“Ethet” (jo-covidiane) të strategëve rilindës të shëndetësisë

Nga Erion Dasho

Në kampin e shëndetësisë rilindëse kanë hyrë “ethet”! Jo ethet e zakonshme që këto ditë po lidhen rëndom me COVID-in, të cilit me sa duket ja kanë lënë skenën të lirë edhe virozat e tjera! Janë “ethet” e përballimit me kaosin e shkatërrimin ekzemplar që kanë krijuar gjatë pushtetit të tyre abuziv absolutist!

Në tetë vjet pushtet, “strategët” rilindës të shëndetësisë dolën nga radhët e informaticienëve, kimistëve, muzikantëve, etj. të cilët, te frymëzuar nga mësimet e “shokut Borat”, thirrën “nën armë” edhe një garniturë mjekësh tip amfibë, të aftë për të mbijetuar në çdo qeverisje thjesht e vetëm duke u zvarritur.

Shqiptarët panë dhe provuan mbi kurrizin e tyre “shëndetësinë falas”, eksperimentin më monstruoz e shkatërrimtar që u solli aq shumë dhimbje, varfëri e vdekje, të dështuar në çdo element!

Përvoja e hidhur e menaxhimit të COVID-19, në spitalet dhe qendrat tona shëndetësore pa pajisje, pa medikamente, pa mjekë dhe, edhe pa mjetet mbrojtëse më minimale, është ilustrimi më i mirë i shkatërrimit rilindës të sistemit shëndetësor!

***

“Ethet” e sotme të “strategëve” rilindës lidhen me afrimin e zgjedhjeve, pasi dihet që në zgjedhje duhet edhe një program. Kjo për rilindësit do të thotë që çorbës së mykur t’i vendosin një emër të ri. Në 2013-ën i vendosën emrin “shëndetësi falas”! Sot, janë në mëdyshje midis termit “shëndetësi badjavah” apo “shëndetësi qyl”.

Në fakt, për rilindësit programet janë të tepërta, pa vlerë, janë humbje kohe. Dhe këtë e kanë provuar një herë kur i dorëzuan publikisht Rexhep Mejdanit dosjen bosh të “programit” në mbyllje të fushatës elektorale në 2009. Për kukullat rilindëse me shkollim informatike, kimi, muzikë, etj., programe janë fjalimet historike të Boratit të tyre në facebook, twitter, apo prerje shiritash lart e poshtë nëpër Shqipëri.

LEXO EDHE  Dhunë në familje, armë zjarri pa leje dhe fishekë, arrestohet 39-vjeçari në Kamëz (Emri)

Të gjejnë një mik që sjell një trastë me vaksina, të gjejnë një mik që ndërton një spital për 3 muaj, madje edhe që e menaxhon vetë atë! Ky është koncepti, programi e stili rilindës për të ndërtuar fasadën e sistemit shëndetësor!

E theksoj, fasada, pasi thelbi dihet që janë favoret për oligarkët, tenderët e fshehtë dhe pa garë, janë “shushunjat” që vjedhin, shkatërrojnë, varfërojnë shqiptarët dhe sistemin shëndetësor. Dhe në këtë fushë, “strategët” informaticienë, kimistë, e muzikantë, janë mjeshtra të vërtetë. Ndaj dhe janë në ato kolltukë.

Por ata janë të paaftë për të ndërtuar strategji dhe për të nxjerrë sistemin nga amullia dhe shkatërrimi! Sepse ata janë vetë autorët e shkatërrimit si pasojë e injorancës, paaftësisë organizative dhe, sidomos, për shkak të “programimit” që u kanë bërë ata që kanë mbi krye!

Çfarëdo emri t’i vënë çorbës së vjetër, ata do të dështojnë dhe nuk kanë asnjë shans me sistemin shëndetësor!
Dihet se qyli nuk të çon larg!

***
Në këto tetë vitet e fundit shqiptarët e kuptuan dhe provuan falsitetin, mashtrimin, shkatërrimin, dhembjen dhe poshtërimit që solli rilindja në sistemin shëndetësor.

Nga ana tjetër, qytetarët e këtij vendi shpresojnë që 25 prilli të jetë arenë ku përplasen programesët qeverisëse dhe jo propaganda.

Ndërsa rilindja e ka treguar se nuk është as e interesuar dhe as e aftë të diskutojë mbi baza programesh, opozita e ka mundësinë dhe detyrimin që të paraqesë një program thellësisht reformues drejt një sistemi shëndetësor cilësor, që u përgjigjet nevojave shëndetësore dhe dinjitoz për qytetarët e pacientët.

Modelet dhe përvojat e mira nuk mungojnë, por ato duhen njohur, duhen hartuar dhe aplikuar me profesionalizëm, kurajë e dëshirë.

Qytetarët janë në pritje…