Spitalet elektorale të Boratit

Nga Erion Dasho

Sot Borati njoftoi hapjen e gropës për ndërtimin e spitalit të Laçit. Ndërkohë në Levan vazhdon puna për ndërtimin e spitalit të dhuruar bujarisht nga qeveria turke.

Së pari, duhet përshëndetur fakti që po “çelen themelet” e dy spitaleve të rinj publikë. Deri tani, maksimumi që ishte bërë ishte rinovimi i strukturave spitalore të trashëguara nga komunizmi, procese që kanë ngjasuar me vendosjen e makiazhit në një fytyrë të rrudhosur dhe kanë patur rezultate zhgënjyese. Pasoja është infrastruktura e rrënuar që ka sot sistemi shëndetësor shqiptar.

Sidoqoftë, për shkak se këto dy projekte të rëndësishëm po përdoren si një kartë elektorale nga pushteti aktual, kanë edhe difekte të mëdha në konceptim dhe zbatim.

***

Spitali i Levanit do të kushtojë rreth 70 milionë EURO dhe do të ketë 150 shtretër. Për nga pozicioni ai mund të ishte fare mirë spitali suprarajonal, fizibiliteti i të cilit ka filluar të diskutohet që në vitet 2007-2008 (të paktën në dijeninë time, por ndoshta edhe më parë).

Spitali i Levanit mund t’u shërbente tre qarqeve që priten aty – Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës duke bërë që spitalet rajonalë të këtyre qarqeve të kthehen gradualisht në struktura më të lehta që ofrojnë miksin e shërbimeve të një spitali komunitar.

Për të bërë të mundur realizimin e këtij skenari, sigurisht duhet shumë më tepër kohë dhe studime se pasdite çaji midis Ramës dhe Z. Erdogan dhe shëtitja tipike “boratase”, ku KM i rrethuar nga kamera dhe me pamje strategu tregonte vendin ku do të ngrihej spitali dhe sejmenët në modelin e sivëllezërve “kim-jong-unas” mbanin shënim xhevahiret që nxirrte mendja e Boratit.

Për pasojë, në vend që ndihma vëllazërore dhe bujare e Qeverisë Turke të përdoret në mënyrë vizionare për realizimin e një projekti me të vërtetë transformues, ajo po përdoret për ndërtimin e një spitali elektoral dhe që nuk dihet ende se çfarë funksionesh do të ketë dhe cilat shërbime do të ofrojë.

LEXO EDHE  ‘O zyshe je super p****, të kam ...’/ Skandal në shkollë, minorenët flasin me gjuhë vulgare para mësueses (Video)

***

Spitali i Laçit po rindërtohet në vendin e spitalit të dëmtuar nga tërmeti. Edhe në këtë rast, një qeveri vizionare duhej të kishte stopuar dhe të kishte hartuar një tjetër studim fizibiliteti.

Qarku i Lezhës, i Shkodrës dhe i Kukësit sërish mund të përfitojnë nga një strukturë spitalore suprarajonale, e përzgjedhur strategjikisht për të garantuar qasjen optimale të popullatës. Në vend të nxitimit për të hapur themele e prerë shirita elektoralë, duhej të ishte zhvilluar edhe këtu një process planifikimi strategjik me vizion të paktën 20 apo 25 vjeçar.

***

Borati dhe takëmi i tij do të përpiqen që në dy muajt e ardhshëm elektoralë të mbulojnë sadopak dështimin në menaxhimin e COVID-it dhe katastrofën njerëzore që i shkaktuan shqiptarëve me 6 mijë jetët e humbura gjatë vitit 2020 dhe qindra jetët e tjera që do të humbin fatkeqësisht në periudhën e mbetur të qeverisjes të Boratit.
Shpresa e vetme që këto projekte të mos mbeten fasada elektorale është që, pas 25 prillit, një forcë e përgjegjshme qeverisëse të ketë vullnetin politik për të ndaluar projektet gjysmake të Boratit, për të lejuar planifikimin strategjik dhe rivendosjen e tyre në kontekstin e një zhvillimi afatgjatë.

Ideja e hedhur nga opozita për një universitet të ri mjeksor, mund të jetësohet fare mirë në këto dy struktura suprarajonale për të patur jo një por dy universitete të rinj, aq të nevojshëm për të kompensuar disi shkretimin e burimeve njerëzore gjatë kasaphanës së rilindjes në shëndetësi.

Të presim dhe të shohim!