Takimet me anëtarësinë, ku do të jetë ndalesa e rradhës së Berishës/ Strategjia që do të ndiqet

Ish-Kryeministri Sali Berisha nisi dje në Tiranë turin e takimeve me anëtarët e Partisë Demokratike, pas vendimit të kreut demokrat Lulzim Basha për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.

Berisha i nisi takimet me demokratë të Tiranës, më konkretisht të 3 prej degëve të kryeqytetit, edhe pse në këtë takim morën pjesë edhe anëtarë të PD nga degët e rretheve.

Ish-Kryeministri mes entuziazmit të të pranishmëve kërkoi ndjesë që kishte mbështetur Bashën si Kryetar të PD, të cilin pas minuta më pas e cilësoi si një ish-Kryetar.

Basha në anën tjetër iu përgjigj Berishës sot duke vlerësuar figurën e tij, por duke vënë theksin në atë që partneriteti me SHBA do të mbetet i pacënueshëm dhe nuk do të ketë kthim pas.

Por si do të vijojë turi i takimeve të ish-Kryeministrit pas takimit të parë të zhvilluar në Tiranë?

Nga burime të afërta me ekipin që është angazhuar ndalesa e rradhës e Berishës do të jetë Fieri, qarku i dytë më i madh në vend pas Tiranës.

Mësohet se turi i takimeve me anëtarësinë do të jetë në degët kryeqendrat e Qarqeve, ndërsa demokratët e degëve që përfshin qarku do të ftohen të marrin pjesë në to.

Raportohet se do të ketë një miksim takimesh, ku pas një dege, do të ketë një rikthim të takimeve në Tiranë, atje ku strukturat e demokratëve janë të organizuar në 16 degë.

LEXO EDHE  Humbi jetën nga Covid-19, mblidhen paratë për të sjellë trupin e 28-vjeçarit në Shqipëri

Por cila do të jetë formula që ish-Kryeministri do të përdorë për të bërë të mundur që anëtarësia e PD-së të shprehet me votë lidhur me vendimin e Lulzim Bashës?

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, në një reagim të tij, u shpreh se statuti i PD nuk parashikon referendume, ndërsa ka kujtuar se referendumet janë një praktikë e Partisë Socialiste.

Por duket se ajo çka po synon Berisha nuk ka lidhje me referendumin, por me thirrjen e një Kuvendi Kombëtar të Jashtëzakonshëm, i cili mund të mblidhet nëse 15 % e anëtarëve me të drejtë vote, do të firmosin pro mbajtjes së Kuvendit.

Kërkesa depozitohet në Këshillin Kombëtar, i cili mund të mblidhet nga 1/3 e anëtarëve dhe është ky forum që vendos mbi mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të jashtëzakonshëm.

Praktikat në PD kanë treguar se një Kuvend i tillë çon në shkarkimin e Kryetarit, sikundër ndodhi në 5 mars 1995, ku u shkarkua nga posti i kreut të PD, Eduart Selami.

Dy dite më pas nga 1995, dhe pas largimit nga posti i Presidentit, Sali Berisha mori drejtimin e partisë, duke zëvendësuar Tritan Shehun, i cili deri në atë kohë ishte kryetar i Partisë Demokratike.