Dokumentat/ “Loja” e Dvoranit, DSIK dhe SHÇBA për bllokimin e Kushtetueses

Nga Boldnews.al

Disa të dhëna zyrtare të institucioneve të rivlerësimit, të kryqëzuara nga “Boldneës.al”, dëshmojnë se një “lojë” e Ardian Dvoranit, si edhe mungesa e vullnetit nga ana e strukturave shtetërore në varësi të kryeministrit Edi Rama, DSIK dhe SHÇBA, duket se janë përgjegjëset kryesore për vonesat ekstreme në plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka pajisur me çertifikatë sigurie të gjithë trupën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm në Shtator 2020, ndërkohë që nevoja për atë dokument kishte lindur që në Shkurt 2020.

Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk mund të shqyrtonin dokumenta “konfidencialë” dhe “sekret” pa pasur në dispozicion çertifikatën e sigurisë.

Por, megjithëse ekzistonte ky ngërç, Dvorani, në cilësinë e titullarit të KED-së për pjesën më të madhe të vitit 2020, nuk dorëzoi asnjë kërkesë zyrtare në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Kërkesat për pajisjen e anëtarëve të KED-së me çertifikatë sigurie janë dorëzuar pranë DSIK  në Korrik të këtij viti, pas largimit të Ardian Dvoranit.

Për 7 nga 8 anëtarët që ishin në detyrë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në Shtator 2020, të cilët janë të gjithë zyrtarë të sistemit të drejtësisë, DSIK kishte dhënë vlerësime pozitive për figurën e tyre gjatë procesit të Vetingut.

Ndaj, pajisja e tyre me çertifikatë sigurie ishte një procedurë rutinore, e cila mund të kërkonte një impenjim disa-orësh nga DSIK.

Por, siç rezulton nga dokumentat zyrtare, DSIK, strukturë në varësinë direkte të kryeministrit Edi Rama, i ka vonuar çertifikatat e sigurisë për një pjesë të anëtarëve të KED-së plot 2 muaj, duke pas-sjellë edhe vonesa në shqyrtimin e kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria bllokon kushtin e BE

Komisioni Europian, në Progres-Raportin për vitin 2020, të publikuar pak ditë më parë, i paraqiti qeverisë shqiptare kushtin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese deri në fund të Dhjetorit, para se të vendoset për hapjen e bisedimeve dhe proceseve të tjera integruese të vendit në Bashkimin Europian.

Qeveria shqiptare dhe maxhoranca socialiste, e cila duket se e priste këtë kusht, intensifikoi më herët kërkesën e llogarisë për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vakancave në Kushtetuese.

Por, përtej qasjes publike, duket se qeveria, nëpërmjet “njerëzve” dhe institucioneve vartëse të saj, ka bërë gjithçka për të vonuar ri-ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Një sinjal të tillë e dha fillimisht kryetarja në detyrë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha.

Në një deklaratë zyrtare, të shpallur rreth dy javë para publikimit të këtij shkrimi, Tusha renditi si një ndër arsyet e vonesave në shqyrtimin e kandidaturave, pikërisht mungesën e pajisjes së të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me çertifikata sigurie nga DSIK.

“Sinjali” i Vitore Tushës ishte një sintezë, me nota shumë të buta, e diskutimeve të brendshme në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, të zhvilluara në datën 16 shtator 2020.

Në atë mbledhje, Tusha ka vënë në dijeni të pranishmit se anëtarët e KED-së tashmë ishin pajisur me çertifikata sigurie. “Kemi pasur një problem, përveç meje, zonjës (Fatjona) Memçaj dhe zonjës (Arta) Marku, anëtarët e tjerët nuk kanë qenë të pajisur me certifikatë sigurie dhe janë dashur shumë procedura, të cilat kanë kërkuar kohën e tyre..”, u shpreh Vitore Tusha në atë mbledhje.

Për përfaqësuesin e institucionit të Presidencës, Bledar Dervishaj, kjo situatë u vlerësua “shumë e rëndë”, aq më tepër që vonesat kanë ardhur nga DSIK, një institucion në varësi të kryeministrit Edi Rama.

Nëse do të shikojmë relacionet e secilit kandidat, përgjigjja ka qenë njëlloj për të gjithë, psh. Altin Binaj, Artan Spahiu… Më 28.02.2019, ka kthyer përgjigje DSIK për verifikimin tyre, ndërkohë që për relatoren dhe anëtarët e Këshillit është mbajtur peng pajisja e tyre me certifikatë sigurie?! Ky është një tjetër fakt që ne si institucion nuk kishim dijeni. Por ai organ (DSIK) varet nga Kryeministri, nuk varet nga Presidenti”, deklaroi Dervishaj.

LEXO EDHE  "Do zgjedhim kush do trajtohet në spitale", Shehu: Deklaratë terrorizuese, Rama të publikojë protokollet e vdekjes

Dhe, në fakt, vonesat për pajisjen e anëtarëve të KED-së me çertifikatë sigurie duken të pazakonta, duke mbajtur në konsideratë se thuajse të gjithë, përveç Arjan Qafës, kishin kaluar Vetingun edhe me “bekimin” e DSIK.

Siç e përmendi Vitore Tusha, ajo vetë në cilësinë e gjyqtares Kushtetuese, ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, si edhe prokurorja e Apelit të Tiranës, ishin pajisur më herët me çertifikata sigurie.

Ndërkohë, në Korrik 2020, ishin bërë kërkesat zyrtare për pajisjen me çertifikatë sigurie të anëtarëve të tjerë, e konkretisht; gjyqtares Kushtetuese, Fiona Papajorgji, gjyqtarëve të Apelit, Saida Dollani, Miranda Andoni e Arjan Qafa, si edhe prokurorit të Apelit, Ludovik Dodaj.

Përveç gjyqtarit Qafa, i cili u shkarkua nga Vetingu të nesërmen e mbledhjes së përmendur në këtë shkrim, të gjithë të tjerët kishin kaluar shkallën e parë të Vetingut dhe DSIK i kishte konsideruar të përshtatshëm për vijimin e detyrës.

Pra, duket tërësisht absurde që DSIK të merrte një kohë të gjatë për “printimin” e një çertifikate sigurie në emrin e tyre, përsa kohë i kishte kryer verifikimet më herët dhe kishte konkluduar për pastërtinë e tyre.

“Roli” i SHÇBA

Në proces-verbalin e mbledhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të datës 16 shtator 2020 zbulohet edhe një “problematikë” me vonesat në informacionet e përcjella nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), strukturë në varësi të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Sërish, problemi është konstatuar nga përfaqësuesi i Presidencës.

KED në 30.01.2020 i dërgon shkresë SHÇBA-së të Ministrisë së Brendshme, pra ministrit të Brendshëm, që e ka në varësi direkte SHÇBA-në. Dhe turpi më i madh, qëndron tek fakti që ky autoritet më 09.09.2020 i kthen përgjigje KED, kjo për të gjithë kandidatët. Pra, këtu kemi prapë një bllok nga qeveria, ka bllok nga ministri i Brendshëm, SHÇBA-ja. Kështu i bie, se është 9 muaj afati që i është dashur këtij organi (SHÇBA), për një shkrese për t’i thënë KED që ky person nuk ka aktivitet kriminal”, u shpreh Bledar Dervishaj i Presidencës.

Pas këtij komenti, ndërhyri Vitore Tusha, e cila shpjegoi se SHÇBA i ka kthyer përgjigje Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që në Shkurt 2020, por se ato dokumenta nuk janë hapur nga relatorja (Miranda Andoni), për shkak se nuk ishte e pajisur në atë kohë me çertifikatë sigurie.

Megjithatë, shpjegimi i Vitore Tushës mbetet thjesht në kuadrin deklarativ. Në vendimin e zbardhur për kualifikimin e kandidatit Altin Binaj, me nr. 25, dt. 16.09.2020, në faqen 6 të tij, shkruhet: “Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme, ka dërguar përgjigje me shkresën nr. 360/4 Prot, dt. 09.09.2020, nga ku rezulton se….”.

Pra, pavarësisht shpjegimeve të Vitore Tushës, dokumentat zyrtarë flasin se Ministria e Sandër Lleshaj ka vonuar plot 9 muaj përgjigjet për verifikimet mbi kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Të gjitha “detajet” proceduriale krijojnë dyshimet e forta se qeveria “Rama”, fillimisht me Ardian Dvoranin dhe më tej me strukturat në varësi të saj, ka bërë gjithçka të jetë e mundur për të rivendosjen në funksionim të Gjykatës së Lartë.