Humbi betejën me Covid-19/Kolegët dhe miqtë e Kujtim Prodanit: Na preve krahët

Këngëtari i mirënjohur Kujtim Prodani nuk e fitoi luftën me Covid-19, ku sot humbi jetën në moshën 57-vjeçare, pas shtrimit tek spitali Infektiv (Covid 1), pasi gjendja shëndetësore u përkeqësua ditët e fundit. Janë me qindra mesazhe nga kolegë, miq dhe dashamirës të muzikës që prodhoi Prodani, e jo vetëm që janë të tronditur nga kjo ikje. Prodani ishte kantautor i dhjetra këngëve të muzikës së lehtë shqiptare, dhe për vite me radhë ka qenë pjesë e skenave të festivaleve të shumta.

Këngëtarja Myfarete Laze, mes lotësh në një komunikim me ”News24”, u shpreh se nuk e besonte dot humbjen e tij, të cilin u shpreh se e njihte që fëmijë, kur bashkëpunonte me babain e tij. ”Nuk e imagjinoj dot me atë vullnet, me atë kurajo që kishte për jetën. E kam njohu që kur bashkëpunoja me babain e tij. Ishte tamam qytetar, artist edhe në shpirt. I besueshëm, vizionar, e kapte momentin. Jepte mesazhe për jetën. Nuk i pranonte antivlerat. Nuk ma mori mendja që do ndodhte kjo. I kam shkruajtur por s’mora përgjigje. Sot më dhëmbi shumë ky lajm”,-thotë Laze.

Për ndarjen e papritur nga jeta, ka reaguar edhe kantautori dhe miku i tij Gjergj Leka. I pikëlluar nga lajmi i trishtë, Leka shkruan në rrjetet sociale se vdekja e Prodanit i preu krahët. ”O Kujtim si kështu. E kishim lënë të iknin pas shtatëdhjetave, me mend në kokë e piano me vete. Na preve krahët”, shkruan Leka. Kantautori Elton Deda shprehet se e ka të vështirë të pranojë lajmin që Kujtim prodani nuk e fitoi betejën me Covid-19. ”Mos! Pse o vëllai jonë? Çfarë gëzimi kishin bisedat me ty, mirësia jote, zotnillëku jot, qytetari ideal, nuk e besoj dot. Nuk të them dot lamtumirë, por do të të pres për një birre kur të duash ti”, shkruan Deda.

LEXO EDHE  Ngjarje e rëndë/ Shqiptarja përdh*nohet nga dy burra në hotel, mjeku zbulon ...

Kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi, jep një mesazh prekës për ikjen e parakohshme nga jeta të kantautorit Kujtim Prodani, pasi humbi betejën me Covid-19. Saraçi shkruan se ky lajm i shkatërroi të gjithë këtë fillim viti, ndërsa shton se nuk gjen fjalë të shkruajë e duart i dridhen fort.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti i ka shprehur ngushëllime familjes për humbjen e madhe! Ajo shprehet se një lajm i tillë është shumë i trishtë dhe se e ka shumë të vështirë që të gjejë fjalët. “Nuk gjej fjalë të përshkruaj trishtimin që ndjej nga humbja e parakohshme e kantautorit Kujtim Prodani. Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë, jetës sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar Anita e Agim Prodani. Është shumë herët për t’u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve. U prehsh në paqe”, shkruan Margariti.