Vonesat në emërimin e shefave të prokurorive, KLP shton rrezikun e “kompromiseve” me hetimet

Nga Boldnews.al

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) pritet të vendosë brenda pak ditësh për shpalljen e vendeve vakante për drejtues të prokurorive, një proces tejet i vonuar dhe me pasoja për mirëfunksionimin e njësive strukturore të institucionit të Akuzës.

Në përfundim të mbledhjes së datës 15 Tetor 2020, KLP njoftoi se “projektvendimi ‘Për shpalljen e vendeve vakante për drejtues të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë’, do të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u krijua në Dhjetor 2018. Në atë kohë, drejtuesit e prokurorive ishin caktuar në një mënyrë kontraverse nga ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Megjithëse kanë kaluar dy vjet, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, struktura përgjegjëse për karrierën e prokurorëve, ende nuk ka ndërmarrë nismat konkrete për sistemin e kuadrit drejtues të prokurorive lokale.

Një ndër arsyet për vonesat në hapjen e garës për drejtues, të përmendura në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka qenë fakti se duheshin pritur rezultatet e Vetingut.

Por, ky argument rrëzohet po nga vetë KLP, i cili pritet të hapë shumë shpejt garën për titullarë, ndërkohë që procesi i rivlerësimit është ende në gjysmën e tij.

Pasojat
Emërimi i titullarëve të prokurorive nuk është thjesht një procedurë administrative. Drejtuesit e strukturave hetimore, megjithëse kanë kompetenca të reduktuara krahasuar me legjislacionin para Reformës në Drejtësi, sërish kanë shumë në dorë.

Drejtuesit e prokurorive nuk mund të ndërhyjnë në çështje konkrete hetimore. Por, gjithësesi, ata mund të përdorin mekanizmin e “udhëzimit të përgjithshëm” për çështjet hetimore.

E, në rast se prokurorët e çështjeve nuk i marrin parasysh “udhëzimet”, titullarët mund të referojnë prokurorët për shkelje disiplinore.

Nga ana tjetër, drejtuesit e prokurorive janë përgjegjës për ndarjen e çështjeve penale. Pavarësisht se ligji parashikon hedhjen e shortit për shpërndarjen e dosjeve penale, në shumë prej prokurorive lokale nuk realizohet një procedurë e tillë, për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Duket qartë që drejtuesit e prokurorive, e kanë mundësinë që çështje specifike, t’ia dorëzojnë prokurorëve të caktuar.

Pra, megjithëse ligjërisht, drejtuesit e prokurorive nuk mund të ndërhyjnë në rastet konkrete, gjenden gjithnjë mekanizmave për të ushtruar ndikimin e tyre.
Pozicioni i drejtuesit të prokurorisë është një post i lakmuar dhe, me të drejtë, shumë prej prokurorëve mund të synojnë këtë post.

LEXO EDHE  Një vit nga përhapja e koronavirusit, pyetjet ende pa përgjigje

Natyrisht, të interesuar për këtë pozicion janë edhe drejtuesit aktualë, që ushtrojnë funksionin të komanduar.

Kjo situatë e paqartë nuk përjashton mundësinë që drejtuesit aktualë, me shpresën për të marrë emërimin përfundimtar, të përfshihen në “kompromise ekstra-ligjore” me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ose edhe me çështje konkrete, për të cilat kanë interes përfaqësues politik qëndror apo lokal.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përgjatë dy viteve, ka pasur mundësinë për të sistemuar këtë problematikë në drejtimin e prokurorive lokale. Por, deri më tani, ka zgjedhur që të mbajë çështjen pezull.

Kjo situatë ka nxitur edhe Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, që të kërkojë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të vijojë sa më shpejt me emërimin e drejtuesve të prokurorive lokale.

Në një takim në Korçë, në fundjavën që lamë pas, Kryeprokurori Çela u shpreh se “vlerëson shumë të rëndësishëm që do të nisë për zgjedhjen e drejtuesve të rinj nga KLP”.

Duke e ditur se ky proces ka një peshë shumë të veçantë, Çela u shpreh se “ky proces (emërimi i drejtuesve të rinj) nuk duhet të ndikohet nga asnjë faktor i jashtëm”.

Të komanduarit
Aktualisht, shumica absolute e prokurorive të rretheve dhe atyre të Apelit drejtohen nga titullarë të caktuar përkohësisht.

“Boldnews.al” ka hartuar një listë të prokurorive lokale, të cilat drejtohen nga titullarë të përkohshëm;

14 nga 23 prokuroritë e rretheve gjyqësore janë me drejtues të përkohshëm
– Prokuroria e Tiranës, ​Drejtuese Elisabeta Imeraj
– Prokuroria e Durrës, Drejtuese Anita Jella
– Prokuroria e Elbasanit, Drejtues Kreshnik Ajazi
– Prokuroria e Fierit, Drejtuese Violeta Shkurta
– Prokuroria e Vlorës, Drejtues Erion Çela
– Prokuroria e Shkodrës, Drejtues Albert Murçaj
– Prokuroria e Kukësit, Rita Gjati
– Prokuroria e Dibrës, Rifat Rojku
– Prokuroria e Lezhës, Milan Laskaj
– Prokuroria e Lushnjes, Arben Dyla
– Prokuroria e Kurbinit, Arben Nika
– Prokuroria e Gjirokastrës, Julian Çafka
– Prokuroria e Sarandës, Lorenc Mërkuri
– Prokuroria e Pogradecit, Drejtuese Dorina Bejko

4 nga 6 Prokuroritë e Apelit janë me drejtues të përkohshëm
– Prokuroria e Apelit Durrës, Drejtues Ludovik Dodaj
– Prokuroria e Apelit Shkodër, Drejtues Brahim Dragjosha
– Prokuroria e Apelit Korçë, Drejtuese Ollga Visi
– Prokuroria e Apelit Gjirokastër, Drejtues Gjon Fusha