Shqipëria nisi vaksinimin anti-covid me një numër limit prej 975 dozash, por procesi ka ngecur pezull pasi ato të premtuara me bujë për javën e tretë të janarit nuk kanë mbërritur. Kryeministri justifikohet: Kompania Pfizer ka probleme furnizimi. Manastirliu flet për ardhjen nga Covax në shkurt. Ndërkohë numri i të prekurve me Covid-19 po njeh rritje çdo ditë.
Vaksinimi anti-covid në vend nisi më 11 janar me një spektakël të dirigjuar nga kryeministri Edi Rama, i cili bëri dhe vetë vaksinën para kamerave. Por, 975 dozat e ardhura në Tiranë nga një donator që Rama e mbajti sekret, mbaruan dhe fushatës “Shqipëria buzëqesh” që nisi bashkë me to i ka ngrirë buzëqeshja në pritje të dozave të reja që ishin premtuar në javën e tretë të janarit.
Kur janarit i kanë mbetur dhe pak ditë furnizimi me vaksina për të arritur një fushatë të vërtetë vaksinimi në popullatë duket ende i largët. Premtimi u bë në datën 1 janar nga kryeministri i cili tha se kishte siguruar 500 mijë dozat e para nga Pfizer. “10 mijë e 750 dozat e para do të mbërrijnë në javën e tretë të janarit dhe të tjerat me radhë muaj pas muaji.
30 mijë e 250 doza të tjera do të mbërrijnë në Shqipëri në muajin shkurt dhe të tjerat me radhë muaj pas muaji në bazë të planit të vaksinimit”, deklaroi ai. Por, dje atij iu desh të pranonte se do të duhet të presim akoma për këtë vaksinë dhe për vonesë ai fajësoi kompaninë e prodhimit duke u shprehur se rrezikohet që të mos ketë doza në kohën e duhur. “Për ata që e kanë marrë dozën e parë patjetër që dozat janë aty. Ndaj është bërë dhe kalkulimi për të mos humbur.
Pfizer ka një problem me shumë vende për shpërndarjen e vaksinimit, ndoshta e keni ndjekur që Italia ka kërcënuar dhe me gjyq. Ne jemi në kontakt jo një herë, por 7 herë në ditë që ata të respektojnë kontratën. Por ne nuk jemi vetëm në dorë të Pfizer por jemi në negociata dhe me AstraZeneca, dhe ndonjë ditë mund të jap ndonjë lajm të mirë”, pranoi ai dje. Sërish Rama bëri premtimin se “në 2 javët e ardhshme do të ketë stabilitet dhe qartësi”.
Ndërkohë, Shqipëria po pret vaksina dhe nga programi COVAX, ku ka bërë parapagim, por akoma nuk ka një datë të saktë se kur do të vijnë. Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vaksinat e para kundër COVID-19 përmes mekanizmit COVAX, priten të vijnë në muajin shkurt.
“Kemi filluar vaksinimin me më shumë se 500 mjekë dhe infermierë të spitaleve COVID dhe vaksinimi do të vijojë, pasi ne kemi garantuar edhe vijimin e furnizimit me dozat e vaksinës nëpërmjet kontratës me Pfizer dhe gjithashtu edhe nëpërmjet COVAX, ku kemi parapaguar 4 milionë dollarë dhe që pritet që furnizimet e para të vijnë në shkurt”, – tha ajo.
Kur vaksina mbetet e vetmja armë kundër pandemisë për vendin tonë ka shumë paqartësi se kur do të nisë vaksinimi, ndërsa premtimet e autoriteteve kanë dhënë një siguri të rreme te njerëzit, duke ndikuar në rritjen e rasteve të infektimeve në muajin janar. Shifrat e fataliteteve po arrijnë në 1400 sipas statistikave zyrtare, ndërsa ekspertët besojnë se kjo shifër është shumë më e lartë. Në një analizë të Monitor që krahasonte numrin e vdekjeve ky vit ka shënuar 6 mijë vdekje më shumë, një shifër që i atribuohet pandemisë së Covid-19.
Rriten infektimet dhe fatalitetet
Java e tretë e janarit ka shënuar një rritje të të infektuarve dhe të fataliteteve duke u krahasuar me muajin dhjetor që ishte më tragjiku që nga nisja e pandemisë. Mes atyre që humbën jetën ka dhe raste të moshave të reja. Sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, numri i të prekurve arriti në 4830 raste, ose 20.4 për qind më shumë se një javë më parë. Ky është niveli më i lartë që pas javës së dytë të dhjetorit, momenti i cili shënoi kulmin e goditjes së pandemisë.
Mesatarja ditore e rasteve ishte 690 të prekur. Në javën e fundit, rritja e numrit të të infektuarve ishte në përpjesëtim të zhdrejtë me testimet, të cilat shënuan një rënie të lehtë, me -4.4 për qind, duke zbritur në kuotën e 21.185 tamponë, me një mesatare pre 3.026 testimesh në ditë. Një tjetër tregues i përkeqësimit të situatës, është dhe pozitiviteti, i cili u ngjit në 22.7 për qind, nga 18.1 për qind që ishte në javën pararendëse. Pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Që nga marsi i vitit të shkuar, kur u regjistruan të prekurit e parë, në total janë 72.812 të prekur, ndërsa 27.197 janë ende raste aktive. Prej tyre më shumë se gjysma vetëm në kryeqytet, zona dhe me popullsinë më të madhe.
Shehu: Qeveria pa vaksina dhe pa plan vaksinimi
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i kërkon llogari kryeministrit Rama, që deklaroi se vaksinat vinin javën e dytë ose të tretë të janarit. Sipas Shehut, qytetarët kanë nevojë për informacion dhe jo për errësirë. “Janari po mbaron. Ku janë vaksinat Covid që na kishte thënë Rama se do të vinin javën e dytë ose të tretë? Ashtu siç u trumbetuan “premtimet” apo ardhja e atyre 480 vaksinave “kontrabandë”, ashtu dhe tashti duhet transparencë, përse nuk po arrin edhe kjo sasi minimale, që na ishte konfirmuar nga Rama për muajin janar. Ky është një rregull absolut në të gjithë botën e civilizuar e demokratike. Publikut duhet t’i bëhet i ditur i gjithë kalendari i vaksinimit, minimalisht deri në fund të vitit 2021. Ai që është aktualisht, ashtu si është deri tashti.
Së bashku me një “Program Vaksinimi” të plotë sipas një strategjie, qoftë dhe akoma të pambështetur plotësisht. Këtë kërkon dhe BE, këtë kërkoi dhe Ambasadori Soreca, që akuzoi Qeverinë tonë për mos përgatitjen e atij programi, gjë që bllokon BE tashti, por dhe COVAX më vonë të zhvillojë një mbështetje konkrete për ne”, shkruan Shehu. Më tej ai ngre dyshime edhe për një sasi vaksinash që shteti shqiptar nuk po arrin t’i marrë dhe pse janë të destinuara për ne.
“Po ato 15 mijë dozat e destinuara për Shqipërinë nga BE nëpërmjet Italisë e të ruajtura në Institutin Spallanzani, pse nuk po arrijnë? Lidhet kjo me këtë paaftësi e dështim të Qeverisë, pa dyshim e shoqëruar edhe me mos ndërtimin e infrastrukturës përkatëse të vaksinimit, pa të cilat askush nuk të ndihmon dot? Vetëm “Kontrabandistët” mund të sjellin diçka pa këto elemente, duke shkelur rregullat e “sigurisë medikamentoze” e “vigjilencës farmakologjike”, gjë që të dëmton më shumë në të gjitha planet”, thekson Shehu./MAPO