“Rastet e reja në ditë janë mbi 2500”, Ilir Alimehmeti: Vaksina kundër gripit, ja mosha që duhet ta bëjë

Epidemiologu Ilir Alimehmeti u shpreh në një intervistë për Abcnews.al se personat që janë të vaksinuar kundër gripit kanë ecuri më të mirë edhe ndaj covid-it.

Ai tha se të gjithë personat 65-vjeç e sipër duhet të bëjnë vaksinën kundër gripit, pasi nuk ka asnjë dyshim që ndihmon për të fituar luftën me koronavirusin.

Mbyllja për epidemiologun nuk është zgjidhje, por testet e shpejta dhe sidomos grupeve të rriskut po. Nga mbajtja e maskës, Alimehmeti tha se nuk do të ketë dhe nuk duhet pritur rezultat, pasi shpjegoi se gjysma e transmetimeve është në shtëpi dhe 40% në administratë, ku maska ka qenë e detyrueshme që në korrik, ndërsa në rrugë nuk ka risk. “Edhe sikur të kishte një efekt maska, duheshin mjekësore” tha ai.

Intervista e plotë për Abcnews.al

Duke u nisur nga rritja e rasteve me covid-19 në javën e fundit dhe masave që kanë marrë vendet fqinje, a mund të shkojmë drejt kufizimeve të pjesshme?
Ky diskutim ka të bëjë edhe me gjëra të tjera, me ekonominë. Rënia e ekonomisë shkakton më tepër vdekje se një sëmundje e virusit. Unë si mjek llogaris edhe shëndetin publik. Faktori socio-ekonomik është faktor kryesor. Kjo do mbajtur me seriozitet në konsideratë. Nëse ata bëjnë llogari që të kenë humbje vendesh pune X, ajo përkthehet direkt në shëndet. Një vit jetë i humbur i një pensionisti nuk është njëlloj si e një të riu. Nga pikëpamja kosto e efikasitetit, daljet janë të gjithë te të rinjtë jo te të vjetrit. Po të më pyesësh mua si Ilir, ai nuk është një sektor aq i rëndësishëm, nga krahu tjetër ai është vital për ata që punojnë aty. Për atë që ka restorant ai humb gjithçka. Është diskutim që duhet ta bëjnë qeveritë.

Duke parë edhe numrin në rritje….
Unë shoh vetëm spitalet. Numrat e rasteve të reja janë asgjë, sidomos këta që nxjerrim ne 300 në ditë. Kur unë shoh 300, unë e di fare mirë se janë 2500 raste të reja në ditë të paktën, por kaq arrijmë që të kapim ne. Numrat janë tmerrësisht më të lartë se kaq. Vdekshmëria shyqyr Zotit nuk është aq e lartë krahasim me numrat. Të bësh kalkulimin sa kemi ne, 4-5 vdekje në ditë dhe 280 shtrime në spital, për të evituar këto a ia vlen pjesa tjetër? Ky është kalkimi që bën qeveria. 3-4-5 veta në një Shqipëri ku mesatarisht vdesin 60 persona në ditë nuk janë gjë, pasi ke 55 vdekje nga sëmundje të tjera. Duhet ti marrësh të gjitha në konsideratë në fund. Mbyllja ka efekt, kur ti mendon se mund ta zhdukësh, patjetër. Por ky nuk është i tillë, se duke e mbyllur ti e shtyn, por nuk e zhduk.

LEXO EDHE  Sa shtëpi do rindërtohen? Artan Shkreli: S'ka shifër konkrete

Po testimet masive?
Patjetër janë të rëndësishme. T’ua bësh të gjithëve nuk ka sens, pasi pas 3 ditësh testi nuk vlen më. Por në konceptim masiv nuk kuptohet të gjithëve me detyrim për të bërë një fotografi sot. Kjo bëhet mirë përmes testeve të shpejta, njëherë në javë të gjithë atyre që janë në shkollë apo spital, por jo 3 milionë vetave në javë. Ky është në qarkullim shitje, testi i shpejtë. Nëse jepet drita jeshile. Testi ekziston është i validuar. Pritet OK-ej i madh nga OBSH, nëse ata e marrin, nesër e ke në Tiranë. Janë edhe shumë të lira, 3.5 euro një kit. Një analizë gjaku kushton 10 euro, kjo është e lirë, e shpejtë dhe për 10 minuta del. Këto janë gjëra të vlefshme, ndërsa mbyllja bëhet kur ke një plan të madh, si puna e ushtrisë, që tërhiqet për t’u riorganizuar për kohë, por jo me sensin se do të zhduket sëmundja.

Kur mund të kemi një rezultat që maskat kanë dhënë efekt?
Asnjëherë. Pritet që nuk do të kishte efekt. Nuk është maska që të shpëton, se ti mund ta kesh gjithë ditën me maskë, por fakti që kemi gjysmën e transmetimeve në shtëpi dhe 40% në administratë, ku maska ka qenë e detyrueshme që në korrik, ndërsa në rrugë nuk ka risk. Edhe sikur të kishte një efekt maska, duheshin mjekësore. Po të bësh një xhiro në Tiranë % e atyre që kanë maskë mjekësore të mbajtur mirë është shumë e vogël.

Përpara është dimri dhe gripet sezonale…
Sivjet rastet me grip do të jenë më të pakta se vitin e kaluar, se të gjithë gripet do të klasifikohen si covid, kjo ka ndodhur në SHBA. Gripi nuk është shumë specifik në shenja. Duke qenë se të gjithë kanë covid-in në mes, nuk e mendon njeri gripin. Ditë e parë me temperaturë jepen antibiotikët, është gabim i madh, sepse mungojnë protokollet zyrtare për mjekun e familjes, nuk i ka dhënë kurrë Ministria e Shëndetësisë. Gripi do të bjerë, mundësia për t’i marrë të dyja njëkohësisht ekziston, rrisku për ata që i kanë të dyja njëkohësisht është më i lartë, dhe personat që do të jenë të vaksinuar kundër gripit kanë ecuri më të mirë edhe ndaj covid-it. Ideja është 65-vjeç e sipër vaksinë të gjithëve kundër gripit. Tani nuk ka detyrim, nuk është e detyrueshme, ka qenë e ndikuar fort gjithmonë për këto mosha. Është e këshilluar. Nuk jam pro që të jetë me detyrim, por ka rekomandim të fortë, që ndihmon nuk ka dyshim./ Abcnews.al