Vetingu/ KPK “harron” rivlerësimin e pedagogëve të Magjistraturës

Nga Boldnews.al

Rreth 3 vjet pas nisjes së procesit të rivlerësimit, institucionet e Vetingut kanë lënë jashtë procedurave kontrolluese drejtorin dhe pedagogët e Shkollës së Magjistraturës, megjithëse ata gëzojnë përkatësisht statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe të gjyqtarëve të Apelit.

Ligji për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikon se pedagogët e shkollës që përgatisin gjyqtarët dhe prokurorët e së ardhmes largohen nga detyra, në rast se dështojnë të kalojnë testin e trefishtë të Vetingut.

Por, megjithëse drejtuesit dhe stafi i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës gëzojnë të drejtat dhe privilegjet e zyrtarëve më të lartë të drejtësisë, ata ende nuk janë përfshirë në procesin e Vetingut.

Institucionet e rivlerësimit kalimtar kanë verifikuar ose kanë në proces aktualisht një total prej mbi 300 gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës.

Kontrolli i trefishtë, i pasurisë, integritetit dhe aftësive profesionale, nisi në fund të vitit 2017, me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët u konsideruan si subjekte prioritarë.

Më tej, lista e vetingut u shtri në nivelin e gjykatës së Apelit, proces i cili tashmë është drejt fundit për këtë kategori.

Ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur procesin e rivlerësimit, madje edhe seancat dëgjimore me gjyqtarët e prokurorët e shkallës së parë, ka lënë tërësisht jashtë “vëmendjes” drejtorin dhe pedagogët e Shkollës së Magjistraturës.

Stafi i kësaj shkolle, për shkak të statusit të veçantë, duhej të ishte përfshirë në listën e subjekteve prioritare, së bashku me zyrtarët e barazvlefshëm me ta.

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, post i cili aktualisht mbahet nga Arben Rakipi, gëzon statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, sipas përcaktimit të nenit 250 të ligjit ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Pedagogët e Shkollës së Magjistraturës, 13 të tillë sipas azhornimit më të fundit të faqes zyrtare të atij institucioni, gëzojnë statusin e gjyqtarit të Apelit, sipas përcaktimeve të nenit 264 të të njëjtit ligj.

Drejtori dhe pedagogët e Shkollës së Magjistraturës janë subjekt i procesit të Vetingut. Në të njëjtin ligj, për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenin 285 të tij, parashikohet se “Drejtori dhe pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës qëndrojnë në detyrë, përveç rasteve kur nuk kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit ose largohen nga detyra bazuar në shkaqe të tjera të ligjshme”.

Pra, kalimi me sukses i Vetingut është një ndër kushtet thelbësore që drejtori dhe pedagogët e Magjistraturës të vijojnë detyrën e tyre.

Por, duket se ata do të qëndrojnë të pashqetësuar edhe për një kohë të gjatë, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka vendosur ende që të hapë procedurat kontrolluese ndaj stafit të Magjistraturës.

Shkolla e Magjistraturës ka një rol shumë të rëndësishëm në sistemin gjyqësor. Paketa kushtetuese dhe ligjore e Reformës në Drejtësi i ngarkoi kësaj Shkolle edhe përgjegjësi shumë të mëdha, që lidhen me përgatitjen dhe pjesëmarrjen në organet e reja të drejtësisë.

Ndaj, konfirmimi në detyrë i pedagogëve të Shkollës së Magjistraturës duhet të ishte një ndër prioritetet e strukturave të Vetingut.

Shkolla e Magjistraturës, tashmë, është i vetmi institucion që përgatit gjyqtarët dhe prokurorët e së ardhmes.

Kjo Shkollë është përgjegjëse për trajnimin vazhdues të magjistratëve në detyrë dhe kualifikimin e tyre.

Po ashtu, kuadri ligjor parashikon që pedagogë të Shkollës së Magjistraturës janë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Madje, ligji për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, e ka renditur Shkollën e Magjistraturës përpara KLGJ dhe KLP, duke afirmuar në një lloj mënyrë epërsinë e saj mbi strukturat e tjera të qeverisë së gjyqësorit.