Koncensionet, Rama-Bashës: Ja pse nuk i ndaloj pagesat, boll i torolisim njerëzit me budallallëqe

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur thirrjeve të kreut demokrat, Lulzim Basha, mbi atë përse Qeveria nuk ndërpret investimet apo koncensionet. Rama tha se punët e nisura s’mund të ndalohen pasi kjo do të shkaktonte një kolaps ekonomik dhe nuk do kishte mundësi të paguante mjekët dhe infermierët.Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur Basha i ka kërkuar që paratë që derdhen në arkat e asaj që e konsideron si mafia e plehrave, të shkojnë për blerjen e testeve për Covid-19.

“Kush nuk ka punuar kurrë dhe kush është mësuar të flejë gjumë si miku im Luli, dhe ti gjej gjërat gati nga të tjerët kur hap sytë mes dy periudhave të gjumit, nuk e kupton dot që nëse ti ndalon punën, nëse ti ndalon investimet, nëse ndalon aktivitetin që jep po ende dhe prodhon të ardhura dhe çfarë parash ke i shpenzon të gjitha për sot për sot, nesër jo vetëm që vdesin rrugëve njerëzit, se s’ke më me çfarë paguan mjekët dhe infermiere, por familje të tëra të panumërta vdesin nga papunësia totale. Hiqe këtë, hiq atë dhe ti çojmë të tëra paratë për ato përrallat, me demek zgjidhjes”, thekson Rama.

Më tej kryeministri ka folur dhe për numrin e testimeve, duke thënë se infeksioni nuk mund të ndalet me shtimin e testimeve.

“Kur thotë ndalojmë infeksionin? Bëj testime më shumë thotë që të ndalosh infeksionin! Po mirë pse nuk e ndalon Franca infeksionin, që është vendi i parë sot për numrin e testimeve. Pse se ndaloi Gjermania?

Pse nuk e ndaloi askush infeksionin se i bënë më shumë apo më pak testime?! Dhe kush jemi ne, kush jam unë, kush është ai, kush janë politikanët që vendosin sa testime do behën?!

Kush janë, ne thjesht dhe vetëm kemi detyrimin t’ju përgjigjemi atyre që janë në krye të detyrës, që t’u bindemi, t’i dëgjojmë dhe të në tregojnë se çfarë duhet të bëjmë.

Dhe jo ti torolisim dhe ti ngatërrojmë me lloj-lloj budallallëqesh, duke nxjerr në skenë njerëz që s’kanë lidhje me këtë situatë të ngatërruar. Qeveria është e qartë dhe di se çfarë bën”, u shpreh ai.

Në vijim të batutave në drejtim të opozitës, Rama nuk nguroi t’i quante si ekip rezervë.

LEXO EDHE  Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Komisioni i Venecias ‘rrëzon’ Edi Ramën, ja opinioni që u dërgoi palëve

“Janë dy goditje njëra pas tjetrës që sot mund ta them me plot gojën që askush tjetër, marr parasysh se e dimë se kush janë aktorët dhe faktorët në dispozicion në stolin e rezervave e të politikës shqiptaret nuk do të kishte mundur ti rezistonte.

Ne po i rezistojmë me forcë, durim dhe sukses ditë pas dite.

Covidi mund ta kishte përmbysur gjithçka, mund të kishte detyruar Shqipërinë të futej në një gjendje thjesht mbijetese duke i lënë mënjanë të gjitha planet e të nesërme, madje duke harruar se ka të nesërme.

Në fakt dëgjojnë përdite, se kjo është ftesa që na bëhet nga ana e atyre që janë në stolin e rezervave dhe që duan të rikthehen në krye të punëve të vendit të cilët insistojnë me këmbënguljen e atij që nuk sheh përtej hundës së vet, nuk ka asnjë vizion për të nesërmen se ne duhet ti shpenzojmë të gjithë për të përditshmen duke shtyrë çdo ditë në emër të lloj lloj teorive dhe ekspertëve si ai që u shfaq dje”, tha Rama.

Rama iu referua edhe deklaratës së një mjeku, që u publikua një ditë më parë nga kreu i PD, Lulzim Basha. Rama tha se për cështjen e pandemisë ka një qasje destruktive.

“U shfaq dje si një mjek që duhej dëgjuar me gojë hapur dhe u prezantua nga vetë ai që pretendon të jetë kryeministri i vendit. Në fakt ishte një infermier, me gjithë respektin. Por një infermier nuk mund të promovohet si ekspert dhe të japë mend për një situatë si kjo e Covidi ku siç e shohim i janë marrë mend shkencës botërore. Është një tragjedi më vete kjo qasje destruktive dhe brutale e verbërisë e atyre që fatkeqësisht nuk i kemi përballë, por i kemi prapa dhe duan të na tërheqin prapa me një marrëzi që mishërohet në figurën dhe gjestin e Monika Kryemadhit, e cila thotë se virusi nuk ekziston. Ne do të përballemi në front, edhe me sfidën e rindërtimit dhe do ta fitojmë këtë sfidë për ata që presin të kthehen në shtëpi”, u shpreh kryeministri.