Pse 5000 familje nuk i shtruan të afërmit me COVID, në spitalet ‘e rilindur’?!

Nga Erion Dasho

Sot nuk ka asnjë dyshim se përgjigja shqiptare ndaj COVID-it ka dështuar në çdo aspekt. 10 mijë e dyqind vdekjet shtesë të konfirmuara nga sistemi i gjendjes civile janë argument i pakundërshtueshëm i masakrës që ka ndodhur me shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë. Por, epidemia tregoi edhe diçka tjetër. Ajo i tregoi shoqërisë se sistemi shëndetësor shqiptar tashmë ka hyrë në komë të thellë dhe kërkon përpjekje, vëmendje dhe investime serioze për t’u rivendosur në shinat e rimëkëmbjes.

Shëndeti publik duhej të ishte pararoja e përgjigjes ndaj virusit, por fatkeqësisht u kthye në një institucion që i mbante ison deklaratave të papërgjegjshme të ministrisë dhe kryeministrit. Vetëm në muajin mars 2021 një nga epidemiologët e ISHP-së “gjeti rrugën” për në komitet, ndërkohë që gjatë gjithë pandemisë munguan edhe statisticienët, virologët, imunologët dhe specialistët e vaksinimit të cilët dikur i kanë dhënë prestigj deri ndërkombëtar këtij institucioni.

Mjeku i familjes hyri në lojë shumë vonë, i pambrojtur me maska dhe pajisje të tjera mbrojtëse, i patrajnuar, i papajisur me protokolle dhe i paorientuar. Sot ai nuk luan rolin që i takon as edhe në fushatën e vaksinimit. Pandemia tregoi se qendrat shëndetësore thjesht janë bojatisur, por atyre i mungon teknologjia (çdo qendër duhet të kishte të paktën 15-20 puls oksimetër), sistemet e telemedicinës dhe organizimi për të luajtur rol në menaxhimin e epidemisë.

Spitalet ishin thembra e Akilit të gjithë sistemit. Spitalet bashkiake nuk u përmendën asnjë herë të vetme (ndonëse kanë disa mijëra shtretër), kurse spitalet rajonale u mbajtën kryeneçësisht jashtë loje nga ministria.

Spitalet COVID u kthyen në qendra tmerri ku shumë pacientë tentuan vetëvrasjen dhe disa prej tyre edhe e realizuan atë. Biseda me një mik të afërm i cili kaloi disa ditë në spitalet COVID më ka bindur se në këto institucione janë konsumuar jo neglizhenca mjeksore, por krime të mirëfillta të cilat kërkojnë një hetim serioz nga organet ligjzbatuese.

Qytetarët shqiptarë në masë ju larguan sistemit shëndetësor. Sot raportohen 2,300 vdekje të ndodhura në spitale dhe duke qenë se mbi gjysma e tyre janë fshehur, në spitale mund të kenë vdekur rreth 5,000 qytetarë nga COVID. Duke qenë se numri total i vdekjeve nga COVID është mbi 10,000 pyetja logjike që lind është:

Përse 5,000 familje zgjodhën t’i mbajnë në shtëpi të afërmit e tyre, aty ku humbën dhe jetën dhe jo t’i shtronin në spitalet e “rilindur’

Përfundimi logjik i kësaj analize të shkurtër është se sistemi shëndetësor shqiptar tashmë mund të quhet i dështuar në çdo qelizë të tij dhe kërkon urgjentisht një plan rimëkëmbje.
Pika e nisjes duhet të jetë një vizion i qartë, të paktën 10 vjeçar dhe një plan zbatimi realist dhe i kostuar. Koha e strategjive dhe premtimeve në erë ka ikur.

Më pas duhet punuar paralelisht për të forcuar shtyllat bazë të sistemit shëndetësor: drejtimi, financimi (duke krijuar përveç buxhetit aktual edhe një fond special invetimesh të dedikuar për infrastrukturën dhe pajisjet mjeksore), teknologjinë mjeksore dhe atë të informacionit dhe, më e rëndësishmja, burimet njerëzore (ku duhet menduar jo thjesht për pagën, por për një plan strategjik zhvillimor që nis me universitetet mjeksore dhe përfundon me edukimin në vazhdim dhe kërkimin shkencor).

Së fundi, të gjithë këtro transformime duhet të nisin nga autonomia e plotë spitalore dhe shndërrimi i mjekëve të familjes në profesionistë të lirë privatë. Autonomia do të garantojë zhvillimin e sektorit shëndetësor publik në harmoni të plotë me sektorin privat. Ky është koncepti diametralisht i kundërt me koncesionet dhe PPP-të që pamë gjatë tetë viteve të rilindjes.

Koncesionet (një pjesë e të cilave të akuzuara tashmë si korruptive) atrofizuan burimet e sektorit publik dhe “dembelosën” sektorin privat, ndërsa autonomia vendos në pozita të barabarta këto dy sektorë të rëndësishëm dhe u krijon atyre kushtet për të konkurruar në mënyrë të ndershme duke rritur efektivitetin, eficiencën, cilësinë e shërbimit dhe qasjen e pacientit.

Rilindja shkatërroi gjithçka kishte ngelur nga sistemi shëndetësor shqiptar dhe trashëgimia që ajo krijoi në shëndetësi ishte ajo e paaftësisë totale, injorancës, korrupsionit, abuzimit dhe tharrjes së burimeve shëndetësore dhe financiare.

E vetmja gjë që rilindja di të bëjë është lyerja e mureve dhe mbjellja e barit në kopshtet e spitaleve, por këto nuk mjaftojnë për të kompensuar mungesat në burime financare, teknologjinë primitive dhe mungesat katastrofike në mjekë e specialistë.

Pas 25 prillit shqiptarët presin një sistem shëndetësor të zhvilluar sipas ideve të qarta strategjike dhe të jetësuar nëpërmjet planeve realiste të zbatimit. Të shpresojmë!