Shinat e ideologjisë si shpëtim për partitë

Nga Ilir Kalemaj

Duket se në këtë stinë të nxehtë politike që po kalojmë dhe me fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare që po troket, shterpësia ideologjike risjell në debatin publik të njëjtën skenë dezhavu-je që përsëritet në mënyrë ciklike së shumti çdo katër vjet. Në fakt duhet thënë që kemi bërë hapa pas, pasi kemi qenë në një krizë të pandërprerë institucionale, politike dhe ekonomike që duket se nuk ka çfarë t`i shtojë pak turbullirë për forcë zakoni. Por përtej konotacionit pezhorativ që mbart, vençarisht në kontekste si ky shqiptar, çfarë është ideologjia? Në fakt, karakteristikat kryesore të ideologjisë janë një përshkrim i marrëdhënies së pushtetit, një model për një të ardhme të dëshiruar dhe një plan-veprim sesi ndryshimi politik duhet të vijë.

Ideologjitë me fjalë të tjera, lidhin teorinë me praktikën politike. Shërbejnë që idetë e filozofisë politike të arrijnë të transmetohen politikisht te masa, te elektorati votues dhe të vihen në shërbim të komunitetit. Prodhojnë nënshtratin e retorikës publike, seleksionojnë çështje për t`u trajtuar, vendosin prioritete qeverisëse dhe plotësojnë vakuumin që shoqëron shpesh debatet e individualizuara ‘pa bukë’, të liderëve politikë antagonistë. Çdo ideologji e mirëfilltë është e ndërlidhur me një seri idesh dhe principesh bazë, të cilat janë njëherazi koherente dhe sistematike. Pa lidhjen kovalente me grupet e strukturuara të interesit nuk mund të ketë përfaqësim politik dhe për rrjedhojë as ideologji të mirëfilltë që gjen zbatim nëpërmjet politikave të artikuluara qartazi nga aktorët vendorë.

Shpesh është diskutuar dhe vazhdon të debatohet fakti nëse ideologjitë janë ezauruar nga koha ku jetojmë sot, nëse janë ose jo të nevojshme apo thjesht kanë ngelur si rudimente të së shkuarës. Këtu te ne, një nga devizat elektorale që është përdorur fjala vjen në të shkuarën, si për shembull ajo ‘përtej së majtës dhe së djathtës’ mori gati forma anektodike, për shkak të mungesës së informacionit se çfarë do të thoshte konkretisht në kontekstin shqiptar, ku tradicionalisht nuk kemi patur as të majtë, dhe as të djathtë, nëse i referohemi termave të njehsuar ideologjikë që funksionon në demokracitë liberale të botës ‘Western’ që përpiqemi dëshpërimisht të imitojmë. Nëse i referohemi një konteksti tjetër, ku sociologu i shquar Anthony Giddens, ai i cili së pari argumentoi se ideologjitë konvencionale të së majtës dhe të djathtës kanë dalë jashtë funksioni në një shoqëri të karakterizuar nga globalizmi, rënia e traditës dhe përhapja e refleksivitetit social, atëherë përfundimet janë të ndryshme.

Anglia e Tony Blairit që artikuloi së pari idetë e një qëndre politike me elementë të sinkronizuar të së majtës dhe së djathtës, apo Amerika e Bill Klintoni provuan të ishin modele të suksesshme zhvillimi, të cilat bashkuan pragmatizmin elektoral me politikat publike fleksibël, por edhe të ndihmuara nga kuadri i përgjithshëm makro-ekonomik që favorizoi shpesh edhe politika në thelb populiste. Barrën në fakt e mbajtën kryesisht pasuesit, por ky është një diskutim tjetër. Ama të heqësh paralele të thjeshta dhe të argumentosh që ne kemi ezauruar epokën ideologjike dhe duhet të ‘arrijmë botën’, pra të kthesh deviza populisto-demagogjike si zëvendësuese të artikulimeve të mirëfillta politike është jo vetëm një hap mbrapa. Është anakronizëm, për mos të thënë vet-vrasje në sensin politik të fjalës.

LEXO EDHE  Komisioni i Posaçëm/ Gjiknuri-Metës: Anti-kombëtare akuzat e ‘Dick Marty’, po flet si kryetar i opozitës

Shqiptarët, sikundër edhe popuj të tjerë (fjala bie rusët), për fat të keq nuk kanë patur të bëjnë me demokracinë e mirëfilltë, përplasjen e argumentave, pjesëmarrjen, artin e të debatuarit dhe arritjen e konsensusit në bazë të argumentit më të mirë. Aq më pak të kenë ndërtuar ndonjëherë shtet të së drejtës, me institucione të forta, të shëndosha dhe të pavarura. Akoma më pak të kenë ndërtuar sistem të pavarur dhe të balancuar të pushteteve sikundër në modelet e vendeve perëndimore, apo të kenë kultivuar një frymë civike, kulturë politike apo dialog të vazhdueshëm për zgjidhjen e ngërçeve të herëpashershme. Kjo për vetë faktin se siç e kam theksuar edhe gjetiu, kemi kaluar nga feudalizmi në sistem totalitar, të izoluar dhe ku skamja dhe frika kombinoheshin për të prodhuar një homogjenitet të frikshëm ideologjik, drejt një demo-anarkie rumpallë që vetëm lidhje me demokracinë dhe shtetin e së drejtës nuk ka.

Partitë, vençarisht ato kryesore që realisht kanë peshë elektorale, janë kthyer në parti gjuetare (catch-all parties), të cilat me anë të një mish-mashi ideo-polifonik synojnë të maksimizojnë bazën votuese dhe të risin peshën specifike. Nuk do shumë mend, që ato që shpesh identifikohen si shkaqe (të tilla si sistemi klientokratik, nepotik dhe korrupsioni masiv), janë në fakt simptoma, por diagnoza është tjetërkund. Nëse partitë nuk profilizohen ideologjikisht, nëse nuk ka debate ‘me bukë’ për parime, principe, vlera dhe norma që duhen përqafuar, nëse nuk ka debat të brendshëm brenda-partiak, përplasje opinionesh dhe kundërshtish përsa i përket politikave qeverisëse, nuk mund të ketë zhvillime pozitive. Nuk mund të ketë demokraci të projektuar së jashtmi pa patur fillimisht demokraci të brendshme. Nuk mund të ketë pavarësi institucionale pa patur liri për të shprehur pikëpamje që vijnë edhe ndesh me qëndrimet e liderëve politikë qeverisës. Dhe nuk mund të largohemi nga sindroma e adhurimit të njëshit, pa kaluar te debati mbi idetë. Dhe natyrisht nuk mund të qeveriset pa ide, principe dhe vlera që përfaqësojnë shumicën e elektoratit në një kohë të caktuar.

*Shkruar enkas për BoldNews.al