Probleme me pasurinë dhe figurën, ja çfarë e rrezikon karrierën e gjyqtares Klodiana Gjyzari

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Klodiana Gjyzari u përball të hënën më 25 janar me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në të tre kriteret e rivlerësimit.

Procesi i vetingut po kryhet nga trupa gjykuese e drejtuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Klodiana Gjyzari u pyet lidhur me një apartament që ajo zotëron në Vlorë, pasuri për të cilën ka deklaruar se e ka krijuar me të ardhurat që i kanë dhurur prindërit ish-bashkëshortit të saj, me të cilin tha se kishte zgjidhur martesë në vitin 2013.

Apartamenti është deklaruar i blerë në vitin 2006 kundrejt çmimit 3 milionë lekë. Për të provuar burimin, ajo ka dorëzuar një deklaratë noteriale të prindërve të ish-bashkëshortit, të cilët shpjegonin se deri në vitin 2003 kishin pasur ekonomi të përbashkët.

Ish-vjehrri dhe ish-vjehrra e subjektit të rivlerësimit kanë deklaruar se kur djali dhe familja e tij ishin larguar për të jetuar veçmas, i kishin dhënë shumën 3.5 milionë lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti në Berat në shumën 1 milion e 650 mijë lekë dhe nga të ardhurat prej aktivitetit tregtar.

Komisioni konstaton se prindërit e ish-bashkëshortit nuk kanë pasur burime për kursimin e vlerës 3.5 milionë lekë, që deklarojnë se i ka dhënë djalit të tyre.

Relatori Ilia pohoi se nga hetimi administrativ janë ngritur dyshime se Gjyzari e ka pëdorur këtë apartament që prej vitit 2004. Në seancë u ngritën gjithashtu dyshime se gjyqtarja Gjyzari ishte gjendur në kushtet e konfliktit të interesit me shoqërinë ndërtuese në momentin e porositjes së apartamentit.

“Ka shqyrtuar një proces gjyqësor në vitin 2003, ku palë ndërgjyqëse ka qenë edhe firma ndërtuese tek e cila ka porositur në vitin 2004 apartamentin e përfituar në vitin 2006, duke i dhënë të drejtë kësaj shoqërie,” tha relatori.

Sipas Ilias, duket se Gjyzari dhe ish-bashkëshorti i saj ishin trajtuar me çmim preferencial në blerjen e kësaj pasurie, pasi kishin paguar 3 milionë lekë, ndërkohë që sipas çmimit të tregut në atë periudhë vlerësohej që apartamenti të kushtonte 4.9 milionë lekë.

Gjyqtarja Klodiana Gjyzari tha në seancë se apartamenti ishte blerë në shumën 3 milionë lekë, që ishte pjesë e vlerës 3.5 milionë lekë që i kishin dhënë ish-bashkëshortit prindërit pas ndarjes nga bashkëjetesa, ashtu si kishin vepruar edhe me fëmijët e tjerë.

Ajo tha se kishte dorëzuar si provë për të vërtetuar të ardhurat e prindërve të ish-bashkëshortit dokumentacionin e pensionit të tyre.

Për të bindur Komisionin se prindërit e ish-bashkëshortit kishin krijuar të ardhura të mjaftueshme nga aktiviteti tregtar prej vitit 1993 e në vazhdim, prej nga kishin kursyer edhe vlerën 3.5 milionë lekë, ajo solli në vëmendje shpenzimet që ata kishin kryer deri në vitin 2001 për blerjen e disa pasurive.

Gjyzari shpjegoi se prindërit e ish-bashkëshortit kishin blerë në vitin 2000 një njësi shërbimi në qytetin e Durrësit, një apartament në Tiranë në vendin e quajtur “Pallatet Agimi” në vitin 2001 dhe po atë vit, një automjet tip furgon që sipas saj kishte pasur vlerë të konsiderueshme.

“Pasuritë e krijuara prej tyre deri në vitin 2001 janë disa herë më të mëdha se vlera që kanë dhënë. Babai i ish-bashkëshortit ka administruar një autoshkollë që prej vitit 2003 e në vazhdim. Gjithashtu, ka pasur një njësi shërbimi të ndarë në tre pjesë me aktivitete të ndryshme në qendër të qytetit të Beratit,” pohoi Gjyzari.

Ajo theksoi se nuk mund të kishte faj ajo apo prindërit e ish-bashkëshortit pse drejtoria rajonale e Tatimeve dhe bashkia nuk dispononin dokumentacion para vitit 2007.

Gjyzari kundërshtoi analizën financiare të KPK për konsiderimin e të ardhurave të ish-vjehrrit dhe ish-vjehrrës me pagë minimale.

“Duke qenë se kanë krijuar pasuri deri në vitin 2001, do të thotë se kanë pasur të ardhura që nuk janë përfshirë në analizën e KPK,” pretendoi ajo.

Ajo këmbënguli gjithashtu se nuk kishte qenë në konlikt interesi për blerjen e apartamentit. “Konflikt interesi është nëse ndodh në momentin e gjykimit të çështjes,” pretendoi Gjyzari dhe shtoi se kur kishte gjykuar çështjen në fjalë, nuk kishte pasur marrëdhënie me shoqërinë.

LEXO EDHE  Plagosja në zyrat e PD në Kavajë, flet nga arratia autori: Ja pse ndodhi ngjarja /VIDEO

Ajo kundërshtoi edhe konstatimin për trajtim preferencial, duke deklaruar se kishte dorëzuar kontrata me çmime ngjashme.

Gjyzari u pyet në seancë edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar Gerrit Sprenger lidhur me apartamentin e blerë në Vlorë në vitin 2006. Ai evidentoi se subjekti kishte deklaruar se kishte jetuar aty që prej vitit 2004, por ky konstatim u kundërshtua nga Gjyzari, e cila deklaroi se kishte nisur të banonte aty në vitin 2005 dhe se nuk kishte paguar qira, pasi e kishte shlyer çmimin e plotë.

Komisioni konstatoi trajtim preferencial të gjyqtares Gjyzari edhe në blerjen e një autovture tip “Golf” në maj të vitit 2016 për çmimin 100 mijë lekë. Ilia pohoi se Gjyzarit i është kaluar barra e provës edhe për mungesë të burimeve financiare për blerjen e kësaj makine, pasi nuk ka deklaruar ndryshimet e likujditeteve.

Gjyzari mohoi ta kishte blerë makinën me çmim preferencial dhe pretendoi se kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e saj.

Pamundësi financiare u evidentuan edhe për krijimin e dy depozitave, një në vitin 2015 në shumën 150 mijë lekë dhe tjetra në 2016-ën në vlerën 207 mijë lekë.

Si burim krijimi të këtyre depozitave, Gjyzari ka deklaruar detyrimin e pensionit ushqimor të dhënë prej ish-bashkëshortit dhe shuma të dhëna nga prindërit e tij në favor të fëmijëve. “Nuk ka provuar mundësinë financiare të ish-bashkëshortit për dhënien e vlerave të pretenduara,” pohoi Ilia.

Në seancë u evidentuan gjithashtu probleme në dokumentimin e pasurive të ish-bashkëshortit si dhe mungesën e burimeve financiare për krijimin e një depozite bankare.

Raport negativ për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacinit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar raport negativ për gjyqtaren Klodiana Gjyzari, duke ngritur dyshime për përfshirjen e saj në veprime korruptive, si dhe për ndikim të paligjshëm të saj në sistemin gjyqësor.

DSIK ka konkluduar se Gjyzari është e papërshtatshme për vazhdimin e detyrës dhe ka referuar çështjet gjyqësore ku dyshohet se ajo mund të jetë përfshirë në veprime të paligjshme.

Relatori Ilia tha se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vlerësuar çështjet gjyqësore të raportuara nga DSIK dhe do të vlerësohen edhe shpjegimet e subjektit.

Gjyqtarja Gjyzari e konsideroi abuziv dhe të pabazuar informacionin e raportuar nga DSIK. Ajo theksoi se DSIK duhej të jepte informacion nëse kishte pasur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Gjyzari solli në vëmendje se një prej çështjeve të referuara nga DSIK, i pandehuri ishte dënuar prej saj. Ajo e cilësoi të pabazuar edhe në një rast tjetër që sipas DSIK, kishte pasur marrëdhënie korruptive me kryetarin e gjykatës, pasi ai nuk kishte pranuar një kërkesë për përjashtimin e saj. Sipas subjektit, kërkesa për përjashtim i drejtohej trupit gjykues dhe nëse një palë shkonte tek kryetari i gjykatës për ta bërë një gjë të tillë, atëherë ankuesi konsumonte veprën penale të ndikimit të paligjshëm.

“Nuk është kërkuar asnjëherë përjashtimi. Raporti i DSIK është abuziv dhe i bazuar në thashetheme,”pretendoi Gjyzari.

Në seancë u evidentuan disa gjetje për aspektin profesional të gjyqtares Gjyzari. Sipas KPK, në një rast është konstauar se ajo ka interpretuar gabim ligjin dhe vendimi që ka dhënë është cënuar prej gjykatës më të lartë.

Ilia tha se ka raste kur Gjyzari nuk i ka kushtuar rëndësi arsyetimit në kohë të vendimeve, se nuk ka shënuar shpenzimet gjyqësore dhe të drejtën për ankim. Në disa raste është gjetur se subjekti ka çelur me vonesë seancat dhe nuk i ka trajtuar këto vonesa.

Ndaj gjyqtares Klodiana Gjyzari janë kryer 27 denoncime nga publiku, ku subjektit i janë kërkuar shpjegime për 12 çështje gjyqësore. Relatori Ilia nuk evidentoi në seancë gjetjet e KPK-së për këto çështje gjyqësore.

Gjyzari i kundërshtoi gjetjet e KPK për profesionalizmin, duke e cilësuar të pasaktë relacionin e inspektorit që kishte përgatitur raportin. Ajo pretendoi se deri në vitin 2018 nuk ka qenë detyrim i gjykatave të Apelit të pasqyronin shpenzimet gjyqësore në vendim dhe tha se e drejta e rekursit ishte kompetencë vetëm e Gjykatës së Lartë. Sipas subjektit, denoncimet kishin të bënin me mënyrën e interpretimit të provave.

Në përfundim të seancës dëgjimore, Gjyzari kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 1 shkurt, ora 09:30. /BIRN/