Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk po gjejnë dakordësi se ku do të pilotojnë projektin e votimit dhe numërimit elektronik.
Pas ftesës së KQZ-së, PD propozoi që pilotimi të bëhej në Qarkun e Fierit dhe në atë të Korçës. Sipas demokratëve, këto dy qarqe kanë shtrirje gjeografike dhe numër të mjaftueshëm votuesish për të krijuar një panoramë të qartë të projektit. Socialistët në fillim qenë dakord për Korçën, por vetëm në njësinë që përfshin Bashkia e Korçës dhe jo për të gjithë qarkun, ndërsa në fillim përjashtuan Fierin dhe propozuan Tiranën pjesërisht. Në një tjetër mbledhje, PS u tërhoq nga Qarku i Korçës dhe propozoi që projekti pilot të implementohet vetëm në kryeqytet.
Por, në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i teknologjisë në PD, njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së PD-së, Endri Hasa, u shpreh se Qarku i Tiranës është përjashtuar që në fillim nga vetë ligji zgjedhor, pasi ka më shumë se 20% të numrit total të votuesve.
“PD nuk e ka zgjedhur Tiranën edhe për një fakt të thjeshtë, sepse kryeqyteti ishte mbi 20%. Pra, nëse ka pasur një qark që u përjashtua nga pilotimi me Kod Zgjedhor ishte Qarku i Tiranës, aty ku në këtë moment PS kërkon të bëhet. Disa që janë kriteret ligjore kanë të bëjnë edhe me faktin që procesi duhet të jetë i plotë: duke filluar nga votimi, faza e prodhimit të rezultateve dhe fazat e tjera që vijojnë në KQZ. Pra, që të jetë një proces i plotë duhet të përmbushin disa kushte. Duhet një qark që mbi 10% që prodhonte mandate etj. Në këtë fazë nuk është se ka një divergjencë”, tha Hasa.
Teksa na ndajnë rreth 100 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit eksperti i PD-së shprehet se nëse edhe gjatë javës që vjen nuk arrihet konsensusi, atëherë pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik rrezikon të aplikohet. Hasa thotë se deri më tani nuk shikon vullnet politik te kundërshtarët politikë për të caktuar qarkun ku do ta implementojnë.
“Mendoj se konsensus patjetër që mund të gjendet, por duhet të ketë vullnet për këtë. Deri tani nuk e kam parë në terma praktikë këtë konsensus. Ajo që na është thënë, është se pilotimi është i vështirë dhe ka sfida, ndaj duhet bërë në një shkallë më të vogël. Çështja është se në pikëpamjen tonë ne duhet të kemi një pilot të plotë se ndryshe nuk mund të ketë një raport final se si ndodhi dhe si u zhvillua piloti që t’i mundësojë vendimmarrjen komisionit dhe palëve politike se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme, a mund të ndodh 100% ?! Nëse ne e pilotojmë teknologjinë në zgjedhje në Njësinë Nr. 10 në kryeqytet, në një zonë urbane dhe procesi shkon mirë, atëherë ne nuk e dimë se si do të jetë përgjigjja e njerëzve në zona rurale ndaj teknologjisë. Mendoj se ka ende kohë për një zgjidhje”, tha Hasa.
Ligji i zgjedhjeve parashikon plotësimin e disa kritereve në mënyrë që pilotimi të japë efektin e vet.
“Ajo që është e rëndësishme, është fakti që testi duhet të jetë i plotë. Duhet të jetë minimalisht në një nivel të një zone që prodhon mandate që ta kemi të plotë procesin. Ose nëse do ta kishim në disa zona të pjesshme, është një proces i pjesshëm dhe nuk është i përputhshëm me kërkesat e Kodit Zgjedhor. Pilotimi duhet të përfshijë të gjitha procedurat që e bëjnë atë të mundshëm.
Ndoshta i pjesshëm do të ishte vetëm votimi dhe jo prodhimi i rezultatit final. Nëse ne themi se kjo mund të bëhet vetëm në Tiranë, atëherë nuk po pilotojmë gjë, sepse sfidat në Tiranë janë më të pakta se në qarqet e tjera. Që të kemi një panoramë se çfarë ndodh me teknologjinë në zgjedhje, piloti duhet të jetë i plotë. Të ketë disa pjesë të caktuara që paraqesin të gjithë territorin e vendit”, vijoi anëtari i kryesisë së PD-së.
Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lajmëroi se kompania, e cila u ofrua për të mundësuar identifikimin elektronik të zgjedhësve para se të votojnë, u kualifikua dhe tani duhet të procedohet me lidhjen e kontratës.
I pyetur në lidhje me këtë proces, Hasa u shpreh edhe se faza e vlerësimit është vonuar, por megjithatë për të çështja qëndron te përmbushja e detyrimit nga ana e qeverisë për t’i dhënë paratë KQZ në mënyrë që të lidhet kontrata me kompaninë private.
“Për sasinë e punës që kanë pasur, procesi mund të bëhej sa më shpejt. Të paktën të mos ketë vonesa në faza të tjera. Nëse ky vlerësim është i suksesshëm, duhet të vijojmë me negocimin e kontratës dhe të procedojmë me miratimin e akteve. Sepse mos harrojmë që ka nevojë për një sërë aktesh të komisionit rregullator se si do të funksionojë teknologjia.
Ka shumë procedura dhe detaje të tjera që duhen parashikuar se si do të ndodhin për identifikimin elektronik të votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve. Këto do bëhen me implementuesin sepse kompania që do të përzgjidhet mund të ndihmojë në draftimin e këtyre akteve dhe do t’i përshtaten teknologjisë që do përdoret. Shpresoj që tashmë qeveria të garantojë fondet ashtu si ka premtuar. Sipas informacioneve, qeveria ka premtuar se do t’i garantojë, por derisa t’i shohim dhe procesi të vijojë më tej, nuk kemi ende garancinë”, tha Hasa.
Zgjedhjet e 25 prillit, si do votohet pa letër dhe do firmoset me gisht
Në zgjedhjet e këtij viti, Shqipëria do të aplikojë për herë të parë identifikimin biometrik në 100% të qendrave të votimit. Kjo nënkupton që çdo qytetar, para se të shkojë për të votuar, duhet të ketë me vete një mjet identifikimi.
Pasi paraqitet në qendrën e votimit, qytetari do të kalojë mjetin e identifikimit te pajisja. Kjo e fundit, pasi të procesojë të dhënat para komisionarëve, do të shfaqë një foto të zgjedhësit. Anëtarët e komisionit do të verifikojnë nëse fotoja e shfaqur në ekran përputhet me personin që ka kaluar mjetin e identifikimit. Nëse nuk ka probleme, atëherë komisionarët i japin komandë pajisjes që zgjedhësi të firmosë përmes shenjës së gishtit te fleta e votimit.
Më pas, pajisja printon fletën e votimit dhe qytetari shkon në dhomën e fshehtë dhe zgjedh subjektin që do të votojë dhe e hedh në kuti fletën e votimit. Ndërkohë, për qarqet ku do të aplikohet projekti pilot për votimin elektronik, komisionari, pasi i jep komandë pajisjes së identifikimit që qytetari të firmosë me gisht se ka votuar, i jep komandë edhe pajisjes tjetër që qytetari të votojë. Në ekranin e pajisjes në një dhomë të fshehtë do të shfaqet fleta e votimit dhe zgjedhësi do të prekë koalicionin ose subjektin politik që preferon të votojë. Pasi i jep komandës që të votojë, pajisja mbyllet dhe kërkon sërish aprovimin e komisionarëve për t’u hapur.
Kompania “Smartmatic International Holding B. V.” u konfirmua të premten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të bërë edhe identifikimin elektronik të zgjedhësve, në fushatën e 25 prillit 2021. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pas shqyrtimit të dokumentacionit, ofertës ekonomike dhe zgjidhjes teknike vendosi kualifikimin e ofertës së paraqitur nga kompania “Smartmatic International Holding B. V.”.