Politikë në kohërat e koronavirusit

Nga Ilir Kalemaj

Jetojmë në kohëra më tepër se interesante. Jetojmë në kohëra të trazuara. Ky vit shënon shumë sfida si në planin kombëtar edhe në atë ndërkombëtar.

Në planin e brendshëm nisja e vaksinimit masiv është imperativ për të mbrojtur shëndetin publik, për te frenuar efektet dërrmuese të kovidit, për të shpëtuar jetët e rrezikuara por dhe spitalet e tejmbushura që vuajnë ndër të tjera nga hemoragjia e mjekëve dhe infermierëve që po ikin me bietë një-drejtimëshe në Gjermani dhe gjetkë.

Gjithashtu kemi zgjedhjet e 25 prillit që sipas gjasave nuk do të nxjerrin fitues një mazhorancë solide të aftë për të mos shkuar në skenarët e kontestimit zgjedhor, të rikthejë institucionet në shinat e legjitimitetit, të garantojë qetësinë publike dhe të ri-fusë në shinat e rritjes së qëndrueshme ekonominë.

Situata e tejpolarizuar politike, bastet e forta të mbijetesës politike, fakti që qeveria e re nuk mund të konstituohet përpara shtatorit, çështjet kapicë në gjykatën kushtetuese që ende nuk funksionon me nëntë antarë, procesi i integrimit ku pritet që në mes-viti të merret dhe data për konferencën e parë ndër-qeveritare, e rëndësishme për të marrë vesh me përafërsi se kur do të çelen dhe negocitatat më në fund janë të gjitha jo vetëm data të rëndësishme por edhe etapa në konsolidimin demokratik dhe shtetit të së drejtës për pas tre dekadave udhëtim më të trazuar se ai i Odiseut për në Itakë, ende kemi ngelur në tentativë.

U rrit, u poq dhe po tretet gati një gjeneratë, një brez, në përpjekje për të kapur trenin e shanseve të humbura, ku politika shpesh i ka bërë çorbë gjërat në këtë yrt të shkretë të Ilirikut në vend që të gjente rrugëdalje për konfliket shoqërore, t’i sheshonte ato dhe të ndërtonte konsensuse të gjera për reformat e mëdha.

LEXO EDHE  Grabiti pacientin që vdiq tek Infektivi/ Shoqata e Infermierëve: Të nisin hetimet, në spitalet Covid i gjithë personeli me të ardhura të pajustifikuara

Por jetojmë në Shqipëri, ku thuajse çdo gjë kontestohet dhe ka pak mundësi për të ndryshuar mendësi. Qoftë dhe në radhët e politikanëve të karrierës. Në Shqipëri siç do perifrazonte Konica po t’ish mes nesh sot, të bësh liderin e fortë, të vënë shkopinj ndër rrota. Të bësh të butin, të hipin mbi kurriz. Të kërkosh disiplinën partiake, të akuzojnë për diktator, të provosh moderacionin e stofit europian, të quajnë të dobët. Të përpiqesh të bësh liderin normal në këtë cep të Europës Juglindore, në një shoqëri që është mësuar kryesisht me dy modele: atë të dorës së fortë dhe atë të shkërdhatokratit, të quajnë të dalë mendsh.

Konformizmi i tepërt dhe ndrydhja si një shoqëri e traumatizuar nga dhuna kolektivi e një regjimi të mirëfilltë totalitar, ka lënë pak apo aspak vend për mendim kritik, për intelektualë që guxojnë të kundërshtojnë pushtetin dhe jo që servilosen për favorin e radhës që vjen në formë leje ndërtimi, punësim të rethit të afërm familjar apo bakshisheve të tjera që ofron zengjini qeveritar. Një shoqëri pa memorie, pa disidencë, pa opozitarizëm dhe pa oponencë, pa mendim kritik dhe që nuk guxon të kundërshtojë, pa shpirt protestues dhe forcë ndërgjegje, është një shoqëri lehtësisht e manipulueshme nëpërmjet forcës së kërbaçit dhe karrotës nga sundimtari i radhës.