Dronët që na “vëzhgojnë” dhe komanda në duart e Ramës

Nga Boldnews.al

Do punosh arën dhe ke ndërmend t’ia “fusësh shtetit”? As mos e ço në mendje, kur të jesh në arë me bishtin e kazmës në duar, një dron do fluturojë mbi kokën tënde. Do të numërojë edhe sa dhëmbë ke në gojë, jo më sa tokë ke punuar, sepse ky është shtet i fuqishëm dhe pushtet i fortë që e kap “lepurin” me dron…

“Me dronët superinteligjentë do të mundemi të kemi informacion të plotë për sipërfaqen e tokës së punuar në Shqipëri dhe të kemi fotografi ajrore të detajuara deri në centimetrat e fundit që të na tregojë jo vetëm sa sipërfaqe të punuara kemi sot, por edhe çfarë kulturash kemi në çdo metër katror”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama, duke ia bërë të qartë fermerëve se do të monitorehen nga ajri dhe më pas do të subvencionohen për naftën…

Po ne kemi një bujqësi të çorientuar, të copëzuar dhe mbi të gjitha fermerët nuk janë pajisur me certifikatat e pronësisë. Edhe nëse dronomania e Ramës do të funksionojë, që në fakt duket se është një shashkë verore për të tallur fshatarët që mundohen të sigurojnë mbijetesë me atë pak ngastër toke, problem është në tjetër vend.

Banorët e zonave rurale ankohen për farërat jashtë standarti, për plehrat kimikë dhe pesticidet të cilave u mungon cilësia, madje shpesh janë të rrezikshme edhe për shëndetin e konsumatorëve. Fshatarët sot kanë nevojë që tu shkojë uji vaditës në arë, por ai ujë në shumë zona nuk vjen kurrë, pasi nuk pastrohen kanalet dhe nuk investohet.

LEXO EDHE  U kapën në fermën e kanabisit, arrestohen dy shqiptarë! Emrat

Me sytë nga qielli për ndonjë pikë shi, fshatarët do të shohin “dronin e Ramës” që i monitoron dhe ua numëron edhe “fijet e barit”. Pra në këtë mënyrë dronët mund të “vezhgojnë” edhe arat me kanabis, pasi edhe ai quhet “kultivim”. Ndoshta për këto raste mund të ketë edhe “subvencionim” nga shteti, pasi dronët e Rilindjes po na bëjnë ndër shtet me “teknologjinë” më të lartë.

Për herë të parë konceptet “dron” i futi ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që shfaqi edhe një “film” me metrazh të gjatë duke bërë prova me dronë që shërbejnë për filmime dasmash. I cilësoi si “superinteligjentë” dhe nëpërmjet tyre do të zbulohej krimi në rrugë, do të ndiqeshin shkelësit e ligjit dhe sigurisht që do të zbuloheshin edhe parcela me kanabis. Po çfarë ndodhi?

Kanabisi në vitet 2015-2017 i zuri frymën vendit dhe Evropës, veçanërisht Italisë dhe Greqisë, që u detyrua të nxirrte edhe ushtrinë për ti vënë disi fre furisë së kanabisit që gjalloi në epokën e “Rilindjes së Ramës”. Tashmë Tahiri është në pritje të gjykimit për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Po dronët ku shkuan? Ata janë ende aktiv, por vetëm për propagandën qeveritare! Gjithsesi fshatarët të kenë kujdes! Rama po ju vëzhgon me dron…!