjekjen dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara për Ministrin e Shtetit për Rindërtimin për përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19, në përfundim të auditimit u arrit në konkluzionin se, janë shfaqur mangësi në dokumentimin e veprimtarisë së MSHR-së në drejtim të: dokumentimit të burimeve njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia; koordinimit, drejtimit dhe ndjekjes së veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19; detajimit të nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19; etj.

Sipas raportit të KLSH, lidhur me veprimtarinë e Komisionit Shtetëror të Rindërtimit rezultoi se, nuk është hartuar, miratuar dhe përcjellë për miratim në Këshillin e Ministrave (KM) Programi i Përgjithshëm i Rindërtimit, dokument mbi të cilin do të mbështetej procesi i rindërtimit.

Gjithashtu evidentohet se nuk rezulton të jenë të dokumentuara monitorimet periodike të zbatimit të programit të rindërtimit dhe detyrave të caktuara për njësitë zbatuese, dhe as raportet e përgatitur nga KSHR për KM.

Mangësi u konstatuan edhe në drejtim të aktivitetit të kryer nga Sekretariati Teknik i KSHR-së. Gjithashtu rezultoi se, janë pranuar, miratuar dhe dërguar për miratim tek KM projekte, jo në respektim të procedurave të përcaktuara për përfitimin nga grantet e rindërtimit pasi kërkesat për realizimin e këtyre projekteve nuk janë mbështetur në akt-ekspertiza apo projekt preventiv punimesh.

Në pjesën e rekomandimeve, KLSH kërkon nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit (KSHR) të marrë masat e nevojshme për hartimin, miratimin dhe përcjelljen për miratim në KM të Programit të përgjithshëm të rindërtimit, si dhe dokumentimin e këtij procesi, me qëllim rritje e efektivitetit të përdorimit të fondeve të tërmetit të nëntorit 2019.

KSHR të marr masat e nevojshme për përfshirjen në Programin e përgjithshëm të rindërtimit, të programeve sociale të çdo ministrie linje, planeve të masave për rikuperimin, mbrojtjen dhe parandalimin e dëmeve eventuale në fushën e mjedisit, turizmit dhe kulturës dhe planeve të rikuperimit dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor, me qëllim sigurimin e planifikimit efektiv të procesit të rindërtimit.

KSHR të ndërmarrë masat e nevojshme që në Programin e përgjithshëm të rindërtimit, të jenë të mirëpërcaktuara përkufizimet dhe mënyrat e përllogaritjes së dëmet të shkaktuara dhe humbjet e shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019, me qëllim ofrimin e sigurisë në përllogaritjen e nevojave për realizimin e planeve të rimëkëmbjes pas tërmetit.

KSHR të kërkojë nga AKMC-së, informacion mbi kontributet në natyrë, dhe në rast të marrjes në dorëzim nga kjo e fundit të sendeve apo materialeve ndërtimore, punë apo shërbime në funksion të procesit të rindërtimit, ato të publikohen në faqen e rindërtimit, me qëllim sigurimin e transparencës mbi procesin e rindërtimit, si dhe të përfshijë në raportet e monitorimit që përgatit për KM-në edhe informacione mbi kontributet në natyrë, me qëllim raportimin e plotë të vijimësisë së procesit të rindërtimit.

KSHR të dokumentojë monitorimin periodike të zbatimit të programit dhe detyrave të caktuara të njësive zbatuese, si dhe të hartojë raporte për KM, me qëllim ndjekjen e vazhduar të procesit të monitorimit dhe ndërmarrjen në kohë të masave për përmirësim AKMC, në cilësinë e Sekretariatit Teknik të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, të marrë masa që të dokumentojë zbatimin e detyrimeve dhe përgjegjësive, në lidhje me njoftimin dhe t’u vërë në dispozicion materialet anëtarëve 2 ditë para zhvillimit të mbledhjes, të pasqyrojë votën kundër, si dhe të sigurojë nënshkrimin e vendimeve dhe procesverbaleve të mbledhjeve.

Komisioni Shtetëror i Rindërtimit, të kërkojë nga Sekretariati Teknik që të gjitha praktikat që shoqërojnë vendim-marrjen të jenë të strukturuara dhe të miratuara sipas përgjegjësive institucionale, me qëllim që të sigurohet funksionim normal në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullator përkatës.

Komisioni Shtetëror i Rindërtimit të shqyrtojë, të analizojë dhe të marrë vendime në lidhje me miratimin e fondeve vetëm për projekte që janë pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, me qëllim sigurimin e rimëkëmbjes ekonomike sa më të shpejtë dhe efektive, në respektim dhe të kritereve ligjore, nënligjore dhe rregullative përkatëse

Gjetjet dhe rekomandimet

1. Gjetje nga Auditimi: Nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara. Sa më sipër nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e VKM nr. 11, datë 10.1.2020 “Për
përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, kreu II, pika 1, germa “a”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 1 faqet nr. 16-20 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
1.1 Rekomandimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin, të aktivizojë kabinetin e tij për të
plotësuar me dokumentacion aktivitetet mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara.
Brenda vitit 2021

2. Gjetje nga Auditimi: Stafi i Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, aktivitetin për
evidentimin e burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit, e ka reduktuar thjeshtë dhe vetëm në informacione mbi ecurinë e procesit dhe atë kryesisht në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat nuk kanë rezultuar në evidenca të burimeve që disponojnë institucionet dhe për pasojë as në përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre. Sa më sipër nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e VKM nr. 11, datë 10.1.2020 “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, kreu
II, pika 1, germa “c”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 1 faqet nr. 21-23 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
2.1 Rekomandimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin, të aktivizojë kabinetin e tij për të
plotësuar evidentimin e burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit.
Brenda vitit 2021

3. Gjetje nga Auditimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për ministritë dhe institucionet e tjera, si dhe pjesërisht për njësitë e vetëqeverisjes vendore, për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose që kanë mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit. Sa më sipër nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e VKM nr. 11, datë 10.1.2020 “Për
përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, kreu II, pika 1, germa “d”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 1 faqet nr. 23-24 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
3.1 Rekomandimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin, të aktivizojë kabinetin e tij për të
plotësuar me dokumentacionin e nevojshëm, për ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për ministritë dhe institucionet e tjera, për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose që kanë mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit.
Brenda vitit 2021

4. Gjetje nga Auditimi: Ministri i Shtetit nuk rezulton të ketë bërë ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për strukturat e posaçme, të ngritura me ligj apo vendim, për përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti. Sa më sipër nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e VKM nr. 11, datë 10.1.2020 “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, kreu II, pika 1, germa “e”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 1 faqet nr. 24-25 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
4.1 Rekomandimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin, të aktivizojë kabinetin e tij për të
vepruar dhe dokumentuar aktivitetet për ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për strukturat e posaçme, të ngritura me ligj apo vendim, për përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti.
Brenda vitit 2021

5. Gjetje nga Auditimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar përgatitjen dhe propozimin e projekteve të përgjithshme e të veçanta, që të ishin pjesë e programeve të procesit të rindërtimit, si dhe nuk ka të dokumentuar kërkesa për mbështetje të specializuar njerëzore. Sa më sipër nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e VKM nr. 11, datë 10.1.2020 “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, kreu II, pika 2, germa “b”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 1 faqet nr. 27-28 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
5.1 Rekomandimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin, të aktivizojë kabinetin e tij për të
vepruar në kohë në lidhje me përgatitjen dhe propozimin e projekteve, të përgjithshme e të veçanta, që të jenë pjesë e programeve të procesit të rindërtimit, si dhe kërkesë për mbështetje të specializuar njerëzore.
Brenda vitit 2021

6. Gjetje nga Auditimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar informacione për mënyrën e përdorimit dhe eficiencën e arritur për çdo donacion apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit. Sa më sipër nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e VKM nr. 11, datë 10.1.2020 “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, kreu II, pika 2, germa “ç”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 1 faqet nr. 28-29 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
6.1 Rekomandimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin, të aktivizojë kabinetin e tij për të informuar për mënyrën e përdorimit dhe eficiencën e arritur për çdo donacion apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit.
Brenda vitit 2021

7. Gjetje nga Auditimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar ushtrimin e kompetencave në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; krijimin e grupeve të punës dhe organizmin e veprimtarive për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit; bashkërendimin e punës me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit; si dhe drejtimin dhe koordinimin, në nivel qendror, të strukturave operacionale për përballimin e pasojave dhe zbatimin e programeve të procesit të rindërtimi. Sa më sipër nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e VKM nr. 11, datë 10.1.2020 “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, kreu III, pikat 2, 3, 4 dhe 5. (Më hollësisht trajtuar në pikën 1 faqet nr. 31-32 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
7.1 Rekomandimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin, të ushtrojë dhe të dokumentojë
kompetencat në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; krijimin e grupeve të punës dhe organizmin e veprimtarive për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit; bashkërendimin e punës me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit; si dhe drejtimin dhe koordinimin, në nivel qendror, të strukturave operacionale për përballimin e pasojave dhe zbatimin e programeve të procesit të rindërtimit.
Në vijimësi

LEXO EDHE  Bardhi: Drejtësia ka të dhëna për politikanë që flasin në telefon me kriminelë

8. Gjetje nga Auditimi: Ministrit i Shtetit për Rindërtimin në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Ministrave: – nuk ka të dokumentuar aktivitetin për koordinimin, drejtimin dhe ndjekjen e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19 dhe për pasojë mungon një plan i tillë;
– nuk ka të dokumentuar evidentimin e burimeve të brendshme, njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore;
– nuk ka të dokumentuar veprimtarinë për koordinimin dhe drejtimin e strukturave e të njësive, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, për zbatimin e planit të përballimit të situatës ekonomike, të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
– nuk ka të dokumentuar detajimin e nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
– nuk ka të dokumentuar veprimtarinë për koordinimin dhe drejtimin e punës si dhe rekomandimin e institucioneve për përgatitjen dhe paraqitjen për miratim në Këshillin e Ministrave të projekt-akteve, ligjore e nënligjore, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
– nuk ka të dokumentuar rastet e thirrjes për raportim të strukturave të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
– nuk ka të dokumentuar krijimin dhe drejtimin e grupeve të punës dhe organizimin e veprimtarive për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
– nuk ka të dokumentuar veprimtarinë për bashkërendimin me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.
Sa më sipër nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e VKM nr. 228, datë 18.3.2020 “Për një shtesë në vendimin nr.11, datë 10.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të shtetit për rindërtimin”, pika 1, kreu II/1, germat “a”, “b”, “c”, “ç”, “dh”, “e”, “g”, “gj” dhe “h”,
(Më hollësisht trajtuar në pikën 1 faqet nr. 32-34 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
8.1 Rekomandimi: Ministri i Shtetit për Rindërtimin, të marrë masat e nevojshme për koordinimin, drejtimin dhe ndjekjen e veprimtarisë për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19, duke i paraprirë me krijimin dhe drejtimin e grupeve të punës dhe organizimin e veprimtarive për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar, me evidentimin e burimeve të brendshme,
njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore; detajimin e nevojave për përballimin e situatës ekonomike dhe më pas thirrjen për raportim të strukturave të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike, si dhe sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të planit të përballimit të situatës ekonomike.
Brenda vitit 2021

9. Gjetje nga auditimit: Nga auditimi, nuk rezulton i dokumentuar hartimi dhe miratimi i
Programit të përgjithshëm të rindërtimit nga KSHR, dhe më pas përcjellja e tij për miratim në KM, në kundërshtim me pikat 1 dhe 2 të Kreut III të VKM nr. 878 datë 24.12.2019 dhe germën “a” të pikës 4, të nenit 14 të Aktit Normativ Nr. 9, datë 16.12.2019. Nga analizimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion grupit të auditimit, nuk rezulton të jetë e dokumentuar përfshirja në Programin e Përgjithshëm të Rindërtimit e programeve sociale të pas tërmetit të çdo ministrie linjë, planeve të masave për rikuperimin, mbrojtjen dhe parandalimin e dëmeve eventuale në fushën e mjedisit, turizmit dhe kulturës dhe planeve të rikuperimit dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor, të miratuara (secili prej planeve) me udhëzime të ministrave respektive, në kundërshtim me parashikimet e pikës 2 të nenit 29 dhe pikës 1 dhe 2 të nenit 31 të Aktit Normativ nr. 9.
Nga analizimi i dokumentacionit, si dhe komunikimi me Sekretariatin e KSHR nuk sigurohet qartësi se çfarë përfaqësojnë humbjet e përllogaritura të tërmetit të nëntorit 2019, mbi të cilin janë përllogaritur nevojat (fonde) për strategjinë e rikuperimit të paraqitur në PDNA. (Më hollësisht trajtuar në pikën 2 faqet nr. 46-50 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
9.1 Rekomandimi: KSHR të marrë masat e nevojshme për hartimin, miratimin dhe përcjelljen për miratim në KM të Programit të përgjithshëm të rindërtimit, si dhe dokumentimin e këtij procesi, me qëllim rritje e efektivitetit të përdorimit të fondeve të tërmetit të nëntorit 2019.
Brenda vitit 2021

10.1 Rekomandimi: KSHR të marr masat e nevojshme për përfshirjen në Programin e përgjithshëm të rindërtimit, të programeve sociale të çdo ministrie linje, planeve të masave për rikuperimin, mbrojtjen dhe parandalimin e dëmeve eventuale në fushën e mjedisit, turizmit dhe kulturës dhe planeve të rikuperimit dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor, me qëllim sigurimin e planifikimit efektiv të procesit të rindërtimit.
Brenda vitit 2021
10.2 Rekomandimi: KSHR të ndërmarrë masat e nevojshme që në Programin e përgjithshëm te rindërtimit, të jenë të mirëpërcaktuara përkufizimet dhe mënyrat e përllogaritjes së dëmet të shkaktuara dhe humbjet e shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019, me qëllim ofrimin e sigurisë në përllogaritjen e nevojave për realizimin e planeve të rimëkëmbjes pas tërmetit.
Brenda vitit 2021

11. Gjetje nga Auditimi: Sekretariati i KSHR nuk përcolli informacion mbi kontributet në
natyrë, por e drejtoi grupin e auditimit për marrjen e këtij informacioni në AKMC, si institucioni përgjegjës për marrjen në dorëzim të kontributeve në natyrë. Sa më sipër, nuk sigurohet transparencë mbi kontributet në natyre, në kundërshtim me pikën 1, kreu III, të VKM nr. 878, datë 24.12.2019, si dhe është vepruar në kundërshtim edhe me ligjin nr.154/2014 “Për organizmin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, neni 26, pika 1 dhe 2.
(Më hollësisht trajtuar në pikën 2 faqet nr. 63-67 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
11.1 Rekomandimi: KSHR të kërkojë nga AKMC-së, informacion mbi kontributet në natyrë, dhe në rast të marrjes në dorëzim nga kjo e fundit të sendeve apo materialeve ndërtimore, punë apo shërbime në funksion të procesit të rindërtimit, ato të publikohen në faqen e rindërtimit, me qëllim sigurimin e transparencës mbi procesin e rindërtimit, si dhe të përfshijë në raportet e monitorimit që përgatit për KM-në edhe informacione mbi kontributet në natyrë, me qëllim raportimin e plotë të vijimësisë së procesit të rindërtimit.
Menjëherë dhe në vijimësi

12. Gjetje nga Auditimi: Nga analizimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion, nuk rezulton të jenë të dokumentuara monitorimet periodike të zbatimit të programit dhe detyrave të caktuara të njësive zbatuese të kryera nga KSHR, dhe raportet e përgatitur nga ky i fundit (KSHR) për KM. Nga auditimi rezultoi se gjatë periudhës nën auditim janë kryer 5 raportime nga bashkitë e prekura nga tërmeti, të kryera gjatë 4-mjorit të parë të vitit 2020, dhe 1 raporti në vitin 2021, si dhe inspektime dhe inaugurime nga Ministri i shtetit për rindërtimin. (Më hollësisht trajtuar në pikën 2 faqet nr. 71-72 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
12.1 Rekomandimi: KSHR të dokumentojë monitorimin periodike të zbatimit të programit dhe detyrave të caktuara të njësive zbatuese, si dhe të hartojë raporte për KM, me qëllim ndjekjen e vazhduar të procesit të monitorimit dhe ndërmarrjen në kohë të masave për përmirësim.
Menjëherë dhe në vijimësi

13. Gjetje nga Auditimi: Dosjet e praktikave shoqëruese të Vendimeve nuk janë të inventarizuara dhe të arkivuara në kundërshtim me Ligjin nr. 9154 datë 06.11.2003 “Për arkivat” dhe “Normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 2 faqet nr. 68-69 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
13.1 Rekomandimi: AKMC, në cilësinë e Sekretariatit Teknik të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, të marrë masa të kryejë arkivimin e dosjeve të vitit 2020 dhe inventarizimin e secilës praktikë, sipas kërkesave të kuadrit ligjor, nënligjor dhe rregullator në fuqi.
Brenda vitit 2021

14. Gjetje nga Auditimi: Sekretariati Teknik i Komisionit Shtetëror të Rindërtimit gjatë veprimtarisë së tij, nuk ka dokumentacion vërtetues për kryerjen e njoftimit dhe dërgimit të materialeve, pa numër protokolli, materialet e dërguara nëpërmjet email-it janë bërë të njohura ditën e mbledhjes në shumicën e rasteve, procesverbalet e mbajtura nuk pasqyrojnë votën kundër, vendimet dhe procesverbalet e mbledhjeve të KSHR nuk janë nënshkruar të gjithë anëtarët etj., duke vepruar në kundërshtim me VKM nr. 878, datë 24.12.2019 “Për përbërjen, organizimin, veprimtarinë dhe rregullat e funksionimit të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 2 faqen nr. 73 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
14.1 Rekomandimi: AKMC, në cilësinë e Sekretariatit Teknik të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, të marrë masa që të dokumentojë zbatimin e detyrimeve dhe përgjegjësive, në lidhje me njoftimin dhe t’u vërë në dispozicion materialet anëtarëve 2 ditë para zhvillimit të mbledhjes, të pasqyrojë votën kundër si dhe të sigurojë nënshkrimin e vendimeve dhe procesverbaleve të mbledhjeve.
Vazhdimisht

15. Gjetje nga Auditimi: Në dosjet e praktikave të audituara është konstatuar se, në shumicën e rasteve, njësitë e qeverisjes vendore dhe autoritetet përgjegjëse kanë paraqitur pranë KSHR akt-ekspertiza të thelluara të kryera nga Instituti i Ndërtimit, në tejkalim të kompetencave të caktuara në VKM nr.26, datë 15.1.2020 “Për kryerjen e akt-ekspertizës së thelluar në ndërtesat e dëmtuara”, e cila i jep Institutit të Ndërtimit tagrin për të kryer aktinspektime dhe akt-vlerësime paraprake, si dhe oponencën teknike mbi akt-ekspertizat e thelluara. (Më hollësisht trajtuar në pikën 2 faqet nr. 74-75 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
15.1 Rekomandimi: Komisioni Shtetëror i Rindërtimit, të kërkojë nga Sekretariati Teknik që të gjitha praktikat që shoqërojnë vendim-marrjen të jenë të strukturuara dhe të miratuara sipas përgjegjësive institucionale, me qëllim që të sigurohet funksionim normal në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullator përkatës.
Vazhdimisht

16. Gjetje nga Auditimi: Nga auditimi rezultoi se janë pranuar, miratuar me Vendim të KSHR dhe dërguar për miratim 2 projekte, jo në respektim të procedurave të përcaktuara në VKM për përfitimin nga grantet e rindërtimit, si më poshtë:
– Me Vendimin nr. 29, datë 15.06.2020, KSHR i ka propozuar Këshillit të Ministrave miratimin e fondit prej 151,539,896 lekë pa TVSH, për rindërtimin e Urës së Tapizës, bazuar në preventivin e dërguar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por pa një Aktekspertizë të thelluar, sipas përcaktimit në VKM nr. 25, datë 15.01.2020, cilësuar se dëmtimet janë edhe për shkak edhe të amortizimit të tij të mëparshëm”;
– Me Vendimin nr. 67, datë 01.12.2020, KSHR i ka propozuar Këshillit të Ministrave miratimin e fondit prej 275,000,000 lekë, për rindërtimin e QSHAMT, ndërtesë e cila me anë të shkresave përcaktohet se ndërtesa ishte tepër e amortizuar, pasi është përdorur prej vitesh, si dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti e kanë shkatërruar plotësisht, duke kërkuar mbështetjen financiare në shumën 2.2 milionë euro, si dhe pa një projekt preventiv punimesh, për të justifikuar vlerën e kërkuar të financimit nga ana e MB.
Në këtë mënyrë është vepruar në kundërshtim me VKM nr. 25, datë 15.01.2020 “Për kryerjen e akt-ekspertizës së thelluar në ndërtesat e dëmtuara”. (Më hollësisht trajtuar në pikën 2 faqet nr. 78-79 të Raportit Përfundimtar të Auditimit)
16.1 Rekomandimi: Komisioni Shtetëror i Rindërtimit të shqyrtojë, të analizojë dhe të marrë vendime në lidhje me miratimin e fondeve vetëm për projekte që janë pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, me qëllim sigurimin e rimëkëmbjes ekonomike sa më të shpejtë dhe efektive, në respektim dhe të kritereve ligjore, nënligjore dhe rregullative përkatëse.
Vazhdimisht