Kodi Zgjedhor/ VV: Sovranitet, por jo për konsolidimin e autokracisë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar me një deklaratë shtypi për problemin e Kodit Zgjedhor. “Qendra në Shqipëri është shprehur kundër ndryshimeve të njëanëshme të Kushtetutës më 30 korrik dhe të Kodit Zgjedhor më 5 tetor, pasi këto manovra janë në vijimësi shprehje e autokracisë së instaluar në Shqipëri”, thuhet në reagimin e Vetvendosjes.

Sipas VV, “ndryshimi i rregullave zgjedhore në favor të partisë në pushtet është pa asnjë mëdyshje përpjekje për të deformuar vullnetin qytetar në zgjedhjet e radhës”.

“I gjithë procesi i reformës zgjedhore as nuk e ndryshoi sistemin aktual proporcional rajonal dhe as nuk i hapi listat. Marrëveshja e 5 qershorit ka qenë vetëm mirëmbajtje e një sistemi të keq zgjedhor të vendosur prej vitit 2008. Elementi pozitiv i Marrëveshjes së 5 qershorit, ishte përfshirja e të drejtës së votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut.

Megjithatë, edhe kjo e drejtë po pamundësohet në zgjedhjet e 25 prillit 2021, për shkak të vonesave. Lëvizja VETËVENDOSJE, qendra në Shqipëri është shprehur kundër ndryshimeve të njëanëshme të Kushtetutës më 30 korrik dhe të Kodit Zgjedhor më 5 tetor, pasi këto manovra janë në vijimësi shprehje e autokracisë së instaluar në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.

Sipas saj, kjo qasje e qeverisë Rama është në kundërshtim me kodin e praktikave të mira të Komisionit të Venecias dhe rekomandimet e OSBE – ODHIR-it, të cilat janë kundër ndryshimit të rregullave të Kodit Zgjedhor 1 vit përpara zgjedhjeve, apo edhe më keq, 6 muaj para.

LEXO EDHE  Franca dhe Holanda, pengesa kryesore e Kosovës për liberalizimin e vizave

“Rama nuk mundet të fshihet pas sovranitetit të Shqipërisë për këto manovra që instalojnë autoritarizmin elektoral. Sovranitetin e Shqipërisë, Rama t’ia tregojë Greqisë e cila po tenton të zgjerohet në Detin Jon në kurriz të territorit detar shqiptar, dhe jo ndërkombëtarëve që po e kritikojnë kryeminstrin për praktikat e tij autoritare.

Ndryshimi i rregullave zgjedhore në favor të partisë në pushtet është pa asnjë mëdyshje përpjekje për të deformuar vullnetin qytetar në zgjedhjet e radhës. Jemi të vetëdijshëm se manipulimet zgjedhore në Shqipëri nuk krijohen vetëm përmes ndryshimeve arbitrare të Kodit Zgjedhor, por edhe përmes blerjes së votës, shantazhit dhe grupeve kriminale që bashkëpunojnë me këtë pushtet autoritar. Rrjedhimisht, po shkojmë drejt zgjedhjeve të 25 prillit pa marrë masa adekuate ndaj vjedhjes së votës dhe me një Kod Zgjedhor të përkeqësuar.

Zgjidhje të shpejtë nuk ka. Përtej reformës zgjedhore, nevojitet reforma e brendshme e partive politike shqiptare. Ndryshimi i vërtetë mund të vijë vetëm kur politika t’i kthehet diskutimit programor, organizimit përmes sakrificës dhe t’i largohet lidhjes së shkurtër me interesa oligarkike.

Në ndërkohë, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri u bën thirrje deputetëve të Kuvendit, që ta hedhin poshtë me votën e tyre tentativën e qeverisë Rama për instalimin e autoritarizmit elektoral”, thekson deklarata