Inceneratorët, Manjani: LSI s’mund t’i shmanget përgjegjësisë politike

Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se LSI nuk mund t’i shmanget përgjegjësive politike, lidhur me inceneratorët. Manjani shkruan se LSI minimalisht kishte në dorë ta ndalte këtë masakër mjedisore, urbane, buxhetore dhe anti-integrim, por nuk e bëri!

“Mirë u çmend Lefteri, po të tjerët pse e lejuan që qeveria të vendosë brenda ditës?!”, shkruan Manjani, duke reaguar pas deklaratave të Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila ia hodhi përgjegjësinë lidhur me inceneratorët, ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, një prej drejtuesve të LSI për vite me rradhë, sot i përjashtuar nga kjo parti.

Manjani shprehet se LSI nuk ndali në fakt asgjë nga këto të liga anti-europë e anti-integrim të modelit Edi Rama, që po përjetojnë sot shqiptarët.

“Kur them LSI, fus dhe veten time për aq sa më takon në këtë përgjegjësi. Pavarësisht përpjekjeve të mia reaguese, ne NUK E NDALËM dot të keqen.

Kjo është e vërteta, me të cilën nuk mund të luhet për asnjë arësye mendoj unë. As për të bërë Opozitë.

Nuk është e thënë të jesh peng i të shkuarës, por distancimi nga ajo bëhet më i besueshëm me një ndjesë si fillim dhe, në vijim me një plan rikuperimi”, shprehet Manjani.

Postimi nga Ylli Manjani

Pavarësisht distancimit të LSI së sotme nga veprimtaria ish Ministrit Koka për çështjen e inceneratorëve, gjykoj se LSI mban përgjegjësi politike.

LSI minimalisht kishte në dorë ta ndalte këtë masakër mjedisore, urbane, buxhetore dhe anti-integrim, por nuk e bëri! Mirë u çmend Lefteri, po të tjerët pse e lejuan që qeveria të vendosë brenda ditës?!

LEXO EDHE  Zbythet Rilindja/ Prefekti rrëzon Gjicin për heqjen e titullit "Qytetar Nderi" për Veton Surroin

Pse u lejua të shkelej dokumenti strategjik për trajtimin e mbetjeve?!

Pse u lejua shkelja e angazhimeve të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit?! Kjo e fundit për LSI kishte në shumë kuptim se asgjë tjetër.

Siç në fakt nuk ndali, përkundrazi kontribuoi, në shkatërrimin e shtetit me miratimin e ligjeve të reformës në drejtësi pa konsensusin e opozitës.

LSI nuk ndali në fakt asgjë nga këto të liga anti-europë e anti-integrim të modelit Edi Rama, që po përjetojnë sot shqiptarët.

Kur them LSI, fus dhe veten time për aq sa më takon në këtë përgjegjësi. Pavarësisht përpjekjeve të mia reaguese, ne NUK E NDALËM dot të keqen.

Kjo është e vërteta, me të cilën nuk mund të luhet për asnjë arësye mendoj unë. As për të bërë Opozitë.

Nuk është e thënë të jesh peng i të shkuarës, por distancimi nga ajo bëhet më i besueshëm me një ndjesë si fillim dhe, në vijim me një plan rikuperimi.

Politika serioze dhe e përgjegjshme nuk e shet të shkuarën e saj tek personat, por e rivlerëson si aset për të bërë më mirë në të ardhmen.

E vërteta është e hidhur si ilaçi, por i domosdoshëm për t’u pirë. Refuzimi për ta pirë përkeqëson sëmundjen…
=======
P.S. Besoj me këto mendime i shërbej Ramës… 😀