Shpërdorim detyre/ Prokuroria kërkoi burg, gjykata “toleron” kreun e IMT Tiranë, Mariglen Qato

Nga Boldnews.al

Kryeinspektori Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës dhe dy vartës të tij janë shoqëruar pasditen e së Enjtes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për t’u njohur me vendimin e gjykatës “detyrim për paraqitje”, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke lejuar me dashje ndërtimin e një kati shtesë mbi një pallat.

Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimet për zyrtarin e rëndësishëm të Erion Veliajt në Korrik 2020, iu drejtua gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për drejtuesin e Inspektoratit Ndërtimor Vendor të Tiranës, Mariglen Qaton, si edhe dy inspektorët Adrian Çaushaj e Leandro Lamani.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, zyrtarët e Bashkisë së Tiranës janë treguar pasivë dhe nuk kanë vepruar për shumë kohë mbi ndërtimin e paligjshëm të kryer nga vëllezërit Klevis dhe Eugert Bregu, megjithëse kanë pasur të gjithë informacionin nga verifikimet në terren të Policisë së Shtetit.

Pavarësisht se fakti penal ishte i provuar dhe, megjithëse gjykata arriti të krijojë bindjen se dyshimet e Prokurorisë ishin të drejta dhe të mbështetura në dokumenta, sërish gjykata vendosi të tregohej tolerante me të gjithë personat.

Krahas masave “detyrim paraqitje” për zyrtarët, gjyqtari Albert Meça caktoi “arrest në shtëpi” për Klevis Bregu dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit” për vëllain tjetër, Eugert Bregu, të dyshuar për “ndërtim pa leje”.

“Boldnews.al” ka mësuar se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin, pas një referimi të Policisë Gjyqësore, e cila kishte konstatuar punime mbi tarracën e një pallati 5-katësh në kompleksin “Ndërtim Vila”, në rrugën “Haxhi Kika”.

Pasi janë kryer verifikimet, është evidentuar se sipërmarrësit e ndërtimit, Klevis dhe Eugert Bregu, po kryenin punime ndërtimore, ndërkohë që ishin pajisur me “deklaratë paraprake”, e cila jepet vetëm për meremetime të thjeshta.

Në 31 Korrik 2020, Policia njoftoi Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës për konstatimin e punimeve ndërtimore pa leje në tarracën e pallatit në fjalë.

Tre ditë më pas, Policia evidenton sërish se punimet po vijonin, ndërkohë që nga kryeinspektori ndërtimor, Mariglen Qato dhe inspektorët e zonës, Çaushaj dhe Lamani nuk ishte marrë asnjë masë, pavarësisht njoftimit.

LEXO EDHE  Kjo valë e nxehtit në Greqi nuk është parë që nga viti 1987

Në 10 Gusht 2020, Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës njofton Komisariatin e Policisë nr.2 se kishin kryer verifikimet për punimet e vëllezërve Bregu dhe kishin konstatuar tejkalim të lejes.

Për këtë arsye, ishte marrë vendimi për pezullimin e punimeve dhe gjobitjen e sipërmarrësit, Eugert Bregu.

Në vijim të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Tiranës, si edhe për të kuptuar gjendjen e ndërtimit pas marrjes së masave të mësipërme, në datë 25 Shkurt 2021 është bërë kqyrja e objektit, në prani të Policisë Gjyqësore dhe inspektorëve ndërtimorë të Bashkisë së Tiranës.

Nga kqyrja rezultoi se punimet në katin shtesë jo vetëm që nuk ishin ndaluar, por, përkundrazi, aty tashmë kishte përfunduar ndërtimi, përfshirë muret e jashtme, muret ndarëse të apartamentit, dhomat e gjumit, tualetet, e të tjerë.

Pra, ndërtimi pa leje kishte marrë fizionominë e plotë të katit shtesë, ndërkohë që sipërmarrësit kishin aplikuar edhe pranë zyrës së ALUIZNI-t për ta legalizuar objektin.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, kryeinspektori ndërtimor i Bashkisë së kryeqytetit, Mariglen Qato dhe inspektorët Leandro Lamani e Adrian Çaushaj, jo vetëm që nuk kanë përmbushur misionin e ngarkuar me ligj për mbrojtjen e territorit dhe mjedisit nga ndërtimi i kundërligjshëm, por, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me ligjin, kanë lejuar ndërtimin e kundërligjshëm.

Për këtë arsye, prokuroria kërkoi ndaj tyre caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

E njëjta masë u kërkua edhe për Klevis e Eugert Bregu, të dyshuar për “Ndërtim të paligjshëm”.

Megjithatë, gjykata e Tiranës u tregua shumë tolerante, duke mos e rënduar vartësin e rëndësishëm të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Për 4 nga 5 të dyshuarit, gjyqtari caktoi “detyrim për paraqitje”, ndërsa për njërin, “arrest në shtëpi”, masa shumë herë më të lehta se ajo që kërkoi prokuroria dhe që shkojnë në të kundërt që deklaron kryeministri Edi Rama, i cili, pas tetë vjetësh në pushtet, tashmë kërcënon me arrestime qytetarët që ndërtojnë pa leje.