Nga Boldnews.al
Sot zyrtarisht në Shqipëri u çel fushata për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa vendi ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, por edhe shëndetësore, për shkak të pandemisë.
Këto janë dy elementët kryesorë që do të detyronin një qeveri që të jepte dorëheqjen dhe jo më të pretendonte një tjetër mandat për të qeverisur. Përtej krizës politike, partisë-shtet, kapjes së çdo mekanizmi jetik për demokracinë, 25 prilli do i klasifikojë shqiptarët si njerëz të nënshtruar apo si rebelë, që s´mund të mbajnë në kurriz peshat e tepërta.
Edi Rama hyn në fushatën e 25 prillit me mantelin e një Kryeministri që ka dështuar, jo thjesht në mosmbajtje premtimesh, por në jetë njerëzore të humbura.
Pandemia e Covid-19 rrëzoi fasadën e ngritur me kujdes nga propaganda qeveritare për shëndetësinë falas që jo vetëm iu premtua shqiptarëve në marrjen e mandatit të parë, por edhe u trumpetua si një sukses.
Rezultati i propogandës sot është i dhimbshëm, mijëra qytetarë, minimalisht 3 herë më shumë se shifrat zyrtare të deklaruara nga Ministria e Shëndetësisë, humbën jetën. Dhe më e tmerrshme është fakti se shumë prej tyre preferuan të vdesin në banesat e tyre, se sa të shkonin në spitale, atje ku fatkeqësisht asnjë prej pacientëve që kanë hyrë në intubim nuk ka shpëtuar.
Kjo është e vërteta e parë, për të cilën një Kryeministër normal duhet të jepte shpjegime, aq më tepër kur nga 10 marsi i 2020 e shpalli veten gjeneralin e luftës me armikun e padukshëm Covid.
Në fakt ai vijoi propogandën dhe show, madje shkoi pak më larg, duke përdorur pandeminë jo thjesht për bërjen e disa tenderave që sot e kësaj dite po trajtohen si patate e nxehtë nga SPAK, por edhe për kapital politik.
Nxitoi të vendosë në listën e kandidatëve një prej drejtuesve të Infektivit, të cilës propaganda i krijoi imazhin e një mjekeje që nuk po takonte dot familjen e saj, për shkak se ndodhej atje, në vijën e parë të zjarrit. Kjo mund të jetë plotësisht e vërtetë, por pyetja që sot Najada Çomo si kandidate për deputete duhet të përballet është: sa pacientë kanë humbur jetën, sa nga ata fatkeqët që përfunduan në intubim shpëtuan dhe sa të tjerë u lanë në kushte mizerabël, ndërsa familjarët mashtroheshin?
E njëjta situatë u krijua edhe në rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, kur sërisht propaganda u investua të krijonte imazhet e specialistëve të pavarur, që shfaqeshin kudo dhe jepnin mesazhe. U investua për të krijuar figurat e dashura për publikun, njerëzit e urtë, ata që kurrë nuk kishin folur për batërdinë e ndërtimeve pa kriter, ndërsa befas nisën të japin mesazhe shprese dhe qetësie.
Si për pandeminë ashtu edhe për tërmetin, mes shumë imazheve të krijuara u përzgjodhën vetëm dy, që sot renditen në krye të listave për deputetë në qarkun e Tiranës. Dy zonja ose shoqe, për të cilat u investua jo pak mediatikisht, sot po përdoren politikisht si fasadë, mbi atë fasadën që u investua 8 vite nga Rilindja.
Të dy tragjeditë në aspektin e jetëve të humbura, tërmetin dhe pandeminë, Rama po i përdor si asat nën mëngë për mandatin e 3-të, të cilin e shikon si një trofe që askush në 30 vitet e pluralizmit shqiptar nuk e ka fituar. Rindërtimin dhe vaksinimin nuk i ka si projekte për të rikthyer në banesa qytetarët e mbetur pa shtëpi apo për të shpëtuar jetë njerëzore, por si grepat e fundit që i kanë mbetur për të kapur çfarë ende se ka kapur.
Në të dy rastet bën show, makineria e propogandës nuk ndalet, ndërsa lideri shfaqet herë duke dhënë çelësa shtëpish dhe herë duke udhëtuar drejt Stambollit. Me kujdes arroganti që s´duron dot edhe pyetjet gjatë konferencave për shtyp, shfaqet si lypës, me shpresën se do gënjejë sërisht ata që i mashtroi për 8 vite.
Lypësi i sotëm i vaksinave, sikundër vetëquhet, është ai arroganti i djeshëm, që për një faturë energjie të papaguar të çonte në burg, që të shembte banesën dhe të sulmonte me gaz, që zgërdhihej në Parlament si lac lagjeje, që përdorte banditë për të vjedhur vota apo që vartësit e tij të kërcënojnë me një vend pune nëse nuk i bindesh.
Ky lypësi i sotëm është ai që kanabizoi vendin, që frymëzon atë dhunën policore po të kapi në rrugë përtej orarit të qarkullimit, që ju vjedh ditët e jetës dhe çdo orë të ditës dhe ndjehet i kënaqur kur ju sheh të nënshtruar.
Ai është frymëyuesi i një sekti që e shpopulloi këtë vend, ndërsa propaganda injektoi dalëngadalë idenë se kudo ka njerëz që ikin për një jetë më të mirë. E nisi me shprehjen punë ka, por s´ka profesionistë, dhe po e mbyll me tezën që ata 400 mijë shqiptarë që ikën nga sytë këmbët, mund t´i zëvendësojë ndoshta edhe me 400 mijë e mos më shumë afrikanë.
Lypësi i sotëm është ai që mban në këmbë të gjithë armatën e atyre që shkelin me këmbë atë qytetarin, por shoqërojnë me xhentilesë Kumbarët, që ju mbyllin bizneset dhe nuk ju paguajnë, që ju marrin pronat dhe nuk ju dëmshpërblejnë, që ju shesin projektet 3 apo 4 D dhe me paratë tuaja mbushin xhepat e oligarkisë, që ju përgjojnë e gjurmojnë, që ju marrin gjithçka që keni dhe në fund ju detyrojnë që të ndjeheni edhe të lumtur e të gëzuar.
Kjo është fasada që ka ngritur Edi Rama, që karrierën politike e nisi pikërisht me fasadat kur ishte ministër Kulture, e vazhdoi po me fasadat si Kryebashkiak i Tiranës dhe sot ka kaluar në një stad tjetër: atë të krijimit të fasadave njerëzore.